MIKHAIL ARKADYEVICH SVETLOV
1903-1964
Svetlov ka lindur në një familje të varfër çifute. Ka botuar që në vitin1917. Dy vjet më vonë, Svetlov botoi pëmbledhjen e tij të parë me poezi, “Binarët”. Tema kryesore e veprave të tij në 1920 ishte Lufta Civile ruse. Ndoshta poezia më e njohur e shkruar nga Svetlov, është “Grenada”, botuar në vitin 1926.

Granada është një qytet spanjoll, kryeqyteti i provincës së Andaluzisë. Ajo është shumë afër maleve të Sierra Nevadës, të vendosura në bashkimin e dy lumenjve: Darro, një kontribues i Genilit, dhe Genilit vetë.

MALET E SIRRA NAVADËS
GRANADA MAJA
(Granada ime)
Me hap marshimi ne,
Luftëtar’ me nam,
Këngën Jabločkaja
valvitim ndër dhëmbë.
Ah, këtë këngën
E ruan, o stepë,
Vetë malakita
E barit të blertë.
Po një këngë tjetër
Të një toke zjarr
Dikush atë e solli
Me vete mbi kalë.
Këndon duke parë
Këtu, atje, gjithҫka:
«Granada, Granada,
Granada majà!

Këtë këngë ai
Bukur e këndon…
Po vuajtjet iberike
I njeh, i kujton?
Hej Aleksandrovsk,
Kharkov më tregoni:
Në gjuhën spanjolle
Ka kohë që këndoni?
Oh thuamë, Ukrainë,
Mbi grurin e verdhë
Taras Shevchenko
A shtrihet si njëherë?
Pse i këndon o mik
Këtij qyteti, pra:
«Granada, Granada,
Granada majà?»

Ngurron pak djaloshi
Dhe pastaj ngadalë:
– Granadën-përgjigjet-
Në libër e kam parë.
Granada përgjithmonë
Në Spanjë e ndërtuar –
Ka emër të bukur
Krejt e nderuar!
Shtëpinë e lashë
Se dua të luftoj
Se tokën kolonve
Dua t’u dhuroj .
Do shkoj tek të mitë,
Në dashtë Zotit pra !
«Granada, Granada,
Granada majà!»

Vraponim të luftonim,
Të kuptonim thellësish
Gjuhën e krismave –
Të betejës sigurisht.
Dielli lindte
Edhe perëndonte,
Edhe pse i lodhur
Kali galoponte,
Këngës Jabločko
Me harqe- rënkuese
I binin të gjithë
Violinat vajtuese…
Po ajo këngë ҫ’u bë,
Mbaroi ajo tashmë:
«Granada, Granada,
Granada majà!»

Goditur në gjoks
U shemb, mbi tokë
Shoku i shtrnjtë
Shalën e la bosh.
Dhe trupin ia puthi
Me përndritje hëna,
Dhe nga buzët doli;
Vetëm fjala «Grana…»
Në tokë të largët,
Mbi re ku rri tani
Me vete ka marrë
Këngëzën e tij.
Që atëherë askush
S’ia dëgjon më:
«Granada, Granada,
Granada majà!».
Luftarin e vrarë
S’e pa reparti dot
Po këngën Jabločko
E këndoi të plotë.
Vetëm nga qielli
Mbi agun-kadifè,
Nga një re e vogël
Lotët çurg… rrëke…
Por këngë të reja
Ngriti jeta mëmë…
Djema, nuk ia vlen,
Të vuani për një këngë.
Nuk ia vlen, nuk ia vlen,
S’do t’ia vlejë më, pra …
Granada, Granada,
Granada maja!
(1926)
***

Një ditë poeti Semyon Kirsanov lexoi poezinë Granada. Ai e pëlqeui shumë, shkoi menjëherë te Majakovski dhe i dha tekstin e poezisë Granada. Disa ditë më vonë u zhvillua një mbrëmje nga Majakovski në Muzeun e Politeknikut. Dhoma ishte e mbushur plot e përplot. “Unë qëndroja në këmbë – do të tregonte – në vitin 1957 Svetlovi – isha i lodhur dhe shkova në shtëpi, pa pritur fundin e mbrëmjes. Një fqinj im i cili qëndroi deri në fund të mbrëmjes më tha: – Pse ike pa mbaruar mbrëmja? Majakovski recitoi përmendësh poezinë tënde Granada!
Më vonë ai e lexoi atë në shumë qytete. U bëmë miq. Një ditë Majakovski më tha me buzëqeshje: – Svetlov! Çfarëdo që shkruaj unë tani, nuk ka rëndësi, të gjithë më quanjnë “Re në pantallona”. Kam frikë se e njëjtë gjë do të ndodhë edhe me “Granadan” tuaj.
Ishin fjalë profetike. Secili nga të njohurit e mi të rinj, menjëherë më thotë: – Ah po, Svetlov! Granada! Nga njëra anë ndiej kënaqësi, por nga ana tjetër është për të ardhur keq që pas 40 viteve të veprimtarisë sime letrare, unë identifikohem si autor i një poezie të vetme
Përktheu: Faslli Haliti
Komentet