Kallnor, 2025
1.
Arkmorti i çuditshëm…
Pjesëtarët e fisit afrikan Ga (të Ganës) kanë ca rituale të rrallëparë varrimi. Për ata që iu lënë shënde’në, porosisin arkmortër formash interesante. Trajtë e tyre duhet të pasqyrojë pasionin e të ikurit: piano a çekan, peshk a kitarë…
Porse, në skuta të ndryshme rruzullimi, e në gadishullin ilirik poashtu, ka një si “rend vëllezërie” që, më shumë se vetë ganezët e zinj, do të deshnin një arkë të pangjashme për mbetjet e tyre trupore.
Nuk do të joshen fare nga peshku, çekani apo një piano e përzishme. Të devotshëm e venddashës, ata kallen dhimbjes për një sarg a, madje, sarkofag antik me profilin e Naltmadhnísë së bekuar, monedhës, në çastin triumfal të vjedhjes së saj!
2.
Vezullia që vret…
Fjala karrierë ka hershmëri dhe, natyrisht, shtrat të gjerë ku shfaqet e përkundshme ndër vite.
Karrierat e shquara stolisen me famë e ndere madhnore. Dhe përndrijnë udhët e mugëta të një kombi në dredhnajën e historisë. Fundja, si thoshte Hans Groschoop (“Disidentët”), historia e një populli s’është veçse biografi e njerëzve të tij t’mëdhenj.
Mirëpo ka dhe të tjera më të poshtme. E janë aq Iluminuese, shpirtndjera, shërbestare e dobiprurëse për njeriun. Familje të epërme fisnike, fjala vjen, me traditë shkrimtarësh, mjekësh, argjendarësh, diplomatësh a kopshtarësh të vyer…
Veçse, si në çdogjë, arti i karrierës njeh dhe një yll tjetër që hijeson me ansamblin e vet harmonik. Dhe të pafikshëm e ngulmëtar si asnjë tjetër.
Është Hajni i karrierës!
Personazhi më unikal i vrujimeve të arenës sociale.
Vite që këtej, njëj fundvere të bukur e qiellkaltër Prishtine, ndërsa kalonim pranë një shitësi kallinjësh të pjekur misri, miku im i mirë i studimeve (Xani i Skënderajt), thoshte: ore, ne mbase po blejmë kallinjtë e vjedhur të arës sime…Dhe qeshnim. Kishte sens brilant e të natyrshëm humori përherë…
Por, jo!
Nuk bëhet fjalë për hajnitë e imta. Për bracërinë e kudoshtrirë. Për vjedhësit e kopshtijeve ose t’një cope buke a kokrre molle në tezgën e vjeshtës…
Aq më pak për hajninë idealiste. Paradoksale, por hajduti i Schilerit, Karl (von Moor), nga revolta për të ligat e Rendit shoqëror, kishte krijuar një bandë vjedhnore. I vëllai Franz e qortonte. Por një ditë, rreze idealizmi dritëruan sërish dhe ai, pasi braktisi rrugën e gabuar, do t’i kthehej pendestar qytetarisë së fisme. Apo dhe bëma e pasunarit të moshuar hebre, i kapur në aktin e pabesueshëm të vjedhjes së një krodhe të vetme. Përgjues porte ishin stepur. S’kishin fjalë. Ju? Si është e mundur? Përgjigja ishte e habitshme: paratë i ruaj për atdheun tim, Izraelin!
E pra, ndryshe prej tyre, në hapsirën e ngushtë Veriarbnore, hajduti, mjerisht, nuk gëzon virtytin e artë të revoltës. Mandej, vëllai i qëndron vullnetlirshëm në krah dhe asnjë shkëndijë idealizmi s’përvijohet dot në zemrën e tij…Kurse lekët, ndërkaq, nuk i rezervohen me përulje Republikës, por, përkundrazi, i vidhen marrëzisht jetës, akoma të shkurtër, të saj.
Rrjedhimisht, s’ngjan as bracërore, e as idealiste, por Vjedhnajë ordinare që varfëron thellë arkën publike, duke nxírë horizontin e ardhmërisë.
E që, pa u vështruar vëngër nga askush, shpall heshtur etikë të re. Etikën që naltëson vesin e poshtëron virtytin e dalë kohe. E, më pas, fiton lavdinë e, pra, të drejtën e nënkuptuar të saj: Hajninë e karrierës!
Dhe nis nga asgjëja, sepse në vendet ku sistemet ngrihen në agimin herak e bien bashkë me perëndimin e diellit, trashëgimitë janë të lëkundshme. Pronat ikin e firojnë, ndërrojnë pronarë e destinim dhe titullari vështron bestytërisht qiellin dhe pret motin e ri.
Ndaj dhe është i pandalshëm, rrëmues e gjakthithës ditë e natë.
Ti vështron ndonjëherë muzgun, vesën, ndalon një çast trishtimi para gjethit që bie, lexon një poezi të Preverit me treg lulesh e skllevërish, ku zemërthyeri kërkonte dashurinë dhe, i mërzitur që s’e gjente dot, vente në hekurishtë e pranga të rënda për të blinte…
Por hajni i karrierës përvijohet e bën tutje. I ftohtë e kalkulues, ai vjedh vazhdimisht e, ashtu, pa bujë, pa turp, pa drojë e kufi muron karrierë. Karrierën e hajnisë. Duke ardhur nga asgjëja, ai humbet fill e kujtesë dhe prehet në limontinë e dehjes. Të asaj që Niçe e cilësonte dehje primitive. E të tillët janë kudo. Ashtu si trupi brejën, është rendi që i prodhon. Krejt vetishëm, sepse ky është gjen i ndrymë i tij…
Mes tyre, sipas një urdhëri rendesh të nëndheshëm, ekziston një hierarki e përsosur me eprorë, vartës, ekzekutorë, stërvitës, shantazhues, nuhatës, përgjues, lajmtarë, flijimtarë për mirëvajtjen e llojit, kronistë, kërcënues a negociatorë…
Natyrisht, do t’kenë dhe tituj e disiplinë rreptësore. Pikërisht si e do puna e zejes delikate që nuk guxon të gabojë. E, që këtej, laurohen gradash të epërme. Kryemjeshtër. Hajn i dalluar. Rishtar premtues. Urdhër i besnikërisë. I dorës së pakapshme. I heshtjes. E të tjerë atribute të epërsisë.
Mirëpo, ndryshe nga kombet historikë ku hajni, së paku, me frikën e ndëshkimit i paguan tagrin veprës së bekuar, n’për vende e milje ku përtallet ligji dhe përbuzet demokracia foshnjore, veskeqi i vjedhjes është i pandjekshëm. I lirë dhe krenar!
Pranguar mbetjesh të faktorit otoman dhe verbuar drite të fortë lirie, nyjëtimi lumturak vezullon në rrathët e sipërmë politikë. Dhe është e veçantë frekuencë e tyre: vjedhnaja e karrierës i jep shtysë ngjitjes lartë në shkallare pushteti dhe, si shpërblesë, merr prej tij uratën pjellore.
Tashmë vulëzezshëm dihet se, më këmbëfshehtë e të dyzuar se t’gjithë, janë hajnat e karrierës që pajohen suporesh politike. Dhe lëvaren ngulthi në kupolën e shtetit, kthyer qyshkur në plaçkë tregu të zi.
Tek “Muri” i Sartërit i ati, pas pyetjes së të birit, i shpjegon sesi ai e kishte për detyrë të ishte i pasur!
Mbase dhe ky lloj karrieristi i rryer e pasionant i hajnisë, kështu do t’ua shpjegojë fëmijëve të vet kamjen përrallore. Madje dhe njerëzisë, që si zulutë e Konicës, e shohin por s’e vërejnë, i vjedh por e admirojnë.
Kjo marrëdhënie saturnalesh lulëzon, ngaqë ai pohon dhimbsurisht të hajdutërojë për ta. Për Klanin e rreshtuar pranë Permendarit të gjallë që është besatuar të hedh dorëpistën e tij mbi votën, pasurinë dhe vetë brezin që i përfalet këtij Dhéu!
Kështu, si e parathënë ndodh, pse, thjeshtë, në shoqëritë e posadalë robníe të gjatë sa koha, vepra krimogjene tejshkon pragun privat, të izoluar e kalimtar. Duke poseduar aftësinë varrmihëse, mizori e saj shembë vetë kullën e skrupujve moralë të shekujve. E, në vend të Dlirësisë, legjitimon një kult të ri moti, brezi e kombi mbarë: Kultin e Hajnisë!
3.
Shteti, një kooperativë…
Hajnat e karrierës s’e kanë fare ndjeshmërinë e një arkmorti me piano apo kitarë. Nuk e kujtojnë as vdekjen, atë mësimin e mirë mbi transcendencën dhe përkohshmërinë. Më tepër se ç’mendojnë (kanë, vallë, fare një mendim?), ata ndiejnë instinktivisht vetëm kësobotshëm, sepse ikja matanë i tmerron. Anise familjarët i shijojnë e mburren shesheve, me trishtim e n’brendinë e Unit, pyesin: ku do t’mbeten aherë trofetë e vjedhnajës dhe kënaqësia sublime e rrëmbimit të tyre!?
I trëmben, në fakt, mortit nga Qielli dhe Rivalët dinakë, por pak fare ngujimit pas grilave të terrshëm. Sepse kush mund të verdiktojë këtë gjëmë?
Shteti? Ishin ata vetë! Por tani, kushedi, një Instancë supreme apo Shteg juridik, tashmë është hapur…Dhe, ndaj, nguten me hallakamë të ulen sërish në krye të tij…
Ndaj, gjenden në alarm gatishmërie të parabetejshme përherë. Të organizuar në stilin e kulluar karteljan n’për kthina hajnore, ata, po hetuan goditjen që beh, tërbohen, afrohen, ngjeshin radhët, vëllezërohen mistikisht, armpushojnë mes vete dhe gatisin revanshin e palodhshëm për jetë a vdekje.
E pastaj, gjithë vrull plebsi provincial, mësyjnë bedenat e brishtë të Republikës me gjithçka që njeh formacioni i kooperativës së tyre: shpifëri për punëligat që i ftillojnë vetë, gjuhë e përjargur, vaj e dënesje shtinjake për popullin, refren mashtrimi, betime të harxhuara e fijelidhje fshehatare me qendra të përtejme, ku errësia erëkeqe e origjinës sundon…
E kështu pshtjellshëm e pa fund, derisa të rrëzohen: ose ata, ose liria diellpaktë…
Një ag i turbullt, rëndom, parathotë kthjellim të vonë.
Dhe, mbase, të vështirë…
r.