Mëngjesin e së shtunës së 12 shtatorit 1931, Dhimitër Maksakuli, një njeri i njohur dhe i respektuar në qytetin e Durrësit, përshëndeti kolegët e tij dhe doli nga dera e Bankës Kombëtare. Si zakonisht, ai mbante qëndrimin e tij të matur, si një person që kishte fituar besimin e të gjithëve.
Askush nuk dyshonte se pas asaj fytyre të rregullt, fshihej një plan djallëzor që do të trondiste jo vetëm qytetin, por gjithë Shqipërinë. Me një makinë që e priste përjashta, Dhimitri u ngjit me qetësi, dhe automjeti me dy shoferë, iu drejtua menjëherë Tiranës. Dukej një udhëtim i thjeshtë, por ky ishte vetëm fillimi i një plani të hollësishëm, që Dhimitri kishte përgatitur për javë të tëra.
Në xhepat e tij, fshihej sekreti më i madh i ditës: 120 mijë franga ari, të cilat ai sapo i kishte marrë nga arka e bankës, ku kishte punuar për vite me radhë. Në Tiranë, dita kaloi pa ndonjë ngjarje të veçantë.
Dhimitri, dukej sikur ishte i zhytur në mendime, duke kaluar orët e pasdites nëpër kafene të ndryshme. Duke pirë kafe dhe duke vëzhguar njerëzit përreth, ai e dinte mirë, se çdo lëvizje e tij, po llogaritej me kujdes.
Në orën 20:00 të mbrëmjes, ai vendosi të largohej nga kryeqyteti dhe të kthehej në Durrës. Por lëvizjet e tij, nuk kishin kaluar pa u vënë re. Teksa makina e tij lëvizte në rrugën Tiranë-Durrës, një postbllok i policisë, tashmë i informuar për situatën, ndaloi automjetin. Oficerët e policisë, e kishin marrë lajmin për një mungesë të madhe parash në Bankën Kombëtare në Durrës dhe, edhe pse nuk e dinin saktësisht se kush ishte përgjegjës, ata e ndienin që diçka e dyshimtë, po ndodhte me këtë grup njerëzish që udhëtonin në orët e natës. gsh