BEOGRAD – Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka deklaruar sot se 14 dhjetori, kur Serbia do të hapë kapitujt e parë negociues me Bashkimin Evropian, është i rëndësishëm për ne, sepse ky vend do të tregojë se “cilës shoqëri dëshiron t’i përkasë”.
“Data katërmbëdhjetë është e rëndësishme për vendin tonë, sepse më 14, kur do të hapen kapitujt e parë, ne tregojmë se si Republikë e Serbisë në çfarë shoqërie duam t’i përkasim, por edhe çka dëshirojmë të ndërtojmë në vendin tonë”, deklaroi Vuçiç pas takimit me Eurokomisarin për zgjerim Johanes Hahn, me të cilin bisedoi për hapjen e kapitujve 32 dhe 35.
Ai rikujtoi se është punuar shumë për të ardhur deri këtu, por se edhe ka shumë punë për t’u bërë nga autoritetet serbe. Vuçiç gjithashtu shtoi se udhëheqësit e Serbisë duan të kryejnë punën e tyre deri në fund të vitit 2019.
“Ne duam që reformat e rënda ti zbatojmë dhe gjithçka të mbarojmë para fundit të vitit 2019. Pastaj BE-ja le të marrë vendimin për pranimin e Serbisë si anëtarë fuqiplotë në familjen evropiane të popujve. Nëse kjo do të jetë në vitin 2020, 2022, apo ndodnjë tjetër vit, mbetet mbi ta”, shtoi Vuçiç.
Kryeministri serb vuri në dukje se Serbia duhet të punojë në të drejtat e njeriut, drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit.
Eurokomisari Hahn theksoi se është i lumtur për këtë ditë, për të cilën punuan me mund.
“Bashkimi Evropian, Komisioni, ne vetëm mund të ofrojmë fushë, ndërsa ju do të mbillni farat, por gjithashtu edhe korrja do të jetë e juaj. Sot e kemi të parën dhe jam me të vërtet i lumtur se çka do të shohim të hënën, kur edhe zyrtarisht do të merret vendimi për hapjen e dy kapitujve”, ka thënë Hahn.
Ai shtoi se tek atëherë fillon puna e vërtetë dhe se shpreson se në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm do të mund të hapen edhe dy kapituj të ri, shumë të rëndësishëm, kapitujt 23 dhe 24.
Duke folur për ndikimin e kapitullit 35, ku është edhe çështja e Kosovës, në procesin negociues të Serbisë, Hahn tha se është mirë të flitet për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili duhet të vazhdojë.
“Kemi disa elemente të mira të përkrahim dhe stimulojmë Prishtinën, por do të kemi edhe raport të mirë për liberalizimin e vizave, që është diçka që mund të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të rajonit dhe ky është pikërisht qëllimi ynë. Qëllimi ynë është të ekzistojë perspektiva e përbashkët evropiane për të gjithë në rajon, dhe Serbia është gurthemeli i kësaj”, tha Hahn.
Komentet