Sulmi i terroristëve të Hamasit kundër Izraelit para një muaji rezultoi, siç dihet, në vrasjen e mbi 1,400 civilëve, rrëmbimin e mbi 250 pengjeve dhe në reagimin e fortë e të menjëhershëm të ushtrisë izraelite. Bombardimet e saj mbi Rripin e Gazës, një zonë me popullsi tepër të dendur, kanë shkaktuar deri tashti mijëra viktima, gjithashtu civilë, kryesisht gra e fëmijë. Historia e konfliktit mes hebrenjve dhe arabëve, përkatësisht palestinezëve, është mjaft e ndërlikuar, shtrihet thellë në kohë dhe shpjegimet e kundërshpjegimet janë të panumërta. E po ashtu, edhe përpjekjet perëndimore për përcaktimin e vijës ndarëse në përgjigjen izraelite mes reagimit të drejtë vetëmbrojtës dhe shndërrimit në terrorizëm shtetëror (së cilës shteti hebre po i afrohet me shpejtësi, në mos e pastë kaluar).
Të gjitha jetët janë pa asnjë dyshim njëlloj të vlefshme (sepse të krijuara në “imazhin e Zotit”), por këtu dua të ndalem në një aspekt të veçantë të reagimeve perëndimore ndaj kasaphanës së fundit: qëndrimet e krahut të majtë, të ashtuquajtur liberal. Këto dy koncepte, majtizmi dhe liberalizmi, shpesh konsiderohen të njëjta, e megjithatë s’janë të tilla. Kam shkruar edhe më parë për kundërvënien e së majtës “progresiste” ndaj liberalizmit(1) dhe duket se qëndrimet ndaj ngjarjeve në Gaza po nxjerrin qartë në pah hendekun mes tyre.
Që prej 7 tetorit nga universitetet amerikane kanë vërshuar deklarata të shumta shoqatash studentore pro-palestineze në përkrahje të të drejtave të atij populli, por pa asnjë reagim ndaj metodave të përdorura nga terroristët e Hamasit. Asnjë reagim pra ndaj torturimit, përdhunimit e vrasjes pa dallim të civilëve, përfshi edhe foshnjat. Dhe fjalori i deklaratave është huazuar drejtpërdrejt nga ai i lëvizjes “Woke”, synimi i së cilës është e ashtuquajtura drejtësi sociale(2).
E mbi të gjitha mbizotëron thirrja që po dëgjohet në manifestimet masive në qytetet perëndimore “Nga lumi tek deti Palestina do jetë e lirë!” (From the river to the see Palestine will be free!) Kjo parullë është përdorur gjerësisht nga nacionalistët palestinezë, duke nënkuptuar mosnjohjen e shtetit të Izraelit, pra fshirjen e tij nga harta në tërë hapësirën gjeografike prej lumit Jordan në lindje deri në detin Mesdhe në perëndim. Me gjithë disa shpjegime “të zbutura” si shprehje e aspiratës për një shtet të vetëm demokratik arabohebre, ajo mbetet parulla zyrtare e Hamasit dhe e disa grupeve të tjera terroriste.
Të gjithë syresh kanë tipar të përbashkët themelor pikërisht mosnjohjen e Izraelit. Sa më sipër ka ngjallur mjaft reagime nga personalitete liberale, apo që mund të konsiderohen të qendrës së majtë. Disa janë shprehur se ndihen të braktisur nga e majta dhe se etja për gjak e shpallur hapur në internet apo në rrugë duhet parë si shenjë e një sëmundjeje të rëndë në lëvizjen e majtë perëndimore. Dhe e vërteta është se ata që e quajnë veten liberalë duhet tashmë të rishqyrtojnë me kujdes bazat e pikëpamjeve të së majtës ekstreme mbi sulmin e Hamasit e të venë në pikëpyetje përkatësinë në një koalicion ideologjik, që normalizon reagime të tilla çnjerëzore.
Një çështje fillestare që duhet parë seriozisht në këtë ngatërresë është nëse paraqitja si “progresive” e një sulmi me qëllime të qarta gjenocidale është thjesht një reaksion i shprehur në revoltë e sipër, apo nëse shtrihet më thellë, deri në bazën e ideologjisë së majtë “woke”. Ky shqyrtim është i natyrshëm dhe krejt logjik përderisa s’mund të gjendet asnjë qëllim tjetër, si psh., kapje territori, apo goditje ndaj ushtrisë pushtuese izraelite, për këtë operacion ekskluziv kundër civilëve. Kështu, kryetarja e një shoqate studentësh të jurisprudencës, pra juristësh e avokatësh të ardhshëm, në “New York University” deklaroi se dënonte “kolonializmin e ushtruar prej kolonëve izraelitë” (në ngulimet e Bregut Perëndimor), gjë që do të ishte plotësisht e drejtë dhe e justifikueshme.
Mirëpo deklarata shkonte më tej duke shtuar se “nuk e dënoj rezistencën palestineze të çfarëdo forme qoftë”. Dhe ironia këtu qëndron në atë se kryetarja në fjalë vetidentifikohet si person i gjinisë jobinare, gjë që do t’i siguronte ekzekutim në vend prej fanatikëve të Hamasit, nëse do të jetonte në Gaza. Kemi të bëjmë kësisoj me një përshfaqje të re të një koncepti sa të vjetër aq edhe absurd: ai shprehet në mënyrë kuptimplotë nga rioshët majtistë, të vetidentifikuar si gay apo jobinarë e të veshur me bluza të stampuara me portretin e kudondodhur të Che Guevarës.
Kjo kur dihet se revolucionari famëkeq kuban ishte nxitës i zellshëm i persekutimit të personave gay dhe ideator kryesor i kampeve të përqendrimit, ku dërgoheshin për t’u torturuar në punë të rëndë poshtëruese të gjithë ata që s’plotësonin tiparet e “njeriut të ri socialist” (fort e ngjashme me trajtimin e tyre në Shqipëri asokohe). Dëshmohet kështu përsëri e përsëri shkëputja e plotë e së majtës “progresiste” nga realiteti(3). Kjo mungesë totale e çdo arsyetimi logjik bën që mjaft liberalë të fajësojnë “radikalizmin e rremë” të së majtës për këtë pashpirtësi ndaj vdekjeve në masë(4).
Por brohoritjet e shumta për veprimet e Hamasit nën pretekstin e “dekolonizimit” po dëshmojnë se pashpirtësia përbën në fakt vetë thelbin e radikalizmit të së majtës perëndimore me mbështetjen për vrasjet dhe masakrat ndaj civilëve. Kjo sepse siç e përmendëm, sulmi i fundit s’kish ndonjë objektiv taktik apo ushtarak: objektivi i vetëm, ashtu në çdo gjenocid, ishte masakrimi i sa më shumë civilëve. Dhe këtu s’është fjala për thjesht mbështetje morale, por për “ngazëllim”, siç u shpreh një profesor i “Cornell University” për operacionin e Hamasit.
E më në fund, për ta venë këtë në kontekst të plotë, mund të shërbejë intervista e zyrtarit të lartë të Hamasit, Ali Baraka, për televizionin “Russia Today” disa ditë pas 7 tetorit. Në të, pasi shpjegoi fshehtësinë e përgatitjes së operacionit, ai theksoi: “Izraelitët dihet se duan jetën, ndërsa ne, përkundrazi, dëshirojmë të vetësakrifikohemi. Ne i konsiderojmë martirë të gjithë të vrarët tanë dhe duhet ta dini mirë se dëshira më e madhe e çdo palestinezi është martirizimi për hir të Allahut” (5) Kuptohen kësisoj synimet gjenocidale të Hamasit jo vetëm ndaj hebrenjve, por edhe ndaj popullit të vet, prej ku edhe arsyeja e ndërtimit të kilometrave të tëra tunelesh për të sulmuar Izraelin, por jo e strehimeve për mbrojtjen e popullsisë në rast bombardimesh.
Hamasi bllokon gjithashtu evakuimin e civilëve nga Gaza, sepse gjithë ideali i asaj organizate është vdekja masive në emër të një kauze më të lartë. Zor se mund të gjendet një përkufizim më i saktë për një kult të vdekjes. Një i urtë ka thënë dikur se njerëzit duhen besuar kur e thonë hapur se cilët janë. Hamasi pra duhet besuar kur thotë se kërkon vdekje e martirizim, por po ashtu duhet besuar edhe e majta perëndimore kur e mbështet atë objektiv. Po përvijohet kësisoj prej kohësh një spektër i ri politik që na kujton aforizmin e njohur se “ekstremet puqen”.
Shumë vëzhgues kanë venë re bashkimin e së majtës pro-Hamas me supremacinë e bardhë të ekstremit të djathtë, që tregon se shfarosja e hebrenjve është filli bashkues për antisemitët e çdo nuance. Sado të ndryshme të jenë politikat e tjera të secilës palë, ekstremet afrohen drejt njëri-tjetrit sa bëhen gati të padallueshme. Prandaj mbështetja e të majtëve perëndimorë për Hamasin është veç mbështetje për një organizatë teokratike të ekstremit të djathtë, e cila kryen vrasje masive në emër të besimit fetar e të nacionalizmit.
Ajo mbështetje s’mund të justifikohet se bëhet në emër të mbrojtjes së jetëve myslimane, sepse asnjë manifestim i tillë s’ka ndodhur kundër luftës civile në Jemen, mijëra viktimat e së cilës në të dy anët e konfliktit janë vetëm myslimanë. E aq më pak në emër të mbrojtjes së jetës njerëzore në përgjithësi, sepse askush s’pipëtin për spastrimin masiv të popullsisë kristiane armene nga Azerbajxhani mysliman në Nagorni-Karabak, një rikujtim i trishtë i gjenocidit otoman kundër armenëve më 1915. Ndoshta spektri tradicional ndërmjet së majtës e së djathtës, që përfundon tek puqja e ekstremeve po e humbet kuptimin në kohën e sotme.
Për liberalët perëndimorë është i vështirë pozicionimi si ithtarë të moderuar të një ideologjie, ekstremi i së cilës ngazëllehet për vrasjen e foshnjave. Mos vallë këta duhet t’i rishikojnë bindjet e tyre ideologjike për të shmangur vendosjen në të njëjtën anë me gjenocidin? Duket pra se nevojitet një spektër i ndryshëm me ekstreme që s’puqen: një spektër ku njeri skaj janë liberalët dhe antiautoritarët e çdo krahu, majtas apo djathtas dhe skaji tjetër nuancat e ndryshme të iliberalizmit autoritarist e gjenocidal. Për çdokënd që ka jetuar, si ne shqiptarët, nën regjime totalitare vrasëse të tipit sovjetik, është e qartë se lëvizjeve të majta u bashkohen një masë e konsiderueshme individësh mizorë, të cilët qetësojnë ndërgjegjet e çoroditura me atë se mizoria e palës së tyre justifikohet në emër të qëllimeve më të larta.
Edhe në të majtën perëndimore të periudhës së Luftës së Ftohtë ekzistonte një rrymë jo e vogël që justifikonte tanket sovjetike në rrugët e Budapestit e të Pragës gjatë shtypjes brutale të kryengritjeve popullore kundër komunizmit. Kjo na çon përsëri në atë fillin real që bashkon ekstremet, të majtin dhe të djathtin: jo thjesht të huazimi e dehumanizimi i armikut, por i vetë individit, që po bëhet tipari dallues i reagimit ndaj këtij konflikti të ri në atë zonë të trazuar.
Çdo luftë shkakton detyrimisht viktima civile, madje edhe lufta me vetëmbrojtëse e më legjitime s’mund të drejtohet e zhvillohet në mënyrë aq të përsosur sa të kurseje të gjithë të pafajshmit. Por ajo që e dallon barbarinë e Hamasit dhe të mbrojtësve të tij të majtë, është akti i prioritizimit, festimit e “ngazëllimit” për vdekjen e civilëve. Në këtë këndvështrim jeta individuale s’është diçka që duhet ruajtur e mbrojtur, por veç duhet sakrifikuar për një kauzë më të lartë: sa më shumë jetë të sakrifikuara, aq më i fortë përkushtimi ndaj kauzës në fjalë.
Dhe kjo shpjegon lidhjen reale ndërmjet dy ekstremeve, sepse të dy e refuzojnë liberalizmin në çdo kuptim. Njëlloj si paraardhësit e tyre totalitarë të shekullit të kaluar ata ndjekin ideologji të tilla ku koncepte kolektive imagjinare si “proletariati”, “klasa punëtore”, “raca” apo “kombi” kanë përparësi aq absolute ndaj jetës së çdo individi, sa ky i fundit s’ka kurrfarë vlere. Ndërkaq liberalizmi në kuptimin e gjerë, dhe në kundërshtim me çdo lloj iliberalizmi është besimi në një shoqëri të përkushtuar ndaj lirisë dhe të përshkuar nga angazhimi themelor ndaj vlerës së qenësishme të çdo jete njerëzore. Dhe pikërisht ky duhet të jetë parimi i përbashkët bazë për të gjitha versionet e nuancat e liberalizmit, i cili duhet përqafuar vendosmërisht duke hedhur poshtë të majtën “woke”. Kjo do të jetë doemos e vështirë, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara e në Britani, por në tërë Perëndimin, sepse liberalëve do t’u duhet të distancohen nga disa aleatë politikë të domosdoshëm.
E megjithatë, s’duhet harruar se të njëjtën gjë kanë bërë në këto vitet e fundit shumë prej atyre që e konsideronin veten pjesë të së djathtës. Fakti që republikanët amerikanë arritën të debatojnë nëse është normale të shoqërohesh me supremacistët e bardhë është mëse i mjaftueshëm për të pasur një ide të asaj çka ka ndodhur qysh prej hyrjes së Donald Trump në politikë më 2015- ën. E vërteta është se shumë në krahun e djathtë e konservator kanë dështuar deri tashti në sfidën për një ripërtëritje reganiane, por shpresa s’mund të konsiderohet e humbur, e ndërkaq liberalët s’ka pse të kenë doemos të njëjtin fat. Kaosi në lëvizjen e sotme konservatore është një paralajmërim i asaj që mund të ndodhë, nëse vendos të mos reagosh, e të presësh se mbase gjërat do rregullohen vetvetiu.
Por është gjithashtu fakt se për liberalët detyra bëhet edhe më e vështirë nëse mbajmë parasysh traditën e gjatë totalitariste të krahut të tyre politik, shumë më të konsoliduar e më vrastare se ajo e krahut të kundërt. Me sulmin e Hamasit dhe me reagimet moralisht të pështjelluara të së majtës perëndimore është momenti që liberalët të rishikojnë vlerat bazë dhe të ripërcaktojnë se cilët janë aleatët e tyre të vërtetë, qofshin këta djathtas, majtas apo në qendër të spektrit politik tradicional.
Ata duhet të bashkohen vendosmërisht me çdokënd që respekton e mbështet parimin universal të vlerës së jetës individuale dhe të shkëputen nga ata që e përbuzin hapur atë parim duke u ngazëllyer për masakrat e duke hedhur parulla për “lumin e detin”. Përndryshe, një traditë politike dikur tepër e suksesshme rrezikon të zbehet, të përhumbet e të përfundojë tek… medeti!