Hapja e negociatave për anëtarësim në BE do të varet nga zbatimi i reformës në Drejtësi.
Ky është propozimi që Komisioni Europian do ti bëjë Këshillit të Ministrave të BE-së në mbledhjen e muajit dhjetor.
Përmbledhja e progres raportit për Shqipërinë u lexua sot në Bruksel nga komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn.
DEKLARATA E HAHN
Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres të qëndrueshëm drejt përmbushjes së 5 prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave të pranimit.
Amendamente thelbësore kushtetuese u miratuan unanimisht në korrik 2016, duke nisur një reformë të plotë dhe gjithëpërfshirëse të sistemit gjyqësor. Ky proces do të përfshijë një rivlerësim të thellësi të gjyqtatëve dhe prokurorëve.
Reforma e administratës publike ka vazhduar të zbatohet në mënyrë konsistente. Puna drejt arritjes së një rekordi ( rezultatit) të bindshëm në hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka vazhduar. Të drejtat themelore vazhdojnë të jenë gjërësisht të respektuara në vend.
Nën dritën e progresit të lartpërmendur në përmbushjen e prioriteteve kyçe, për të cilat puna duhet vazhduar, dhe në varësi të progresit të besueshëm dhe të prekshëm me reformën në drejtësi, në vcçanti ri vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting) Komisioni rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë.
***
Komisioni europian pritet të rekomandojë sot hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë duke vlerësuar përparimin e bërë lidhur me përmbushjen e 5 përparësive kyçe e duke e kushtëzuar me ecurinë e zbatimit të Reformës në Drejtësi e veçanërisht me ligjin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve. Ky është thelbi i formulimit që pritet të zyrtarizohet nga komisioneri për Politikat e Fqinjësisë dhe Bisedimet për Zgjerimin Johannes Hahn, të cilin e ka siguruar gazetari i Zërit të Amerikës, Armand Mero.
Teksti nënvizon se “Shqipëria ka vazhduar të bëjë përparim të qëndrueshëm drejt përmbushjes të të gjithë pesë prioriteteve kyçe për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Ndryshime thelbësore kushtetuese u miratuan njëzëri në korrik 2016, duke i hapur rrugë një procesi të plotë dhe gjithëpërfshirës për reformën e sistemit gjyqësor. Ky proces do të përfshijë një rivlerësim të thellë të gjyqtarëve dhe prokurorëve”. Po ashtu duke vlerësuar përparësitë e tjera, rekomandimi i Komisionit europian thekson se “Reforma e administratës publike ka vazhduar të zbatohet në mënyrë të vazhdueshme. Puna drejt krijimit të të dhënave të qëndrueshme lidhur me hetimet proaktive, ndjekjet penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka vazhduar. Të drejtat themelore të vazhdojnë të respektohen gjerësisht në vend”.
Teksti përmbyllet duke saktësuar se “duke marrë në konsideratë progresin e mësipërm në përmbushjen e prioriteteve kyçe, dhe në varësi të progresit të besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e Reformës në drejtësi, në mënyrë të veçantë të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”.
Pas këtij hapi, e gjithë vëmendja do të përqëndrohet në vendimmarrjen e Këshillit europian në muajin dhjetor. Shqipëria, siç kanë deklaruar dhe më parë autoritetet e saj, kërkon që edhe për rastin e tyre të ndiqet rruga që u përcaktua më Malin e zi Varianti më i favorshëm për të përshpejtuar proçesin do të ishte që Këshilli, së bashku me pranimin e rekomandimit për hapjen e bisedimeve, të linte dhe detyra specifike për vetë Komisionin që paralelisht të niste me anën teknike të proçesit, që praktikisht do të ishin kapitujt 23-24 të bisedimeve që lidhen drejtpërdrejtë me reformën në Drejtësi, si dhe që Komisioni të përgatiste platformën e bisedimeve.
Rekomandimi për hapjen e bisedimeve nuk është pjesë e Raportit për Shqipërinë, por e përfundimeve lidhur më Strategjinë e zgjerimit. Raporti, i siguruar nga Zëri i Amerikës, nga ana e tij, bën një përshkrim të zhvillimeve që nga shtatori i kaluar si dhe vlerëson ecurinë në përmbushjen e 5 përparësive kyçe, për të cilat siç theksohet në paragrafin për rekomandimin, njihet një “përparim i qëndrueshëm”.
Reforma e administratës publike
Raporti vlerëson se pozitivisht “zbatimin e proçedurave më transparente të rekrutimit të punonjësve të shërbimit civil si dhe zbatimin e reformës së administratës publike dhe reformës së manaxhimit të financave publike ka vazhduar”. Nga ana tjetër Komisioni thekson se “përparimi i mëtejshëm është thelbësor për të konsoliduar arritjet drejt një administrate publike me efikase, më të depolitizuar dhe më profesionale”
Sistemi gjyqësor
Raporti vë në dukje se “janë miratuar amendamentet kushtetuese lidhur me funsionimin dhe organizimin e sistemit gjyqësor. Kjo i hap rrugën një reforme gjithëpërfshirëse e të plotë. Puna lidhur me legjislacionin për vënien në zbatim të reformës ka ecur përpara: ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe një set ligjesh kyçe për riorganizimin e strukturave të drejtësisë, janë miratuar. Po ashtu, tekstet për rreth 40 ligje të tjera janë në faza të ndryshme të përgatitjes”. Brukseli ndërkaq vë në dukje se “Përparim i mëtejshëm nevojitet për të miratuar dhe zbatuar këto ligje. Administrimi i gjyqësorit vazhdon të jetë i ngadaltë dhe jo efikas: korrupsioni mbetet mbizotëruesë në të gjithë sektorin”.
Lufta kundër korrupsionit
Raporti vëren se “është miratuar ligji për mbrojtjen e bilbil-fryrësve. Prokurorët dhe punonjësit e policisë fituan më shumë akses në rregjistrat kombëtarë elektronikë, më qëllim që të shkëmbenin informacione sensitive dhe të rrisnin efikasitetin e hetimeve”. Por Brukseli kërkon “përparim të mëtejshëm për të konsoliduar një historik të qëndrueshëm të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve. Më shumë përpjekje për të luftuar korrupsionin në nivele të larta. Hetimet proaktive, vlerësimet sistematike të rriskut dhe bashkëpunimi ndërinstitucional duhet të përmirësohen. Korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz”.
Lufta kundër krimit të organizuar
Në raport theksohet se “disa përparime janë bërë, në veçanti në identifikimin dhe shkatërrimin e plantacioneve me cannabis sativa. Policia është modernizuar dhe bashkëpunimi policor ndërkombëtar është intensifikuar”. Ndërkaq, sipas Komisionit “bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë duhet forcuar më tej për të shkatërruar në mënyrë efikase rrjetet kriminale. Numri i dënimeve për rastet e krimit të organizuar mbetet ende i ulët, duke shënuar vetëm një rritje të lehtë vitet e fundit. Hetimet financiare ndaj grupeve të organizatave kriminale nuk përdoren sistematikisht dhe në mënyrë efikase. Historiku i ngrirjes apo konfiskimit të pasurive të vëna ilegalisht mbetet shumë i varfër”.
Lidhur me zhvillimet në Shqipëri raporti thekson se “duke kapërcyer polarizimin e mëparshëm, Parlamenti miratoi me unanimitet ndryshimet kushtetuese për të nisur një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të sistemit të drejtësisë dhe përjashtimin e shkelësve me rekorde kriminale nga funksionet publike”. Ndrësa lidhur me reformën zgjedhore nënvizon se “Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme të 2017, Shqipëria pritet të adoptojë në kohën e duhur amendamentet e Kodit elektoral dhe reformat e lidhura me të. Këto duhet të adresojnë në veçanti mungesën e pavarësisë dhe profesionalizmit në administratën elektorale”.
Për të tretin vit me radhë Komisioni vlerëson politikën e jashtme shqiptare dhe qëndrimin e saj konstant në përputhje me atë të Bashkimit europian. Politika e jashtem e vendit vlerësohet të ketë “një nivel të mirë përgatitjeje” dhe se “ka bërë disa përparime gjatë vitit të fundit. Lidhur me politikën e jashte dhe të sigurisë së përbashkët, Shqipëria ka qenë de facto plotësisht në linjë me të gjithë deklaratat e rëndësishme të BE-së dhe vendimet e Këshillit. Shqipëria u përshtat me të gjitha masat kufizuese të ndërmarra nga BE-ja”.
Komentet