(Në Krahinën e Tropojës dhe me bukuritë e historinë e saj)
Shkas për të ardhur kësaj radhe në krahinën e Tropojës, respektivisht në Bajram Curri, ishte libri më i ri i imi, “Gjethet e hirta të zemërimit”, të cilin kisha dëshirë që krijuesit e kësaj ane të janë të parët ata të cilëve do t’ua dhuroja këtë vepër me poezi. Miku im dhe krijuesi nga Gjakova, Tahir Bezhani, në një mënyrë ishte edhe iniciator por edhe kureshtar për ta bërë këtë vizitë dhe për t’u takuar me krijuesit tropojanë: Lulzim Logun, Gjon Neçajn, Asllan Osmanaj dhe me Haki Zllamin. Dhe, shkurt. Kjo vizitë nuk do të harrohet.
Vendosëm që të shkojmë në Valbonë. Nuk është që nuk kisha qenë atje shpesh mbase edhe shumë herë, por sot më “ngacmonte” mendja për të shkruar diçka. Isha i vetëdijshëm se për Valbonën dhe këtë madhështi e për këtë histori bjeshke, shkëmbi, uji, trimërie e bujarie është shkruar shumë dhe mënyra të ndryshme. Prandaj, tani gjithnjë isha duke e “trembur” mendjen sesi ta filloj këtë rrugëtim të shkrimit tim, të cilin fare pa e shkruar, e ndjeja si një pasuri apo krenari, e cila, ose do të mbahet mend për një kohë të gjatë dhe do të jetë një “trohë” kontributi imi për këtë pjesë të tokës dhe atdheut tim, ose do të jetë vetëm një shënim i rëndomtë. Andaj, duk dija se çfarë të shkruaj dhe si t’ia filloj: a të shkruaj për madhështinë e ujit me ngjyrë të veçantë kaltërsie dhe për ushtimën e tij të pa ndalur, për fshehtësitë e tij dhe për tërë atë çfarë ka parë e vëzhguar, për atë çfarë ka bartur apo për atë çfarë ka fshehur me zemërimin e heshtur!… Nuk e dija, a të shkruaj për historinë e kësaj “Gryke” malesh, thepash, shkëmbinjsh dhe shpellash, të cilat begati, njeriu pëllëmbë për pëllëmbë i ka shkelur e vizituar dhe ka krijuar histori jete secili për vete e histori në vete. Apo, nuk dija a të shkruaj jo për Shpellën e Dragobisë, por për vrasjen e Bajram Currit, apo të shkruaj për rapsodët e këtyre anëve, të cilët jetën dhe historinë e përjetësuan me këngë e çifteli. Këtë ndërkohë, më ndërhynë dhembja e shpirtit dhe krenaria përnjëherë për vakitë e kësaj toke, të cilën me mijëra herë, me mendje e kam puthur, e më të cilën jam djegur e përvëluar… Edhe sot ashtu më ngjanë. Dhe, menjëherë dua ta pyes vetveten apo nuk di se kë… këdo qoftë, pse kaq shumë jam i lidhur me dhenë idhnak e me terrnak. Po, kush di të ma shpjegojë këtë marri time, përveç se madhështitë e betimi i këtij dheu. Prandaj, më besoni, edhe me kureshtje por edhe me zemërim e fillova shkrimin… Do ta vëreni në vazhdim. Më ndiqni…, por mos u mërzitni!
Takimi me krijuesit tropojanë te shtatorja e Bajram Currit, e cila sikur e ka nën vëzhgim tërë Shqipërinë
Edhe pse, uji i Valbonës më kishte provokuar me rrjedhën dhe ngjyrën e “flaktë” të kaltërsisë, ende, deri në qytet sikur isha nën ethe, por edhe pakëz e ndjeja vetën të lumtur se kolegët e mi nga Tropoja do t’i gëzoj me librin tim më të ri.
Pasi u takuam, aty diku afër shtatores së Bajram Currit, e cila sikur e ka nën vëzhgim tërë Shqipërinë, ikëm për në Valbonë. E dija se nisim me Kanionin e Shtrenjtit të lumit Valbona, e dija, edhe aty tek ura ku bukuria e këtij lumi bëhet më madhështore me ngushtimin e tij, i cili ngushtim i ngjanë belit të një nuseje me bukurinë përrallore. I dija edhe fshatrat atje mbi kanion, por, shkrimin kisha vendosur ta filloja nga lartë, atje ku i afrohemi burimit të Valbonës dhe lartësive të Bjeshkëve të Nemuna, që bashkërisht krijojnë edhe histori, edhe pikturë të paparë edhe rrëfim, i cili kurrë nuk mund të përfundojë…
Tani, në makinë ishim unë, Luli, Gjoni dhe Tahiri, i cili drejtonte timonin me një krenari të veçantë, edhe pse ka kohë që nga pak e ngacmon dhembja e kurrizit. Asnjëri prej nesh nuk durohemi pa komentuar pothuaj se çdo gjë që na kapte syri në atë rrugë, një pjesë e së cilës ende nuk kishte shtresë asfalti, që me decenie e shekuj nuk e kishte parë. Por, edhe ky rrugëtim më dukej se ishte shumë i ëmbël, sepse, ma kujtonte kohën e gjyshërve dhe të baballarëve, të cilët këtë rrugë e rrihnin me kuaj, me qerre me rrotë e spicash prej druri por edhe këmbë, e që këto rrugëtime ta kujtojnë trimërinë, vendosmërinë dhe qëndresën për ta dashur e mbrojtur tokën, ujin, bjeshkët dhe qiellin e kësaj ane. Këto trokëllima, më kthejnë edhe në lumturinë e këndimit dhe të rrëfimit historik nga penat e shquara…
Të ju them të drejtën, miqtë e mi, gjatë rrugës, me komentimet e tyre, nga pak më shpërqendronin nga mendimet dhe zjarrmia ime! Në disa vende u ndalem për t’i shikuar e shijuar bukuritë, bënim edhe nga ndonjë foto për të mbetur kujtime jete, ngase, kur njeriu është sentimental: se nuk i dihet jetës! Por, sa mbyllë e hapë sytë arritëm diku bukur afër vendit ku buron Valbona. Tash qëndrojmë një kohë bukur të gjatë edhe duke biseduar e komentuar, por edhe duke bërë foto. Përpiqeshim që t’ia “qëllojmë” një fotoje “artistike” për ballinën e librit me poezi të Tahir Bezhanit, i cili së shpejti do t’i prezantohet lexuesit.
Tani, këtu përveç objekteve turistike dhe mysafirëve, përballë nesh ngrehin shtatë bjeshkët e larta, majat e tyre madhështore, mbi të cilat krenohej bora me shkëlqimin e vetë, në ato vargmalet e Jezercit, Kallatës, Majën e Rasit, të cilat lidhen prapa me Majat e Hekurave.
Por, kjo madhështi sikur edhe më shumë bëhet pothuaj mitike edhe me majat që gjendeshin parapa nesh. Dhe, njeriu nuk di se çfarë të flet, sepse, ato, kush e di, flasin vetë, e ne duhet të tregojmë, të ndërtojmë, të mbjellim e kultivojmë. Prapë, pedatemi me foto për librin e Tahirit. Ani, thosha vet me vete, sepse, ai, por edhe ne, librin e konsiderojmë si një fëmijë.
Kjo bukuri përrallore është krenari që flet dhe qorton
Madhështia dhe qortimi që do ta shpijnë përpara këtë bukuri të rrallë të Ballkanit
Duke i shikuar sërish ato madhështi, krejt pa lidhje, lotët mu kthyen në sy; nuk e di, për të kaluarën, për të tanishmen apo për vitet që më kanë rënduar pikë për inati tim! Por, pas këtij “ngërçi”, sërish u ktheva dhe iu bashkëngjita alegros së shokëve. Kurse, sa për “ngërçe”, edhe ju e dini, ne jemi mësuar dhe sikur ia kemi “dhuruar” vetes si peshqesh apo si sermi këto inate e pakuptimësi… Me që përbri bjeshkëve të larta shtrihet edhe Fusha e Gjesë, disa dhjetëra metra larg, një kope delesh i jepte gjallëri asaj pjese të Valbonës.
Por madhështia e këtij vendi, sikur ka plotë thesar, që bile tash, na detyron për ta ruajtur, por ka edhe shumë gjëra që thjeshtë na qortojnë. Por… nejse. Po e lëmë këtë, se nuk durojmë qortim…!
Në këtë lëmsh mendimi, tani, një kope dhish, me krenari ecnin përmjedis asfaltit, dhe sikur nuk u hante palla për makinën tonë, e kjo ishte, se ky vend ka resurse e begati për gjithçka, për bagëti e bujqësi. Dhe shih, si me metaforë, kjo kope dhish kishte hyrë në fokusin e fotos sime që të linte përshtypjen se po ecnin mbi librin tim…
Me të vërtetë, diçka mahnitëse…! Po, po. Mahnitëse… Shprusheni pak, dhe do ta shihni e kuptoni….
Quku i Dunishës dhe perspektiva e turizmit
Tash, marrim turra vrapin me makinë për në Bajram Curri, por kishim edhe shumë për të mësuar e për të thënë. Atje lartë i lamë ato madhështi, atë shtrat Valbone të zgjeruar tej norme. I lamë edhe ata shkëmbinj, që vërtetë unë sikur ua dëgjoja fjalën e urtë, dëshminë e mendimin, krenarinë e zemërimin… Me këtë zemërim edhe unë sikur jam bërë si zhuga, e për të cilin, për besë kam thënë diçka edhe në librin tim më të ri po me të njëjtin titull… Çfarë t’i bësh. Histori është jeta,… besa edhe jeta është diçka…!
Duke u pështjelluar kështu me mendjen time, arritëm tash deri tek Kompleksi turistik “Valbona”, të cilin e menaxhon Komuna e Markgegaj. Edhe ky kompozim, disi ma ngushëlloi mendjen dhe ma forcoi shpresën, se kjo pjesë e madhështisë të tokës së shqiponjave së shpejti do të marrë rrugën e së mbarës në lulëzimin jo vetëm të turizmit por edhe të pjesëve tjera të ekonomisë.
Nisë dhe sikur më rritë zemra, e tëra më bëhet mal, mu si këto male madhështore që më rrethonin nga të gjitha anët. Duke medituar edhe për gjëra të tjera, nganjëherë më ndërpriste edhe “lëngu” i vargut poetik, për të shpërthyer si sythi i pemës në pranverë. Por, pakëz më ngacmonte fakti se pse kaq pak e populluar kjo pjesë e rrallë e parajsës së tokës sime?! Duke i përplasur mendimet për këtë, menjëherë arritëm tek shkolla nëntëvjeçare e Valbonës. Në fillim mu duk madhështore, sepse, aty mësojnë e do të zënë dituri nxënësit e këtushëm, bijtë dhe bijat e banorëve të këtyre shkrepave, shumë prej të cilëve uroj që t’i vërshojnë fakultetet, ta marrin vetën si njerëz të mendjes, shkencës e kulturës.
Kolegët e mi poetë, Lulzim Logu dhe Gjon Neçaj, më njoftojnë se këtu mësimet i vijojnë jo më shumë se afro gjashtëdhjetë nxënës, të cilët i mësojnë tre-katër mësues në katër klasë të kombinuara.
Ika me peshën e mendimit të ecjes së ngadaltë të njeriut… Nuk di se pse…!
Duke “zbritur” shiritit të asfaltit, i afrohemi një objekti-rrënojë, që i ngjante “mëkatit” të kohës, apo ishte një pasqyrë e një periudhe të jetës së këtushme, një fakti historik, i cili nuk riparohet lehtë por edhe nuk i hiqen gjurmët as damkat e kohës. Të ju them të vërtetën, kjo ma vriste disi mendjen e shpirtin përnjëherë. Përpara më dilnin shumë oshtima, shumë rubikone, që më krijonin udhëkryqe të pashpjeguara! Por, nuk dua ta zbërthej këtë pamje e pasqyrë të këtij objekti, sepse, ndoshta të tërin do të më dërmonte nëpër kohëra, kujtime, dhembje e zemërime… Po, po. E dini ju. E kam shok zemërimin, por ai zemërim është imi, jo i tjetërkujt…!
Më gëzuan miqtë e mi me të cilët udhëtoja, se kjo pamje fantazmë e krijuar nga koha e këtij objekti, së shpejti do ta ndryshojë pamje. Do të shndërrohet në objekt të rrallë turistik bashkëkohor, i cili pastaj, përveç historisë së re të tij, do ta rrëfejë ai vetë edhe atë të vjetrën… Por, kjo le të jetë diçka si e kaluar dhe e pakthyer…! U gëzova se do të shndërrohet në objekt madhor turistik.
Kapërcyem edhe këtë pjesë të Valbonës. Çdo pjesë të Grykës së Valbonës që e lija, më bëhej se atje po e la nga një pjesë trupi, mendje, zemre e shpirti, që bashkë, mallin ma bëjnë mullar sane deri tek ngacmimi i djegësimit të syve me lëngun e kripur! Gjatë këtij “vrapimi”, poetët tropojanë ma përmenden, se këtu diku është edhe Fabrika e ujit. Mirë, thash me gjysmë goje… Mos më pyesni se pse, ngase nuk di të ju tregoj…!
Tani, arrijmë tek vendi që quhet, Quku i Dunishës. Aty, pranë rrugës kishte ngritur kokë një objekt turistik, i cili po shpejtonte të zgjerohej dhe të jetë i gatshëm për t’i pritur mysafirët e sezonit turistik, turistët e verës valbonase.
Këtë reportazh e kemi shkruar më herët , dhe këtu fillon një rrëfim që dallon i tëri nga ky rrugëtim. Posa zbresim nga makina, aty na pret një zonjë e veshur në mënyrë shumë modeste. Nuk është shqiptare, por kishte vendosur që një pjesë të jetës, zemrës dhe shpirtit të ia dhuroj kësaj ane, këtij dheu. Kjo ishte një grua gjermano-amerikane. Kathrine Bohn, ia thoshin emrin. Ishte plotë buzëqeshje dhe çiltërsi shpirti. Punonte në restorantin “Rilindja & Quku i Valbonës”. Nuk ishte kameriere, por bashkëpronare me Alfred Selimin, banor i kësaj ane, që kishin vendosur të punojnë e krijojnë bashkë.
Ishte kjo një histori e veçantë, të cilën me kërshëri përpiqen të ma shpjegojnë edhe Gjon Neçaj dhe Lulzim Logu. Por, kisha dëshirë që këtë ta dëgjoja nga goja e kësaj gruaje fisnike. Ajo, këtu kishte ardhur nga Bruklini i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse, ajo e do natyrën. Më së shumti, ajo, sikur e kishte dashur bukurinë e këtij dheu, e cila u vendos këtu, edhe për të jetuar. Kjo biologe me profesion, e cila, këtu me siguri se edhe mëson e studion për florën dhe faunën aq të pasur të kësaj ane, lidhë jetën me Alfredin, një djalosh zemërmirë dhe me ambicie e vizion për ta quar përpara turizmin dhe hotelerinë e Grykës së Valbonë dhe të Shqipërisë.
Derisa na shërbeu me nga një kafe, znj. Catherine Bohn, ajo me kërshëri dhe plotë madhështi fletë për synimet e tyre, dhe thotë: me trembëdhjetë maj 2014, këtu dhe përgjatë Kanionit të Valbonës, rinia do të organizojë aksionin për pastrimin e ambientit të grykës gjithandej deri tek burimi i lumit Valbona.
Kur i treguam se jemi shkrimtarë, ajo ishte edhe më kurajoze, dhe u interesua për libra. I nxora katër-pesë kopje të veprave të mia, që zakonisht gjithmonë i barti në çantë për raste të tilla apo të ngjashme, dhe ia dhurova. Ajo, përveç që shprehi falënderim, na tha se këtu ekziston edhe shkolla, e cila nuk ka bibliotekë. Andaj, është mirë që ta themelojnë një bibliotekë në këtë shkollë, sepse, si me dhembje na thotë ajo, nxënësit do ta begatonin mësimin dhe diturinë e tyre.
Edhe në këtë rast, zemra mu bë mal, kur Catherine Bohn dhe Alfred Selimi, tanimë janë bërë faktorë ndikimi i zhvillimit jo vetëm të turizmit dhe të hotelerisë, por edhe të arsimimit të rinisë së kësaj ane. Këtë rrugëtim të zhvillimit ma sforcon edhe më shumë shpresa, se edhe rruga, së shpejti këtë anë, por edhe Shqipërinë do ta lidhë edhe me pjesët e krahinës së Plavës dhe të Gucisë, si Vuthajt, Gucinë, Plavën dhe shumë vendbanime të tjera të banuara me shqiptarë në Malin e Zi. Edhe diçka. Në të ikur nga Quku i Dunishës, mësova se babai i znj. Catherine Bohn, në vitet e 40-ta të shekullit kaluar, kishte kaluar nëpër Shqipëri, dhe si duket, edhe ky detal, e kishte shtyrë këtë grua fisnike të lidhë jetën me tokën shqiptare.
Pse krijuesit tropojanë këmbëngulën që ky reportazh ta bartë titullin e librit tim, “Gjethet e hirta të zemërimit…!
Tani, pak më poshtë përgjatë grykës, u ndalem tek restoranti, “Relax Valbona”, për të drekuar. Posa u ulëm, poeti, Lulzim Logu, mori paqetën me librit, “Gjethet e hirta të zemërimit” , që e kisha sjellë për t’ua dhuruar, dhe pa një pa dy, hapi paqetën me një afsh të paparë, dhe tha se mjaftë më kishte duruar pa e parë librin. Ua shkrova nga një “grimë”… tekst në shenjë respekti,
Por, posa ua dhurova botimin e librit të ri, Luli tha se edhe këtij reportazhi duhet vënë pikërisht titullin e librit, “Gjethet e hirta të zemërimit”, me çfarë si në kor u pajtuan edhe Gjoni dhe Tahiri.
Ky propozim disi më solli si në një pa rrugëdalje, por të mbështjellë me një krenari…!
Krahas drekës, libri na provokoi për një bisedë bukur të thellë përkitazi me krijimtarinë letrare, për vlerat dhe jo vlerat, por edhe për kushtet krijuese, të cilat shumë e ngadalësojnë cilësinë dhe afirmimin e letërsisë kombëtare, e cila, dorën në zemër, në të shumtën e rasteve dhe historikisht ka zbritur nga viset më të thella dhe nga qytetet e ashtuquajtura të provincës. Por, edhe ky problem, nëse tash shprushet më shumë, do ta shëmtonte bukurinë e këtij reportazhi, ndoshta të jashtëzakonshëm.
Dhe, çfarë të bëjmë me titullin, me “Gjethet e hirta të zemërimit”, që ndoshta edhe përkon nga pak me gjendjen aktuale në zhvillimit edhe të kombit edhe të atdheut…! Po, mirë. Nuk do t’ua prishë miqve të mi, njerëzve të penës dhe të mendimit të thellë shpirtëror…
Derisa “rrokullisemi” deri tek Lugina e Matinës, e cila lidhet me rrugë edhe pse të ngushtë por të asfaltuar, në të njëjtën kohë më sjellën nëpër mend edhe Shpella e Dragobisë, edhe vrasja e Bajram Currit, edhe perspektiva e kësaj ane. Më kujtohen edhe shumë emra, siç kam thënë diku në fillim të këtij shkrimi, si rapsodja dhe rapsodët, Fatime Sokoli, Riza Matina, Agim Matina, pastaj, koreografi dhe baletani, maestro, Deli Metalia e shumë të tjerë.
Edhe kjo luginë është histori në vete, e cila ka nevojë por edhe kërkon edhe më shumë për t’u ndritur, për t’u eksploruar, për t’u afirmuar. Dhe,… ecim tutje…!
Pak pa arritur tek Kanioni i Shtrenjtit, në hyrje të qytetit Bajram Curri, në anën e majtë të Grykës së Valbonës, e cila rrjedhën e ujit të vetë e sjellë në ngushticën sa një bel vashe, në kuadër të shkëmbinjve xhevahir të historisë dhe të krenarisë së Tropojës, ngreh kokë edhe Shkëmbi i Nuses, si rrëfim kohe dhe si mit, kur dy pallë krushqi janë takuar, dhe aty sipas rregullit, njëra palë e krushqive është dashtë t’ia lëshojë rrugën tjetrës palë,… Aty janë shfarosur dasmorët dhe nuset janë gurëzuar, që tani është histori e kallëzim mitologjik për rregullat e pashkruara të kombit, të cilat shtrenjtë i kanë paguar, dhe si kallëzim i tillë reflekton edhe për plagët dhe dhembjet e jetës, disa prej të cilave edhe sot na mbështjellin nga një copë trupi e mendje, siç është gjakmarrja…!
Dhe, mbi këto rrëfime të shkrira dhe të ngrira në gurë e në shkëmb, besoj si relikte, kanë ngelur, por edhe janë thurur shumë rrëfime për përplasjen në mes vete të karvanëve dasmorësh dhe jo vetëm karvanëve dasmorësh, ku pastaj kanë pasuar dhembjet shpirtërore deri tek ngrirja e nuseve pa hy në gjerdek e deri tek ngrirja e lotëve si qortim jete…!
Shih, mbi këtë pjesë kanioni, shtrihet fshati Shoshan dhe lagjja Biberaj, prej nga rrjedhë atdhetari dhe patrioti i shquar, Haxhi Zekë Biberaj, pastaj, gazetari dhe publicisti i njohur, Elez Biberaj etj.
Sërish, në orët e vona të pasdites arritëm në qytetin Bajram Curri, ku duhej të takoheshim me krijuesit, Haki Zllami dhe Asllan Osmanaj. U takuam tek Turizmi, pimë nga një kafe. Edhe atyre ua dhurova nga një ekzemplar të librit “Gjethet e hirta të zemërimit”. Këtu edhe përfundoi takimi im me krijuesit tropojanë: Lulzim Logun, Gjon Neçajn, Haki Zllamin dhe me Asllan Osmanajn. Unë dhe poeti e miku im nga Gjakova, Tahir Bezhani, vazhduam rrugën për në Kosovë, respektivisht, unë për në Pejë, kurse ai për në qytetin e Gjakovës.
Këtë ditë pranvere, e “harxhuam” me shumë kujtime, me shumë krenari e madhështi, me shumë histori por edhe me shumë kallëzime ende të pa ndritura të Grykës, të Kanjonit të Valbonës dhe të “Bjeshkëve të Nemuna”-Alpeve Shqiptare. Mos të harroj. Një ditë para se të filloja ta shkruaja këtë shkrim, e botova një foto nga Bjeshkët e Nemuna, kurse njëri më kishte bërë koment në këtë foto, se nuk janë Bjeshkët e Nemuna por Alpet Shqiptare, duke ma “shpjeguar” se Bjeshkët e Nemuna janë kalke sllave. Por, unë, duke pasur parasysh lashtësinë e tokës dhe të kombit, por edhe peripecitë e kalavaret e rrugëtimet historik, iu përgjigja:
-Jo, jo! Bjeshkët e Nemuna, nuk e kam shkruar as gabimisht as pa qëllim… Nuk di, a i jam përgjigjur mirë e drejtë,… Por, nuk edhe di edhe atë, se a më ka kuptuar ai mua dhe mesazhin tim…!
Komentet