Mediat greke njoftuan se katër policë grekë të arrestuar “për torturë dhe fyerje të tjera të dinjitetit njerëzor me bashkëpunim” ndaj një të burgosuri shqiptar u lanë të lirë.
“Një oficer policie, tre policë dhe një roje speciale u lanë të lirë pas kërkimit të faljes prej tyre”, njoftuan mediat greke.
Punonjësit e policisë në detyrë ishin përgjegjës për ruajtjen e transferimit të të burgosurve nga Kavalla e Selanikut në burgun e Korydhalos dhe u arrestuan nga Shërbimi i Punëve të Brendshme të Forcave të Sigurisë.
Ishte i burgosuri shqiptar Sajmir Pjetri, i cili deklaroi se e rrahën dhe torturuan, i vendosën në kokë një helmetë motori dhe kur kishte kërkuar ujë, oficerët e refuzuan.
Mjeku që shkoi në burg konfirmoi se rrahjet e pësuara nga i burgosuri shqiptar ishin bërë 24 orët e fundit para pranimit të tij në burg, ndërsa u konfiskuar rrobat që i burgosuri mbante gjatë transferimit.
Ofiecerët grekë nuk kishin pranuar se kishin ushtruar dhunë dhe sipas tyre vendosja e helmetës ishte bërë pasi i burgosuri kërkonte të dëmtonte veten në mjetin ku po transferohej me 10 të burgosur të tjerë.
Sajmir Pjetri, babi i dy fëmijëve vuante dënimin me burg për drogë dhe grabitje në burgun e Koridhalosit dhe ishte transferuar në Kavalla të Selanikut për një tjetër proces gjyqësor për kundravajtje.
Procesi sipas 32-vjeçarit shqiptar ishte zhvilluar pa praninë e tij dhe ai ishte dërguar një ditë më vonë në gjykatën greke për t`u njohur me vendimin.
Pjetri tha përmes një deklarimi video nga burgu të bërë publik në rrjetet sociale : “nuk shkova në gjykatë se nuk më çoi policia, u dënova në mungesë, kërkova të drejtat e mia pse nuk më treguar për datën e gjyqit dhe më kanë sakatuar”.
Autoritetet shqiptare nuk janë prononcuar për ngjarjen e cila ka gjetur jehonë të gjerë si në mediat greke edhe ato shqiptare.