Për të pranishmit është mbajtur edhe ora letrare në fushën e krijimtarisë në poezi në kuadër të së cilës janë paraqitur 25 poezi nga poet të ndryshëm nga gjithë hapësira shqiptare.
Juria profesionale ndau 3 shpërblime për 3 vendet e para. Juria e përbërë nga Dr. Dije Frangu, Naime Beqiraj (poete) dhe Prend Buzhala (studjues letërsie) vendin e parë ia ndanë Halil Matoshit me poezinë “Mërzia-dhimta”.
Vendi i dytë i takoi poetit Rushit Ramabaja dhe vendi i tretë Myrvete Omanaj me poezinë “Enigma”. Çmimet për fituesit e poezisë i ndau vëllai i dëshmorit Agim Ramadani, Jashar Ramadani ./Zeri/
Lexoni poezinë e plotë nga Halil Matoshi!
Atë ditë që ti u largove
u mshel njehsimi i kohës
sipas konceptit tradicional Perëndimor,
para dhe pas Krishtit…
dhe nisi epoka e akullnajave
n’shpirt
tue andrrue rreze tue ndjell
lumtuni…
nuk ka dëshmi se jemi në
botë, e dash’un
pos dhimtës
e ndien tek ngreh istikamet
dhe gatitet për sulm mbi
fortifikatën e qenies
ni monstrum brejtës i papamë
dhe ushqehet me rrënojat e
trupave tonë t’sakatuem
diçka që thjesht duhet. Duhet!
nuk e ka shkrue asni Zot
trishtim ndiejmë për miqtë
mu kur ata e jetonin dhimten
tonë
tek na e kanë kalue neve
tashti rrimë e presim çastin
solemn si ni Bud’ha
dhimta, ajo asht pushtues
mizor…
pa asni keqardhje – pa
pendesë a bremje
ndërgjegjeje
si ni gjeneral që i vë flakën
shpirtit të ni qyteti ballkanik
e rri permi pirgun e ngrehun
kufomash
e mburret aq ngat Zotit të lig
asht afrue
ose spakut don me i gâ…
helmi që iu dha Socrates’it
qiky âsht
ethet e Skënderbeut
prita që iu ngreh Hasan Prishtinës…
plumbi që mori Kenedy’të,
Isuf Gërvallen
mjeshtrit monstruozë që
ngrehnin mure
për mos me depërtue ajr i
dlirë në mushknitë e Nanës
séme
po ata mjeshtër parakë që
shuen Ibrahim Rugovën
kjo asht prita n’cillen ranë
ni pas ni para syve tanë
– miqtë
ne asgja s’dijmë për vdekjen
e njohim vdekjen e tjetrit
po tashmâ e njohim t’njâjtën
brengë – dhimtën
prandej e shpërfillim si
dhunën komunizmin
fashizmin
bankat kreditore…
dhimta vnon rregull tiranik
prandej
bâhemi bash si ni Bud’ha e
heshtim para saj e pështyjmë…
dhimta – ajo s’meriton
respekt…
Komentet