Të martën në Gjykatën e Posaçme të Kosovës në Hagë u hap procesi gjyqësor ndaj ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i akuzuar për krime lufte.
I arrestuar më 16 mars të vitit 2021 në Belgjikë, Pjetër Shala i njohur gjatë luftës në Kosovë me nofkën “komandant Ujku”, akuzohet për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Sipas akuzës që është ngritur më 12 qershor të vitit 2020 dhe konfirmuar në nëntor të vitit 2021, “krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit të vitit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Prokurorët thanë se zoti Shala ishte pjesë e një grupi kriminal që arrestoi dhe keqtrajtoi rëndë të paktën 18 persona që konsideroheshin si spiunë ose bashkëpunëtorë të serbëve.
Prokurori Alex Whiting tha se Pjetër Shala kishte kryer një vrasje duke marrë pjesë në rrahjen e një burri dhe duke e qëlluar atë në këmbë, që i kishte shkaktuar gjakderdhje viktimës për disa orë.
Zoti Shala tha sot se ndjehet i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave të ngritura kundër tij. “Unë nuk pranoj asgjë, është e gjitha e sajuar”, tha ai.
Prokuroria tha se deri më tani janë paraqitur tetë persona në cilësinë e viktimave në procesin ndaj Pjetër Shalës.
Ky është procesi i dytë gjyqësor në Gjykatën së Posaçme në Hagë ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e shpalli fajtor dhe e dënoi me 26 vjet heqje lirie Sali Mustafën një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën akuzat për krime lufte.
Aktualisht në Hagë ndodhen edhe ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët u arrestuan në nëntor të vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre pritet të fillojë në muajin prill.
Gjykata e Posaçme që njihet me emrin Dhomat e Specializuara, u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.
Ngritja e gjykatës së posaçme si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.