Një hero tragjik, një vigan pa paqe, komunisti që duke u orvatur ta shpëtojë, varrosi komunizmin, atdhetari që me synimet më të mira I përgatiti varrin Shtetit të parë socialist të Historisë.
I gjithë ky dhe më tepër akoma qe Mihail Sergejeviç Gorbaçovi – i vdekur të martën, 30 gusht, në moshën 91 vjeçare – burri që, si Ikari, mendoi se mund të fluturonte pranë diellit por mbaroi duke shkatërruar vetëveten dhe veprën që donte të shpëtonte.
Nëse do të mundeshim të rrigjonim në një njeri të vetëm, në një biografi të vetme Nëntëqindën dhe ato që Paul Klee quante hartat e tij të Wendungen-it, kthesat e tij të papritura, me shumë gjasë ky do të kishte qënë Gorbaçovi, drejtuesi i fundit i Bashkimit Sovjetik, shkatërrimtari i vërtetë i Murit të Berlinit dhe arqitekti i asaj perestrojke që u njoh si kënga e mjellmës e Mbifuqisë komuniste.
“Nuk mund të shkohej përpara në të njëjtën mënyrë” pohoi në një nga intervistat e fundit, duke kujtuar orvajtjen e tij të dëshpëruar për të reformuar një sistem tashmë të kockëzuar, të përfshirë nga dështimi ideologjik, politik dhe ekonomik. Një hap i detyruar, në këndvështrimin e tij, por një hap i nxituar. Që së fundi e xhveshi si një marksist të keq: në të kundërt të shokëve kinezë që do t’i kishin hapur rrugën një kapitalizmi të egër, duke shtrënguar vidat e demokracisë e duke mbrojtur mizorisht rolin udhëheqës të partisë. Gorbaçovi filloi nga superstruktura politike (glasnost, fundi i çensurës, e drejta për të manifestuar), ndërsa lëvizi pak e turbullt në strukturën ekonomike, gjysmë reforma e hapje të ndrojtura tregut. Ndërkaq, i shtrënguar nga armatimi i Amerikës së Reganit e duke shpresuar në ndihmat e Perëndimit, me të cilin ishte krenuar se i kishte hequr armikun, lëshoi pjesë pjesë hallkat e fuqisë sovjetike: evroraketat, armët strategjike dhe ata të zakonshme, paktin e Varshavës, zonat e ndikimit.
Kur më 1989, gjenerali Sergej Akromejev takoi për herë të parë kryetarin e ri të delegacionit amerikan në bisedimet Start, Richard Burt, i tha pa fjalë të tepërta se Gorbaçovi kishte tradhëtuar komunizmin, por që ai, që kishte luftuar në rrethimin e Leningradit, nuk do të kishte lejuar kurrë që Bashkimi Sovjetik të poshtërohej n’atë bisedim. Shkoi ndryshe.
Por anekdota vërtetoi se ajo e Gorbaçovit ishte receta e përsosur për të qënë i urryer n’atdhe: rusët ishin më keq, shihnin mbifuqinë e tyre të njollosur e, për të parën herë në katër qindvjetorë, mund të protestonin edhe me zë të lartë.
Perëndimi dhe bota i detyrohen shumë Mihail Sergejeviçit, që nuk u pendua kurrë për zgjedhjet e tij, i bindur se nuk mund t’u mohoheshin dëshirat për liri e demokraci polakëve e çekëve, hungarezëve e gjermanëve të Lindjes. Mbetet e gdhëndur në mermer fjalia me të cilën qortoi Erich Honecker, drejtuesin e përjetshëm të RDGJ, duke i ndezur fundin: “Jeta ndëshkon atë që arrin me vonesë”. Çudia qe se parashikimi vlejti edhe për të.
Gorbaçovi është ankuar gjithmonë se, mbas Luftës së ftohtë, drejtuesit perëndimorë nuk dijtën të ndërtonin një arkitekturë të re të sigurisë n’Evropë. E që në poshtërimin e shkaktuar Rusisë në vitet Nëntëdhjetë zhyten rrënjët e hakmarrjes rish perandorake të Vladimir Putinit. Një e vërtetë parake.
Por bindja e tij e vendosur që çdo komb duhet të vendosë vetë fatin e tij, e përmbledhur nga një bashkëpuntor i tij në t’ashtuquajturën “doktrina Sinatra” duke cituar të famshmen My Way, është krejt e kundërta e mëtimit të drejtuesit të sotëm të Kremlinit që të detyrojë ai, me gjëmime topash, se çfarë duhet të jenë një Vënd e një popull.
Përshpirtje për një të madh të Historisë.
“Corriere della Sera”, 31 gusht 2022 Përktheu Eugjen Merlika
Komentet