Foshnja me emrin Nurshan dhe familja e saj nga Siria, kishin mbetur në Greqi për shkak të mbylljes së kufijve në tentativën për të shkuar në Evropë
HALKIDA – Është varrosur në varrezën Halkida foshnja siriane dy muajshe që jetonte në kampin e refugjatëve Ristona të Greqisë. Foshnja ka patur probleme shëndetësore, ndërsa ka humbur jetën gjatë mjekimit në spital.
Foshnja me emrin Nurshan dhe familja e saj nga Siria, kishin mbetur në Greqi për shkak të mbylljes së kufijve në tentativën për të shkuar në Evropë.
Në ceremoninë mortore ishin të pranishëm krahas babit të foshnjës, punonjës të kampit dhe të afërm. Pas faljes së namazit të xhenazes trupi i pajetë i vogëlushes është dërguar në varrezën Halkida përmes lutjeve.
Ndërsa lënia e një buqete me lule si dhe një batanije ngjyrë gri me të cilën ishte mbështjellë foshnja përpara se të ndërronte jetë, bëri të përjetohen momente emocionale.
Ibrahim Temmo, babai i foshnjës, i përlotur tha për AA se Nurshan është sëmurë mbrëmjen e të shtunës, por edhe pse u dërgua në spital nuk mundi të shpëtonte. Duke vënë në dukje se ka ardhur para 10 muajsh me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, Temmo u shpreh se ajo që kërkojnë është që sa më parë të shkojnë në Evropë.
Sipas statistikave zyrtare në Greqi ka rreth 60 mijë refugjatë. Ndërkohë refugjatët këtu pas mbylljes së kufijve përballen me kushtet e vështira të dimrit. Javën e shkuar në qendër të vëmendjes ishte kampi Moria në të cilin shumë refugjatë jetojnë në çadra verore edhe pse kushtet e dimrit janë shumë të vështira.
Shumë shoqata jo qeveritare kritikojnë Greqinë për mos dhënien e ndihmës së duhur ndaj refugjatëve gjatë stinës së dimrit. Ndërsa vetëm në javën e fundit në kampet e ishullit Mutilene dhe Moria të paktën 3 persona kanë humbur jetën.
Komisioneri i Lartë për Refugjatët pranë OKB-së dhe shumë organizata ndërkombëtare ngritën alarmin për kushtet në kampet e Greqisë duke i cilësuar ato në një gjendje të “mjerë” dhe “të tmerrshme”. Ndërsa i bënë thirrje qeverisë greke të vihet menjëherë në lëvizje.
Komentet