11 gusht 2023 – “I hapa sytë dhe pashë fare qartë”; Këto janë fjalët e Jimena-s, vajzës 16-vjeçare spanjolle, e cila pretendon se iu rikthye shikimi për mrekulli, pasi mori Kungimin Shenjt në Fatima (Portugali), gjatë një meshe, shkruan Radio Vatikani.
Historia e pabesueshme e kësaj mrekullie të mundshme, preku zemrat dhe i mbushi me shpresë të gjithë ata që, gjatë këtyre ditëve, u mblodhën së bashku. Ishin më se një milion të rinj, së bashku me Papën Françesku, në kryeqytetin portugez.
Jimena udhëtoi për në Lisbonë nga qyteti i Madridit, së bashku me një grup të Opus Dei-t. Gjatë ditëve të mëparshme, të afërm dhe të njohur të së resë organizuan një nëntëshe lutjeje për shërimin e saj në gjunjë para Zojës së Nevas, e cila u përkujtua të shtunën, më 5 gusht, në të njëjtën ditë kur ajo rifitoi shikimin.
Dy vjet e gjysmë më parë, Jimena humbi shikimin për shkak të një problemi me miopinë. Shihte turbull, vetëm 5%. Në mëngjesin e 5 gushtit, kur Ati i Shenjtë i printe Rruzares në Shenjtëroren e Fatimes, Jimena mori atë, që e quan “dhuratë” nga Virgjëra Mari.
Ia përshkroi sakaq radio stacionit spanjoll COPE disa nga çastet pas rifitimit të shikimit. Në një audio, Jimena tregon se u ngrit atë mëngjes “siç ishte ngritur për dy vjet e gjysmë, duke parë krejt paqartësisht”.
Ajo shpjegoi se kishte shkuar në Meshë me miqtë e saj ” në DBR dhe, pas kungimit, filloi të qajë shumë, sepse ishte dita e fundit e nëntëshes, në pritje të përmirësimit. Ndaj iu lut përsëri Zotit me gjithë zemër, duke i këkuar dritën e syve”.
“Kur hapa sytë, pashë në mënyrë të përsosur – vazhdon e reja – ishte shumë, tepër, duhet falënderuar shumë për mrekullinë, sepse pashë altarin, Tabernakullin, miqtë e mi ishin aty, i pashë përsosurisht “.
Për më tepër, vajza pohon se mundi të lexojë lutjen, që po thuhej për nëntshen dhe siguron se vijon të lexojë “fare mirë”.
Shton se është “më e lumtura në botë” dhe i falënderon të gjithë ata që ishin në grupin e lutjes. “Ishte provë besimi, Zoja më fali një dhuratë, që nuk do ta harroj kurrë: dritën e syve”.
Duke folur për ACI Stampa më 6 gusht, kardinali Juan José Omella, kryeipeshkëv i Barcelonës dhe kryetar i Konferencës së Ipeshkvijve Spanjollë (CEE), e quajti këtë mrekulli të mundshme si “hir i Zotit” gjatë konferencës për shtyp në përfundim të DBR-së, nga Parku Eduardo VII, në Lisbonë.
Pohoi se këmbeu me Jimenën një videotelefonatë, gjatë së cilës ajo i shpjegoi çka ndodhi “krejt natyrshëm”. Natyrisht, shumë e emocionuar. Ishte e verbër, e tani shihte, ndërsa përpiqej të mësonte gjuhën e të verbërve me metodën Braille”.
Prelati theksoi edhe se Jimena “duhej të lexonte lutjen e Falënderimeve në Meshën që patën atë ditë me grupin e Madridit” dhe se, pas kungimit, ajo ishte në gjendje ta lexonte pa probleme. E reja i kujtoi kardinalit edhe ” nëntëditëshin e lutjes që kishin bërë për t’i kërkuar Virgjërës “dritën e syve”.
Natyrisht kujtoi më pas “se gjithçka duhet vlerësuar nga mjekët” por tani për tani, mbetet ngjarje e madhe, e jo vetëm për vajzën. E ndoshta mund ta quajmë mrekulli! Ajo nuk pa, e tani shikon. Qartë. Tani do të jenë mjekët ata, që do ta thonë pjesën tjetër, ndërsa ajo nuk di si t’i gëzohet dritës së syve! Epo, shiko çka mund të ndodhë, e bekoje Zotin”.
Në përfundim, Kardinali siguroi se ai ishte “prekur thellë” edhe nga dëshmi të tjera, ndodhur gjatë DBR-së. Rrëfime nga të rinjtë, që “i rifituan sytë e shpirtit. E tani e shikojnë botën me sy të rinj!”