Zi thoshin shpatullat 33 ditë, zi rrathët rreth hënës,
7 vjet e 7 ditë. Dhe qentë së lehuri s’kishin pushuar. Tuna krejt
gjak, Ura e Shenjtë, krojështerruar. Thyenim vetëtimat e
ndiznim zjarrin
te Guri i Shpuem. E njeriu ynë me kokë nën sqetull qiellit
të Ballkanit,
në vend të hënës së vjetër, përjetë i pafjetur.
Zi e më zi, vaj e më vaj.
Një mbrëmje fryu erë. Trokitje në derë, Urtakët thonë se të
vdekurit janë përmalluar. Trokasin në dyert e tyre. As hanë, as
pinë, lot nuk kanë.
Vetëm shohin e ikin. Ikin e lënë qirinj të ndezur. Pas tyre Ylli i
Harresës s’fle asnjëherë. Por jo! Njeriu i malit, ardhur prej
Uralit, Njeriu i Borës trokiste në derë. Njeriu i Borës veç me
lëkurë veshur, lëkurë ujku, lëkurë dreqi. Dhe qante e qante.
Të vdekurit nuk qajnë.
E pritën. Me ujë Drini e lanë, verë dardane i dhanë.
Rrogtar gjithë jetën ai ish e gjithë fjalët i kish me viç. Ju keni
ilaçin që të vdekurit i çon prej varrit, tha ardhacaku, keni
BESEN. Ma jipni atë besë, vetëm pak BESE sa kjo lëkurë që
unë e kam veshë. Ma falni pak tokë. Sa kjo lëkurë. Sa zë kjo
lëkurë, Dhe i dhanë besë. E tokë sa zinte lëkura që kish veshë.
Lëkurë ujku ish, lëkurë dreqi me bisht.
Natën, njeriu i Borës e preu lëkurën, e bëri dredhë e dredha doli
kilometër. Be e mbi be. Besë.
Dhe me atë dredhë rrethoi katundin. Lëkura fije-fije katundin e
rrethoi. E ardhacaku e mori tokën tek Albanopoli, sa një lëkurë,
Sa një hartë Kosove, a sa një hartë Londre a s’di sa.
Kështu thonë në Dardanopol. E statujat qajnë me lot guri
Të vdekurit natën trokasin në Derë.
Në Prishtinë e në Janinë.
E guri midis dy syve e ndan trupin përgjysmë
E unë them është rrenë, se në Gur të Shpuem, kur po rrëmihja
për
të qitur një bunar, në pashin e shtatë shpërtheu gjaku.