Në punën e bërë me mjeshtri, Gratë në Holokaust (Women in the Holocaust), Dalia Ofer dhe Leonore J. Weitzman shprehin bindjen e tyre se kemi arritur te një “shpjegim më kompleks dhe më komplet” për jetën e hebrenjve përpara dhe gjatë Holokaustit “duke sjellë së bashku përvojat veçanërisht për gratë dhe relevante për të gjithë hebrenjtë e mbijetuar.”[i] Si pasojë, ato kanë vendosur që të jenë zëri i grave të mbijetuara si një pikë esenciale e fillimit të analizës së tyre mbi shfarosjen e hebrenjve të Evropës nga nazistët në Luftën e II Botërore.[ii] E njëjta gjë duhet thënë lidhur me okupimin serb që ka zgjatur një dekadë, e që kulmoi në vitet 1998-1999 me luftë në Kosovë. [iii] Nuk është kushtuar vëmendja e mjaftueshme dimensioneve specifike-gjinore të luftës gjenocidale të Serbisë kundër shumicës shqiptare të Kosovës. Për këtë arsye, njohja dhe shërimi i grave të mbijetuara të Kosovës është jo i plotë, së bashku me integrimin e zërave të grave në narracionet mbi luftën dhe në procesin e paqes pas-konfliktit.
Ky kapitull shkrinë mësimin tradicional me historinë gojore, duke përfshirë dëshmitë personale të grave të mbijetuara të luftës së Kosovës dhe përvojat dhe analizat e tri femrave kosovare me arsim të lartë, profesioniste të moshave të ndryshme, Nora Ahmetaj, Linda Gusia, dhe Hana Marku— të gjitha të përkushtuara për një “përshkrim më kompleks dhe më të plotë” të roleve të grave përpara, gjatë dhe pas luftës dhe kërkimit të një të ardhme më të barabartë dhe më të qëndrueshme. Duke përdorë kornizën teorike të vendosur nga Ofer dhe Weitzman të bërë në studimin e tyre mbi gratë në Holokaust, unë kam eksploruar jetët e grave shqiptare kosovare përpara, gjatë dhe pas luftës dhe kam analizuar mënyrën se si përvojat dhe dijenia shoqërore dhe politike e tyre ka qenë e formësuar nga përpjekjet serbe për të dëbuar ose shfarosur shqiptarët. Aplikimi i kësaj kornize zbulon se si format e viktimizimit gjatë gjenocidit shpeshherë janë specifike-gjinore dhe se, në rastin e luftës në Kosovë, përdhunimi ishte përdorur si një instrument i gjenocidit.
Deri rishtazi, ishte fshehur realiteti i përdhunimit në masë gjatë luftës gjenocidale të Serbisë, dhe si rezultat nuk ka qenë i integruar në narracionin kolektiv mbi luftën dhe rrënjët e tija në racizmin kundër shqiptarëve. Duke i ekzaminuar veçanërisht përvojat e grave kosovare, arrijmë deri te një kuptim më i nuancuar të asaj se çka i ka ndodhur popullatës shqiptare shumicë në Kosovë gjatë okupimit të Serbisë dhe gjatë luftës. Përpos kësaj, vijmë deri te kuptimi se si seksizmi mbizotërues në shoqëritë serbe dhe shqiptare ka çuar deri te krijimi i një politike serbe të përdhunimit gjatë luftës dhe pas luftës, gratë të cilat kanë mbijetuar përdhunimin, janë nënçmuar dhe injoruar nga shumica e meshkujve shqiptarë të zhytur në traditën patriarkale.
Rruga deri te lufta
Në vitin 1981, studentët shqiptarë, meshkujt dhe femrat, kanë dalë në rrugë duke kërkuar për Kosovën statusin e Republikës, që në atë kohë ishte një Krahinë Autonome brenda tetë njësive juridikisht të barabarta të Jugosllavisë. Policia serbe ka pranuar se ka vrarë së paku 300 studentë dhe arrestuar me mijëra, disa prej të cilëve janë burgosur gjatë një dekade. Prej vitit 1981 e tutje, pandërprerë ka vazhduar një shkatërrim sistematik i autonomisë së Kosovës. Deri në fund të vitit 1987, më shumë se 600,000 shqiptarë kosovarë, rreth një e treta e popullatës, ka qenë e arrestuar nga policia serbe dhe ka kaluar nëpër sistemin “ligjor”.
Në vitin 1989, shqiptarët kosovarë të të gjitha moshave përsëri kanë zhvilluar demonstrata masive, këtë herë duke e kundërshtuar përgatitjen e diktatorit Sllobodan Milosheviq për të pushtuar Kosovën, gjë që ka ndodhur më 29 mars të atij viti. Në verë të vitit 1990, forcat serbe kanë shpërbërë Kuvendin e Kosovës të zgjedhur në mënyrë të ligjshme, e kanë ndryshuar Kushtetutën duke e revokuar autonominë e Kosovës, larguan nga puna të gjithë mjekët dhe infermierët shqiptarë nga vendet e tyre të punës, larguan nga puna qindra mijëra shqiptarë të profesioneve tjera dhe të sektorit publik, i mbyllën të gjitha shkollat shqipe, e morën radio dhe TV stacionet, ndaluan përdorimin e flamurit shqiptar, dhe e zëvendësuan gjuhën shqipe me atë serbe. Arrestimet arbitrare dhe brutaliteti i policisë u bënë rutinë, dhe 350,000 shqiptarë kosovar, të zhytur në varfëri dhe të rrezikuar, kanë ikur nga shteti.
Prej 26 deri më 30 shtator 1991, udhëheqësit e Kosovës në mërgim kanë mbajtur një referendum, në të cilin kosovarët kanë ushtruar të drejtën e tyre për vet-vendosje dhe me shumicë dërmuese kanë votuar për pavarësim nga Serbia.[vi] Atëherë, shpërbërja e ish Jugosllavisë ka qenë gati tërësisht në rrugë e sipër, me popullatën e Sllovenisë, Kroacisë, dhe të Bosnjës e Hercegovinës, ku të gjithë kanë deklaruar pavarësimin e tyre nga Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë. Millosheviqi filloi luftërat në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, duke vrarë më tepër se 200,000 myslimanë të Bosnjës dhe zhvendosur katër milion meshkuj, gra dhe fëmijë para se të intervenonin Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Marrëveshja e Paqes e Daytonit u nënshkrua më 21 dhjetor 1995. Në Dayton, shqiptarët nuk janë thirr si pjesë e marrëveshjes të bërë me të Ngarkuarin nga SHBA për Ballkan të ndjerin Richard Holbrooke dhe Sllobodan Millosheviqin dhe Kosova është lënë jashtë tavolinës.[viii] Me këtë kuptohej se lufta e nxehtë do të vazhdojë—duke lëvizur prej Bosnjës dhe kthyer në Kosovë. Pasi që kushtet nën okupimin serb u përkeqësuan, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u shfaq në vitin 1996. Sikur që do të dilnin ngjarjet, caku origjinal i Millosheviqit nuk ishte, sipas fjalëve të tija UÇK “terroriste, separatiste”, por e tërë popullata civile e kombit shqiptarë.
Në shkurt të vitit 1998, UÇK do të vijë në mbrojtje të shqiptarëve kosovarë kur paramilitarët serb dhe trupat ushtarake sulmuan qytetin e Drenicës, duke plaçkitur e vrarë rrugës nëpër tërë Kosovën. Dhjetë vite të pushtimit brutal tani kanë kulmuar me luftën gjenocide. Shtetet e Bashkuara dhe Evropa Perëndimore qëndruan anash derisa nuk u bë e qartë se Kosova vetëm që nuk është shndërruar në një Bosnje tjetër. Pas bisedave të dështuara për paqe në Rambouillet, Francë, NATO ka filluar sulmet ajrore kundër Serbisë më 24 mars 1999. Pas shtatëdhjetë e tetë ditëve, Millosheviqi do të kapitullojë. Në fund të luftës, në qershor të vitit 1999, komuniteti ndërkombëtar ka raportuar se më tepër se 12,000 shqiptarë kosovarë janë vrarë, me mijëra e më shumë janë arrestuar dhe torturuar (duke përfshirë përdhunimin në masë të grave), dhe më tepër se një milion janë dëbuar prej shtëpive të tyre në kampe të refugjatëve në Shqipëri dhe Maqedoni nga forcat paramilitare dhe ushtarake të Millosheviqit.[ix] Dy vjet më vonë, më 28 qershor 2001, Millosheviqi do të ekstradohet te Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve të Luftës në Hague dhe do të akuzohet për krimet e luftës dhe gjenocid në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë.
Derisa intervenimi i NATO-s në Kosovë ka sjellë përfundimin e marshit gjenocidal nëpër Evropë të gjatë një dekadë nga diktatori i ndjerë Serb Sllobodan Millosheviq, më tepër se 13,000 Kosovarë janë vrarë ose zhdukur, më tepër se gjysma e popullatës është prekur nga konflikti, dhe shumë të mbijetuar kanë përjetuar traumën. Kjo nuk ka sjellë deri te përfundimi i trazirës, dhe nuk i ka shëruar të gjitha plagët e luftës—me siguri se jo dhimbjen e grave kosovare të cilat kanë pësuar përdhunimet, format tjera të dhunës, dhe vdekjen e anëtarëve të familjeve dhe komuniteteve të tyre.
Gratë kosovare: Ndarja e grave në Rurale / Urbane në rolet e definuar me kulturë
Gjashtëdhjetë për qind të popullatës së Kosovës banon në zonat rurale. Sociologia Linda Gusia e Universitetit të Prishtinës dhe Nora Ahmetaj, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim, një “think tank” (trup i ekspertëve që japin këshillë dhe ide specifike mbi problemet politike dhe ekonomike) që bën kërkim për zgjedhje të problemit duke i hulumtuar çështjet e drejtësisë tranzicionale, pajtohen se dallimet në mënyrën si janë perceptuar dhe trajtuar gratë në zonat rurale dhe urbane përpara okupimit dhe gjatë luftës nga shoqëria shqiptare nuk mund të përcaktohen në mënyrë empirike sepse nuk ekzistojnë të dhënat. Megjithatë, ato pajtohen se ndarja në mes të komuniteteve urbane dhe rurale është reale dhe kjo ka qenë më e thellë kur Kosova ishte pjesë e sistemit të Jugosllavisë sepse Jugosllavia “ka investuar më shumë në qytete në ekonomi, në arsimim dhe ideologjikisht.” Si rezultat, grat në zonat rurale—me më pak qasje ndaj arsimimit dhe punësimit, më të varfra, dhe me një infrastrukturë joadekuate—kanë qenë shumë më pak në gjendje që të përgatiten dhe të përballen me realitetet e okupimit të Serbisë dhe me luftën.
Antropologia Janet Reineck është një prej pak shkencëtareve të shkencave shoqërore e cila ka eksploruar jetët e grave kosovare rurale përpara pushtimit të Serbisë. Në vitet 1980-ta, ajo ka gjetur se masat e shqiptarëve rural kanë qenë “ende të zhytur në një retorikë mbi nderin dhe turpin” që rridhte nga e kaluara, dhe se përqafimi i kësaj tradite historike patriarkale është ngritur si përgjigje ndaj presionit të madh serb.[xii] Ajo ka dokumentuar besnikërinë e shqiptarëve ndaj kësaj tradite, të karakterizuar me “respektimin e moshës dhe shtresimin e gjinisë, nënshtrimin ndaj vullnetit kolektiv, kufizimin e lëvizjes së grave jashtë shtëpisë, martesat e aranzhuar, pasurisë së fryrë të nuses dhe ritualet e dasmës, dhe në disa zona rurale, mohimin e arsimimit të mesëm për femra.”[xiii] Reineck ka pranuar se ka ekzistuar një shkallë e dallimit me të cilën njerëzit në pjesën rurale që jetonin në familjet e zgjeruara dhe elita urbane si e respektonin traditën historike dhe i përshtateshin nga frika e refuzimit kolektiv.
Nora Ahmetaj ka qenë e shpejtë të theksojë në një prej bisedave të mija me te se respektimi i mostrave tradicionale gjinore ka qenë një çështje e shkallës, e jo e llojit, dhe se dhuna në familje (të cilën Reineck nuk e ka adresuar) ka qenë realitet si për gratë rurale ashtu edhe për ato urbane, me rrënjët e veta në traditën shumë patriarkale për të cilën ka shkruar Reineck. Duke u rritur në një familje përparimtare që ka arsimuar katër motra dhe një djalë, përfshirë studimin dhe udhëtimin jashtë shtetit, Ahmetaj më tha se:
Ne kemi menduar se të gjithë kanë trajtuar vajzat sikur që ne ishim të trajtuar. Mëvonë në jetë unë kam kuptuar se koncepti i “pater familias” funksionon jo vetëm përmes burrit, por përmes gjyshit, babës, dhe vjehrrit. Këtu është një cikël vicioz. Meshkujt nuk dinë se si të qëndrojnë të fuqishëm, dhe kështu e vetmja forcë që ata mund të përdorin ose keqpërdorin është përmes bashkëshorteve të tyre. Etërit nuk i edukojnë djemtë. Ata nuk thonë se ti nuk duhet të shkosh nëpër të njëjtin cikël vicioz si babai yt dhe gjyshi yt. Ti nuk ke nevojë ta keqtrajtosh gruan tënde; ti duhet ta trajtosh më mirë. “Pater familias” është aq dominues sepse kjo është trashëgimi e së kaluarës së Kosovës, ku ekziston mungesa e një shteti të fortë, komuniteteve të forta, dhe institucioneve të forta. Kjo i çon njerëzit që të mblidhen rreth familjes në kërkim të forcës dhe sigurisë. Por në këtë formë kjo është një siguri e rrejshme, sepse familja mund të përzihet në jetën tuaj, mënyrën se si ju mendoni dhe mënyrën se si jetoni. Dhe kur kjo ndodhë, familja bëhet një tmerr, e jo një burim i fuqisë.
Një studim i një rasti të vitit 2005, i bërë nga Fondi për Popullsi i KB (UN Population Fund/UNFPA) mbi “Dhunën në baza gjinore në Kosovë,” ka treguar se dhuna në familje ka qenë “e vazhdueshme dhe e përhapur” veçanërisht në vazhdim të vitit 1998 deri 1999 të luftës, kur një e katërta e grave të intervistuara kanë qenë të nënshtruara nga dhuna në familje. I njëjti studim ka dokumentuar se një vit para lufte gjithsejtë 36 për qind të të gjitha grave me partnerë kanë raportuar së paku një incident të dhunës nga duart e partnerëve të tyre.
Pas luftës, realitetet e grave rurale dhe urbane të Kosovës do të marrin dy drejtime: përvojat e tyre të dhunës në familje dhe të përdhunimit gjatë kohës së luftës prej paramilitarëve serb dhe forcave ushtarake serbe, së bashku me një përpjekje patriarkale shqiptare që të heshtin dijeninë për atë dhe diskutimin publik për që të dyja. Besnikëria e meshkujve ndaj një kulture të nderit do të bëj që të heshtet diskutimi mbi përdhunimin gjenocidal gjatë luftës në Kosovë për më shumë se trembëdhjetë vjet.
Jeta nën okupim: Ndryshimi i roleve të grave përballë shtypjes serbe Filizat e përpjekjeve aktuale për të thyer heshtjen e zgjatur lidhur me përdhunimin e kohës së luftës janë mbjellë gjatë okupimit, sepse okupimi ka prishur rolet tradicionale të gjinive. Një masë e konsiderueshme e grave do të bëhen më të sigurta, të forta, dhe kritike si aktiviste të lëvizjes së rezistencës. Gjatë dekadës së okupimit serb që i ka paraprirë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, të gjithë shqiptarët kosovarë, që bëjnë 92 për qind të popullatës së Kosovës, kanë qenë të nevojshëm të luftonin për liri, pa marr parasysh gjininë. Një mobilizim i përbashkët për mbijetesë nën shtypjen serbe në moment ka suspenduar strukturat e një tradite të fortë patriarkale, e cila gjithashtu ka fshehur realitetin e dhunës në familje.
Lufta e përbashkët ka bërë të mundur që gratë—rurale dhe urbane, të rejat dhe të vjetrat—të luajnë rolet më të mëdha.[xvii] Çështjet gjinore janë lënë anash gjatë okupimit kur e tërë shoqëria shqiptare kosovare ka jetuar nën kërcënimin e dhunës. Lëvizja kombëtare për liri ka hapur mundësitë e reja për gratë që të “hyjnë në hapësirën publike.”
Ishte krijuar një sistem i strukturave paralele për ofrimin e shërbimeve humanitare, arsimimin në shtëpitë private, dhe kujdesin shëndetësor, të mbështetur nga një qeveri në mërgim e vendosur mbi baza vullnetare të një 3 për qindëshi të tatimit në të ardhura të kosovarëve në diasporë. Si gazetare Hana Marku ka vërejtur se gratë kanë qenë “hallkat” e shtetit paralel, duke punuar në vend të parë si mjeke, mësuese, dhe aktiviste “në atë që eventualisht do të bëhet një sektor publik surrogat, i financuar me të madhe nga remitencat prej diasporës.”
Gjatë okupimit, shqiptarët kosovarë, nuk kanë pasur qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore shtetërore. Pas përjashtimit të mjekëve dhe infermiereve shqiptarë nga klinikat shëndetësore publike, kosovarët kanë financuar shërbimet e veta të shëndetësisë, edhe pse të kufizuar, që është udhëhequr për një dekadë nga Shoqata Nënë Tereza. Gratë kanë përbërë së paku gjysmën e 2,000 mjekëve, infermierëve, dhe vullnetarëve, që shpesh kanë punuar duke e rrezikuar shumë veten personalisht. Një gjinekologe e cila ishte mjeke në terren për Shoqatën Nënë Tereza ka thënë se gratë kanë “shpërndarë pajisjet mjekësore dhe kanë rrezikuar veten, derisa ishin në vëzhgim konstant të policisë serbe. ‘Çdo minutë kam pritur se do të arrestohem’,” tha ajo.”
Motrat Qiriazi, një prej organizatave të para të grave në Kosovë, ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë okupimit në ofrimin e arsimimit dhe kujdesit shëndetësor për gratë dhe vajzat në zonat rurale. Kjo gjithashtu ka integruar vetëdijesimin gjinor, mbi të drejtat e grave, dhe edukimin e grave në materien e çështjes kombëtare në një shoqëri ku gratë kanë qenë qytetare të klasës së dytë. Megjithatë, shumica e organizatave të grave kanë punuar brenda kornizës së mbrojtjes së drejtave të njeriut. Të drejtat e grave janë parë si të barabarta me të drejtat e njeriut. Përderisa këto dy janë perceptuar si sfidë për normat ekzistuese patriarkale, njëherësh ato nuk e kanë theksuar ri-përcaktimin e roleve shoqërore.”[xxi] Pasi që filloi lufta, rezistenca kombëtare dhe lufta për çlirimin e Kosovës nga dominimi serb ka zbehë përpjekjet e grave që të eksplorojnë modele të reja të gjinive.[xxii] Sikur që ka vërejtur avokatja për të drejtat e njeriut dhe Profesoreshë në Universitetin Amerikan Julie Mertus, në veprën e saj “Gratë në Kosovë,” nacionalizimi “ka filluar të bëhet një forcë e fuqishme e legjitimuar për organizimin e grave, dhënien e një legjitimiteti të nevojshëm për gra aq sa edhe për burra.”[xxiii] Disa gra kanë besuar se çlirimi kombëtar nuk ka mundur të ndodhë pa çlirimin e njëhershëm të grave, por shumë më tepër prej tyre kanë venë çështjen kombëtare mbi emancipimin e gruas. Megjithatë, pasi që kushtet për shqiptarët kosovarë u përkeqësuan nën Millosheviqin, u bë e qartë se, sipas Mertus, gratë “nuk kanë bërë negociatat e mira për marrëdhënien midis gjinisë dhe kombit.”[xxiv]
Nora Ahmetaj pajtohet me këtë vlerësim:
Për shkak të luftës për të mbijetuar ekonomikisht gjatë okupimit, çdo çështje tjetër ishte gjuajtur anash si më pak e rëndësishme. Më ka ardhur keq atëherë, dhe tani më vjen edhe më keq që kemi bërë dhunën në familje, për shembull, një çështje më pak të rëndësishme se çështjen kombëtare. Ishte dashur që ne të ngrinim zërat tona në mbështetjen e që të dyjave. Shumica e organizatave feministë që janë themeluar gjatë okupimit dhe OJQ-të tjera janë përqendruar në ndërrimin e situatës politike, luftës kundër regjimit serb, dhe kanë lënë çështjet tjera, që duken si çështjet feministë për më vonë.[xxv]
Keqardhja për shtyrjen e diskutimit mbi dhunën në familje dhe përkrahjen e të drejtave të barabarta për gra do të forcohej gjatë luftës nga shkaku i paraqitjes të një dimensioni të ri për të cilin gratë kosovare, të reja dhe të vjetra, rurale dhe urbane, nuk ishin të përgatitura: për përdhunim gjenocidal.
Lufta: Realiteti i paparaparë i përdhunimit në masë
Në ekzaminimi e historisë së gjenocidit, Roger W. Smith, vëren se “gjenocidi gati gjithmonë përfshin përdhunimin si një mënyrë e viktimizimit;” se viktimizimi në gjenocid është specifik gjinor; dhe se kuptimi i jonë i përdhunimit si një politikë “e zgjedhur me qëllim [në nivelet më të larta] për të poshtëruar, frikësuar, dhe demoralizuar një grup viktimë, duke e bërë më të vështirë rezistencën ndaj gjenocidit” është bërë vetëm shumë rishtazi.[xxvi] Në eksplorimin e përdhunimit si një instrument të gjenocidit, Smith përqendrohet në luftën e Bosnjës në fillim të viteve 1990-ta për të demonstruar se incidentet e përsëritura të përdhunimit në masë kanë qenë pjesë e një politike zyrtare të udhëheqjes serbe. Politika serbe ka qenë e dizajnuar që të terrorizojë myslimanët e Bosnjës që të ikin nga Bosnja dhe Hercegovina për të minuar aftësinë e popullatës për rezistencë, dhe të thyej lidhjen biologjike duke vrarë meshkujt dhe duke e detyruar shtatzëninë te gratë—të gjithat në shërbim të një kërkese që ishte shtyrje racore për Serbinë më të madhe. Smith gjithashtu ka theksuar se një synim i rëndësishëm i përdhunimit gjenocidal është shkaktimi i dhimbjes së vazhdueshme, poshtërimit dhe turpërimit të vajzave dhe grave. Politika serbe e përdhunimit gjenocidal në Bosnje ka pasur synimin që të shkaktojë pasojat afatgjate në formë të shkatërrimit të perspektivës për gratë e reja për martesë dhe sigurimi për refuzimin e vajzave dhe grave të përdhunuara nga familjet e tyre në një shoqëri ku përdhunimi është turpi kulturor.
Kështu, edhe, përdhunimi në masë i grave kosovare nga paramilitarët serb dhe forcat ushtarake serbe ka qenë një instrument i gjenocidit. Përdhunimi ka qenë një instrument primar i përpjekjeve serbe për të shkatërruar familjen shqiptare përmes dhunës kundër grave dhe për të dëbuar tërë popullatën e kosovarëve jashtë nga vendlindja e tyre. Sikur që ka raportuar Human Rights Watch në vitin 2000, “përdhunimet dhe sulmet seksuale kanë shërbyer si një armë në fushatën sistematike të ‘pastrimit etnik’ në Kosovë.”[xxviii] Gati të gjitha sulmet seksuale të dokumentuara nga Human Rights Watch në kampet e refugjatëve në Shqipëri dhe Bosnje kanë qenë përdhunimet grupore, shpeshherë përpara të afërmve dhe fqinjëve, dhe më vonë kjo organizatë do të bëj thirrje Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ish Jugosllavi që të paditë kryesit e përdhunimit dhe oficerët e tyre komandues.
Procesi gjenocidal në Kosovë ka qenë i bazuar në gjini, duke përfshirë ndarjen e burrave dhe djemve nga gratë dhe vajzat. Meshkujt janë vrarë dhe femrat janë përdhunuar dhe janë dëbuar nga toka e tyre. Ky proces ka filluar gjatë ofensivës serbe verore në vitin 1998, një vit përpara se lufta e Kosovës të deklarohej zyrtarisht nga komuniteti ndërkombëtar. Zonat rurale janë qëlluar më rëndë, dhe gratë, të cilat kanë pasur më tepër liri të lëvizjes gjatë okupimit se sa meshkujt sepse këta të fundit më shpesh janë marr nga policia (e vërtetë gjithashtu në qytete), por të cilat nuk kanë pasur informacionet adekuate lidhur me shpalosjen e ngjarjeve, kanë menduar se vetëm meshkujt janë në rrezik të vërtetë. Gratë kosovare nuk kanë paraparë një kasaphane serbe që do t’i përdhunojë ato, vrajë 3,000 shqiptarë, dëbojë 400,000 prej shtëpive të tyre, djegë fermat e tyre, dhe shkatërrojë bagëtinë e tyre në një periudhë prej tre muajve.
Në vitin 2014, Amra Zejneli ka intervistuar një grua prej luginës së Drenicës rurale, e cila si shumë të tjera, ka besuar se ushtarët serb “nuk do të lëndojnë gratë dhe fëmijët e pambrojtur” dhe ku tradita patriarkale ka përbuzur viktimat e përdhunimit në vend se përdhunuesin. Në shtator të vitit 1998, burri i saj dhe djali më i madh u larguan me të gjithë meshkujt e fshatit për të u fshehur nga trupat serbe që afroheshin të cilët kanë qenë duke luftuar kundër ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në atë zonë gjatë tetë muajve. Shumë nëna dhe fëmijët e tyre kanë ikur gjithashtu. Por Jeta (nuk është emri i saj i vërtetë) dhe të tjerat kanë vendosur të mbesin. Ajo i tha Zejnelit: ‘Ata [ushtarët serb] kërcyen nga tanku në oborrin tonë. Aty ishin pesë meshkuj të armatosur. Ata hynë në shtëpi njëri pas tjetrit. Dhe më kujtohet se menjëherë i kanë kthyer maskat mbi fytyrat e tyre. Unë iu thash vajzave të mija të vijnë të qëndrojnë afër meje. U mblodhëm së bashku, dhe ata na urdhëruan që të shkojmë në bodrumin e shtëpisë. Dhe aty ka ndodhur tragjedia. Më e vogla ka pasur trembëdhjetë vjet.’
Jeta dhe tri vajza të saja janë rrahur dhe përdhunuar brutalisht me orë të tëra. Kur ushtarët u larguan në muzg, një kushëri u kthye në shtëpi. Kur kuptoi se çka ka ndodhur, ai “iu urdhëroi që të ‘varrosin’ përvojën, duke thënë se përdhunimet janë ‘një tragjedi më e madhe se sa të jenë vrarë.’”
Jeta, për të cilën Zejneli tha se ka qenë “prej asaj kohe psikologjikisht e traumatizuar,” ka mbetur e heshtur për pesëmbëdhjetë vjet. Ajo kurrë nuk i tha për këtë burrit të vet. Ai në të vërtetë i tha se “përdhunimi do të çnderojë familjen dhe se ai do të lë atë nëse ndonjëherë ka qenë e ‘prekur’ nga një Serb.” Tri prej vajzave të saja kanë lëshuar Kosovën. Njëra është martuar, por pastaj është refuzuar nga burri i saj kur ai morri vesh mbi përdhunimin. Jeta është një prej një grupi shumë të vogël të grave që ka folur për shtyp lidhur me përdhunimet e tyre gjatë luftës. Ajo madje nuk ka kërkuar ndihmë nga Qendra për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës në Prishtinë gjerë në vitin 2013. Shumica e viktimave të përdhunimit nuk e kanë bërë këtë. Qendra i tha Zejenlit se vetëm 100 viktima të përdhunimit kanë kërkuar ndihmë nga Qendra, dhe se prej tyre, 80 për qind kurrë nuk do t’iu tregojnë burrave të tyre nga frika e braktisjes ose abuzimi.
Raportet lidhur me përdhunimin në Kosovë dhe turpi kulturor i lidhur me te ka filluar të rrjedhë jashtë në vitin 1999. Carol Williams nga Los Angeles Times ka qenë në gjendje që të kapë pasojat e përdhunimit te vajzat kosovare në dy muaj të luftës (që zyrtarisht u deklarua pasi që NATO ka gjuajtur bombat mbi Serbinë më 24 mars 1999), kur ajo ka intervistuar prindërit e vajzës trembëdhjetë vjeçare Pranvera Lokaj. Prindërit e Pranverës kanë shpjeguar Williamsit se në prill të vitit 1999, derisa meshkujt e fshatit Bileg kanë qenë në kodra me luftëtarët e UÇK, policia serbe dhe paramilitarët kanë hyrë në qytezë dhe kanë detyruar Pranverën dhe së paku njëzet vajza tjera të hyjnë në qilar të një shtëpie të zbrazët dhe kanë bërë përdhunime grupore gjatë katër netëve. Nënat e tyre dhe vëllezërit, të cilët janë mbajtur në shënjestër në katin nën to, kanë mundur të dëgjojnë britmat e tyre. Pas katër ditëve, vajzat e mbuluara me gjak janë dorëzuar nënave të tyre të tmerruara. Të gjitha ato janë futur në karrocat e vozitura me traktor që do ti dërgonin në mërgim.
Në kohën kur Williams ka intervistuar Haxhi Lokajn, ai dhe bashkëshortja e tij kanë qenë në një kamp të refugjatëve në Shqipëri. Haxhiu i tha Williamsit se e ka dërguar Pranverën në male që të luftojë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. “”E kam dhënë atë në UÇK, kështu që ajo mund të bëj serbëve atë që ata na kanë bërë neve. … ‘Ndoshta ajo do të vritet por kjo do të jetë për të mirë,” ‘Ajo gjithqysh nuk do të kishte të ardhme pas asaj që i kanë bërë.’”
Derisa Haxhi Lokaj përfaqëson vështrimin dominues patriarkal të kosovarëve rural të cilët e perceptojnë përdhunimin si një sulm ndaj tërë familjes së viktimës, Williams ka intervistuar gratë urbane më të sofistikuara të cilat kanë pranuar se ato “më parë kishin vdekur sesa të mbajnë etiketën poshtëruese të një viktime të përdhunimit—një vështrim që ka kombinuar efikasitetin e krimeve të luftës të forcave serbe duke i shtyrë të mbijetuarat që të bëjnë vetëvrasje dhe të zvogëlohet popullata etnike shqiptare e grave e moshës për të lindur fëmijë.”
Pasi që më tepër se 1 milion kosovarë u larguan përtej kufirit në pranverë të vitit 1999, ata sollën me vete tregimet mbi masakra, tortura, dhe përdhunim. Nga Dominique Serrano Fitamant, një psikologe franceze e specializuar në dhunën seksuale dhe këshillë për traumë, Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) Zyra në Gjenevë kishte kërkuar që të ndërmerr një vlerësim të dhunës seksuale në Kosovë duke zhvilluar intervista me gratë në kampe të refugjatëve në Shqipëri dhe Maqedoni.[xxxiv] Në raportin e saj të majit të vitit 1999 për UNFPA, Fitamant ka shënuar se përshkrimet alarmante të dhunës seksuale dhe të rrëmbimit kanë qenë duke qarkulluar që nga prilli, por komuniteti ndërkombëtar nuk i është përgjigjur këtyre sepse ka qenë i përqendruar në arritjen e një marrëveshjeje në mes të Beogradit dhe Prishtinës në bisedat për paqe në Rambouillet, Francë.
Pasi që Sllobodan Millosheviqi refuzoi që të nënshkruajë një marrëveshje dhe vazhdoi të grumbullojë trupat e veta dhe tanket në kufi të Kosovës, negociatat u ndërprenë. Kur pasoi bombardimi i NATO-s i Serbisë në mars, Fitamant ka deklaruar se ka ekzistuar një “rritje dukshëm e shpejtë ” e përdhunimit dhe formave tjera të torturimit dhe të dëbimit të dhunshëm të familjeve nga shtëpitë e tyre në momentin e njoftimit përpara se ato të digjen deri në themel.[xxxv] Raporti i saj ka përfaqësuar tentimin e parë të një organizate të KB që të vërtetojë dëshmitë dhe natyrën e dhunës seksuale në mesin e grave refugjate kosovare dhe dëbimin në masë.[xxxvi] Lidhur me gratë dhe vajzat, Fitamant ka shkruar se përdhunimi ka qenë “akti primar i tabusë i përdorur nga ushtria dhe paramilitarët serb. “Kryesisht janë gratë e reja të cilat janë rrethuar në fshatra dhe qytetet e vogla,” tha ajo. “Ushtarët i çojnë me kamionë grupet prej 5 deri 30 grave te vendet e panjohura, ose ato mbyllen në shtëpitë ku jetojnë ushtarët. Çfarëdo rezistencë përgjigjet me kërcënime se do të digjen të gjalla.”
Fitamant ka dhënë një raport të ri, të ndjeshëm, dhe të nuancuar lidhur me dhunën seksuale kundër grave kosovare, sepse ajo ka folur në emër të të mbijetuarave të përdhunimit gjatë kohës së luftës, të cilave ajo tha se duhet të ofrohet ndihmë e menjëhershme dhe duhet të mbrohet dinjiteti i tyre. Ajo ka specifikuar nevojën për një qasje të koordinuar si përgjigje për gratë kosovare—të përkushtuar veçanërisht ndaj grave të cilat kanë qenë të përdhunuara dhe tani janë shtatzëna, me fëmijë të lindur nga përdhunimi, dhe për re-integrimin e viktimave në familjet dhe komunitetet e tyre.
Pika kthesë në Krushë të Vogël
Një pikë kthese kur komuniteti ndërkombëtar ka kuptuar për dhunën gjenocidale serbe ndaj meshkujve dhe grave shqiptare të Kosovës në një prej masakrave më të tmerrshme ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë që ka ndodhur në fshatin Krushë e Vogël më 26 mars 1999. (Kjo ka ndodhur vetëm dy ditë pasi që NATO ka filluar bombardimin e Serbisë, Krusha e Vogël ka qenë pjesë e “rritjes së shpejtë të dukshme” të torturës, përdhunimit, dhe dëbimit masiv të cilat Dominique Serrano Fitamanti ka dokumentuar për UNFPA.)
Shtatëdhjetë për qind të meshkujve janë ndarë nga familjet e tyre dhe masakruar nga fqinjët e tyre serbë. Përdhunimi dhe torturimi i grave dhe vajzave ka ndodhur përpara se fqinjët serbë dhe trupat serbe paramilitare i venë zjarrin këtij fshati bujqësor prej 800 njerëzve dhe i përzënë gratë në këmbë, duke iu thënë se ky ishte shansi i tyre i fundit që t’i shikojnë djemtë dhe burrat e tyre dhe iu urdhëruan që ta kalojnë lumin Drin, ose “të mbyten në te ose të ecin për Shqipëri.”
Burrat dhe djemtë trembëdhjetë vjeç e më të vjetër i kanë tubuar në një hambar dhe i vranë me armë automatike përpara se objektit t’i futej zjarri dhe pastaj të hidhej në ajër. Atë ditë 113 burra dhe djem janë vrarë (vetëm gjashtë kanë mbijetuar), dhe 86 prej trupave ende nuk janë gjetur. Në bazë të provave të forta nga ekipi mjeko-ligjor i ICTY, supozohet se shumë prej tyre janë djegur përtej njohjes ose janë gjuajtur në lumin Drin nga forcat e qeverisë në tentim që të fshehin vrasjet.[xl] Sot, Krusha e Vogël është një fshat pa meshkuj, me 82 të veja dhe 150 jetimë. Tregimi i tyre pas luftës e ngjyrosë një portret të zakonshëm të jetëve të grave rurale. Organizatat ndërkombëtare kanë ndihmuar në rindërtimin e shtëpive, një qendre të kujdesit ditor, një dhome për mbledhjen e grave, një shkolle fillore, dhe një fabrike të vogël e cila prodhon pluhur specash të rritura në vend. Por gratë janë lënë që të përballen me pikëllimin e tyre, të marrin role të reja sikur që janë, të mësojnë të vozisin dhe të mbjellin të lashtat, dhe të punojnë fortë në rindërtimin e jetëve të tyre dhe të fëmijëve të tyre pa kurrfarë mbështetje të qeverisë.
Qysh në vitin 2003, femrat e mbijetuara kanë dhënë dëshmitë Misionit të KB në Kosovë (UNMIK), por asnjë hetim nuk ka filluar. Do të nevojiten edhe trembëdhjetë vjet përpara se Misioni i Bashkësisë Evropiane për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) të fillojë një hetim zyrtar lidhur me masakrën në Krushën e Vogël. Në qershor të vitit 2012, EULEX-i ka njoftuar se, “Deri tani, prokuroria ka identifikuar 56 të pandehur potencial të cilët do të përballen me akuza të krimeve të luftës kundër popullatës civile—përfshirë vrasjen e 113 fshatarëve, dëbimin e të gjitha grave dhe tërë popullatës së të miturve nga fshati dhe plaçkitjen dhe shkatërrimin e pronës.”[xlii] Më 3 mars 2014, trupat e njëzet e shtatë viktimave të masakrës janë dorëzuar familjeve në një ceremoni në Prishtinë dhe pastaj janë rivarrosur në Krushën e Vogël më 26 mars, në përvjetorin e pesëmbëdhjetë të masakrës.
Ri-definicioni i përdhunimit sipas ligjit
Për shkak të zbulimit të mediave mbi përdorimin e përdhunimit dhe shtatzënisë me forcë si instrumente të spastrimit etnik dhe të gjenocidit në Bosnje dhe Hercegovinë, komuniteti ndërkombëtar për herë të parë ka qenë i sfiduar që të ri-definojë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, dhe gjenocidin duke e përfshirë aty edhe dhunën seksuale.”[xliv] Përdhunimi gjatë kohës së luftës nuk do të perceptohet më tutje si vepër e individëve dhe si një efekt fatkeq anësor i luftës.[xlv] Në vitin 1994, avokatët dhe specialistët e të drejtës ndërkombëtare të njeriut Kathleen Pratt dhe Laurel Fletcher kanë vërtetuar se padukshmëria historike e shkeljes së të drejtave të garave dhe prezantimi i gabuar i përdhunimit si “një anë e errët e pashmangshme e konfliktit” më në fund ka përfunduar në kontekstin e luftës së Bosnjës të viteve 1990-ta. Ato thanë se kjo ndodhi “kryesisht për shkak të vëmendjes së shtypit ndërkombëtar ndaj përdhunimeve në masë dhe për shkak të veprimeve hetimore të organizatave vendore, joqeveritare, ndërkombëtare dhe të organizatave të grave lidhur me këto shkelje.”[xlvi] Përdhunimi i kohës së luftës tani do të jetë i dënueshëm. Pratt dhe Fletcher kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar “që të sigurohen mbi njohjen dhe llogaridhënien për mizoritë e kryera kundër grave në ish Jugosllavi.”
Këshilli i Sigurimit i KB u përgjigj duke e dhënë mbështetjen e parë gjyqësore për përdhunimin si një instrument i gjenocidit pas miratimit të Konventës mbi parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit në vitin 1948. Në “Raportin e vet final” të vitit 1994 mbi atë nëse ka pasur shkelje të së drejtës ndërkombëtare të njeriut në ish Jugosllavi, një “Komision i Ekspertëve” që u krijua në tetor të vitit 1992 në bazë të Rezolutës 780 të Këshillit të Sigurimit, ka ardhur deri te konkluzioni se, “Sipas Konventës së gjenocidit, sulmi seksual dhe përdhunimi duhet të përfshiheshin në kuptimin e Nenit II të Konventës me kusht që “sjellja e ndaluar është kryer me intencë që të shkatërrojë tërësisht ose një pjesë, të një grupi kombëtar etnik, racor ose religjioz.’”[xlviii] Vite më vonë, në vitin 2008, Këshilli i Sigurimit do të miratojë Rezolutën 1820 mbi Gratë, paqen dhe sigurinë, në të cilën do të pohojë se “përdhunimi dhe format tjera të dhunës seksuale mund të përbëjnë një krim të luftës, një krim kundër njerëzimit, ose një vepër konstitutive lidhur me gjenocidin.”
Prej vitit 1998 deri 1999, gazetarët ndërkombëtarë dhe vendorë kanë raportuar mbi përdhunimin e vazhdueshëm nga ana e forcave serbe paramilitare dhe ushtarake në Kosovë të cilët më parë kanë shërbyer në Bosnje.[l] Sipas Michelle Hynes dhe Barbara Lopes Cardozo, në mes të 23,200 dhe 45,600 gra shqiptare kosovare janë përdhunuar gjatë atyre viteve.[li] Njëzetmijë është numri që në mënyrë tipike citohet në Kosovë, në bazë të raportit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë WHO të janarit të vitit 2000 e cila ka vlerësuar të dhënat nga OJQ-të vendore por numri ende duhet të vërtetohet.[lii] Pa marrë parasysh numrin, që nga viti 2000, për shkak të realitetit të përdhunimit në masë, OJQ-të vendore dhe ndërkombëtare kanë kërkuar që trupat serbe paramilitare dhe ushtarake që kanë kryer përdhunimin në Kosovë të sillen para drejtësisë. Regan Ralph, Drejtor Ekzekutiv i Divizionit për të Drejtat e Grave në Human Rights Watch, ka deklaruar në punimin e saj “Ekspozimi i përdhunimeve grupore të serbeve në Kosovë” se pasi që përdhunimi ishte përdorur si një instrument i luftës në Kosovë, ai duhet të dënohet si i tillë. Ajo ka thënë se, “Meshkujt që kanë kryer këto krime të tmerrshme duhet të sillen para drejtësisë. …Gratë në Kosovë janë duke e pritur drejtësinë, dhe gjerë më tani asnjë prej padive të Kosovës nuk ka përfshirë krimet seksuale. Sa më parë që të bëhen hetimet dhe ndjekjet, aq më parë këto gra mund të fillojnë me rindërtimin e jetëve të tyre.”
Edhe pse korniza ligjore ndërkombëtare ka qenë e krijuar për ta njohur përdhunimin e bërë gjatë kohës së luftës si një akt i gjenocidit dhe i ndjekjes së kryerësve, do të nevojiten edhe dymbëdhjetë vite tjera përpara se përdhunimi gjenocidal do të bëhet madje pjesë e diskutimit publik në Kosovë dhe subjekt i ligjit vendor. Në radhë të parë, por jo ekskluzivisht, gratë urbane të arsimuara të cilat janë bërë të fuqizuara gjatë okupimit dhe luftës kanë nisur thirrjen për përfundimin e heshtjes kulturore lidhur me përdhunimin e grave kosovare gjatë luftës, të njihen kosovaret që ishin viktimat e përdhunimit gjatë luftës, t’iu epen reparacionet, dhe të sillen përpara drejtësisë trupat serbe paramilitare dhe ushtarake.
Reagimi i ashpër i pas luftës kundër grave
Pas përfundimit të luftës në qershor të vitit 1999, katër faktorë do të kenë ndikim në jetët e grave në Kosovën e pas luftës, duke përfshirë viktimat e përdhunimit gjatë kohës së luftës, gratë që kanë bërë rezistencë gjatë okupimit dhe luftës, dhe edukatoret, aktivistet, dhe politikanet (sot presidentja, katër ministre, dhe dyzet deputete janë femra) që kërkojnë të marrin pjesë në formimin dhe drejtimin e të ardhmes së Kosovës. Faktori i parë ka qenë turpi i përdhunimit.
Në Kosovë të gjithë meshkujt, gratë, dhe fëmijët kanë qenë cak nga serbët ose për vdekje ose për dëbimin e tyre, por eksploatimi seksual ka qenë specifik për gra.
Tendenca e pasluftës që të fshihet përdhunimi gjenocidal në Kosovë si pjesë e narracionit kolektiv lidhur me luftën është drejtpërdrejtë i lidhur me statusin e përdhunimit në shoqërinë e shqiptarëve kosovarë. Një pjesë e arsyes për heshtje të zgjatur lidhur me përdhunimin gjenocidal në Kosovë ka qenë mosgatishmëria e grave që të tregojnë historitë e tyre në një shoqëri ku përdhunimi ka qenë turp me shekuj. Kryesisht, por jo të gjitha, gratë kosovare të përdhunuara, veçanërisht ato që jetonin në fshatrat rurale të lidhura me traditë, kanë fshehur vuajtjet e tyre për të mbrojtur veten nga represaliet prej burrave në familjet e tyre, përfshirë braktisjen, dhe për të mbrojtur veten dhe burrat e tyre nga turpi publik.[ii] Frika e tyre ka ushqyer pasqyrën e mohimit kolektiv.
Nora Ahmetaj, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim, ka qenë njëra prej hetueseve të larta të krimeve të luftës gjatë luftërave në ish Jugosllavi në Qendrën e Ligjit Humanitar (Humanitarian Law Center). Në intervistën time të bërë me te në shtator të vitit 2014, unë e kam pyetur se si ajo i përgjigjej këmbënguljes së turpit dhe ndikimit të tij shkatërrues te gratë kosovare të cilat kanë qenë të përdhunuara nga forcat serbe. Ajo tha:
Për herë të parë jam njoftuar me gratë e përdhunuara në kampet e refugjatëve në vitin 1999 në veri të Shqipërisë, kur Elisabeth Bumiller nga The New York Times më ka pyetur nëse mund t’i ndihmojë që të gjen gratë e përdhunuara. Ne kontaktuam ICTY, Amnesty International, dhe Human Rights Watch që të përcaktojmë se në cilin kamp mund të gjenim gratë e përdhunuara dhe prej cilës pjesë të Kosovës ato vinin.
Kanë qenë së paku tre rajone ku gratë kanë qenë të përdhunuara në masë, jo individualisht, por në grupe. Ne filluam me Suharekën. Më kujtohet se vinin mediat dhe hulumtuesit e shumtë, dhe çdonjëri në komunitet ka qenë në një pozitë plotësisht defensive. Gratë e përdhunuara iknin prej neve. Duhet të ketë qenë tepër vështirë për ato gra që të mbijetojnë. Kurrë nuk do të harroj fytyrat e tyre, kurrë asnjëherë. Asnjëra prej këtyre grave nuk ka dashur të fliste sepse ato ishin të frikësuara pasi që kanë qenë të stigmatizuara nga komuniteti. Kjo ka qenë përvoja ime e parë si një hetuese e krimeve me gratë e përdhunuara, dhe unë i thash Elisabeth se kjo është diçka që unë mund ta bëj mekanikisht, por nuk mund të merrem me këtë në nivel emocional. Nuk janë gratë por komuniteti, turpi dhe fajësimi me të cilat unë nuk mund të merrem—sikur të ishte faji i grave që kanë qenë të përdhunuara.
Ahmetaj tha se dy organizata vendore joqeveritare, Medica Kosova, me seli në Gjakovë dhe e përkushtuar vetëm ndaj grave, dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, me seli në Prishtinë, kanë qenë duke punuar në këshillimin dhe trajtimin e plagëve fizike dhe psikologjike të grave të mbijetuara prej përfundimit të luftës. Në ndërkohë, asnjë politikan kosovar nuk ka ndarë ndonjë financim për viktimat e përdhunimit, nuk iu ka dhënë njohjen publike, ose nuk ka denoncuar torturuesit e tyre.
Kur e pyeta Linda Gusinë nëse ka pasur viktima të përdhunimit që kanë dashur të flasin, ajo u përgjigj se në fakt ka pasur disa gra “të cilat kurrë nuk janë ndalur së foluri, por shumica e grave do të mbeten gjithmonë të heshtura.” Sikur edhe Ahmetaj, ajo konfirmoi se stigmatizimi dhe izolimi e kanë bërë që për gratë të jetë shumë vështirë të flasin. Veçanërisht në Kosovën rurale, ajo tha se vajzat dhe gratë e reja të cilat kanë qenë të përdhunuara nga forcat serbe shpeshherë përpara familjeve dhe fqinjëve të tyre kurrë nuk janë martuar, dhe disa madje kurrë nuk dalin prej shtëpive të tyre sepse çdokush din mbi përdhunimin. “Ekziston presioni tepër i madh dhe turpi,” tha ajo.
Në verë të vitit 2014, kur e pyeta gazetaren Hana Marku nëse ajo mendonte se ekzistojnë viktimat e përdhunimit të kohës luftës që kishin dashur të dalin publikisht me përvojën e tyre, ajo ka qenë skeptike mbi atë që të mbijetuarat kishin dashur të dalin përpara në të ardhmen e afërt për shkak të realitetit të pazgjedhur të dhunës në familje kundër grave në Kosovë. Ajo tha:
Përderisa dhuna kundër grave nuk normalizohet brenda shoqërisë së Kosovës, do të jetë shumë vështirë për një viktimë të përdhunimit të kohës së luftës të del përpara.
Nuk ekziston një kulturë e përkrahjes për gratë që përjetojnë dhunën seksuale brenda shtëpive të tyre dhe komunitetit të tyre, dhe unë mendoj duke qenë një viktimë e përdhunimit gjatë kohës së luftës vetëm e kombinon turpin e të qenit të përdhunuar.
Mendoj se ky turp është shumë i qëndrueshëm me vlerat “tradicionale” shqiptare, me të cilat…një grua që ka qenë e përdhunuar është “e njollosur,” përtej shpagimit; prandaj ato heshtin. Burrëria tradicionale shqiptare është problem, dhe derisa kjo nuk ndërrohet, kultura nuk do të ndryshojë.
Thellësia e problemit ka qenë mirë e ilustruar në tetor të vitit 2014, kur një profesor i pensionuar i juridikut, Vesel Latifi, ka botuar një tekst shkollor me titull Kriminalistika, në të cilin ai i është referuar viktimave të përdhunimit si “femrat që gënjehen lehtë, të pakujdesshme, mendjelehta, dhe të përdalura, rrethanat te të cilat sjellin me vete edhe një situatë viktimogjene (sulmin e tyre).” Zhurma e madhe e shoqërive civile, veçanërisht e grupeve të grave, ka shtyrë Universitetin e Prishtinës që të largojë tekstin shkollor nga plan programi i fakultetit juridik.
Faktori i dytë është mosgatishmëria e elitës së meshkujve kosovarë që të njohin kontributet e grave, rurale dhe urbane, gjatë okupimit dhe luftës. Derisa maskara e lartpërmendur në Krushën e Vogël ka zbuluar përmasat e përpjekjes së Serbisë që të shkatërrojë shoqërinë shqiptare kosovare, kjo gjithashtu ka përmbajtur brenda saj një shembull të guximit dhe zgjuarsisë së grave kosovare gjatë luftës. Marta Prekpalaj, një mësuese roli i së cilës në Krushën e Vogël ka qenë mirë i dokumentuar nga Hana Marku, ka vëzhguar sulmin e serbëve nga një distancë dhe për herë të parë ka vozitur një traktor për të ndihmuar grave që kanë qenë të detyruara të ikin duke ecur deri te vendi i sigurt në anën tjetër të lumit Drin. E ndihmuar nga daja dhe vëllai, Prekpalaj e kaloi lumin dhe shpëtoi qindra gra dhe vajza.
Kur Marku e intervistoi Marta Prekpalajn në një kafe në vitin 2013, ajo veç ka ditur se gratë kanë qenë “heroinat e pa kënduara të luftës për Kosovë.” Marku ka raportuar se Prekpalaj ka pasur respektin e lartë për rolin e saj gjatë masakrës, të demonstruar nga meshkujt vendor që vazhdimisht e ndërprisnin bisedën e tyre për t’ia bërë njohjen. Megjithatë, Prekpalaj u ankua te Marku se gratë kanë pasur “mirënjohje në shtëpi, por jo në publik.” Ajo i tha Markut se ajo ishte pjesë e një grupi të grave rurale të cilat kanë besuar se çlirimi kombëtar dhe çlirimi i grave duhej të ndiqej njëherësh. Ajo kurrë nuk e ka menduar se pasi të përfundojë lufta, “ne ende do të kemi aq shumë punë të lëna. Unë kam menduar se kemi arritur një shkallë të emancipimit përmes përpjekjeve tona në vitet e 1990-ta.” Sipas konkluzionit të Markut, shteti që doli pas luftës “nuk e ka shpaguar besimin të gjithëve që kanë luftuar për të.”
Mos njohja e aktivitetit të grave gjatë okupimit dhe luftës, shpeshherë barabartë me atë të meshkujve, është drejtpërdrejt e lidhur me faktorin e tretë: ngritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Kosovën e pasluftës. Në tridhjetë udhëtime të mija në Kosovë në mes të përfundimit të luftës dhe deklarimit të pavarësisë në vitin 2008, kam njoftuar gratë që kanë luajtur rolet e rëndësishme udhëheqëse gjatë okupimit; gratë urbane dhe rurale burrat e të cilave janë vrarë nga forcat serbe ushtarake dhe paramilitare; femrat luftëtare në UÇK; dhe gratë e zgjedhura si deputete në Kuvendin e parë të Kosovës në vitin 2001. Shumica ka qenë të nderuar nga shumica shqiptare, por shumë prej tyre kanë qenë të margjinalizuara kur vakumi i pushtetit të pasluftës u plotësua nga meshkujt të cilët ishin anëtarë të UÇK ose që pretendonin se ishin luftëtarët për liri.[ix] Nuk ka pasur përpjekje nga ana e meshkujve udhëheqës të Kosovës që do të njihnin kontributin e konsiderueshëm të grave në përpjekjet e luftës, që të përfshihen në komemoracionin e luftës për çlirimin e Kosovës, ose në procesin e ndërtimit të shtetit. Sikur që tha Iliriana Hasaj, një mjeke në terren në UÇK, “Askush nuk dëshiron të flet mbi atë se çka kanë bërë gratë gjatë luftës. Ne kemi respekt të ish vëllezërve tonë në armë, por jo të njerëzve që kanë arritur postet përmes përpjekjeve tona.”
Linda Gusia, e cila ka qenë në terren përditë gjatë luftës, duke punuar si shqipëruese dhe përkthyese për The Washington Post, më shpjegoi se pas luftës “çdo gjë ka qenë e përdredhur nga elita e meshkujve në glorifikimin e luftës dhe fitimin e pushtetit dhe prestigjit” Derisa shumica e 12,000 shqiptarëve kosovarë që kanë vdekur gjatë luftës dhe 1,700 ende të zhdukur kanë qenë civilë, ajo shpjegoi se organizimi i përkujtimit të pasluftës fokusohet me të madhe në meshkuj luftëtarë për liri dhe veçanërisht në meshkujt udhëheqës të UÇK. Si rezultat, Gusia tha se nuk është vetëm përvoja e luftës e grave që ka qenë e margjinalizuar, “por e tërë historia e anës qytetare është shtyrë plotësisht të heshtë dhe është lënë jashtë nga diskursi.”
Një numër i madh i grave kanë qenë studente protestuese në vitin 1981 dhe 1989 dhe aktiviste gjatë okupimit. Me mijëra më shumë do të bëhen qendrore për përpjekjen e luftës. Dhe ende gratë mbesin me të madhe të padukshme në historinë e luftës, komemoracionin e pasluftës, dhe luftën për pavarësi.[xii] Qindra monumente të luftës janë dedikuar luftëtarëve të UÇK-ës që nga fundi i luftës, por vetëm një nga ato i është dedikuar një gruaje nga më tepër se 600 gra që kanë shërbyer: Xheve Lladrovci ka luftuar me burrin e saj, Fehmi Lladrovcin, dhe u vra nga ushtria serbe. Vetëm për shkak të përpjekjeve të familjes së burrit të saj ajo është mbajtur e gjallë në ndërgjegje publike.
Asnjë memorial ose emër i rrugës nuk është dhënë për vetëm një mjeke, mësuese, ose civile që ka marr pjesë në luftë.
Faktori i katërt ka qenë ndikimi i administratës ndërkombëtare, e cila, në njërën anë, ka punuar në dokumentimin e përdhunimit të grave kosovare dhe në vendosjen e konceptit të përfshirjes së grave në Kosovën e pasluftës, por, në anën tjetër, ka marrë pjesë në fshirjen e aktivitetit të grave në rezistencën e viteve 1990-ta dhe në luftë. Shpejt pas përfundimit të luftës, Misioni i KB në Kosovë (UNMIK) u themelua nën Rezolutën 1244 të KB me mandat që të qeverisë Kosovën, e cila teknikisht ishte nën Serbi deri sa të mund të vendosej statusi i vet politik final. Për shkak të pa-shtetësisë së Kosovës, UNMIK, SHBA dhe Bashkësia Evropiane kufizuan pushtetin e vendim-marrjes të të gjithë shqiptarëve kosovarë, meshkujve dhe femrave, me qëllim që të shtypin thirrjen e tyre për pavarësi. Në fund, UNMIK-u do të dorëzojë dizgjinët e pushtetit meshkujve që kanë luftuar në luftë dhe të cilët do të respektojnë mandatet e tyre.
Gratë kosovare u ankuan, për faktin që ato në masë të madhe janë përjashtuar nga negociatat e pasluftës, kështu që kontributet e tyre në rezistencën ndaj agresionit serb dhe përvojat e tyre të përdhunimit nuk janë marrë parasysh. Në vitin 2006, gratë aktiviste dhe politikane kanë menduar se Rezoluta 1325 e Këshillit të Sigurimit të KB mbi Gratë, paqen dhe sigurinë në Kosovë, “e cila ka thirre për fuqizimin e rolit të grave në formësimin e parandalimit të konfliktit dhe procesin e paqes, por edhe në përgjithësi në qeverisje,”[xv] do të ofrojë bazë ligjore për të dhënë grave një rol kyç në biseda për status dhe ndërtimin e shtetit sikur që u theksua në planin e Ahtisaarit. Nga autori i Dërguari i KB Martii Ahtisaari, plani ka qenë dokumenti përfundimtar i një procesi të udhëhequr nga SHBA dhe BE të procesit të shtet-ndërtimit që ishte menduar të krijojë një udhë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por, në fund, gratë janë përjashtuar nga bisedat në mes të Beogradit dhe Prishtinës të udhëhequra nga Ahtisaari dhe çështjet e gjinisë nuk janë adresuar. Më 8 mars 2006, OJQ-të e grave dhe shoqatat tjera civile kanë dalë në rrugë për të protestuar përjashtimin e tyre nën parullën “Jo më lule; ne duam pushtetin.”[xvi]
Veprore Shehu, në atë kohë drejtoreshë ekzekutive e Medica Kosova, një organizatë joqeveritare (OJQ/NGO) që ndihmon gratë e traumatizuara nga dhuna në familje dhe përdhunimi i kohës së luftës, e ka cituar një Ambasador i cili tha se “Tradicionalizmi shqiptar ishte një pengesë për përfshirjen e grave në bisedën e Ahtisaarit. “Ne nuk dëshirojmë të prishemi me traditën,” tha ai.[xvii]
Drejtësia e pasluftës: Gratë kosovare e thyejnë heshtjen lidhur me përdhunimin gjenocidal
Duke filluar me vitin 2010, çështja e përdhunimit, subjektit të heshtjes që nga përfundimi i luftës para njëmbëdhjetë vjetëve, u bë një hallkë e zinxhirit e përpjekjeve të grave kosovare që të arrijnë barazinë. “Në vitin 1999 dhe 2000, përdhunimi ende ka qenë një çështje e ndaluar; ne kemi folur, por nuk kemi folur publikisht,” tha Nora Ahmetaj, Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim e cila ka qenë një prej organizatave të grave që ka udhëhequr lëvizjen për të fituar njohjen publike të dhunës seksuale të bërë gjatë kohës së luftës, për statusin legal përfshirë reparacionin për të mbijetuarat e përdhunimit të kohës së luftës, dhe barazinë gjinore. Kjo ndryshojë në vitin 2010, kur, siç tha ajo, “gratë në fuqi thanë ‘Mjaft është mjaft. Ne dëshirojmë njohjen. Dëshirojmë reparacionin.’ Kjo ishte kur OJQ e ime, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, Medica Kosova, dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) filluan të punojnë me viktimat dhe familjet e tyre dhe me disa deputetë të Kosovës duke bërë presion për legjislacion.”
Pasi që këto grupe (disa prej të cilave kanë qenë duke punuar që nga fillimi i okupimit serb dhe të tjerat kanë filluar të ndihmonin gratë e mbijetuara edhe përpara se lufta të përfundonte) kërkuan njohjen ligjore dhe reparacionin për viktimat e përdhunimit të kohës së luftës, përvojat e grave të kohës së luftës më në fund janë sjellë në arenën publike për reflektim dhe debat. Me këtë, ka filluar procesi i de-stigmatizimit të përdhunimit.
Në vitin 2013, ka pasur një përparim të madh për njohjen e viktimave të përdhunimit të kohës së luftës kur u propozua që të shtohet një amendament në “Ligjin mbi statusin dhe të drejtat e heronjve, invalidëve, veteranëve, anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile të luftës, dhe familjeve të tyre” të vitit 2012, që do të kategorizonte për herë të parë gratë që mbijetuan përdhunimin si viktima të luftës, prandaj edhe me të drejta për reparacion dhe shërbime rehabilituese sipas ligjit. Miratimi i tij nuk ka ardhur pa kundërshtim të ashpër. Disa meshkuj anëtarë të Kuvendit e kanë kontestuar këtë, me një deputet, Gëzim Kelmendin, duke sugjeruar se gratë e përdhunuara do të duhej të bënin ekzaminimin mjekësor nëse dëshironin të merrnin mbështetjen e qeverisë.[xix] Më 20 mars, shkurtazi pas debatit të Kuvendit, Nazlie Bala, kryesuesja e Sekretariatit të Grave të partisë politike të Vetëvendosjes, e cila ka paraqitur ligjin në mbështetje të kërkesës së organizatave të grave që e kanë përkrahur atë, u kthye në shtëpi prej punës dhe gjeti një letër anonime. Letra thoshte: “Mos e mbroj turpin. Përndryshe do të vrasim.”
Një javë më vonë, Bala ishte rrahur jashtë banesës së saj nga dy sulmues të panjohur, u hospitalizua për lëndimet e saja, dhe pastaj me muaj ka qenë nën kujdesin e policisë. Duke qenë e indinjuar, Amnesty International ka lëshuar një deklaratë publike në mbarë botën, duke e shprehur tronditjen me incidentin dhe duke kritikuar faktin se, me fjalët e John Dalhuisen, Drejtorit të Programit për Evropën dhe Azinë Qendrore, “Më tepër se një dekadë pas luftës, qindra gra vazhdojnë të jetojnë me efekte të përdhunimit dhe me format tjera të torturës, pa qasje të duhur ndaj ndihmës mjekësore, psikologjike dhe financiare e cila ju duhet për të rindërtuar jetët e tyre të shkatërruara. Në ndërkohë, shumica e të dyshuarve për përgjegjësinë penale nuk janë hetuar.”[xx]Amnesty pastaj ka thirre Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjagan, Kryeministrin Hashim Thaçin, dhe anëtarët tjerë të qeverisë së Kosovës që të denoncojnë sulmin ndaj Balës dhe të zbatojnë amendamentin në ligj, duke i garantuar të drejtat e grave të cilat kanë pësuar dhunën seksuale gjatë luftës. Përpos kësaj dhe më e rëndësishme, Amnesty ka kremtuar ligjin që ka sfiduar “nocionin e turpit,” i cili “aq gjatë ka ndaluar gratë që t’iu njihen publikisht shkeljet prej të cilave ato kanë pësuar dhe të dalin përpara për të dhënë dëshminë për ndjekje penale, për shkak të frikës se kjo do të sjellë turp familjes ose komunitetit të tyre.”
Ligji, duke i njohur viktimat e përdhunimit të kohës së luftës, më në fund u miratua në vitin 2014. Nora Ahmetaj e ka thirr këtë miratim “vetëm një fitore të vogël që unë dhe disa OJQ dhe disa deputetë të mirë kanë arritur që nga përfundimi i luftës. Ne kemi qenë të kërcënuar; kemi pranuar mesazhet mos ta bëjmë këtë. Për më tepër se dy vjet, kemi punuar shumë. Kemi punuar me disa deputet përditë, dhe më besoni se ka disa deputetë të mirë, që kanë kuptuar se sa është e rëndësishme që të ndryshohet ligji. Në fund kemi arritur suksesin dhe kemi parë se si intervenimi i ynë përmes legjislacionit ka mundur të ndryshonte jetët.”
Viti 2014 ka shënuar një pikë kthese tjetër, ku autoritetet e Kosovës dhe aktivistët e të drejtave të njeriut kanë lëshuar një peticion ndërkombëtar për të bërë presion te Kombet e Bashkuara që të hetojnë përdhunimet e kryera gjatë luftës dhe të japin një raport lidhur me këtë. Deri në fund të korrikut, 120,000 persona në Kosovë kanë nënshkruar peticionin. Pjesërisht, rezultati i paraqitjes së peticionit ka qenë pjesëmarrja e Presidentes së Kosovës Jahjaga prej 10-13 qershorit në Samitin Global për Ndaljen e Dhunës Seksuale në Konflikt, të mbajtur në Londër dhe bashkë-drejtuar nga Sekretari u Punëve të Jashtme i MB i atëhershëm William Hague dhe Angelina Jolie, e Dërguara Speciale për Komisionarin e Lartë të KB. Duke u kthyer nga konferenca, Jahjaga bëri thirrje për “angazhim dhe dhënien e përgjigjeve të plota për nevojat e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.”
Amendamenti i ligjit, veçanërisht, dhe peticioni demonstrojnë progresin e rëndësishëm. Por në të njëjtën kohë, peticioni është subjekt i debatit në mes të grave aktiviste, akademikëve, dhe politikanëve. Si gazetare Hana Marku dhe Lura Limani kanë vërejtur se peticioni shndërrohet në “një lloj të kamuflazhit për mungesën e veprimit dhe mbështetjen e viktimave të përdhunimit nga institucionet e Kosovës qysh nga përfundimi i luftës. …Me qëllim që të ketë një drejtësi të vërtetë, Kosova dhe Serbia duhet të kenë një marrëveshje të ekstradimit. Nëse shumica e dhunuesve supozohet se janë ushtarët dhe paramilitarët serb, do të ishte e pamundur që të realizohet drejtësia nëse ata nuk dalin para gjykatës, qoftë në një gjykatë të Kosovës ose atë ndërkombëtare.”
Marku dhe Limani kanë pyetur se pse prej KB, të cilat nuk kanë bërë hetimet e përdhunimit dhe krimeve tjera të luftës kur kanë pasur pushtet ekzekutiv prej vitit 1999 deri 2008, tani të ju kërkohet që të hetojnë përdhunimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Ato argumentojnë se një raport mbi vendin dhe shkallën e përdhunimeve të kohës së luftës nuk ka nevojë të sigurohen nga KB, kur Kosova ka mekanizmat shtetërore që duhet të thirren që të ofrojnë një dokument, sikur që është Instituti për Krimet e Luftës (i cili ende duhet të publikojë ndonjë hulumtim mbi krimet e kryera gjatë luftës që nga themelimi i tij në vitin 2011) dhe Misioni i Evropës i Sundimit të Ligjit në Kosovë (EULEX).[xxv] Përpos kësaj, Marku më tha se Medica Kosova dhe Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës janë duke mbledhur dëshmitë e viktimave të përdhunimit qysh nga përfundimi i luftës, dhe kështu arkivat vendore të rasteve të dokumentuara tashmë janë në dispozicion.
Mbi të gjitha, Marku dhe Limani insistojnë se viktimat e përdhunimit të kohës së luftës nuk duhet të kenë rolin e viktimave, por të “aktivisteve që luftojnë për të drejtat e tyre, pa turp, në sferën publike.”[xxvi] Së bashku me gratë udhëheqëse në shoqërinë civile, ato janë të shqetësuara se as amendamenti i ligjit as peticioni nuk shërbejnë për të hapur njohjen publike të kontributit të grave gjatë okupimit dhe luftës, sepse që të dy ende e mbajnë fokusin te gratë si viktima të dhunës seksuale. Sociologia Linda Gusia më tha se ajo ka intervistuar shumë gra të forta të mbijetuara, dhe ajo është e shqetësuar se diskursi ka forcë t’i bëj që të heshtin edhe një herë:
Duke u fokusuar vetëm në përdhunim, çështjes së këtyre grave i jepet konotacioni i seksit. Nuk ka interesim që vërtetë t‘iu epet zëri ose të fuqizohen. Gjithashtu nuk ka tentim që të humanizohen gratë e përdhunuara ose të tregohet tregimi i tyre. Vetëm gratë e fuqishme si kryetarja flasin për to dhe në emër të tyre. Pozita ime si feministe është se ka gra që janë të gatshme të flasin dhe atyre duhet t’iu epet zëri. Por ne duhet të jemi të kujdesshëm se si kjo ndodhë. Ato nuk dëshirojnë të jenë tepër të ekspozuara dhe të stigmatizuara. Unë mendoj se e tërë kjo lëvizje e peticionit e ka hequr humanizimin e tyre, sepse për to flitet si një objekt. Ne nuk i dimë tregimet e tyre,nuk i dëgjojmë tregimet e tyre.
Edhe pse Gusia i duartrokit thyerjes së heshtjes politike dhe publike në Kosovë lidhur me përdhunimet e bëra gjatë luftës, ajo e ndanë besimin tim se një hap i ardhshëm vital në de-stigmatizimin e dhunës seksuale të kohës së luftës dhe të kuptuarit më të thellë të përdhunimit si një armë e gjenocidit është duke i hapur rrugën grave që ti artikulojnë përvojat e tyre. Rëndësia e përvojës personale për gratë e mbijetuara ka qenë mirë e artikuluar nga historiania orale Selma Leydesdorff, e cila në punimin e saj Të mbijetuarit e Gjenocidit të Bosnjës: Gratë e Srebërnicës Flasin, ka deklaruar se “një person që arrin të tregojë mbi vuajtjen e vet dhe shpjegojë se si ka ndikuar në jetën e saj gjithashtu mund të ketë sukses në ri-zbulimin e vendit të saj në botë.”[xxviii] Pra, gjithashtu, femra psikiatër e njohur dhe historiania orale Dori Laub ka ardhur te konkluzioni gjatë dekadave të punës me të mbijetuarit e Holokaustit se “…kthimi i posedimit të tregimit të jetës së një personi përmes dhënies së dëshmisë është vetvetiu një formë e veprimit, e ndryshimit, i cili aktualisht duhet të depërtojë me qëllim që të vazhdojë dhe të kompletohet procesi i mbijetimit pas çlirimit.”
Konkluzioni:
Sikur që Ofer dhe Weitzman kanë demonstruar se eksplorimi i përvojave dalluese të grave hebrenje gjatë Holokaustit e plotëson një zbrazëti të paparë më parë në literaturën e Holokaustit dhe në të kuptuarit tonë të gjenocidit nazist, është esenciale që të ekzaminohen përvojat specifike-gjinore të grave kosovare për të kuptuar luftën gjenocidale serbe kundër shqiptarëve në fund të viteve 1990-ta.
Edhe pse përdhunimi i bërë në kohën e luftës për herë të parë në historinë njerëzore është deklaruar në të drejtën ndërkombëtare si krim i i dënueshëm i luftës, një krim kundër njerëzimit, dhe një akt i gjenocidit gjatë luftës së Bosnjës, realiteti i përdhunimit në masë në Kosovë nuk u bë fokus i diskutimeve vendore dhe ndërkombëtare gjerë në vitin 2013. Kjo është kryesisht për shkak të turpit të vjetër me shekuj lidhur me përdhunimin në shoqërinë shqiptare të dominuar nga meshkujt dhe rolit të qeverive perëndimore në shtypjen e dialogut mbi historinë e kohës së luftës me qëllim që të pengohet thirrja e shqiptarëve kosovarë për pavarësi duke e ndjekur me shkurt-pamje interesin e vet strategjik në rajon.
Thyerja e heshtjes së zgjatur lidhur me përdhunimin gjenocidal në Kosovë zbulon rëndësinë e përdorimit të gjinisë si një kornizë për analizën e gjenocidit. Larg nga bërja e përpjekjes së qeverisë serbe të Sllobodan Miloshqvicit që të dëboj ose shfaros të gjithë shqiptarët e Kosovës, çështja dytësore ka qenë përvoja e grave kosovare e kohës së luftës, eksplorimi i viktimizimit specifik-gjinor i grave gjatë luftës së Kosovës ka zbuluar përdhunimin si një instrument qendror të strategjisë gjenocidale të Serbisë. Në ndërkohë, trupat ushtarake dhe paramilitare serbe të cilat i kanë përdhunuar gratë shqiptare kosovare dhe i kanë nënshtruar formave tjera të torturimit ende duhet të sillen para drejtësisë.
Komentet