Jemi dashur tërë jetën e s’e paskemi ditur,
deri ditën kur u ulëm në atë kafe
Grua e Jugut,
duke pirë deri në fund gllënjkë pas gllënke.,
njeri- tjetrin
me etjen e deveve shtatzana pranë muzgut?!…
Në këmbë të prita,
siç pritet një Zonjë e Madhe Jete,
në jetë,
i bindur se aty isha ngulur
që nga dita e fundit e maturës,
me vjershën e parë të dashurisë në xhep.
I paske mbledhur Ti në stacionet e humbura
gjithë pritjet për gratë,
që humba pa faj,
ku qenke fshehur të vish kaq beftë
si gazi në vaj?!
Kur u ulëm, mulliri që bluan kafen,
filloi të rrotullohej vetëvetiu,
sa kamarieri i skuqur prej turpit,
vrapoi ta fikte e ai s’fikej për mua…
Lere, duhet t’i thoshja, lere, s’ke ç’i bën, bir,
nuk pushon pa bluar shtatë mijë kafet e papira
me këtë grua.
Ti nuk e vure dot re
si u veshën me avull tej e tej xhamat,
se si u ndërrua vetë në sidiplejer muzika,
si ra pastaj heshtja,
që të dëgjohej fjala e madhe: të dua!
dhe flluckat e ajrit të pëlcisnin pas mureve,
fanepsur nga ngjethja…
Po unë nuk fola. As ti nuk fole…
Nuk flasin, vetëm qeshin gratë e Jugut,
me pak turp në mollza
si kuqëlim flamuri,
qeshin dhe pjekin në gjinjtë e tyre një portokalle,
për çdo vështrim burri.
Nuk dija ç’ti bëja sytë…si hala peshku i futa
në vrimat e komçës që qante
mbi gjinjtë e kyçur në këmishën tënde,
Ti me siguri po luteshe: “Këputu, moj komçë!
se unë jam dorëzuar tek ky burrë
mendje më mendje.”
Dhe qeshe prapë me një krua gurgullimash,
që rrotulloi tërë kokat e grave nga ne
si lule dielli të nxehta,
atëhere pashë ajrin që dridhej,
në plasje tollumbacesh purpur
nga orgazmat e tyre të fshehta.
E ndjeva. Ti ishje e pritura e ëndrrave të thella
i kishje brenda të gjitha
fill e për pe,
deri tek buka e grunjtë, loti dhe kripa,
pafund si një Fe…
Oh, Grua e Jugut, moj Grua e Jugut,
qenke shoku dhe malli për motrën e vdekur,
perëndim i rubintë në qiell Çamërie,
supi i nënës, qepa,djathi, oxhaku i ndezur,
bishti i ketrit
edhe shall fëmije.
Pastaj të pashë nëpër grykë si rridhte
Uji i Ftohtë i Tepelenës,
pas dashurisë deri në shkalafitjen e krevatit,
pashë Lotin tim për Viktorin, shokun e rinisë,
që iku se kish një vrimë në zemër të Fatit…
Po hesht tani… Se nuk i numuroj dot të gjitha
deri tek brryli i Vjosës, ku qan akoma
një dashuri e humbur pa lotë,…
Kam frikë t’i them
se më tremben kujtimet
e mbetem vetëm në botë.
Qenkeshim dashur tërë jetën dhe s’e paskemi ditur,
o grua e Jugut!
Ulërima ime,
tani bëhu gati mirë e mirë ta pjekim ngadalë
nën dritën e njëmijë hënave
këtë dashuri sublime…
Komentet