Gratë janë më pak të korruptuara se burrat në Kosovë, ishte vlerësimi i konferencës së sotme të quajtur “A ka Korrupsioni Gjini?”, të organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI)
PRISHTINË – Gratë janë më pak të korruptuara se burrat në Kosovë, ishte vlerësimi i konferencës së sotme të quajtur “A ka Korrupsioni Gjini?”, të organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në bashkëpunim me Institutin Demokratik Kombëtar (NDI) të mbajtur në Prishtinë.
Përveç organizuesve, në cilësi të folësve, të ftuar ishin edhe drejtori i Agjencisë Anti Korrupsion të Kosovës (AAKK), Hasan Preteni dhe kryetarja e Komisionit të Kuvendit të Kosovës për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Lirie Kajtazi.
Sipas Pretenit, drejtori të AAKK-së, meshkujt në Kosovë janë dukshëm më të korruptuar se femrat dhe këtë ai e dëshmoi me statistikat për rastet e dënimeve të femrave dhe meshkujve për shkak të aferave të korrupsionit ku, në mbi 1300 raste të gjykimeve të zyrtarëve të gjitha niveleve të qeverisjes, vetëm 9% janë hapur kundër femrave.
Në fakt, ai tha se për shkak të korrupsionit në Kosovë janë dënuar vetëm dy femra që ishin në pozita udhëheqëse, duke dhënë shembullin e aferës së korrupsionit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të njohur si “rasti i pasaportave” dhe dënimi i Natalie Veliaj.
“Është e dhënë publike se deri më tani, vetëm dy femra janë dënuar për korrupsion. Njëra ka dashur që t’iu shmanget vuajtjes së dënimit, kurse tjetra është duke e vuajtur dënimin. Në bazë të evidencës flasim për rastin e pasaportave, aty e kemi një femër që është dënuar në shkallë të parë për korrupsion. Definitivisht, të dënuara ka më pak por, është një element tjetër i cili nuk shkon në favor të gjitha asaj që thamë më herët se kemi problem edhe me denoncim. Numri shumë i vogël i denoncuesve është femra. Janë evidentuar më pak se 5% të denoncuesve” tha Preteni.
Alexander Chavarria, drejtor i NDI në Kosovë, deklaroi që hulumtimet kanë treguar se, në shoqëritë transitore, gratë ballafaqohen me diskriminim në të gjitha fushat ndërsa korrupsioni e vështirëson situatën kur ato kërkojnë drejtësi dhe barazi. Po ashtu, ekziston edhe problemi i qasjes së grave në fondet për themelimin e bizneseve të tyre dhe një problem tjetër edhe më i madh është fakti se, gratë nuk janë pronare të pronave dhe patundshmërisë, ka thënë Chavarria.
“Çka duhet të bëjmë për ta ndalur korrupsionin? Së pari, duhet të rrisim numrin e grave në qeveri, Kuvend, gjykata dhe sektorin privat. E dyta, duhet të përmirësojmë qasjen e grave tek informatat dhe e treta, na duhet zbatimi më efikas i ligjit sepse kjo siguron që korrupsioni do të trajtohet në mënyrë të duhur” ka thënë drejtori i NDI
Me konkludimin se gratë janë më pak të korruptuara se meshkujt në Kosovë, u pajtua edhe Lirie Kajtazi, kryetarja e Komisionit të Kuvendit të Kosovës për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Lirie Kajtazi.
Sipas saj, janë dy arsye që ndodh kjo. E para, gratë janë më pak të përfshira në vendimmarrje dhe gjenden në pozita udhëheqëse, në krahasim me meshkujt dhe e dyta, ato janë më të ndjeshme dhe më të sinqerta në punën që e bëjnë.
“Nëse në legjislativ është krijuar kuota, në ekzekutiv jemi shumë larg për me e pa atë fuqinë apo atë qasje të femrave në këtë drejtim” tha Kajtazi.
Ajo shtoi se, çështjet e luftimit të korrupsionit dhe ngritja e debateve për aferat e korrupsionit në Kuvendin e Kosovës janë ngritur më shumë nga deputetet femra se sa kolegët e tyre të gjinisë mashkullore.
Në konferencën e sotme pjesëmarrës ishin të ftuar të shumtë nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, partitë politike parlamentare, gjyqësori, prokuroria, shoqëria civile dhe mediet.
Kjo konferencë është pjesë dhe si rezultat i ngjarjes që u mbajt gjatë “Javës së Gruas 2015” në mars të këtij viti, ndërsa mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. aa
Komentet