TIRANE – Mbërrin në Tiranë dosja penale greke në ngarkim të biznesmenit Klement Balili, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e vendit fqinj, për akuzën e “trafikut të narkotikëve”.
Dosja e personit të cilësuar si “baron droge” në Ballkan ka mbërritur në Ministrinë e Drejtësisë në Tiranë, ditët e para të muajit nëntor të këtij viti.
Sipas burimeve, bëhet fjalë për një total dokumentesh prej gati 3 mijë faqe, të gjitha prova shkresore të palës greke.
Pas marrjes në dorëzim, Ministria e Drejtësisë i ka përcjellë Prokurorisë për Krimet e Rënda aktet origjinale të dosjes në gjuhën greke, ndërsa ka nisur përkthimi i materialit në fjalë. Prokuroria ndërkohë, nuk bëri komente për çështjen.
Sipas burimeve, përkthimi i materialit për shkak të volumit të lartë ka kërkuar angazhimin e më shumë se 12 përkthyesve, pjesë e listës së njohur si përkthyes zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë. Për shkak të volumit të madh të akteve të përcjella nga pala greke sqaruan të njëjtat burime, procesi është në zhvillim e sipër.
Për shkak të mungesës së provave konkrete nga hetimi i bërë në Shqipëri, për përfshirjen e Balilit në veprimtari të paligjshme, Prokuroria për Krimet e Rendë iu drejtua palës greke me një kërkesë zyrtare për vënien në dispozicion të dosjes së Klement Balilit që në muajin maj 2016.
Bashkangjitur këtyre letërporosive, autoriteteve të vendit fqinj iu përcollën edhe disa veprime hetimore të kryera nga Krimet e Rënda për grupin kriminal, ku sipas palës greke është i përfshirë edhe biznesmeni Balili.
Emri i tij doli në dritë nga një hetim i bashkërenduar mes disa shteteve për të goditur një grup kriminal të angazhuar në trafikimin e drogës. Sipas autoriteteve greke, Balili është financues i grupit që ka kryer trafikim të ngarkesave me drogë nga Shqipëria.
Gjatë hetimit në mars 2016 u identifikuan dy numra telefonikë në përdorim të Balilit.
Komentet