Halim Xhelo Tërbaçi, 1894-1937, dalur në Francë, 1936
Halim Xhelo Tërbaçi. Historia, vepra, shkrimet, këngët, nderimi dhe vlerësimet
Vendlindja dhe heroi
Në rrafshin etnokulturor, nëse përdorim një organigramë të linjës, vertikalisht deri në bazë, Tërbaçi është një fshat i njohur në krahinën e madhe etnografike të Labërisë, në krahinën e Lumit të Vlorës me histori kompakte, në ngushtë në krahinën e Mesaplikut dhe më ngushtë akoma në krahinëzën e Rrëzës. Tërbaçin e kap dielli më shumë se çdo fshat tjetër, që sa del herët mbi Çipin, shumë orë të ditës deri sa ikën i lodhur, por i ndritshëm tej Çikës, në vargmalet e Vetëtimës (Akrokeraunet). Krahina e Mesaplikut ndahet në dy pjesë: Rrëza (në anën e majtë të luginës, rrëzë vargut Çikë – Lungarë – me fshatrat Vranisht, Tërbaç, Brataj, Lepenicë, Gjorm) dhe Shullëri (në anën e djathtë të luginës, rrëzë Gribës dhe Çipinit – me fshatrat Velçë, Ramicë, Bashaj, Matogjin dhe Shalës – Mesaplik).
Në rrafshin administrativ territorial, Tërbaçi është një fshat i njësisë administrative Horë, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, Rajoni Jugor. Parë në planin historik dhe të antropologjisë kulturore, me ligjin 115/2014 “Për ndarjen administrativo – territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, mund të themi se po shkon haka te i zoti. Është një këngë shumë e vjetër që na vjen si mesazh historik i së vërtetës jetësore: “Që në Gumenicë e lartë/ Himarë quhet çdo fshat/ qemë rigatë me fesat/ Osmanlliu me zanat,/ na ndau e mbemë pak,/ nganjëherë biem në gjak. Himarë-Vlorë, 1944[1]”. Fjala fesat përdorej në kuptimin që mund t’u bënin dhe gjëmën armiqve. Ndërsa për këtë këngë, qyshkur thuhej se është ngritur në Himarë (ku dhe është mbledhur), e cila, në kohën e Ali Pashës, u fut në vilajetin e Janinës.
Në botimin e nivelit më të lartë akademik, sikurse është Fjalori Enciklopedik Shqiptar, për Tërbaçin shkruhet: “Gjetjet arkeologjike dëshmojnë se ka qenë i banuar që në shek. IV p.e.r. Me emrin e sotëm Tërbaçi njihet që nga viti 1431. Banorët e Tërbaçit kanë marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit, ku u shquan luftëtarët Lulo Abazi [Habazaj] dhe Miro Tërbaçi [Strati]. Gjatë LANÇ kanë rënë 55 [60] dëshmorë nga Tërbaçi, ndër të cilët 3 Heronj të Popullit. Tërbaçi është vendlindja e Halim Xhelos. Në Bramyshnjë të Tërbaçit në [20] janar 1944 u formua [përurua] Brigada V [Hero i Popullit][2]. (Fjalët, shifrat, plotësimet në kllapa janë saktësimet e mia – A.H). Vetëm duke lexuar paragrafin e cituar nga FESH, kuptojmë që Halim Xhelo nuk doli si rrufe në qiell pa rè, nuk lindi në një tokë djerrë, por në një fshat të dëgjuar me histori dhe të nderuar me këngë. Dhe ç’ka është më e rëndësishme, kjo stafetë nderi u përcoll me dinjitet e u trashëgua bujarisht brezave me Shqiponjën e Labërisë, Besnikun e Lirisë Hysni Kapo e të tjerë bij e bija që dhanë ndihmesën e tyre në të gjitha fushat e jetës, të shkencës dhe diturisë në përgjithësi, në vendlindje, Vlorë, Tiranë, anekënd Atdheut dhe matanë hapësirave shqiptare, si profesorët e paharruar Qemal Xhaka e Nasi Bozheku, apo albanologu i njohur Bardhosh Gaçe, sikurse Vehbi Hoxha, Arif Hasko, Delo Balili, Muço Delo, Haki Gjondeda, Halim Habazaj apo Kastriot Gjini, Pëllumb Çela e Aurela Gaçe e shumë të johur të tjerë.
Është shkruar herë pas here për Halim Xhelon, por gjithmonë ka çthuhet diçka e pa thënë më parë. Profili historik i Halim Xhelos (1894-1937) na vjen i lartësuar si emblemë e plotësuar e atdhetarit të shquar, që përqëndrohet në kuartetin: atdheu, liria, dituria, drejtësia. (Do të përpiqemi, që brenda hapësirave që na lejon standardi shkrimor, t’i motivojmë telegrafisht katër fushat që, fisnikërisht e shqiptarisht zotëronte Halimi). Në lëvizjen demokratike të kohës ishte emër i përveçëm, që feks edhe sot si modeli i vërtet i pishtarit. Në Fjalorin enciklopedik të përditësuar, shkruhet “Veprimtar i lëvizjes demokratike e komuniste, Hero i Popullit. Lindi në Tërbaç të Vlorës [në derën e madhe të Skëndojve]. Kreu shkollën e mesme në Korfuz. Mori pjesë në çetën kryengritëse të Spiro Bellkamenit (1911) [edhe pse vetëm 17 vjeç, tregoi trimëri të rrallë në betejën e Orman Çiflikut kundër pushtuesve osmanë dhe për aktet heroike që shfaqi u cilësua “Trimi lab i vogël”]. Pas Shpalljes së Pavarësisë punoi si arsimtar në fshatrat e Vlorës. Në Matogjin hapi shkollën e parë shqipe, më shtator 1913, [ndër të parat dallëndyshe të arsimit shqip në rrethin e Vlorës. Zhvilloi propagandë dhe veprimtari të dendur për mbrojtjen e tërësisë territoriale të shtetit shqiptar, ku spikati me shkrimet atdhetare. Më 1915-1916 kur çelet shkolla fillore për djem në Vlorë u caktua mësues së bashku me Jani Mingën e Thoma Papanon me drejtor Kolë Kamsin]. Dha ndihmesën e vet në krijimin e shoqërive atdhetare më 1918-1919 [dhe më pas qe pjesë aktive në Luftën e Vlorës me bashkëvendasit e vet terbeçtë]. Ndihmoi në përgatitjen e Luftës së Vlorës. Në vitet 1921-19124, H. Xh. u aktivizua në shtypin e kohës për përhapjen e ideve demokratike dhe kryerjen e reformave shoqërore në Shqipëri. Mori pjesë në Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924 bashkë me të rinjtë e shoqërisë “Bashkimi”, në të cilën bënte pjesë. Pas fitores së Revolucionit u rreshtua në krahun radikal të tij dhe luftoi për reforma të thella, duke kritikuar pavendosmërinë e qeverisë demokratike. Me rikthimin e [Zogut] qeverisë së I. Vrionit në pushtet, H. Xh. u largua nga Shqipëria. Në vitet 1924-1927 kreu studimet për shkencat politiko – shoqërore në Universitetin e Firences. Pjesëtar aktiv i Komiteti të Çlirimit Nacional [në Francë]. Në vitin 1928 u caktua redaktor politik i gazetës “Liria Kombëtare”, detyrë të cilën e mbajti deri në fund. Në mërgim jetoi dhe punoi në disa vende: Itali, Francë, Zvicër, Belgjikë, Greqi, Austri, Gjermani. Ishte anëtar i Partisë Komuniste Zvicerane. Kishte lidhje të ngushta me seksionin ballkanik të Komiternit, me Gj. Dimitrovin dhe u përpoq të zbatonte porositë e tyre për luftën revolucionare në Shqipëri. Në vitin 1932 hyri fshehtas për pak kohë në krahinën e Vlorës për të marrë kontakte me lëvizjen revolucionare dhe për ta ndihmuar atë. Në kushtet e rritjes së rrezikut fashist kundër Shqipërisë H. Xh e të tjerë bënë përpjekje në radhët e të mërguarve për krijimin e frontit popullor për luftën kundër fashizmit”[3]. Ndër të dhënat enciklopedike shtesë mund të përmendim, se Halimi u ftua në një takim si pjesëtar i grupit të pesë shqiptarëve, të cilët shkuan nga Franca në Bashkimin Sovjetik, ata ishin: Ali Kelmendi, Sejfulla Malëshova, Koço Tashko, Llazar Fundo dhe vetë Halimi. Takimi u shtri në dy mbledhje nën drejtimin e përgjegjësit të Sekretarit Ballkanik të Kominternit, Wilhelm Pieck, njëkohësisht sekretar i Partisë Komuniste të Gjermanisë. Thuhet se Halim Xhelo u sëmur gjatë mbledhjes, refuzoi të vizitohej, por sëmundja iu shpejtua. Vdiq në shkurt të 1937, në varrim morën pjesë pjesëtarët e mbledhjes, e motra, Sali Hidri dhe përfaqësues të partive komuniste. Varrimi iu bë në krematoriumin e Moskës, hiri i trupit të tij mbeti në një poçe porcelani. Nuk mund të mohojmë edhe një variant tjetër që qarkullon sikur Halimin e kanë helmuar, por për këtë gjë nuk kemi prova dhe ndoshta s’do të kemi kurrë …
Halimi vdiq në Moskë, në kulmin e veprimtarisë së tij atdhetare. Për të, Petro Marko ka botuar romanin “Halimi” (1969) dhe e ka ndër personazhet kryesorë e më të dashur tek romani etnologjik “Ultimatumi” (1972). Musa Muho ka shkruar biografinë e letrarizuar “Dritë në mjegull”[4], ndërsa Akademia e Shkencave, botoi monografinë “Halim Xhelo militant dhe ideolog i shquar revolucionar: studim, material e dokumente”[5], përgatitur nga Viron Koka historian dhe Sazan Xhelo, i biri i Halimit (Tiranë, 1975). Është përfshirë në të gjitha botimet akademike të derisotme, ku mund të veçojmë “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (FESH), ASHRPSSH, Tiranë, 1985, f. 1187, si dhe FESH, vëll. 3, ASHSH, Tiranë, 2009, f. 2950.
Nga vetë Halim Xhelo kemi këtë autobiografi të shkurtër në frëngjisht, e cila në shqip përkthehet: “Kam lindur në katundin Tërbaç të prefekturës së Vlorës, më 1894, nga prindër fshatarë. Kam kryer disa klasa të shkollave fillore e të mesme turke e greke. Më 1919 kam marrë pjesë përherë të parë në jetën politike të vendit tim si revolucionar nacionalist. Në vitin 1911 mora pjesë në lëvizjen kryengritëse kundër regjimit turk. U zura rob nga ushtria turke dhe bëra 7 muaj burg.
Në vitin 1920 mora pjesë në kryengritjen kundër italianëve. Në 1924 isha redaktor i gazetës “Politika”, organ i nacionalistëve demokratë të Vlorës.
Më 1924 mora pjesë në kryengritjen antifeudale. Më vonë shkova në Itali, në Francë, për të studiuar shkencat shoqërore.
Më 1927 punova në Francë për organizimin e punëtorëve të emigruar shqiptarë.
Më 1932 u futa në mënyrë të fshehtë në Shqipëri. Më 1925 aderova në komunizëm, pa hyrë megjithatë në PK italiane.
Më 1930 aderova në PK sviceriane. Prej kësaj kohe kam punuar në redaksinë e gazetës “Liria Kombëtare” (Organ i Komitetit Nacional Revolucinar Shqiptar) dhe në udhëheqjen e Komitetit në Paris. Halim Xhelo, Moskë, 16.X.1936”[6]. Ky dokument është i AKQ. Fondi i Grupit Kom. të Moskës. Fotokopje e dok. origjinal datë 16.X.1936. Autobiografia e Halimit është shkruar gjithashtu edhe në gjuhën ruse. Halim Xhelo vdiq në Moskë më 7 shkurt 1937, ku kishte shkuar për të marrë pjesë në një mbledhje të organizuar nga Komiterni.
Me një paragraf mund të shprehemi se Halim Xhelo Skëndaj ishte luftëtar lirie, mësues, sekretar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare dhe përgjegjës i Organizimit e Propagandës pranë Komisionit Ushtarak, gazetar i madh, veprimtar i çmuar dhe ideolog demokrat revolucionar i ndritur. Zemra e zjarrtë e liridashëse e tij zieu si kushtrim lufte dhe lirie afro 30 vjet me radhë në jetën e turbulluar të vendit tonë.
Në Luftën Kombëtare të Vlorës, ku i pari i Tërbaçit Halim Xhelo në Beun të Vajzës, të mërkurën e 2 qershorit 1920 mblodhi burrat e trimërisë, në krahë të Osman Haxhiut dhe Komisionit (“Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare” hodhi kushtrimin për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit apeninë. Në atë mbledhje, mori pjesë jo vetëm Halimi me organizatorët, por edhe shumë burra të shquar tërbaçiotë, krahas 480 luftëtarëve të tjerë nga krahinat e Vlorës dhe qyteti. Fill pas mbledhjes, pjesëmarrësit mblodhën fshatin dhe çdo familje pa përjashtim u përfaqësua në çetë me një burrë[7]. Ky ishte ligj i padiskutueshëm edhe pse i pashkruar, se ashtu qe vendosur nga krahinarët, burrat e kuvendeve. Nuk qe vetëm për Tërbaçin, ky vendim burrash, por për të gjithë, atje ku ra e u ndie bobla: nga Kolonja e Devolli në Çamëri, nga Skrapari në Elbasan e Kavajë, nga Myzeqeja në Korçë e jo vetëm në Lumin e Vlorës, Kurvelesh, Tepelenë, Mallakastër, Himarë e Labëri. Edhe kënga e thotë: “Binte bobla fshat më fshat…”. Bobla, një mjet akustik prej briri me të cilin jepej kushtrimi, një bri dashi në formë hinke, ishte sinjali i alarmit, i kushtrimit për liri, për të shporrur hasmin që shkeli në kufi e livadhiste në trojet e tyre, as i ftuar si mik, as për ndihmë kërkuar.
Pak është folur për rolin madh të Halim Xhelos, si nismëtar, i cili bashkë me avokatin e njohur Sali Hallkokondi nga Vranishti (autori i parë i tekstit “Historia e Shqipërisë së re” (1923), organizuar Kuvendin Zakonor Mbarëkombëtar të Kuçit, më 28.11-4.12.1924, ku morën pjesë 300 delegatë nga Vlora, Tepelena, Gjirokastra, Delvina, Saranda, Bregdeti, Përmeti, Mallakstra, Çamëria, Kruja, Lumi i Matit, Mirdita, Oroshi, Kurbini, Ohri, Shoshi, Dukagjini dhe shqiptarë të Malit të Zi për të kuvenduar mbi forcimin e unitetit kombëtar për të përballuar situatat si ato të viteve 1914-1920, për të biseduar mbi kanunin dhe forcën e zakonit, reformat e jetës shoqërore dhe përmirësimin e zakoneve të shenjta, pajtimin e gjaqeve (gjakrave/ belave) dhe ndalimin e hakmarrjes si zakon barbar që rëndonte e dhe gjendjen, forcimi i luftës kundër zakoneve që rëndonin gruan, si ngarkesa e grave, fejesa e vajzave që të mitura, kasniqet e tepërta, ulërimat në rast vdekjesh, për zbatim të normave dhe dokeve që rregullojnë sa më mirë marrëdhëniet ndërnjerëzore. Kuvendi lab i Kuçit, me kryetar Sali Hallkokondin, u quajt historik, sepse qe reformë zakonesh, i cili dha ndihmesë të fuqishme për emancipimin e gruas dhe shoqërisë shqiptare në tërësi, falë edhe peshës së mendimit, fjalës dhe gjykimit të atdhetarit të zjarrtë Halim Xhelo.
Halim Xhelo është quajtur me të drejtë “Robespjeri i pakorruptueshëm i vegjëlisë. Si vëlla me Avni Rustemin, mik me Jani Mingën, Luigj Gurakuqin, Riza Cerovën, bashkëpunëtor i ngushtë i Fan Nolit, por, ndoshta qe nga të rrallët apo i vetmi që nuk ngurronte ta kritikonte për dobësitë e të metat që shfaqi kryeministri i Qeverisë (për periudhën 16.06-26.12.1924), Halimi ishte luftëtar i pamposhtur i së së vërtetës, të drejtës, lirisë e përparimit.
Është ai që Rrapin e Gurrave në Beun për rëndësinë historike që pati e quajti Rrapi i Burrave. Është ai që ka lënë thënien e famshme dhe aq krenare për brezat e Shqipes: “Në pati Greqia e moçme një Spartë e një Thermopilë, Shqipëria e Re ka një Labëri dhe Qafën e Koçiut”[8].
Është ai e quajti muajin qershor muajin e dy revolucioneve në Vlorë, Luftën e Vlorës, që nisi ditën e shtunë më 5.06.1920 dhe shpërtheu më ora 02 të natës që gdhihej 6 qershor, duke sulmuar tërë qendrat usharake italaiane të Kotës, Gjormit, Llogorait, Drashovicës, Jonufrës etj., e quajti “Revolucioni Nacional i 1920-s” dhe tjetrin që nisi të dielën e 1.06.1924, të cilin para viteve ’90 e quanin “Revolucioni Demokratiko-borgjez i Qershorit”, pas viteve ’90 e emërtuan “Revolucioni i Qershorit” e sot “Lëvizja e Qershorit”, ai e quajti qartësisht “Revolucioni Social i 1924-s”.
Këngët për Halim Xhelon
Janë tre botime të nivelit akademik, ku është pasqyruar edhe cikli i epikës historike kushtuar Luftës Kombëtare të Vlorës (EHLV), udhëheqësve, heronjve, dëshmorëve dhe trimave të saj. Janë përkatësisht “Këngë popullore historike”, Instituti i Shkencave, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë, 1956; “Kujtime dhe këngë popullore për luftën çlirimtare të viteve 1918-1920”, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Instituti i Folkorit, Tiranë, 1970; si dhe “Epika historike, 3”, botim i vitit 1989 i Akademisë së Shkencave. Po marrim në shqyrtim vetëm vëllimin e fundit “Epika historike, 3”. Nga 500 këngët e botuara në këtë libër për të tri periudhat historike të shek. XX, 159 i kushtohen ngjarjeve që zhvillohen dhe personazhev që veprojnë e bëjnë histori brenda dy muajve të stinës së verës 1920. Kuptojmë që ky cikël është shumë i pasur, po të bëjmë një krahasim për të tri periudhat, kur për periudhën e parë 6 vjeçare 1913-1919 janë regjistruar 183 njësi folkorike, ndërsa për periudhën e tretë 14 vjeçare 1925-1939 janë shënuar 78 këngë. Folkori, si lloj i veçantë artistik, ka ca “ligje” të pashkruara, parime specifike si karakterin e tij sinkretik; përhapjen gojore; improvizimin; prirjen ndaj së bukurës, sublimes; lidhjen e së bukurës me të dobishmen; pasqyrimin e atypëratyshëm apo menjëherë pas ngjarjes, ndodhjes apo shfaqjes së dukurive të ndryshme; zgjidhjen e çështjeve të shtruara nga pozitat e bashkësisë apo të komunitetit; kontrastin e prerë; dinamizmin estetik; përgjithësimin tipologjik; parimin e zbukurimit, koncizitetin, simbolizmin nga pozitat e bashkësisë në qarkullim foklorik me pëlqim – ndryshe nga historia që ka parësor kriterin e historizmit, si parim dialektik studimi, parim metodologjik historik sipas të cilit ngjarjet, dukuritë, personat etj. vështrohen e vlerësohen në zhvillimin e tyre historik të pandërprerë e tërësor dhe në lidhje të ngushtë me kushtet konkrete historike. Pa dalë nga objekti i shkrimit, kujtojmë se në EHLV, 3 më shumë këngë ka Selam Musa Salaria – 14 njësi folkorike, Zigur Lelua – 9, Kanan Mazja – 7, Sali Vranishti – 6, Hodo Zeqiri – 6, Toto Hosi – 5, Selman Hyseni – 4, Memo Mete – 4, Mehmet Selimi – 3 etj. Ndërsa për anëtarët e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, që ishin udhëheqja e Lufëtës (apo Komisionin si flitej me gjuhën popullore), kënga është më e rezervuar në përmendje emrash. Për “Komisionë” pa emra të përveçëm janë 7 njësi folkorike, ndërsa nga anëtarët e Komitetit me emra: Osman Haxhiu ka 5 njësi folkorike, Ahmet Islami (Lepenica) – 3, Hamit Selmani – 2, Murat Miftari -1, Qazim Koculi – 2, Qazim Kokoshi – 1. Ndërsa Halim Xhelo ka 9 njësi folkorike[9]. Në librin në fjalë nuk përmendet asnjë tjetër nga udhëheqja e luftës…
***
Më kujtohet që kur ishim të vegjël, në vitet 1967-1974, nxënës në shkollën 8-vjeçare “Halim Xhelo” të vendlindjes time, në Tërbaçin e dashur, drejtori i shkollës, mësuesi madh, që vërtet e meritonte të ishte Profesor, poeti popullor i teksteve të këngëve të grupit të madh të Tërbaçit, dragoi i këngës labe Kujtim Mici, punonte si ai edhe me folklorin. E veçanta e tij qe puna në sistem zinxhir me grupet e të rriturve, të burrave, të grave, të djemve, të vajzave, me grupin miks, të pionierëve dhe të fatosave. “Nder i madh i këtij fshati/ Halim Xhelo demokrati”[10] janë vargjet e këngës me shtatë strofa distik “Tërbaç i pasur sa deti”, thurur nga ky poet i lartë i shpirtit të madh lirik të Labërisë. Kjo këngë edhe sot e kësaj dite bën jetë aktive folkorike dhe është e regjistruar në stilin muzikor të Tërbaçit në tre variante: nga Grupi i Madh i Tërbaçit, nga Grupi i të Rinjve të Tërbaçit dhe nga grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”. Në një këngë tjetër kushtuar trimit të Njëzetës, kushërit të Halim Xhelos, komandantit të çetës së fshatit në LANÇ, dëshmorit të Atdheut Beqir Selim Skëndaj (1895-1.01.1943), autori Kujtim Mici thur vargjet për grupin e Tërbaçit: “Do këndojë mbesa për trimin,/ për gjyshin, Beqir selimin,/ Vëlla e shok me Halimin,/ Ndaj kish vuajt’ internimin…”[11]
Kënga e Petro Markos për Halimin. Mbaj mend, qysh nga klasa e parë deri në të tetën, që këngën “Halim Xhelo trim, o trim” e këndonte grupi i madh, ai miks dhe grupi i vogël, yni, i shkollës, vit pas viti (me variantet përkatëse). E dinim këngë të popullit, ku krijuesi rrjedh në përroin e përjetshëm të anonimatit. Në fakt ajo qe bërë këngë e dashur e popullit. Kur u rritëm, morëm vesh që ky tekst kishte një autor. Autor i këngës, aq të dashur edhe sot e kësaj dite në Tërbaç, në Labëri dhe në Vlorë është Kalorësi Rebel i Lirisë, i pamposhturi dhe i pavdekshmi Petro Marko Dhërmiu, që e adhuroj aq shumë, sa do të doja të qe lindur në Tërbaçin tim. Tekstin e këngës e kam lexuar më vonë në librin e parë me poezi të Petros “Horizont” (Tiranë, “Naim Frashëri”, 1959), ribotuar në vitin 2001. Ja teksti i këngës me titull “Djal’ i popullit, Halim”: “Të ka rritur Labëria,/ Djal’ i popullit, Halim,/ Të ka pritur Shqipëria,/ Halim Xhelo, trim o trim!/ Të prit të delje në Vlorë,/ Djal’ i popullit, Halim,/ Me flamur të kuq në dorë,/ Halim Xhelo, trim o trim!/ Po u trete i mërguar/ Djal’ i popullit, Halim,/ Vegjëlin’ për të shpëtuar,/ Halim Xhelo, trim o trim!/ O Halim, njeri s’të qau,/ Djal’ i popullit, Halim,/ Mbahu, puntoria, mbahu,/ Halim Xhelo, trim o trim!/ Halimi rrugën ta çau,/Komunist Halim, o trim” Fronti i Lirisë, Spanjë, 1937[12]. Ky tekst është botuar dhe më librin “Ata janë të pavdekshëm”, kushtuar 60 dëshmorëve të Tërbaçit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, por vjen me një variant me pak ndryshime (heqje, shtesa) nëpërmjet këtyre vargjeve: “Të kish rritur Labëria,/ Djal’ i popullit Halim,/ Halim Xhelo trim o trim,/ [vargjet 2, 3 janë refren që përsëriten pas çdo vargu shën. im – A. H] Të kish pritur Shqipëria,/ Të prit të delje në Vlorë,/ Me flamur të kuq në dorë,/ Po ti u trete i mërguar/ Në Francë e në vend të huaj,/ Shqipërin’ për ta shpëtuar./ Mbahu, moj djalëri, mbahu/ Halimi rrugën e çau,/ Hall e popullit e qau”[13]. Kjo këngë, sa e thjeshtë, aq e bukur, në shtratin e shtruar të labërishtes, është thurur si një këngë e përvajshme qysh në vitin 1937, sepse Petro Marko qe adhurues idealist i shpirtzjarrtit për atdhe Halim Xhelo Tërbaçi. (Dhe i ngjante në karakter, në dinjitet). Vetëm një lexues i vëmendshëm mund të merrte informacion dhe tepër shkarazi, që këtë tekst e ka bërë P. Marko. Tek vepra përgjithësuese “Historia e Letërsisë Shqiptare” 1983, kur trajtohet P. Marko si një nga poetët dhe prozatorët kryesorë të brezit të viteve ’30 të shek. XX, shkruhet: “Poeti do t’i këndonte Halim Xhelos, një nga komunistët shqiptarë të shquar të kohës, dhe vjersha do të bëhej më pas popullore”[14].
Kënga për Halimin e mësuesit krijues, të paharruarit Zaim Hoxha: Mësues e bir mësuesi, Zaimi jepte gjuhë e letërsi në shkollën 8 vjeçare “Halim Xhelo”, Tërbaç. Gjatë gati dhjetë vjetëve, që punoi në vendlindje, ai krijoi edhe një këngë shumë të bukur me vlera artistike, estetike dhe emocionale “Veshur bronx e ballë lartë” kushtuar tërbaçiotit të madh Halim Xhelo, këtij burri të lartë kombi, kësaj figure demokratiko-revolucionare për pavarësi, liri e përparim, e rangut kombëtar. Ja teksti i plotë i botuar në librin “Ata janë të pavdekshëm”: “Flet Halimi, ësht’ i gjallë,/ Për atë s’ka vdekje./ Do sikur të thot’ ca fjalë/ Bashk’ me ne në mbledhje./ Rri e do të puthë dheun,/ Rri, po nuk i rrihet;/ Për të shikuar muzeun/ Do ai të ngrihet./ Bijt’ e tij u ngjitën lart,/ Ndaj ësht’ i gëzuar/ Historia jonë e lashtë/ Me gjak është shkruar./ Varfanjakët e Halimit,/ Që rruan me shpresë,/ Sot në kulmin e gëzimit,/ Gazit dhe haresë./ Veshur bronx e ballëlart,/ Bir i fukarasë,/ Sot para kongresit t’ gjashtë/ Do të brohorasë./ Fshatin e mbuloi shkëlqimi,/ Gëzon Shqipëria./ Atë që donte Halimi,/ E bëri Partia”[15]. Këto janë 6 strofat e këngës me 24 vargje të alternuara 8 me 6 rroksh e rimë të kryqëzuar ab ab, që thuri mësues Zaimi për grupin e shkollës, që ngriti drejtor Kujtimi dhe mësues Rexhepi me ne, që kur u bë kjo këngë, më 1973, ishim në klasë të shtatë. Si e përjetësuar në bronx na vjen portreti i Halimit në këngën recitative të mësuesit veteran, dritanit të paharruar të arsimit në Vlorë, fisnikut Zaim Nuro Hoxha. Kënga botohet sipas origjinalit dhe vjen me ngjyrat e kohës, ngaqë ne nuk mund të vemë dorë në të, sepse kënga nuk pranon redaktor, si poezia, përndryshe i humbet shija e burimit…
Mjeshtri i madh Muhamet Tartari për Halim Xhelon. I mirënjohuri i Vranishtit të valleve së vetëtimave, Muhamet Tartari ka qenë mësues në Tërbaç në vitet 1968-’69, ku ka dhënë
lëndën e gjeografisë dhe të historisë. Ai ka bërë disa këngë për Halim Xhelon, të cilat i ka kënduar grupi i Tërbaçit, ai i Vranishtit etj. Po prezantojmë vetëm një, sa për të dhënë imazhin e një pikture poetike të peizazhit epik të vendlindjes së Heroit: “Ç’po rrjedh ujë nga burimi,/ Ujë mali, ujë bore,/ Po ushton një këngë labe,/ Këngë trimash, burrërore./ Ja fillon e para Çika,/ Iso Çipini, Stogoi,/ Ja hedh bukur Bogonica/ Për Halim Xhelo dragoin./ Doli nga gjiri ‘ Tërbaçit/ Hodhi shtat në tokën labe,/ Mori forcën e stërralit/ Se kish lerë në këto male./ Ku nuk vajti në Evrpoë, Halim Xhelo mendimtari,/ Se mbreti Zagoll me shokë/ E kish bërë gati litarin./ Halim Xhelo, Halim labi,/ Kënga jote gojë më gojë,/ Halim Xhelo Demokrati,/ Përmbi piedestal Heroi”. Shkurt 1977[16]. Kjo këngë vjen dhe me një variant tjetër, me pak ndryshime tekstore, në strofën e tretë, që këndohet kështu: “Nga balt’ e Tërbaçit doli,/ E ushqeu toka labe,/ Mori forcën dhe qëndresën,/ Trimërin’ në këto male”.
Vlerësimet për Halim Xhelon
– “Hero i Popullit”: Titulli “Hero i Popullit” është titulli më i lartë, pas atij të Heroit Kombëtar. Ky titull gjatë periudhës së Republikës Popullore të Shqipërisë, jepej nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, i propozuar nga kryesia e Byrosë Politike të PPSH.
– “Personalitet i Shquar i Labërisë”:
– “Nderi i Kombit”: Urdhri “Nderi i Kombit” është një dekoratë nderi e Republikës së Shqipërisë që u jepet qytetarëve shqiptarë që me veprat dhe emrin e tyre nderojnë kombin shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Dekorata jepet me dekret nga Presidenti i Shqipërisë. Ky urdhër është i artë.
Sikurse është vlerësuar Abdyl Frashëri simbol i Lidhjen e Prizrenit, Halim Xhelo vlerësohet simbol i Luftës Kombëtare të Vlorës. Halim Xhelo Tërbaçi quhet Frymëzimtari i kësaj Epopeje dhe cilëzohet si Abdyl Frashëri i Njëzetës.
Për kontributin e shquar patriotik dhe për merita të veçanta atdhetare, Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoroi me titullin e lartë të nderit “Hero i Popullit”, më nëntor 1974. Duke vlerësuar këtë nderim të madh, Hysni Kapo i shkruan Sazan Xhelos, djalit të Halimit: “Puna dhe lufta revolucionaree Heroit të Popullit, Halim Xhelo, zë një vend të shquar në faqet e ndritura të popullit tonë. Ai gjithnjë, jetën e tij ia kushtoi çështjes së popullit dhe atdheut, realizimit të aspiratave shekullore, për të cilat ka ëndërruar e luftuar në shekuj populli ynë”
Diploma “Personalite i Shquar i Labërisë”
Medalja: Dekorata “Nderi i Kombit”, [02.09.2020] Halim Xhelos (pas vdekjes) Nr. Dekretit 11679, data e dekretit: 26/08/2020 Përshkrimi: “Atdhetar i shquar i lëvizjes kombëtare për konsolidimin, mbrojtjen, demokratizimin e shtetit shqiptar dhe zgjimin kulturor të shoqërisë shqiptare. Demokrat revolucionar i radhëve të para, frymëzues i popullit shqiptar drejt lirisë, arsimimit e përparimit të kombit shqiptar. Pjesëmarrës aktiv në betejat për mbrojtjen e Pavarësisë së vendit. Për kontribut të shquar në organizimin, zhvillimin dhe drejtimin e Luftës së Vlorës (1920).
[1] ) MBLEDHËS të folkorit, vëll. 8, “Këngë popullore të Labërisë”, mbledhur, përgat. e pajisur me shën.: Fatos Mero Rrapaj, Tiranë, Bot. i Institutit të Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave të RPSSH, 1990, f. 772 [nr. 695].
[2] ) FJALORI Enciklopedik Shqiptar (FESH), vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2009, f. 2695, zëri përgat. nga Farudin Krutaj.
[3] ) FJALORI Enciklopedik Shqiptar (FESH), vëll.3, vep. e cit. , f. 2951, zëri përgat. nga Viron Koka. FJALOR Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave e RPSSH, Tiranë, 1985 f. 1187
[4] ) MUHO, Musa: “Dritë në mjegull: kronikë letrare nga jeta e Halim Xhelos”, Tiranë, Naim Frashëri”, 1973, 159 f.
[5] ) AKADEMIA e Shkencave e RPSSH, Instituti i Historisë: “Halim Xhelo militant dhe ideolog i shquar revolucionar: studim, materiale e dokumente”, përgat. nga Viron Koka dhe Sazan Xhelo, Tiranë, 1975. f. 200.
[6] ) AKADEMIA e Shkencave e RPSSH, Instituti i Historisë: “Halim Xhelo militant dhe ideolog i shquar revolucionar…”, vep. e cit., f. 190-191.
[7] KOKALARI, Mexhit, Trima të kryengritjeve popullore, Naim Frashëri, Tiranë, 1983, f. 188 – 197.
[8] ) AKADEMIA e Shkencave e RPSSH, Instituti i Historisë: “Halim Xhelo militant dhe ideolog i shquar revolucionar…”, po aty, f. 97
[9][9] ) “EPIKA Historike, 3”, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1989, f. 308-311, 316, 337, 339, 417, 419.
[10] ) MICI, Kujtim, “Shqipëri, nuse bregdeti”, Tiranë, Kumi, 2012, f. 16.
[11] ) MICI, Kujtim, “Shqipëri, nuse bregdeti”, vep. e cit., f. 34
[12] ) MARKO, Petro: “Horizont”, Tiranë, “Omsca-1”, 2001, f. 129.
[13] ) “ATA janë të pavdekshëm”, përgat.: Hysni Berdaj, Tiranë, 1974, f. 195
[14]) “HISTORIA e Letërsisë Shqiptare që nga fillimet deri te Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare”, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë 1983 f. 577.
[15] ) “ATA janë të pavdekshëm”, vep. e cit., f. 196.
[16] ) TARTARI, Muhamet, “Vallja e vetëtimave”, poezi, Tiranë, Jerusalem, 1999, f. 61
Komentet