Mbi raportimin shkel e shko mbi shqiptarët në disa mediume zvicerane.
E ka thënë vetë Voltaire: «Paragjykimet janë racionalizmi i palaçove». Një fotograf zviceran kishte një ide të mirë. Erdhi në Kosovë për të fotografuar të rinj, djem e çika të shtetit më të ri në Europë, të cilët kanë vendosur të qëndrojnë, të mos ikin në botën perëndimore, ku i pret jeta e vështirë e azilkërkuesit pa shanse. Ata quhen Medi, Rina, Visar, Ares, Edona dhe Tadi. Fotografitë u publikuan nga portali watson.ch, i cili këtyre të rinjve u kushtoi edhe një shkrim të gjatë.
Paralelisht portali intervistoi edhe fotografin Mario Heller, i lindur në vitin 1991, atëherë kur nisi përfundimisht shkatërrimi i Jugosllavisë. Heller thotë: «Para se të shkoja në Kosovë prindërit e mi dhe disa miq u shqetësuan për mua. Atje ka vetëm banditë, mendonin ata. Nga puna ime ata janë të befasuar sa ‹normalë› janë njerëzit atje». Pa shih, pa shih! Habia zvicerane: Hem shqiptar, hem normal! Natyrisht titulli i intervistës nuk mund të ishte ndryshe përveç se ky: «Shumë zviceranë janë të befasuar sa ‹normalë› janë njerëzit në Kosovë».
Nuk duhet dyshuar në qëllimin e mirë të fotografit. Ai me gjasë ka ardhur në Kosovë që me aparatin e tij të rrëzojë paragjykimet e rënda të shumë zviceranëve ndaj shqiptarëve. Në sytë e tyre dhe sidomos të Partisë Popullore të Zvicrës (SVP), grupit më të madh politik të Zvicrës, shqiptarët janë pa dallim delikuentë, mashtrues dhe vjedhës të kontributeve sociale, të pensioneve dhe të çdo gjëje tjetër të mirë në këtë vend të pasur dhe të dominuar nga alpet. Nuk është se nuk ka pasur raste keqpërdorimesh, madje shumë.
Në fillim të viteve 90-të shqiptarët luanin një rol të rëndësishëm në tregtinë me heroinë në Zvicër. Disa simulantë vërtet kanë arritur t’i mashtrojnë sigurimet sociale dhe të marrin pensione. Tani jetojnë si mbretër në Kosovë, në Maqedoninë shqiptare, në Luginën e Preshevës. Por problemi i diskursit të disa mediumeve në Zvicër është se të gjithë shqiptarët hidhen në një thes. Sidomos në mediumet online dhe gratis mes Zürichut dhe Gjenevës është bërë modë të shkruhet dosido për shqiptarët, sepse vetëm përmendja e fjalëve «Kosovo-Albaner», «Albaner», «Kosovo», «Kosovaren» sjell klikime. Tani që fotografi Mario Heller u kthye i gjallë nga ferri, ai habitet me habinë e bashkëqytetarëve të tij se në Kosovë njerëzit qenkan normalë. Pas publikimit të intervistës me titullin «Shumë zviceranë janë të befasuar sa ‹normalë› janë njerëzit në Kosovë» një koleg ngucakeq zviceran shkroi në Twitter: «Çfarë zbulimi! Përse të mos vendoset ky titull: ‹Shumë zviceranë habiten që në Kosovë jetojnë njerëz›».
Por habia nuk mbaron këtu. Edhe të rinjtë e Kosovës të portretuar nga portali watson.ch flasin plot budallallëqe, të cilat as një rimorkio traktori nuk i bart. Shumica përpiqen ta shpjegojnë gjendjen në Kosovë dhe konfliktet e ndryshme sociale nga pozita e ashtuquajtur elitare.
Tadi, një çikë nga Mitrovica, thotë: «Më kujtohet koha para luftës, i kam pasur disa shokë serbë, kemi pasur edhe fqinj serb, ka qenë krejt normale dhe jemi kuptuar shumë mirë. Pas luftës gjithçka ishte ndryshe, të dy grupet etnike u izoluan komplet». Vërtet gjendja para luftës në Kosovë ka qenë normale: vendi ishte i ndarë horizontalisht – serbët sundonin në sipërfaqe, shqiptarët mbijetonin në sistemin paralel të bodrumit, serbët mësonin në shkolla të mëdha, shqiptarët në shtëpi private, pasi ishin përzënë nga shkollat publike nga regjimi i Beogradit, që instaloi aparteidin, serbët menaxhonin e kontrollonin ndërmarrjet publike, shqiptarët, prej profesorit universitar deri te pastruesja, mezi mbijetonin duke shitur në pazar ndonjë artikull, serbët mbanin dajakun, shqiptarët numëronin plagët. Megjithatë, analistja Tadi thotë se «krejt ka qenë normale».
Një lexues mesatar zviceran që e këndon një deklaratë të tillë me të drejtë mund të mendojë: përse atëherë është luftuar në Kosovë, përse ndërhyri NATO, përse mbi 10 mijë të vdekur, një milion të dëbuar, mbi 100 mijë shtëpi të kallura e të shkatërruara, kur gjithçka paskësh qenë normale?
Rina, një tjetër çikë e Kosovës, e cila ka studiuar drejtësi në Zürich, thotë: «Ishte interesante për mua ta përjetojë mentalitetin e shqiptarëve të Kosovës të lindur në Zvicër. Ata kanë trashëguar mendësinë e prindërve të tyre, të cilët ndoshta kanë emigruar në fillim të viteve 90-të. Domethënë, ata janë pak më primitivë se njerëzit në Kosovë, thjesht sepse këto pikëpamje nuk janë zhvilluar më tutje. Më së shumti më habit dialekti i tyre. Kur flisja me një kosovar të lindur në Zvicër, atëherë nga aspekt linguistik kjo ishte sikur të flisja me një plak në trup të ri».
Gjuha përherë të tradhton. Për shembull kur Rina thotë se shqiptarët në Zvicër janë «pak më primitivë se njerëzit në Kosovë», kjo i bie se, në fakt, të gjithë shqiptarët na qenkan primitivë dhe dallimi qëndron vetëm në nuanca. Popullistët zviceranë do të jenë tejet mirënjohës për këtë analizë gjeniale. Se çfarë dialekti flasin shqiptarët në Zvicër mbetet enigmë, sepse rreth 200 mijë shqiptarë në këtë vend rrjedhin nga të gjitha trevat dhe nga të gjitha shtresat shoqërore të Kosovës, andaj nuk flasin më ndryshe se familjet e tyre në atdhe.
Edona, e portretuara e radhës, i bie shkurt: «Prishtina është një bushtër bipolare. Në brendi vashë e vogël, e bukur, por nga jashtë e vrazhdë dhe cinike». Ky duket të jetë një mendim origjinal, ndoshta ndër të paktit në këtë tekst të botuar në portalin zviceran.
Morali i këtij rrëfimi: Kosova nuk mund të shpjegohet duke rrahur gjoks «unë jam normal, të tjerët primitivë»!
Komentet