E mbani mend se çfarë ndodhi në fushë? E kush do ta harronte, apo jo! Një gol-rrufe i Muratit bëri që të shpërthejë vullkanin “Qemal Stafa” dhe një silur i Ardjan Aliajt bëri që Greqia të gjendej në disavantazh të dy golave në 11 minutat e para. Për më tej mos më pyesni. Për mua ishte black-out, sepse mezi po prisja të mbaronte ndeshja dhe gjyqtari Gonzales t’i jepte jetë festës së madhe. Më pas, puna në redaksi. Si kurrë më parë deri afër orëve të para të mëngjesit. Gazeta e datës 5 shtator ka shkuar te lexuesi ende e ngrohtë nga shtypshkronja dhe për herë të parë e të vetme, u humb edhe llogaria e numri të kopjeve të hedhura në treg. Ishte një mëngjes i bukur. Bisedat në kafene me shokë e kolegë kishin vetëm një temë: atë të Kombëtares. Gëzimi prekej me dorë kudo. Mbase do të kishim bërë mirë të gëzonim më pak… thonë se pas çdo lumturie të madhe, një fatkeqësi troket menjëherë.
Pasdite, ndërsa po ndanim detyrat e ditës, një lajm na tronditi të gjithëve në redaksi. Mësuam se një djalosh shqiptar ishte vrarë në Greqi. Arsyeja e bënte edhe më të kobshme atë vdekje: Gramoz Palushin e kishin therur me thikë sepse festonte fitoren e Shqipërisë. 20-vjeçari ka qenë duke festuar në rrugët e ishullit Zakinthos bashkë me disa emigrantë të tjerë shqiptarë, ndërsa vendësit ishin irrituar. “Po festonim fitoren e Shqipërisë. Një turmë grekësh sulmuan nga një magazinë dhe u plagosën shtatë shqiptarë, mes të cilëve edhe Gramozi. Gramoz Palushi ka pasur vështirësi pas plagosjes. Ai ka shkuar në spital, por pasi e kanë kuptuar se ishte shqiptar, personeli i spitalit nuk ia ka hapur derën”, do të shprehej Imer Elezi, mik i Gramozit. Vrasësi ishte Panajotis Kladhis, greko-amerikani që në fillim do të dënohej me burgim të përjetshëm, ndërsa më pas do t’i ulej dënimi me 22 vite burg.
Gramozi sot do të ishte 31 vjeç. Mbase do të ishte edhe një anëtar aktiv i TKZ-së (Tifozat Kuq e Zi), grupimi që asnjëherë nuk e ka lënë në harresë kujtimin e të ndjerit dhe sot do t’i kushtojë një tjetër “in memoriam”. Nga Kombëtarja e atëhershme ka mbetur vetëm Lorik Cana. Të tjerët patjetër që duhet ta kenë dëgjuar më vonë historinë e Gramoz Palushit, djaloshit nga Kukësi, që pasi u zhvendos në Paskuqan, emigroi për një të ardhme më të mirë në Greqi. Mbase do ua ketë rrëfyer vetë Loriku në ato fjalimet e tij me të cilat karikon skuadrën para fillimit të çdo takimi. Mbase nuk e dinë që pikërisht sot, 4 shtator, është përvjetori i 11-të i një 20-vjeçari, që e vranë se gëzonte me flamurin kuqezi një fitoreje të Kombëtares. Por ne, të gjallët, kemi detyrën që të kujtojmë “njërin prej nesh”, Gramozin, të cilit ëndrrat iu prenë në mes nga thika e ndyrë e ksenofobisë. Sot Gramozi duhej të ishte 31 vjeç… Sot, në Kopenhagen kuqezinjtë duhet të luajnë në fushë me kujtimin e tij në zemër. Gramozi ra për flamur!
Komentet