Nderim për Profesor Moikom Zeqon!
Kam gati dyzet vjet që këtë ngjarje e mbaj mbi shpinë. Më ka gjetur si kërmillin që “shtëpinë” e mban mbi vete. Sado kanë kaluar kaq e kaq vjet, këtë ngjarje nuk kam se si e harroj. Por, në fund të fundit, kush mund të harroj një lloj “hajduti” si ky i dhomës sime?
* * *
Ka qenë fundnëntori i vitit 1979. Pikërisht, më datën 30 nëntor 1979. Nëse jam kaq i saktë, mos kujtoni se e kam kujtesën aq brisk, por është një datë që nuk kam se si ta harroj. Unë si maturant i 50-vjetorit të Normales së Elbasanit (pra në vitin 1959), kisha një ftesë nominale për 70-vjetorin e Normales. Normalja është hapur më 1 dhjetor 1909 dhe, për të festuar më 1 dhjetor 1979, u nisa nga Fieri ku punoja dhe banoja qysh më 30 nëntor. Mbrrita në Elbasan dhe adresa ku do akomodoheshin qe hoteli “Skampa”. Sa tregova ftesën, iu luta recepsionistit që t’më gjente një dhomë teke. E kërkoja dhomën teke, jo pa qëlllim. Një mikun tim nga Fieri, pikërisht në një dhomë dyshe, ai,”tjetri” ia kishte vjedhur portofolin dhe kishte çarë ferrën. Por “teket” ishin zënë dhe më gjeti si me atë thënien: kur s’kam pulën, ha dhe sorrën. Sado që nuk më pëlqeu kjo dhoma dyshe, ashtu siç bëri prifti që kërceu nga belaja, pagova paratë dhe shkova tek dhoma. Dola Elbasanit se më kish marrë malli dhe xhin- xhan nuk pashë sikur dhe ndonjë nga bashkëshokët e mi të dikurshëm. Ca më keq e ndjeva veten se edhe asnjë nga bashkëshokët e mi në Fier nuk pati ndonjë ftesë të tillë. Prita ca aty në hollin e hotelit duke menduar se do vijë ndonjë i ftuar nga rrethet e tjera, si nga Lushnja, Kavaja apo dhe nga Shijaku që kish një numër të madh nxënësish nga bashkëshokët e mi. Askush. I vetmi ngushëllim imi se aty, ngjitur me dhomën time, në një dhomë dyshe zunë vend, Myzafer Trebeshina dhe Gori Bërdalli. Myzaferi kish qenë maturant i vitit 1942 dhe Gori në vitet ’50-të. U ulëm ca kohë të tre dhe aty, Myzaferi, më tregoi se kish qenë dhe komunist normalist dhe jo vetëm kaq, por zëvendës sekretar organizate. Mua nuk më rri goja rehat dhe e pyeta:- Ju zëvendës,po kush qe sekretari? U “përtyp” paksa, po, kur më pa, që ngulmoja, më tha:- Fadil Hoxha!
Fadil Hoxha,- përsërita unë pak patetik,- ai i presidencës së Kosovës? E, e, ai. Kemi qenë shokë klase.
Nuk mbaj mend seç “prashitëm” atë mbrëmje, se dhe pak me rezerva flisja me Myzaferin se, sapo qe liruar nga detyra si kryetar i komitetit ekzekutiv të Fierit dhe tashmë ishte Kryetar i Frontit Demokratik të rrethit. Me Gorin qe më ndryshe: njiheshim prej kohësh dhe s’kisha pse të distancohesha. Sidoqoftë, erdhi mbrëmja dhe u ndamë. Hyra në dhomën time dhe, ndërsa prisja atë, tjetrin, e supozoja patjetër si “hajdut”. Dhe për t’i shpëtuar këtij vjedhësi pontencial, të parën gjë që bëra ishte që njëmijë lekshin (qe i madh dhe ngjyrëkafe),e hoqa nga xhepi dhe e “strehova” mu tek çorapet. Këto i futa në këpucë dhe, tek veproja kështu, thosha:- Më kot mundimi. As ke për t’i gjetur. ” Hajduti” nuk po vinte dhe gati po vinte mesnata. Unë u shtriva në krevat, por gjumi nuk më zinte, se nuk më linte meraku. Kur qenë duke m’u pulitur sytë, ndjev derën që u hap dhe,sakaq,”hajduti” hapi dhe dritën. Kur u hap drita, lëviza në krevat dhe, i ardhuri, më përshëndeti:- Mirëmbrëma! Ia ktheva përshëndetjen, ashtu mahmur siç isha, dhe “hajduti” zuri të shpjegohej: – Jam Moikom Zeqo! Më fal që erdha me vonesë, po e kisha lënë me Profesor Dhimitër Shuteriqin për një konsultë. Diskutuam për monografinë që po shkruaj për Onufrin!
Sa m’u prenzatua, e ndjeva veten keq dhe nuk dija si të dilja nga ai “qerthull” dyshimi aq qesharak. U çlirova, paksa, dhe i thashë:- Unë të njoh prej kohësh, sado që nuk të kam takuar. Me qejf i lexoj poezitë e tua në faqen letrare të “Zërit të rinisë”, në “Drita” apo dhe në revistën “Nëntori”. Mbas kësaj njohjeje kaq të veçantë, më tregoi që, tashmë, qe në komitetin e rinisë së Durrësit dhe,nëse do të kisha ndonjë hall, të vija e ta kërkoja. Ky” intimitet” qe si një dush me ujë të ftohtë në këtë natë nëntori të vitit 1979. Ruajta çastin kur “hajduti” hyri në banjë, u ngrita, futa dorën në mes të çorapeve, nxora njëmijëlekshin dhe e rifuta në xhepin e pantollonave. Më dukej vetja sikur po flija mbi gjemba, vetëm e vetëm nga një paragjykim banal. Ne u ndamë me njëri-tjetrin dhe më nuk u pamë.
* * *
Vërtet nuk u pamë si atë natë në atë dhomën e hotelit “Skampa” në Elbasan, por “hajduti” shpesh herë u bë i pranishëm pranë meje. Edhe nëse ai punoi në aparate partie, nuk rreshti së shkruari. Poezia e tij u bë aq cilësore,sa ndodhte qëkur flisja për të mes njerëzve që gjykonin për letërsinë, tak nxirrja “asin nën mëngë” dhe u thosha:- E kam mik. Kam fjetur në një dhomë me të në vitin 1979 dhe zija e tregoja ,se më dukej,se kështu më rritej dhe mua shtati. Pak qesharak, ndoshta, por më kish dhënë “audiencë” dhe si pikë referimi kisha “Onufrin”. Me këtë dhe i vija poshtë. Mirëpo ai, i ardhuri vonë në dhomën time, bëri hop jo vetëm si krijues, por edhe si studiues; por dhe si hstorian; por dhe si arkeolog; por dhe si… Po vallë a mbarohen atributet e një DITURAKU të tillë? Dhe unë, sado që nuk trokita kurrë atje ku punonte ai, e ndiqja përmjet shkrimeve dhe u thosha të tjerëve:- Është miku im! Kam fjetur me një dhomë . Se, sado nuk u takuam kurrë me të, unë e doja. Dhe ndodhi një “takim e një natyre tjetër”. E pashë tek “qante” se në kishën e Valshit, në Shpat të Elbasanit e kishin masakruar Onufrin. Si pakëz poet që jam, shkrova poezinë “Pse qan Moikomi?”. Për të patur një ide, po e sjell poezinë për ju.
Pse qan Moikomi?
– E njihni Moikomin?
-Jo.
-Çudi? Si nuk e njihni?
E kam fjalën për Moikom Zeqon që qan për hallet e botës.
Është ai që marros fjalët, i llaston me lajle e lule
Ja! Shikoni:” Menduza e dashuruar mban syze dielli”
-Hë! A kam të drejtë? I marros si djalli. Po nuk e kam aty fjalën.
Thashë që po qante. Qante se në Valsh (kishë në Shpat)
Kishin vjedhur një “Afreskë të lashtë të Onufrit
Ja, për këtë qan Moikomi!
Tani besoj,e njihni. Mbajeni mend!
* * *
Moikomi, ai “hajduti” i dhomës sime, është Mademi më i bukur që ka Kombi Shqiptar. Ky, besoj, nuk është veç mendimi im. Duke sjell këtë shkrim, pa i marrë leje, dua të heq nga shpina një barrë që e mbaja prej kaq vjetësh. Ndodhi që e takova tek “Ulqini” para 10-ditësh, se i dhashë librin e Profesor Vangjush Zikos,”Mbase nesër gdhin e diel”. Më falnderoi dhe u ndamë. Por, meqë nuk kisha kohë për t’i treguar këtë ngjarje, ja tek po e sjell me shkrim. Në u zëmëroftë për nofkën që i kam vënë, të ma bëjë hallall. Se mua gjithmonë më rrahin, se them të drejtën. Kurrizi më është argasur dhe, siç thotë një perosnazhi im doktor, po durove një muaj dajak, mandej nuk të bën më përshtypje, se të bëhet tabijat.
Tiranë, 18 mars 2016
Komentet