Një fabrikë e re, e cila synon të pakësojë sasinë e dioksidit të karbonit të çliruar nga industria e aviacionit është hapur në qytetin gjerman të Verltes. Fabrika do të prodhojë vajguri sintetik, një substancë që nuk emeton dioksid karboni dhe mund të përdoret si karburant për avionët. Ministrja gjermane e Mjedisit thotë se deri në vitin 2045 ky projekt do ta bëjë të mundur uljen pothuajse në zero të sasisë të dioksidit të karbonit të emetuar nga industria e aviacionit.
Zyrtarët gjermanë thanë gjatë ceremonisë së hapjes së fabrikës më 5 tetor se ajo është uzina e parë komerciale në botë e prodhimit të vajgurit sintetik, një lloj karburanti miqësor ndaj klimës.
Aviacioni shkakton aktualisht rreth 2.5% të totalit të dioksidit të karbonit të emetuar në botë, që kontribuon në ngrohjen globale.
Ndërsa format e tjera të transportit po elektrizohen gjithnjë e më shumë, sfida për të prodhuar aeroplanë të mëdhenj me bateri është e madhe.
Fabrika në Verlte, pranë kufirit veriperëndimor të Gjermanisë me Holandën, do të përdorë ujë dhe energji elektrike nga katër centralet me erë aty pranë për të prodhuar hidrogjen.
Në një proces që përdoret prej shekujsh, hidrogjeni kombinohet me dioksid karboni për të prodhuar naftë bruto, e cila më pas mund të rafinohet në karburant avioni.
“Atmosfair”, një organizatë jo-fitimprurës gjermane po punon në këtë projekt.
“Vajguri sintetik është në thelb një lloj hidrokarburi, pra një kombinim hidrogjeni dhe karboni përmes një procesi sintezeje”, thotë Dietrich Brockhagen , shefi ekzekutiv i organizatës “Atmosfair”.
Organizata “Atmosfair” thotë se djegia e vajgurit sintetik lëshon të njëjtën sasi të dioksidit të karbonit në atmosferë me atë që është hequr më parë gjatë procesit të prodhimit të këtij karburanti.
Sasia e karburantit që fabrika mund të prodhojë duke filluar në fillim të vitit të ardhshëm është modeste: vetëm tetë fuçi në ditë, ose rreth 1270 litra karburant avioni.
Kjo do të ishte e mjaftueshme për të funrizuar një aeroplan të vogël pasagjerësh çdo tre javë.
Kjo është një sasi shumë e vogël që nuk mund të plotësojë nevojat e industrisë së aviacionit, që para pandemisë arritën në 359 miliardë litra karburant avioni në vit. Por, organizata “Atmosfair”, thotë se qëllimi i saj është të tregojë se procesi është teknologjikisht i realizueshëm. Pas zgjerimit të kapaciteteve prodhuese ky lloj karburanti mund të plotësojë të gjitha nevojat e botës dhe mund të jetë ekonomikisht i qëndrueshëm, thanë drejtuesit e organizatës.
“Përmes energjisë diellore të lirë, në të ardhmen mund të jetë i mundur prodhimi i lëndëve djegëse elektronike që janë po aq të lira sa karburantet fosile sot”, thotë Falko Ueckerdt, ekspert në Institutin e Studimit të Ndikimit të Klimës në Potsdam.
Fillimisht çmimi i vajgurit sintetik i prodhuar në Verlte do të jetë shumë më i lartë se ai i karburantit të zakonshëm të avionëve, megjithëse organizata “Atmosfair” nuk pranoi të zbulonte çmimin për klientin e saj të parë, kompaninë ajrore gjermane Lufthansa.
Shefi ekzekutiv i organizatës “Atmosfair”, Dietrich Brockhagen, thotë se ulja e çmimit në rreth 5.80 dollarësh për litër është diçka që mund të arrihet.
“Ky projekt është shumë i rëndësishëm sepse ai tregon se mund të jemi miqësor ndaj klimës, mund ta ulim në zero sasinë e diokisidid të karbonit të çliruar nga industria e aviacionit deri në vitin 2045”, tha ministrja gjermane e Mjedisit, Svenja Schulze në ceremoninë e hapjes së fabrikës.
Zonja Schulze e pranoi se Gjermania mund të mos jetë vendi ideal për të prodhuar sasi të mëdha të karburantit elektronik. Por ajo tha se pavarësisht faktit se vendet e tjera kanë energji diellore më të lirë, për shkak të numrit më të madh të ditëve me diell, ky projekt mund të krijojë mundësi të reja eksporti për Gjermaninë.
Komentet