Radio Evropa e Lirë
Një grua amerikane që e ka akuzuar presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për sulm seksual ndaj saj, ka udhëtuar drejt Moskës, ku po kërkon nënshtetësi ruse.
Gjatë një interviste të dhënë për një gazetë shtetërore ruse, Tara Reade, 59 vjeçe, tha se ndihej e sigurt në Rusi dhe se dëshironte të qëndronte atje.
Reade pretendon se Biden e sulmoi atë gjatë kohës kur ajo punonte në zyrën e tij të Kongresit në vitin 1993.
Biden i ka mohuar fuqishëm këto pretendime, duke thënë se “pa asnjë dyshim, kjo nuk ka ndodhur kurrë, kurrë”.
Reade kishte punuar si asistente e Bidenit kur ai ishte senator i Delaëare. Ajo mori vëmendje mediatike në vitin 2020, kur filloi fushata presidenciale e Bidenit, duke pretenduar se ai e kishte sulmuar seksualisht atë në një korridor të Capitol Hill kur ajo ishte 29 vjeçe.
Ajo e akuzoi Bidenin se e kishte shtyrë për muri dhe ia kishte vendosur duart nën këmishën dhe fundin e saj.
“Kur zbrita nga avioni në Moskë, për herë të parë pas një kohe shumë të gjatë u ndjeva e sigurt dhe u ndjeva e dëgjuar dhe e respektuar”, raportohet të ketë thënë Reade gjatë një interviste me Sputnik, sipas citimit në The Guardian.
Ajo tha se u largua nga SHBA-ja pasi një politikan republikan i kishte thënë se ishte në rrezik fizik.
“Unë do të doja të aplikoja për nënshtetësi ruse, nga presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin… Unë premtoj se do të jem një qytetare e mirë”, tha Reade, duke shtuar se shpresonte ta mbante edhe shtetësinë e saj amerikane.
Reade ishte një nga disa gra që dolën publikisht në vitet 2019 dhe 2020 për ta akuzuar Bidenin për prekje, përqafime ose puthje të papërshtatshme. Ajo tha se kishte paraqitur një ankesë, megjithëse nuk është gjetur asnjë procesverbal për këtë dhe është e paqartë nëse pretendimi i saj është hetuar zyrtarisht.
Një zëdhënës i Bidenit tha se ai besonte se gratë “kanë të drejtë të dëgjohen”, por se incidenti i supozuar “absolutisht nuk ka ndodhur”.