Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë, tha të enjten se mandati i Gjykatës së Posaçme të Kosovës do të zgjasë deri në një njoftim të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Vendimi i saj pasoi kërkesën e ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të bërë më 24 gusht që parlamenti i Kosovës të amendamentojë nenin 162 të Kushtetutës në bazë të të cilit është themeluar Gjykata e Posaçme, në gusht të vitit 2015, e cila trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.
Në propozimin e presidentit Thaçi dërguar kryesisë së parlamentit kërkohej ndryshimi i pikës 13 të këtij neni të Kushtetutës në të cilin thuhet se mandati i gjykatës “do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare”. Ai kërkoi që të përcaktohet se mandati “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me qeverinë e Republikës së Kosovës”.
Në komentet e ish presidentit Thaçi dërguar Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, thuhej se “sipas formulimeve të paragrafëve 13 dhe 14 të Nenit 162 të Kushtetutës, në opinionin kosovar është shpërfaqur mendimi dhe përhapur bindja që mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të zgjasë në një periudhë më së shumti pesëvjeçare (5) nga koha e aprovimit të amandamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo ka ngjallur jo rrallëherë reagime të shumta tek akterë të ndryshëm”, thuhej në sqarimet e zyrës së ish presidentit Thaçi.
Kërkesa e zotit Thaçi ishte kundërshtuar nga Prokuroria e Posaçme e cila e cilësoi atë jo kushtetuese.
Propozimi i tij u dërgua në Gjykatën e Posaçme nga kryetarja e parlamentit Vjosa Osmani dhe më pas Dhoma e Posaçme e Gjykatës Kushtetuese në Hagë, e cila pasi shqyrtoi komentet e palëve, të enjten tha se “në pajtim me nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, pikat 13 dhe 14, mandati i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka vazhduar dhe do të vazhdojë deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë për përfundimin e mandatit të tyre”.
Gjykata e Posaçme për Kosovën e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua para pesë vjetësh, në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ngritja e saj pasoi pretendimet për krime lufte kundër pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që dolën në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.
Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 nga prokurorët e Dhomave të Specializuara ndërsa pese veta, në mesin e të cilëve edhe ish presidenti Thaçi ndodhen në Hagë nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Akuzat kanë nxitur shumë reagime në Kosovë ku organizatat e dala nga lufta pohojnë se Gjykata është një etnike dhe nuk trajton mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999.
zëri i amerikës
Komentet