Është ora 23:00, dhe Emanueli, vetëm 17 vjeç, hap derën e shtëpisë pas një dite të gjatë me dy turne pune. Ai jep një përshëndetje të thjeshtë, “Si je?”, ndërsa lodhja ia rëndon fjalët. Vera për të nuk ishte thjesht pushime; ajo ishte përpjekje për t’u pavarësuar.
Një turn në një bar kafe në qendër të Tiranës nga ora 17:00 deri në 22:30 dhe një tjetër në një mensë lagjeje nga 11:00 deri në 15:30 mbushnin ditët e tij. Por, si çdo gjimnazist, edhe Emanueli iu rikthye bankave të shkollës në shtator, duke përpjekur të ndërthurë punën, shkollën dhe ëndrrat e tij për të ardhmen.
Në librin “21 Lessons for the 21st Century”, Yuval Noah Harari thotë: “E vetmja gjë që dihet me siguri për të ardhmen është ndryshimi.” Për gjeneratën Z, kjo është më shumë se një thënie – është një realitet që ata e përqafojnë çdo ditë.
Si Emanueli, brezi Z nuk ndjek rregullat tradicionale; ata ndërtojnë një model të ri që përfshin sakrificën për pavarësi, aftësinë për t’u përshtatur dhe forcën për të balancuar shumë përgjegjësi njëkohësisht. Ky brez ka lindur me kufij më të hapur, jo vetëm fizikë, por edhe kulturorë e dixhitalë.
Në Shqipëri, brezi Z po e vendos veten në qendër të prioriteteve të veta, duke i dhënë përparësi mirëqenies personale dhe zhvillimit, ndërsa puna shihet si një mjet për të arritur qëllime dhe jo si qëllim në vetvete.
Financiarisht, ata preferojnë të kursejnë me zgjuarsi, por kur shpenzojnë, zgjedhin përvoja unike – si udhëtimet dhe pasionet – në vend të mallrave materiale. Ky trend përfaqëson një ndryshim të qartë në mënyrën se si ky brez percepton jetën dhe suksesin.
Brezi Z, i njohur gjithashtu si “Gen Z”, përfshin individët e lindur midis viteve 1997 dhe 2012 (në disa klasifikime deri në 2010 ose 2015). Ky brez vjen pas Millennials (Brezi Y) dhe është i pari që ka kaluar gjithë jetën në një epokë të dominuar nga teknologjia, interneti dhe mediat sociale.
Sipas Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023, në Shqipëri numërohen rreth 286,123 persona që i përkasin brezit Z (të lindur midis viteve 1997-2012), duke përfshirë këtu dy grupmosha kryesore: 15-19 vjeç, me një total prej 142,943 personash (72,011 meshkuj dhe 70,932 femra), dhe 20-24 vjeç, me 143,180 persona (69,354 meshkuj dhe 73,826 femra).
Një botë pa internet e panjohur për gjeneratën Z
Gjenerata Z, brezi i rritur mes krizave ekonomike dhe një revolucioni teknologjik, po ndryshon rrënjësisht mënyrën se si konceptohet puna.
Ina Grabocka, sipërmarrëse/ drejtoreshë e marketing&sales/ projekt menaxhere e disa bizneseve në vend, një prej tyre edhe në sektorin e Call Center, thotë: “Gjenerata Z në call center preferon fleksibilitetin në punë dhe një ambient që mbështet mirëqenien e tyre mendore dhe emocionale. Ata janë më të orientuar drejt një pune ku ndihen të dëgjuar dhe të vlerësuar, duke kërkuar një balancë mes jetës dhe punës”.
Por çfarë i bën ata kaq të ndryshëm? Ky brez ka lindur dhe është formuar në një botë ku ndryshimi është konstantja e vetme, dhe për këtë arsye ata kërkojnë që çdo aspekt i jetës – përfshirë punën – të përshtatet me ritmet e kohës.
Për ta, puna nuk është vetëm një mjet jetese, por një platformë për vetëshprehje, përmbushje dhe pavarësi. Ata sfidojnë modelet tradicionale të hierarkisë dhe kërkojnë një mjedis pune ku të ndihen të përfshirë dhe të motivuar.
Erald Pashaj, ekspert punësimi, shprehet se: “Të rinjtë e shohin udhëheqësin me syrin e një të riu të shekullit 21, që jeton në vitet 2010-2020-2025, dhe jo më si më parë. Ky është një ndryshim i madh dhe shumë pozitiv, tani, të rinjtë e shohin udhëheqësin si një njeri që ata e besojnë dhe kanë dëshirë ta ndjekin me vullnet të lirë”.
Ata janë dixhitalë, fleksibël dhe të vetëdijshëm për rëndësinë e mirëqenies mendore dhe emocionale. Brezi Z shquhet për prirjen e tyre drejt pavarësisë së hershme dhe aftësinë për të përshtatur jetën profesionale me dëshirat personale.
Sipas sociologes Marsida Simo “Gjenerata Z është më fleksibël në tregun e punës, duke kërkuar të punuarin hibrid apo online, dhe është gjithmonë në kërkim të një pune më të mirë”. Kjo dëshirë për të balancuar punën me mirëqenien personale dhe liria në zgjedhje i bën ata unikë.
Një përmbysje e modelit tradicional të punës
“Të rinjtë nuk kanë etikën e duhur të punës” thoshte Instituti i Manhattan në vitin 1973. “Të pasigurt dhe të ngadaltë” i përshkruante Greater Good në vitin 1990. “Mungesë përkushtimi për punë” – theksonte Psychology Today në vitin 2000. “Dembelë dhe të Privilegjuar?” pyeste VOA News në vitin 2010. Dhe në vitin 2023, Business Insider nënvizon se, sipas disa drejtuesve, “punonjësit e gjeneratës Z janë dembelë.”
Në çdo dekadë, diskursi mbi etikën e punës së të rinjve mbetet i njëjtë, duke përforcuar pritshmëritë dhe stereotipat që shoqërojnë çdo brez që hyn në tregun e punës. Artikujt e mësipërm janë dëshmi se kjo narrativë është një fenomen i përsëritur dhe shpesh i pavërtetuar. Siç thekson Erald Pashaj, “Të rinjtë nuk mund t’i masim me të njëjtin metër si brezat e mëparshëm. Nevojat dhe kushtet kanë qenë të ndryshme.”
Në Shqipëri, gjenerata Z po përballet me një treg pune që shpesh nuk përmbush nevojat dhe ambiciet e tyre. “ Nga ajo çfarë po tregon tregu në Shqipëri, është se të rinjtë punojnë, por jo aty ku ata nuk janë trajtuar si duhet” – thekson z. Pashaj. Për këtë brez, zgjedhja e një pune nuk është më domosdoshmëri për mbijetesë, por një vendim i vetëdijshëm për të investuar në zhvillimin e tyre personal dhe profesional.
Në një botë ku ndryshimi është konstantja më e madhe, Gjenerata Z ka ardhur për të sfiduar mënyrat tradicionale të të bërit punë. Brezi që është rritur mes një revolucioni teknologjik dhe sfidave globale, kërkon më shumë se paga apo përfitime bazë. Ata kërkojnë fleksibilitet, inovacion dhe një kuptim më të thellë të misionit të punës së tyre.
Sipas Anisa Abazi Menaxherja e Shërbimeve të Kapitalit Njerëzor “Deloitte Albania”, “Gjenerata Z kërkon orare të përshtatshme dhe modele pune hibride”.
Kjo nevojë pasqyron një prirje për të gjetur balancë mes jetës personale dhe profesionale, një koncept që është larg stilit tradicional të punës nga ora 9:00 deri në 5:00. Për ta, mjedisi ideal i punës është ai që mbështetet në teknologji dhe u ofron mjete për të zhvilluar aftësitë e tyre.
Përplasja e brezave dhe riformimi i kulturës së punës
Erald Pashaj, pohon se “ekziston një përplasje mendësie mes të rinjve dhe disa bizneseve që drejtohen nga njerëz me një mendësi nga dekadat e shkuara”.
Kjo përplasje reflekton një sfidë me të cilën përballen shumë organizata sot: të përshtaten me një brez që kërkon më shumë fleksibilitet dhe që nuk ndjek rregullat e vendosura nga brezat e mëparshëm. Për ta, puna nuk është thjesht një burim jetese, por një mundësi për të lënë një ndikim pozitiv.
Ina Grabocka përmend: “Puna e tyre duhet të ketë një qëllim final; ata kërkojnë të kuptojnë rolin e tyre në një mision më të madh”. Kjo qasje ndihmon në krijimin e lidhjeve më kuptimplote me punën dhe motivon të rinjtë për të dhënë maksimumin.
Teknologjia dhe drejtësia, shtyllat e punës për gjeneratën Z
Në zemër të kërkesave të këtij brezi është teknologjia dhe drejtësia. Sipas sociologes Marsida Simo, “Gjenerata Z është më fleksibël dhe më e hapur ndaj teknologjisë, duke kërkuar mjedise pune që ofrojnë transparencë dhe mundësi për zhvillim të shpejtë.”
Teknologjia nuk është vetëm një mjet pune për këtë brez, por një platformë për rritje dhe inovacion. Për ta, puna duhet të jetë një hapësirë ku drejtësia dhe barazia janë prioritete thelbësore.
Shembulli i Firdeus Kasaj 19 vjeç, themeluesi i UnyoCorp, ilustron këtë transformim. Ai ka ndërtuar një kompani që përqafon vlerat e gjeneratës Z, duke krijuar mundësi për të rinjtë të përdorin teknologjinë dhe të zhvillohen në një mjedis që vlerëson meritokracinë.
“Respekti duhet të fitohet nëpërmjet meritës dhe jo për shkak të pozicionit që mban drejtuesi”, – thekson Kasaj, duke përforcuar filozofinë e tij për zhvillimin profesional dhe personal të punonjësve.
Në përmbledhje, Gjenerata Z nuk kërkon vetëm të përshtatet me botën e punës, por të transformojë mënyrën se si puna konceptohet. Ata nuk ndjekin më rregullat tradicionale, por rishkruajnë normat me fleksibilitet, teknologji dhe drejtësi. Në këtë proces, ata jo vetëm që i përshtaten tregut, por e transformojnë atë, duke krijuar një të ardhme më të ndriçuar për të gjithë.
Mirupafshim arsimi universitar
Nëse ka një brez që e ka bërë të qartë se rregullat e vjetra nuk vlejnë më, ai është Brezi Z. Të rinjtë shqiptarë të kësaj gjenerate nuk ndjekin thjesht rrugët tradicionale të arsimit dhe karrierës – ata po krijojnë rrugët e tyre, të frymëzuara nga teknologjia, fleksibiliteti dhe përvoja. Në këtë proces, ata po ndërtojnë një peizazh të ri për të ardhmen e punës dhe zhvillimit profesional.
Ndryshe nga brezat e mëparshëm, të rinjtë e Brezit Z janë të rritur me teknologjinë në duar dhe e përdorin atë si një mjet kryesor për mësim dhe zhvillim. Ata nuk janë të kënaqur me metodat tradicionale të mësimit – klasa të mbushura dhe teori të stërzgjatura.
Platforma si Coursera, Udemy dhe LinkedIn Learning janë kthyer në bibliotekat e tyre të preferuara, ku mund të mësojnë çdo aftësi, nga kodimi te marketingu dixhital. Siç thotë Marsida Simo, “këto platforma janë ideale për të rinjtë që duan të përvetësojnë aftësi të reja, të ndjekin pasionet e tyre dhe të qëndrojnë konkurrues në tregun e punës”.
Shumë nga të rinjtë po i kthejnë shpinën arsimit universitar të gjatë dhe teorik, duke zgjedhur kurse të shkurtra dhe praktike që ofrojnë rezultate të menjëhershme. Ina Grabocka thotë se, “gjenerata Z është gjithnjë e më e fokusuar në zgjidhje praktike dhe të personalizuara për nevojat e tyre, duke lënë pas programet tradicionale universitare”. Kjo qasje reflekton jo vetëm një dëshirë për efikasitet, por edhe për një lloj autonomie mbi rrugën e tyre profesionale.
Për Brezin Z, teknologjia nuk është thjesht një fushë; është një stil jetese. Sipas të dhënave nga INSTAT, studimet në teknologjinë e informacionit, inxhinierinë dhe menaxhimin e mediave sociale janë ndër zgjedhjet më popullore.
Pavarësisht kësaj, sektorë si arsimi profesional dhe gastronomia gjithashtu po tërheqin një numër të konsiderueshëm të rinjsh, duke u ofruar atyre një rrugë të qartë drejt tregut të punës. Erald Pashaj thekson se “këto degë janë bërë jetike për të rinjtë që duan të hyjnë shpejt dhe me siguri në tregun e punës”.
Udhëtimet dhe përvojat unike në prioritet!
Të rinjtë shqiptarë të Brezit Z po bëjnë zgjedhje gjithnjë e më të zgjuara për menaxhimin e financave të tyre. Pavarësisht sfidave ekonomike si inflacioni dhe rritja e kostove të jetesës, ata janë të orientuar drejt kursimeve dhe investimeve afatgjata.
Sipas regjistrit kombëtar të llogarive bankare, grupmosha e të rinjve po rritet në përdorimin e llogarive bankare, një tregues që ata janë gjithnjë e më të angazhuar për të menaxhuar financat e tyre dhe për të monitoruar buxhetin. Ky brez gjithashtu priret të përdorë platforma dixhitale për të menaxhuar financat, duke marrë vendime të informuara për shpenzimet dhe investimet që bëjnë.
Aida, një 20-vjeçare, tregon për “Monitor” se nisi të punojë që në moshën 15-vjeçare, jo për nevojë, por për të mbledhur para për udhëtimet e saj. “Para disa vitesh vizitova Greqinë për herë të parë me familjen, por kur u ktheva, dëshiroja të shkoja diku tjetër. Kërkova bileta për në Milano, por pashë që ishte shumë e shtrenjtë, kështu që vendosa të punoja”, – thotë Aida.
Në moshën 18-vjeçare, kur nisi universitetin, ajo bëhet e pavarur ekonomikisht nga prindërit. “Kam rreth 5 vite që punoj dhe gjithçka shkon për udhëtime. Nuk blej gjëra si një çantë apo një makinë, por e di që çdo udhëtim tjetër është më afër”.
Një vëzhgim i realizuar nga “Monitor” me 89 të rinj ka treguar se më shumë se 70 prej tyre zgjedhin të shpenzojnë vetëm për gjërat e nevojshme dhe janë të kujdesshëm në menaxhimin e buxhetit të tyre. Ata preferojnë të kursejnë ose, më së shumti, të ruajnë për përvoja unike, si udhëtime ose aktivitete që ndihmojnë në zhvillimin personal, në vend të shpenzimeve për mallra materiale
Ky trend tregon se Brezi Z u jep përparësi përvojave që ofrojnë mundësi për rritje dhe mësim, duke shprehur një ndryshim të fortë nga konsumimi material në investimin në jetën personale dhe profesionale.
Për ta, udhëtimet janë një mundësi për të shijuar jetën, për të mësuar dhe për të zgjeruar horizontet, duke e parë atë si një investim në vetveten dhe në përvojat që ndihmojnë në formimin e karakterit dhe zhvillimin e aftësive.
Të rinjtë shqiptarë po shfaqin gjithnjë e më shumë një dëshirë për të udhëtuar si një mundësi për të fituar përvoja dhe kujtime që do t’i shërbejnë në të ardhmen. Kjo shfaq një qasje të re ndaj jetës, ku përvoja dhe pasuritë shpirtërore janë më të rëndësishme se sa pasuritë materiale.
“Të udhëtosh do të thotë të jetosh dyfish” – Hans Christian Andersen
Gjenerata Z është brezi që jo vetëm ëndërron për të udhëtuar, por e bën atë një pjesë të pandashme të identitetit të tyre. Duke vlerësuar eksperiencat mbi materializmin, ata investojnë një pjesë të madhe të të ardhurave të tyre për të eksploruar botën.
Sipas të dhënave të vëna në dispozicion për “Monitor” nga kompania Wizz Air për Shqipërinë, nga 2 milionë pasagjerë të nisur nga vendi në vitin 2024, 40% ishin nën moshën 35 vjeç, duke treguar qartë pasionin e të rinjve për eksplorim.
Në vitin 2024, tre destinacionet kryesore për shqiptarët ishin Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, por grupmosha 18-25 vjeç kishte një interes të veçantë për Francën, Poloninë dhe Hungarinë. Për ta, udhëtimi nuk është vetëm argëtim, por një mundësi për të zgjeruar horizontet kulturore dhe për të lidhur përvojat personale me realitetet globale.
Mes emigrimit dhe dëshirës për të udhëtuar
Një nga librat më të cituar mbi filozofinë e udhëtimit, “Vagabonding: An Uncommon Guide to the Art of Long-Term World Travel” nga Rolf Potts, thekson se të udhëtosh është një investim në kujtime dhe përvoja që zgjasin gjithë jetën.
Ky mentalitet përputhet me mendësinë e gjeneratës Z, që zgjedh eksperiencat si një formë e re pasurie. Për ta, një selfie në Kullën Eiffel apo një udhëtim me biçikletë në kanalet e Amsterdamit ka më shumë vlerë sesa një objekt luksoz.
Të dhënat e Wizz Air tregojnë se dy të tretat e të rinjve bëjnë rezervimet e udhëtimeve të tyre 1 javë deri në 3 muaj para nisjes, një model që reflekton prakticitetin dhe njëfarë spontaniteti. Në krahasim me grupmoshat më të vjetra, ata preferojnë të udhëtojnë vetëm, duke theksuar dëshirën për pavarësi dhe eksplorim autentik.
Gjenerata Z nuk e sheh udhëtimin si një luks, por si një domosdoshmëri. Ata ndjekin frymëzimin e filozofëve dhe shkrimtarëve të mëdhenj, duke e konsideruar botën si një klasë të madhe të hapur për të gjithë.
Për ta, çdo destinacion është një faqe e re në librin e jetës. Kjo qasje, e ndikuar nga teknologjia dhe një botë gjithnjë e më e lidhur, po ndryshon mënyrën se si shoqëria percepton udhëtimin dhe investimin në eksperienca.
“Të udhëtosh është të jetosh dyfish,” por të emigrosh shpesh nënkupton të kërkosh një jetë më të mirë. Për gjeneratën Z, udhëtimi dhe emigrimi nuk janë vetëm dy anë të ndryshme të së njëjtës monedhë; ato përfaqësojnë dy realitete që ndonjëherë ndërlidhen. Udhëtimi për ta është një mundësi për të eksploruar botën, për të ndier përvoja unike dhe për të krijuar kujtime. Ndërsa emigrimi, në shumë raste, shihet si një hap i domosdoshëm për të ndërtuar një të ardhme që vendi i tyre nuk ua ofron.
Siç thekson Erald Pashaj, “sot që flasim, emigrimi ka vetëm elemente negative, sepse jo vetëm që tkurr popullsinë, por vret edhe shpresën”. Megjithatë, për shumë të rinj shqiptarë, dëshira për të udhëtuar dhe për të eksploruar është ngushtësisht e lidhur me pasigurinë që ndiejnë në vendin e tyre.
Ata e fillojnë këtë rrugëtim përmes përvojave të shkurtra udhëtimi, për të hyrë më vonë në realitetin e emigrimit, duke kërkuar një ambient që vlerëson potencialin e tyre.
Nga 89 gjimnazistët e pyetur në lidhje me emigrimin, vetëm 3 prej tyre ishin të sigurt për qëndrimin në Shqipëri. Për të rinjtë, qëndrimi në vendin e lindjes nuk është më një mundësi për të gjithë. Dëshira për studime më të mira jashtë, mundësi pune dhe kushte më të favorshme është gjithnjë e më shumë një nevojë dhe një dëshirë që i shtyn ata të kërkojnë mundësi jashtë kufijve të Shqipërisë.
Esmeralda, një 18-vjeçare në vitin e fundit të gjimnazit, është një shembull i kësaj tendence. Ajo e ka dashur gjithmonë të punojë në biznesin e familjes, të zhvillojë atë që ka nisur që fëmijë. Por për të, Tirana dhe Shqipëria si një mundësi për të ardhmen kanë një kufi.
“Doja të qëndroja këtu, të kontribuoja për qytetin tim, por një pjesë e madhe e impenjimeve të mia po drejtohen në një tjetër vend, ku mund të më ofrohen kushte më të mira për të realizuar ëndrrat e mia”.
Ajo, ashtu si shumë të rinj të tjerë, po shtyhet nga prindërit për të kërkuar mundësi më të mëdha jashtë Shqipërisë, ku mund të zhvillohen dhe të përballen me sfida të reja që përmbushin aspiratat e tyre.
Ky shqetësim nuk është i panjohur për Marsida Simon, sociologe, e cila nënvizon se, kur të rinjtë përballen me një realitet të vështirë në tregun e punës, ku strukturat dhe mundësitë për zhvillim janë të kufizuara, zhgënjimi kthehet në motiv për të kërkuar një ekosistem më të favorshëm jashtë vendit.
“Kur brezi i ri nuk gjen hapësirë për t’u zhvilluar dhe nuk ndien se mund të kontribuojë në shoqëri, emigrimi bëhet një zgjedhje logjike. Ata nuk priren të qëndrojnë në një vend që nuk i përmbush vlerat dhe kërkesat e tyre për drejtësi dhe mundësi të barabarta”.
Për të rinjtë shqiptarë, emigrimi është më shumë se një largim nga vendi – është një mundësi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.
Larg politikës
Dëshira për të emigruar nuk është indikator i vetëm i shpresës së vdekur të Gjeneratës Z në Shqipëri; një tjetër shenjë e qartë e këtij zhgënjimi është mospjesëmarrja politike.
Pjesëmarrja e ulët e të rinjve në zgjedhjet e fundit të Shqipërisë është reflektim i një zhgënjimi të thellë dhe mospërfshirje politike, që ka karakterizuar Gjeneratën Z.
Vetëm 38.2% e qytetarëve morën pjesë në këto zgjedhje, dhe përfaqësimi i të rinjve ishte një ndër faktorët kyç që ndikuan në këtë numër të ulët.
Kjo tërheqje nga proceset politike është një pasqyrë e mungesës së besimit të brezit të ri te politika dhe mundësitë për ndryshim brenda vendit.
Ndryshe nga brezat e mëparshëm, të rinjtë shqiptarë nuk e shohin politikën si një mundësi për të ndryshuar jetën e tyre, por si një sistem që i mban ata të ngujuar në një cikël stagnimi.
Në një analizë të EEAS (Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Europian), thuhet se shqetësimi për korrupsionin dhe mungesën e transparencës në Shqipëri është një faktor kryesor që ka shtuar apatinë politike te të rinjtë. Ata janë të lodhur nga një sistem që vazhdimisht favorizon interesat e ngushta dhe nuk ofron mundësi të barabarta për zhvillim profesional dhe personal
Në ndryshim nga brezat e tjerë, të rinjtë në vendet e zhvilluara si Gjermani dhe SHBA kanë treguar një angazhim më të madh politik. “Gen Z është më e angazhuar dhe e përgatitur për të kërkuar ndryshime nëpërmjet politikës dhe votës, duke kërkuar një sistem që të jetë i hapur dhe i përgjegjshëm” (Melissa Deckman, 2024).
Përkundër përpjekjeve të ngadalta të Shqipërisë për të përfshirë më shumë të rinj në politikë, përfshirja e Gjeneratës Z është e theksuar më shumë në vendet me sisteme zgjedhore më të hapura dhe të drejta, ku ato priren të përdorin votën si mjet për të kërkuar ndryshime.
Ky angazhim politik është reflektim i një sistemi që i vlerëson dhe i inkurajon të rinjtë të jenë pjesë e zhvillimeve politike dhe shoqërore. Për krahasim, Shqipëria ende përballet me një sistem ku, sipas Deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, “të rinjtë nuk janë të përfshirë dhe nuk shohin mundësi për të ndikuar në proceset politike”.
Për brezin Z të shqiptarëve, politika nuk është më një mundësi për të arritur ndryshim, por një pengesë që i bllokon ata nga arritja e aspiratave të tyre.
Një e ardhme pa rregullat e të kaluarës
Në një botë që është gjithnjë në ndryshim, Gjenerata Z po krijon rrugët e tij, jo më duke ndjekur ato të krijuara nga brezat e kaluar. Ky është një brez që, edhe kur sheh pasigurinë dhe vështirësitë, ka fuqinë dhe dëshirën për të ndërmarrë veprime dhe për të modeluar të ardhmen sipas kushteve të tij.
Gjenerata Z nuk është e fiksuar pas kalimit të kohës në rrethana të vjetra dhe të ngurta; ata janë të orientuar nga ndryshimi dhe evolucioni. Ata duan të punojnë dhe të jetojnë sipas kushteve që e respektojnë potencialin e tyre të plotë, duke kërkuar mundësi që i shërbejnë si individë dhe si pjesë e një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë.
Ata janë një brez që i kupton mundësitë që teknologjia ofron, që sfidojnë normat e vjetra dhe që, siç thotë dhe autori zviceran, Alain de Botton, “nuk e shohin të ardhmen si një mundësi për t’u frikësuar, por si një mundësi për t’u krijuar”.
Nëse ka një gjë të sigurt për Gjeneratën Z, është se ata janë të gatshëm të krijojnë një të ardhme që nuk bazohet në rregullat e së kaluarës, por në mundësitë që ata mund t’i bëjnë të vërteta. Për këtë brez, e ardhmja është në duart e tyre dhe nuk ka asgjë që mund t’i ndalojë. BW
Komentet