Kishim orë që bisedonim tashmë me Hamit Aliajn, nga stacioni qendror i trenit në Luksemburg, në kafe e pastaj rrugës për në banesën e marrë me qirà nga i biri, Drenisi, kur ia kujtova:
– Hamit, ti e ke kënduar i pari këngën “N’Dardani bjen nji tupan”.
Nuk ka shqiptar që nuk e ka kënduar dhe nuk do të mbetet shqiptar pa e kënduar këngën “N’Dardani bjen nji tupan”.
E di shumëkush se poezinë e ka shkruar Hamit Aliaj. Por nuk e dinë se fatin e këngës e përcaktoi vetë autori i poezisë, nuk e dinë rolin e autorit që kjo poezi të bëhej këngë.
“N’Dardani bjen nji tupan” është kënduar për herë të parë në skenën e Festivalit të Gjirokastrës në tetor të vitit 1983.
Të gjitha institucionet e Tropojës, veçanërisht Pallati i Kulturës, ishin të përfshirë në ethet e përgatitjes për pjesëmarrjen në Festivalin Kombëtar Folklorik të Gjirokastrës. Edhe nga Tirana kishte ardhur një grup ekspertësh për të ndihmuar.
Kompozitori Bashkim Gjyriqi ishte ngarkuar përgjegjës për muzikën. Skulptori Isa Baliaj ishte ngarkuar përgjegjës për kostumet. Koreografi Skënder Haklaj ishte ngarkuar përgjegjës për kërcimet.
Unë isha përgjegjës i teksteve të Festivalit. E takoj Hamitin në qendër të qytetit Bajram Curri. Dukej përngutshëm. “Po shkoj të kap autobusin. Do të pushoj pak ditë në Kasaj.”
“Hamit, pusho e çlodhu. Ti e di që Gëzim Nikajn e kemi ende pa këngë. Shiko nëse mund të na e shkruash një këngë për Gëzimin,”- e porosita.
“Po, Skënder, mos ki merak!”
Ishte fundi i muajit gusht. Vinte koha për të përfunduar përgatitjet për Festivalin. Kishin kaluar pak ditë. Po zbrisja në rrugën për tek Posta, kur u shfaq Hamiti.
“E kam shkruar tekstin për këngën e Gëzimit,”- ma dha sihariqin Hamiti.
Nxori fletën nga çanta. Tekst i mrekullueshëm. Ndërsa unë po ia ngrija në qiell poezinë, Hamiti më tha:
“Kam menduar edhe për melodinë.” Dhe filloi të këndojë këngën 100-vjeçare të epikës historike tropojane “Te len dielli, preron hana/ Zhuj Selman nuk bën më nana”. Dhe pastaj, me të njëjtën melodi, ai këndoi “Ç’janë kta gurë të bardhë e të zi/ dikush krushqit o naj ka ngri”…. Pa e shikuar fletën, Hamiti po e këndonte këngën e krijuar prej tij. Kushedi sa herë e kishte kënduar vetëm për vetëm. Dhe tashi interpetonte përmendsh.
I thashë Hamitit:
“Shko menjëherë te Kola (Susaj), tregoja tekstin dhe melodinë!”
“Drejt e atje po shkoj, pa vonuar,” m’u përgjigj Hamiti.
Kola iu përmbajt melodisë së zgjedhur nga Hamiti, duke iu dhënë tone më kushtruese vargjeve të treta dhe të katërta të këngës “Naj ka ngri o i ka ba gur/ o krushqit tanë o me flamur.”, si dhe duke krijuar një pushim (hiatus muzikor – ku dëgjohet vetëm tupani) për të vazhuar me strofën “N’Dardani bjen nji tupan/ Krushqit vijnë me kapuç’ t’bardhë./ Cili asht krushku i parë që pri/ O âsht flamuri kuq e zi”.
Kënga pati sukses të jashtëzakonshëm dhe popullarizim të menjëhershëm anembanë Shqipërisë dhe botës shqiptare. U bë një himn popullor dhe një kushtrim kombëtar i të gjitha kohërave. Dhe do të mbetet gjithmonë kushtrim e frymëzim për të gjithë brezat e shqiptarëve.
Hamiti vetë kishte zë të bukur dhe kishte vesh muzikor. (Mes miqve, në raste gëzimesh, por edhe në raste dëshpërimesh, i thoshim, “O Hamit Aliaj, na e merr nji kangë!”) Edhe këto cilësi kanë pasur ndikim të madh në qindra tekstet tejet të suksesshme të këngëve.
Kënga u bë vendimtare jo vetëm për fatin artistik të këngëtarit Gëzim Nikaj, por edhe u bë këngë me ndikim vendimtar në fatet tona kombëtare, në fatet e lirisë së Kosovës.
Ishim të rinj, pa i mbushur 30. Plot energji dhe plot vizione. Shikonim përtej e përtej horizonteve.
“Ti e ke kënduar për herë të parë atë këngë!” ia përsërita, ndërsa po ngjiteshim shkallëve për të hyrë në banesën e Drenis Aliajt në Luksemburg. Hamit më shtrëngoi fort dorën dhe nuk deshi të shtonte gjë. Pastaj bisedat tona nuk do të kishin fund.
Fati i këngës “N’Dardani bjen nji tupa” u nda nga fati i poetit. Ajo mund të kumtonte gjithçka për shqiptarët, por nuk mund të dilte përtej tekstit dhe t’ua kujtonte shqiptarëve se atë e solli në jetë për shqiptarët pikërisht Hamit Aliaj.
Edhe sot që Hamit Aliaj është në qiell, kënga e tij “N’Dardani bjen nji tupan” është më shumë se kurrë kushtrim për shqiptarët.
Ç’janë kto gurë të bardhë e të zi
dikush krushqit oj naj ka ngri
naj ka ngri oj i ka ba gurë
o krushqit tanë o me flamure
Në Dardani bjen o një tupan-e
krushqit vinë me kapuç t’bardhë
cili a krushku i parë që prin
o asht flamuri kuq e zi-e
Cili a krushku i dytë në rradhë
Skënderbeu merr shpatën zjarr
krushku i tretë o asht Naimi
o Mitc Sokoli thërret kushtrimin
Njëmijë vetave të tanë kta krushqve
si e ka emrin kjo nuse
liri emrin asaj ja thonë
o lind e rrit në gjakun tone
Nusja jonë o kurrë nuk vritet
n’çdo pikë gjaku ajo rritet
ku e derdh shqiptari gjakun
o nga liria e bajrakut