Grupi i parë i shtetasve afganë, që mbërritën në Shqipëri me avion në orët e para të mëngjesit, u strehuan menjëherë në tre nga hotelet më të sigurta dhe më të mira në zonën turistike bregdetare midis Durrësit dhe Kavajës.
Grupi i ardhur nga Kabuli përbëhet prej rreth 120 persona, veprimtarë të shoqërisë civile, e mes tyre kishte edhe fëmijë.
Qeveria miratoi të mërkurën një vendim, sipas të cilit, qytetarëve afganë do t’u ofrohet statusi i “mbrojtjes së përkohshme”. Po sipas këtij vendimi ata mund të qëndrojnë deri në 1 vit në Shqipëri, ndonëse afatet dhe numrat e atyre që pritet të mbërrijnë në Shqipëri ndryshojnë vazhdimisht sipas rrethanave në terren.
Shqipëria ishte ndër vendet e para që u angazhua për të strehuar qytetarët afganë të cilët po largohen nga vendi i tyre. Duke ju përgjigjur pozitivisht një kërkese të qeverisë amerikane për të mikpritur persona, jetët e të cilëve kërcënohen nga talebanët, qeveria shqiptare u shpreh fillimisht se ishte e gatshme të strehonte disa qindra, për të folur më pas për të paktën 4 mijë afganë.
Komentet