VOAL

VOAL

4 JULI

July 3, 2016

Komentet

Dronë ukrainas godasin anijen luftarake ruse në Detin Kaspik, dëmtime edhe në një platformë shpimi nafte

Dronët ukrainas goditën një anije luftarake ruse dhe një strukturë shpimi nafte të operuar nga Lukoil në Detin Kaspik gjatë natës.

Mediat e Kievit raportuan këtë, duke cituar Shtabin e Përgjithshëm.

Anija që u godit ishte 22460 “Okhotnik”, e cila po patrullonte një zonë pranë një impianti nafte dhe gazi.

“Disa dronë goditën anijen; shkalla e dëmit po përcaktohet aktualisht”, tha ajo. Një platformë shpimi në fushën e naftës dhe gazit Filanovsky, në pronësi të Lukoil, u godit gjithashtu. bw

“Korrupsioni ka mbërthyer Shqipërinë…” Gazeta spanjolle ‘El Mundo’: PD njofton protesta masive dhe kërkon dorëheqjen e qeverisë

Në artikull raportohet gjithashtu se një nga kërkesat e saj kryesore është dorëheqja e zv.kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila është nën hetim, ku SPAK ka kërkuar që imuniteti i saj të hiqet.

 

TIRANË- Kaosit të shkaktuar ditën e enjte në Kuvend i ka bërë jehonë edhe gazeta spanjolle, El Mundo, e cila ka raportuar përplasjet e ashpra. El Mundo shkruan se anëtarët e Partisë Demokratike të Shqipërisë në opozitë organizuan trazira ndërsa u përpoqën të prishnin votimin për Avokatin e Popullit në shenjë proteste kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Në artikull janë përmendrur edhe situatat e tensionuara, ku demokratët zunë vendet e ministrave dhe hodhën shishe drejt Kryetarit të Parlamentit Niko Peleshi, ku më pas u përplasën edhe me gardën. El Mundo thekson ndër të tjera se për muaj të tërë, opozita ka denoncuar mashtrimin zgjedhor, korrupsionin sistemik dhe një prapambetje serioze demokratike në vend.

Në artikull raportohet gjithashtu se një nga kërkesat e saj kryesore është dorëheqja e zv.kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila është nën hetim, ku SPAK ka kërkuar që imuniteti i saj të hiqet.

Në fund, El Mundo thekson se Partia Demokratike ka njoftuar protesta masive dhe po kërkon dorëheqjen e qeverisë, në një moment vendimtar për Shqipërinë, e cila konsiderohet si kandidate prioritare për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare për korrupsionin dhe përqendrimin e pushtetit.

Artikulli i EL MUNDO:

Tensionet politike në Shqipëri u përshkallëzuan përsëri të enjten gjatë një seance parlamentare në Tiranë, e cila u shoqërua me përleshje fizike, hedhje objektesh dhe hedhje fishekzjarrësh brenda sallës. Incidenti ndodhi gjatë seancës plenare të thirrur për të votuar për avokatin e ri të popullit, zyrtarin më të lartë të të drejtave të njeriut në vend. Anëtarët e Partisë Demokratike të Shqipërisë në opozitë organizuan trazira ndërsa u përpoqën të prishnin votimin në shenjë proteste kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Ligjvënësit e opozitës rrëmbyen mikrofonat, hodhën shishe drejt Kryetarit të Parlamentit Niko Peleshi dhe rezistuan largimin nga forcat e sigurisë pasi zunë vendet e rezervuara për degën ekzekutive. Gjatë protestës, disa anëtarë ndezën fishekzjarrë dhe shfaqën banderola duke e krahasuar Ramën me diktatorin panamez Manuel Antonio Noriega, duke e quajtur atë “Noriega i Evropës”.

Për muaj të tërë, opozita ka denoncuar mashtrimin zgjedhor, korrupsionin sistemik dhe një prapambetje serioze demokratike në vend. Një nga kërkesat e saj kryesore është dorëheqja e Zëvendëspresidentes dhe Ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila është nën hetim nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për parregullsi të dyshuara në kontratat publike. SPAK ka kërkuar që imuniteti i saj parlamentar të hiqet.

Partia Demokratike ka njoftuar protesta masive dhe po kërkon dorëheqjen e qeverisë, në një moment vendimtar për Shqipërinë, e cila konsiderohet si kandidate prioritare për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare për korrupsionin dhe përqendrimin e pushtetit./Dosja.al

Faleminderit Presidentit Trump, Kongresit dhe Senatit të SHBA për këtë dokument historik- Nga Elida Buçpapaj

Ka kohë që Perëndimi ndodhet në depresion nga shqetësimi se mos SHBA i braktis. Këtë frikë e kanë patur edhe shqiptarët.

Para pak ditësh Shqipërinë e vizitoi një diplomat i shquar kariere Ambasadori Christopher Hill, me rastin e promovimit të një libri të tij. Në një intervistë ai kujtoi kur, sapo kishte mbërritur në Shqipëri, ishte takuar me një shqiptar të vuajtur nga diktatura komuniste i cili i kishte lënë një amanet “mos na braktisni më”. Hill nuk e harron kurre amanetin e tij.

Amanetin nuk e tret dheu, themi ne shqiptarët.

“Mos na braktisni më !”

Ligji amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare i kaluar nga Senati, Kongresi dhe i firmosur nga Presidenti Donald Trump sjell  një erë të re pas mjegullës së keqkuptimeve dhe frikërave për praninë ose jo të SHBA në Europë e Ballkan, ndërkohë për ne shqiptarët është një kambanë kremtimi, pasi  mbyll përfundimisht pretendimet luftësjellëse të Beogradit ndaj Kosovës.

Ligji amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare i kaluar nga Senati, Kongresi dhe i firmosur nga Presidenti Donald Trump është strategjia afatgjatë e SHBA në mbrojtje të sigurisë konform interesave kombëtare të SHBA, por edhe Aleancës Euro-Atlantike.

Ligji amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare i kaluar nga Senati, Kongresi dhe i firmosur nga Presidenti Donald Trump, duke u fokusuar në Ballkan, mbështet në mënyrë të qartë qeverisjet demokratike dhe shtetin e së drejtës dhe i kundërvihet pa asnjë lëshim politikanëve të korruptuar.

Ky dokument sanksionon pozicionin e konsoliduar strategjik të SHBA si demokracia më e madhe e botës, i cili fokusohet tek Ballkani duke e ditur se do të mbetej fuçi baroti deri kur Serbisë do t’i ushqeheshin narrativat e saja mitomane, për ndarje të Kosovës sipas modeleve etnike, për Asosacione me Komuna Serbe sipas modelit famëkeq të Republika Sërbska.

Ligji amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare i kaluar nga Senati, Kongresi dhe i firmosur nga Presidenti Donald Trump rrënon përfundimisht allishverishet e  politikanëve të Kosovës mbështetur nga Edi Rama dhe i jep fund karierave të zyrtarëve të lartë publikë pa integritet dhe me skeletë në sirtarë e dollapë.

Ligji amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare i kaluar nga Senati, Kongresi dhe i firmosur nga Presidenti Donald Trump, si rrjedhojë, mbështet modelin e politikanëve si Vjosa Osmani, Albin Kurti e Donika Gërvalla, të cilët duke mbrojtur interesin kombëtar të Kosovës kanë mbrojtur interesin Kombëtar të SHBA dhe BE.

Ligji amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare i kaluar nga Senati, Kongresi dhe i firmosur nga Presidenti Donald Trump është një dokument historik si vazhdë e rolit ekzistencial të SHBA këtë shekull si Mbrojtës i Lirisë dhe Demokracisë nga monstrume si Hitleri, Stalini e Putini, duke ditur se Ballkani është  zona me ndjeshmërinë më të lartë, aty ku kanë startuar tragjeditë e njerëzimit.

Ligji amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare i kaluar nga Senati, Kongresi dhe i firmosur nga Presidenti Donald Trump vendos se “për zgjidhjen e konflikteve duhet t’i mbështesë demokracitë pluraliste në rajon si një mjet për të parandaluar rikthimin e konflikteve etnike.” Që do të thotë se qeveritë e korruptuara dhe politikanët e korruptuar i kanë orët e numëruara.

Ligji amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare i kaluar nga Senati, Kongresi dhe i firmosur nga Presidenti Donald Trump afirmon të ardhmen dhe perspektivën e Ballkanit si pjesë integrale e NATO-s dhe BE-së – që fati i Ballkanit të jetë në duar të sigurta – dhe jo nën kërcënimet e liderëve të kohës së Milosheviçit që nuk heqin dorë nga aleancat e vjetra ogurzeza, luftënxitëse, si minat me sahat.

Ligji amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare i kaluar nga Senati, Kongresi dhe i firmosur nga Presidenti Donald Trump në  mënyrë  të  prerë  është  kundër të  gjitha llojeve të varësive nga Rusia: “Varësia e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga burimet fosile ruse dhe gazi natyror lidh ekonomitë dhe politikën e tyre me Federatën Ruse dhe pengon aspiratat e tyre për integrim evropian”, thuhet në këtë dokument.

Ligji amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare i kaluar nga Senati, Kongresi dhe i firmosur nga Presidenti Donald Trump konfirmon se gjithçka e arritur në marrëdhëniet Kosovë-Serbi do të jetë në kontekstin ndërshtetëror, të dy shteteve të pavarura “e bazuar në njohjen e ndërsjellë, pa shkëmbime territoriale, pa ndarje apo ndryshime të tjera të kufijve sipas linjave etnike në Ballkanin Perëndimor”.

Ligji amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare i kaluar nga Senati, Kongresi dhe i firmosur nga Presidenti Donald Trump vjen në kohën e duhur në momentin e duhur, duke sjellë energji pozitive tek BE, Ballkani dhe qytetarët, kjo pasi demokracia Amerikane dhe politika e jashtme e SHBA është dëmtuar nga diplomatë Amerikanë që në komunikimet me shtetet e Ballkanit kanë përcjellë interesat lobiste dhe jo ato Amerikane, duke dëmtuar imazhin dhe interesat e SHBA.

Me këtë rast falenderime Presidentit Trump, falenderime Kongresit dhe Senatit të SHBA.

Ky dokument na i zgjon shpresat e bazuara tek Amerika e ëndrrave, e lirisë dhe demokracisë – jo vetëm për Euro-Atlantizmin por edhe për vendet që vuajnë nën tiranë dhe nën tirani apo janë nën sulme pushtuese si Ukraina, pjesa jonë e Europes.

SHBA-ja kërkon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë

BIRN: Përtej korrupsionit në tendera, kapja e AKSHI-t nga interesa kriminale rrezikon sigurinë kombëtare

Hetimi i Prokurorisë së Posaçme për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal në drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, ka rikthyer në vëmendje një debat që shkon përtej korrupsionit në tendera dhe prek drejtpërdrejt sigurinë kombëtare që lidhet me infrastrukturën kritike dixhitale.

 

Prokuroria e Posaçme njoftoi të martën për goditjen e një grupi të dyshuar kriminal në krye të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, duke vendosur 8 persona nën akuzë për një seri veprash penale, mes të cilëve edhe drejtoreshën e kësaj Agjencie, Mirlinda Karçanaj.

Sipas hetimit, Ergys Agasi, një personazh kontrovers dhe biznesmeni Ermal Beqiraj krijuan një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderave të AKSHI-it, duke përdorur dhunë dhe pengmarrje. Ndërsa Agasi dhe Beqiraj I shpëtuan arrestimit, janë nën masën arrest shtëpie si pjesë e këtij grupi kriminal dy krerët e kësaj agjencie, drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe zv.drejtoresha Hava Delibashi.

Ngjarja ka ngritur shqetësime për cënim të Sigurisë Kombëtare, pasi kjo agjenci është një prej institucioneve më sensitive në vend.

AKSHI menaxhon thuajse të gjithë sistemin e qeverisjes digjitale përmes E-Albania, përfshi dhe të ashtuquajtën ministrja “Diella” e krijuar me Inteligjencë Artificiale. AKSHI menaxhon sisteme dhe të dhëna që konsiderohen pjesë e infrastrukturës kritike kombëtare, çka e bën funksionimin e këtij institucioni një provë lakmusi për stabilitetin dhe besueshmërinë e administratës publike. Në këtë aspekt, ndikimi I punës së agjencisë nga një grup kriminal ka ngritur shqetësime mbi kufirin mes korrupsionit administrativ dhe cenimit të Sigurisë Kombëtare.

Sipas ekspertëve të sigurisë, kur një institucion që administron infrastrukturë digjitale kritike kapet nga interesa kriminale, shteti humbet kontrollin mbi informacionin që garanton funksionimin, vendimmarrjen dhe sigurinë e tij.

“AKSHI është një institucion që menaxhon infrastrukturën digjitale kritike të vendit dhe, për këtë arsye, çdo devijim serioz në mënyrën se si funksionon ai përbën rrezik për sigurinë kombëtare,” tha Arjan Dyrmishi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.

“Fakti që drejtues të kësaj agjencie dyshohen se kanë bashkëpunuar me një grup të strukturuar kriminal, duke manipuluar procedura prokurimi dhe duke përdorur dhunë për të ndikuar rezultatet, tregon që është vënë në rrezik jo vetëm integriteti i tenderëve, por vetë integriteti dhe sovraniteti digjital i shtetit,” theksoi ai.

Rreziku merr një dimension edhe më konkret në këndvështrimin e ish-kreut të Forcës Detare, Artur Meçollari, i cili thotë se të dhënat kritike që përpunon AKSHI mund të jenë sot në duart e kompanive që kanë mirëmbajtur sistemet duke fituar tenderat, të cilët, nga hetimi, dalin se janë diktuar nga një grupi kriminal.

“Një nga filtrat, i cili pengon rënien në dorë të këtyre të dhënave të grupeve kriminale është besueshmëria e kompanive kontraktore që garanton AKSHI,” tha Meçollari për BIRN, duke shtuar se “nëse këto kompani, të cilat janë nën akuzë nga Prokuroria si grup i strukturuar kriminal, kanë qenë të pajisur me çertifikatë sigurie nga DSIK, çështja është edhe më e rëndë, pasi vë në diskutim të gjithë sistemin e sigurisë kombëtare”.

AKSHI konsiderohet infrastrukturë kritike kombëtare për shkak të informacionit që zotëron dhe përpunon dhe kjo është arsyeja, sipas Meçollarit, që një pjesë e procedurave tenderuese janë klasifikuar si sekrete.

“Zotërimi nga grupet kriminale i këtyre të dhënave krijon mundësi për tregtimin e tyre në tregun e zi për qëllime përfitimi dhe që mund të bien në duart e grupeve kriminale ndërkombëtare ose shteteve jo dashamirëse apo armike të Shqipërisë,” paralajmëroi më tej ai.

Ekspertët besojnë se korrupsioni në tenderat publikë në një agjenci të tillë shtetërore është një indicie e drejtpërdrejtë për cënimin e sigurisë kombëtare, një akt që ka treguar se institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e saj nuk kanë reaguar në kohë ose janë kompromentuar.

Sipas Dyrmishit, rasti ekspozon dobësi serioze strukturore brenda AKSHI-t; një dështim të thellë të kontrollit dhe mbikëqyrjes; mungesë kontrolli efektiv mbi drejtuesit dhe mekanizma të brishtë dhe lehtësisht të manipulueshëm të prokurimeve publike. Përdorimi i dhunës “ për t’u mbyllur gojën atyre që dalin kundër”, e bën sipas Dyrmishit edhe më të rrezikshme situatën.

“Në një institucion të tillë që menaxhon sisteme kritike, kjo klimë frike e bën sigurinë operacionale jo funksionale, pasiqë vendimet merren për të garantuar funksionimin e skemës kriminale, jo për të mbrojtur shërbimet dhe të dhënat shtetërore,” tha Dyrmishi.

Rezultatet e hetimeve të deritanishme, sipas Dyrmishit, tregojnë se depërtimi i krimit të organizuar në drejtimin e institucionit ka sjellë pasoja që nuk janë vetëm ligjore apo morale, por kanë prekur drejtpërdrejt funksionimin e shtetit, besimin e qytetarëve dhe sigurinë kombëtare në kuptimin e saj modern: garantimin e sovranitetit, mirëqenien dhe stabilitetin e vendit.

Për ish-drejtuesin e Forcave Detare, Meçollari, rasti ngre gjithashtu pikëpyetje për funksionimin e institucioneve të tjera, kur sipas tij, fakti që hetimi është iniciuar dhe çuar përpara nga SPAK “tregon se hallka të tjera të sistemit të sigurisë kombëtare nuk kanë funksionuar siç duhet, si SHISH, DSIK, Policia Kriminale, etj”.

“Pasiviteti i shtetit në çështje të tilla sensitive për të dhënat personale të qytetarëve, të dhënat e biznesit dhe sigurisë kombëtare, ka inkurajuar shkelësit e ligjit të jenë të pacënueshëm dhe të veprojnë lirshëm në bashkëpunim me elementët e korruptuar brenda sistemit. SPAK-u e bëri detyrën dhe shumë mirë,” shtoi më tej Meçollari.

Hetimet për tenderat e AKSHI-it duket se do të testojnë kufijtë mes përgjegjësisë penale, dështimeve institucionale dhe debatit politik mbi mekanizmat shtetërorë që duhet të garantojnë të dhënat jetike të qytetarëve dhe ato shtetërore.

Mazhoranca është mjaftuar me përshëndetjen e aksionit të SPAK pa marrë përgjegjësi dhe akte llogaridhënie. “Unë gëzohem sa herë që SPAK-u realizon operacione,” deklaroi të enjten për mediat kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Por për opozitën, ngjarja nuk mund të kalojë si një aksion rutinë i Prokurorisë, por duhet të shërbejë për një llogaridhënie dhe nxjerrje të përgjegjësive për institucionet shtetërore që duhet të garantojnë sigurinë e vendit.

“Siguria kombëtare ka rënë, jo thjesht kompromentuar,” tha Erald Kapri, anëtar i komisionit parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen si përfaqësues i Partisë Mundësia

Ai sugjeron që deputetët e opozitës në këtë komision të kërkojnë seancë dëgjimore urgjente me Shërbimin Informativ Shtetëror, Ministren e Brendshme, ndërsa konsideron të nevojshme thirrjen e Këshillit për Sigurinë Kombëtare si dhe pezullimin e çdo veprimtarie nga personat nën akuzë.

“Ende ka procedura të hapura tenderimi nga AKSHI, çka flet qartë për kaosin qeveritar dhe drejtuesit e akuzuar janë ende në detyrë,” i tha Kapri BIRN, duke shtuar se ai deputet do të këmbëngulë në ndërhyrjen e partnerëve ndërkombëtarë, NATO dhe BE.

“Që të marrim garanci nga partnerët, pasi qeveria e ka humbur besueshmërinë,” thekon ai.

Edhe Klevis Balliu, deputet I Partisë Demokratike dhe anëtar i komisionit parlamentar që merret me çështje të sigurisë kombëtare, e quan rastin si alarmant dhe “cënim të rëndë të sigurisë kombëtare”.

“Kur një institucion kaq kritik shndërrohet në mjet shërbimi për kartele kriminalë dhe interesa familjare të pushtetit, atëherë rrezikohen drejtpërdrejt siguria shtetërore, ekonomike dhe personale e qytetarëve,” tha Balliu për BIRN, duke shtuar se “përballë kësaj situate, opozita do të veprojë me të gjitha mjetet kushtetuese dhe parlamentare për të rikthyer ligjshmërinë dhe përgjegjësinë”./BIRN

CNN: Kuvendi i Shqipërisë përfshihet nga protestat, opozita përleshet për akuzat për korrupsion kundër zv/kryeministres Belinda Balluku

Media amerikane e njohur CNN, ka publikuar pamje nga seanca e së enjtes, ku deputetët e opozitës protestuan kundër mbrojtjes që mazhoranca po i bën zv/kryeministres së akuzuar për korrupsion, Belinda Balluku.

“Një protestë shpërtheu brenda parlamentit të Shqipërisë, ndërsa ligjvënësit e opozitës u përleshën për akuzat për korrupsion kundër zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila i ka quajtur akuzat “shpifje, insinuata, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”, shkruan CNN. bw

Kol Balla kërcënon Ramën: Nga Belinda do shkojnë tek Linda

 

Ish-bashkëshorti i Belinda Ballukut, gazetari Sokol Balla, i njohur si megafon i Edi Ramës ka kërcënuar mbrëmjen e djeshme (18 dhjetor) në një editorial në hyrje të emisionit të tij drejtpërdrejt Edi Ramën se, nëse lëshon Belindën, do të të vijmë tek Linda.

Pavarësisht se ish-bashkëshorti i Belinda Ballukut mundohet të mbulojë mesazhin e tij me SPAK apo me opozitën e Sali Berishës, përfshirja e Linda Ramës, madje edhe me foto, me ish-gruan e tij dhe Milinda Kërçanajn e AKSHI-t, tregon qartësisht se Koli ka kërcënuar drejtpërdrejt Edi Ramën.

Mesazhi i Kol Ballës është i qartë dhe i drejtpërdrejtë për Ramën: Nëse e lëshon Belindën, ajo do ta orientojë SPAK-un për tek Linda dhe ti. Madje ai le të kuptohet se jo vetëm Belinda, por edhe Koli vetë do të flasë më shumë.

Dhe si për t’ia bërë më të qartë këtë Edi Ramës i ka përmendur botuesin e shqiptarja.com dhe Report Tv, Carlo Bollino, i cili del edhe në përgjimet e dosjes Balluku ku përmes personave të tretë kërkon paratë që i ka dhënë Belinda me udhër të Ramës. Koli në editorial shpreh mërzinë që edhe Carlo që ka marrë para nga Belinda me urdhër të Ramës, tani i kërkon dorëheqjen asaj.

Editoriali i fundit i Kol Ballës të enjten në mbrëmje tregon qartë se lufta mes ortakëve që kanë ndarë paratë e shqiptarëve po bëhet tepër agresive dhe tashmë ka dalë në sipërfaqe. Askush nuk po fshihet më në kampin e rilindjes.

Pjesë nga kërcënimi publik i Kol Ballës ndaj Ramës:

“Prokuroria i shpalli të martën një luftë frontale grave. Ndoshta nga frustrimi se me burrat nuk i ecën, prokurorët special u morën një ditë më parë me dy zonja, të dyja me emër të përafërt. Bile po t’i besosh Sali Berishës, SPAK po niset të kapet edhe me Lindën e tretë.

Por përtej batutave, SPAK të martën ndërmori një aksion të pastër politik. Për ta shpjeguar këtë argument, e dha po vetë, duke nisur nga rasti i Balluku. Për zëvendëskryeministren kërkoi një masë më të rëndë sigurie, një muaj pasi thjesht e pezulloi përkohësisht nga detyra. Nga 1 nëntori e deri dje, Balluku rrinte në shtëpi. U kthye në punë të hënën pas vendimit të Kushtetueses.

Pra, përse SPAK kërkoi një masë më të rëndë kur nuk ishte ndryshuar diçka? Pra, vendimi erdhi si reagim ndaj Gjykatës Kushtetuese, ku padinë nuk e bëri Balluku, por Edi Rama. Edhe Berisha po thotë se pas goditjes së Lindës së AKSHI-t, është Linda Rama. Pra SPAK e ka me Edi Ramën.

Dhe nëse e ka me kryeministrin, sigurisht që sfida e këtyre prokurorëve është me shtetin, me Gjykatën Kushtetuese, me qeverinë dhe tashmë edhe me parlamentin. Kjo është një përballje serioze e cila premton luftë, sigurisht një luftë që nuk e dëshiron askush.”- thotë megafoni, deri dje, më i zellshmi pro Edi Ramës e pro SPAK.

Tani mbetet për t’u parë nëse në editorialin e radhës Kol Balla do të jetë qetësuar, pasi dihet që Edi Rama ka mekanizma të shumtë “qetësues” për zarat e tij, apo Koli do vijojë me kërcënime edhe më të forta./Syri.net

SHBA sanksionon anëtarët e familjes së Nicolas Maduro! Rubio: Bashkëpunon me terroristë dhe krimin e organizuar

Shtetet e Bashkuara vendosën të premten sanksione ndaj anëtarëve të familjes dhe bashkëpunëtorëve të Nicolas Maduros dhe gruas së tij, ndërsa Uashingtoni rrit presionin mbi presidentin venezuelian.

Departamenti i Thesarit i SHBA-së tha në një deklaratë se vendosi sanksione ndaj shtatë personave që tha se ishin të lidhur me Maduron dhe gruan e tij, pasi Sekretari i Thesarit Scott Bessent i akuzoi ata se “mbështesin narkoshtetin mashtrues të Nicolás Maduros”.

“Ne nuk do të lejojmë që Venezuela të vazhdojë ta përmbytë kombin tonë me droga vdekjeprurëse”, tha Bessent në një deklaratë.

“Maduro dhe bashkëpunëtorët e tij kriminelë kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e hemisferës sonë. Administrata Trump do të vazhdojë të shënjestrojë rrjetet që mbështesin diktaturën e tij të paligjshme.”

Ministria e informacionit e Venezuelës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, raporton Reuters.

Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka kritikuar ashpër regjimin e presidentit venezuelian Nicolás Maduro, duke e akuzuar për refuzim të bashkëpunimit me ushtrinë e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër narko-terrorizmit.

Gjatë një deklarate publike, Rubio tha se ekziston vetëm një regjim që nuk bashkëpunon me SHBA-të, në këtë betejë globale. “Ka një vend që nuk bashkëpunon dhe ai është regjimi ilegjitim në Venezuelë. Jo vetëm që nuk bashkëpunon me ne, por ai bashkëpunon hapur me terroristë dhe elementë kriminalë,” u shpreh Sekretari i Shtetit.

Sipas Rubio-s, mungesa e bashkëpunimit nga Karakasi zyrtar, përbën një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, duke lejuar që rrjetet e trafikut të drogës dhe grupet kriminale të veprojnë lirshëm.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur administrata amerikane po shton presionin diplomatik ndaj regjimit të Maduro-s, të cilin Uashingtoni e konsideron të paligjshëm, duke e akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe lidhje me krimin e organizuar.

Maduro dhe qeveria e tij kanë mohuar me forcë lidhjet me krimin dhe thonë se SHBA-të po ndjekin ndryshimin e regjimit në mënyrë që të marrin kontrollin e rezervave të mëdha të naftës në Venezuelë.

Ky veprim vjen në një kohë kur Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shtuar presionin mbi Maduron, duke bërë fushatë për rrëzimin e tij dhe duke ekzekutuar një grumbullim ushtarak në shkallë të gjerë në Karaibe.

Administrata Trump ka kryer sulme kundër anijeve të dyshuara për drogë në rajon, ka sekuestruar një cisternë nafte të sanksionuar në brigjet e Venezuelës dhe ka shpallur një “bllokadë” të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.

Trump ka thënë gjithashtu vazhdimisht se sulmet tokësore në Venezuelë do të vijnë së shpejti.

Veprimi i së premtes sanksionoi të afërmit e Carlos Erik Malpica Flores, nipit të gruas së Maduros, i cili sipas SHBA-së ishte i përfshirë në një komplot korrupsioni në kompaninë shtetërore të naftës dhe i cili u sanksionua nga Uashingtoni javën e kaluar.

Nëna e tij, e cila është gjithashtu motra e gruas së Maduros, babai, motra, gruaja dhe vajza e tij u goditën me sanksione të premten.

The Mirror- Jeta e gruas që u shfaq në “kiss cam” gjatë koncertit të Coldplay, nga kërcënimet me vdekje te vendimi brutal i fëmijëve

Gruaja që u përfshi në skandalin e “kiss cam” të Coldplay ka thyer heshtjen e saj, disa muaj pas klipit 16-sekondësh që u bë viral dhe i “shkatërroi jetën”.

The Mirror shkruan se, polemika filloi në korrik të vitit 2025, kur një klip i shkurtër nga një shfaqje e Coldplay në Boston tregoi Cabot, atëherë drejtuese e Burimeve Njerëzore në kompaninë teknologjike Astronomer, në krahët e shefit dhe CEO-s së saj të atëhershëm, Andy Byron, në një “kamerë puthjeje” në stadium.

Rastësisht, vokalisti i grupit Chris Martin tha me shaka: “Ose po kanë një aferë ose janë thjesht shumë të turpshëm”. Sapo çifti pa veten në Jumbotron, të dy u larguan – por pamjet shpërthyen në mediat sociale.

Ajo që pasoi ishte një krizë e madhe në kompani, ku si CEO-ja ashtu edhe Cabot dhanë dorëheqjen nga rolet e tyre pasi u zbulua se ishin martuar. Prapa skenave, dy familje mbetën të tronditura nga momenti që bëri bujë në internet.

Ndërsa duket se Andy Bryron është ende i martuar me gruan e tij Megan Kerrigan, Cabot paraqiti kërkesë për divorc vetëm disa javë pas kësaj mosmarrëveshjeje.

Në intervistën e saj të parë që nga skandali, Cabot nuk hezitoi të pranonte rolin e saj në atë që ndodhi. Ajo tha se momenti ishte rezultat i pirjes së “disa High Noons” – një pije alkoolike – dhe vallëzimit me shefin e tyre, një zgjedhje që ajo tani e quan një “vendim të keq”.

“Mora një vendim të keq dhe pata disa momente të vështira… Mora përgjegjësi dhe hoqa dorë nga karriera ime për këtë. Ky është çmimi që zgjodha të paguaj”, tha ajo për The New York Times.

Pasojat ishin të menjëhershme. Cabot dha zyrtarisht dorëheqjen nga roli i saj në Astronomer më 24 korrik 2025, menjëherë pasi incidenti u bë viral dhe shkaktoi një hetim të brendshëm. Byron gjithashtu dha dorëheqjen si CEO pas kësaj polemike.

Duke pranuar me trishtim se ai moment ia kishte shkatërruar jetën, ajo shtoi me mosbesim: “Nuk jam ndonjë personazh i famshëm, jam thjesht një nënë nga New Hampshire. Edhe nëse kam pasur një aferë, nuk është puna e askujt.”

“Ka qenë si një letër e kuqe e ndezur; njerëzit fshinë gjithçka që kisha arritur në jetën time dhe në karrierën time. Kjo nuk mund të jetë fjala e fundit.”

Ajo që filloi si një moment i sikletshëm, por i shkurtër, shpejt u përshkallëzua në një rrëmujë globale me pasoja në botën reale. Cabot tha se ajo dhe familja e saj u përballën me ngacmime të forta në internet, duke përfshirë kërcënime me vdekje dhe doxxing, me disa javë që sollën qindra telefonata të padëshiruara çdo ditë dhe paparacët jashtë shtëpisë së saj.

Ajo zbuloi se shqyrtimi publik ndikoi edhe te fëmijët e saj, të cilët ngurronin të shiheshin me të në publik dhe kishin frikë për sigurinë e tyre. Cabot tha se një mesazh zanor – një mesazh kërcënues që fëmijët e saj adoleshentë e dëgjuan rastësisht – shënoi një pikë kthese dhe “atëherë rrotat ranë nga karroca”.

Duke pranuar se ishte në një “vend shumë të errët” për t’u bërë prind, Cabot shkoi në një Airbnb në malet e New Hampshire për disa ditë. Ajo tha: “U bëra një meme, menaxherja më e përgojuar e Burimeve Njerëzore në historinë e Burimeve Njerëzore. Mendoj se si grua, siç bëjnë gjithmonë gratë, pranova pjesën më të madhe të abuzimit. Njerëzit thoshin gjëra të tilla si isha një ‘kërkuese ari’ ose ‘flija deri në majë’, të cilat thjesht nuk mund të ishin më larg realitetit.”

Tani, muaj më vonë, pasi i thanë se është ‘e papunë’, ajo i tha Times se kjo përvojë nuk ka mbaruar. Përveç punës, ajo ka humbur edhe miq, dhe fëmijët e saj janë shumë të turpëruar që ajo t’i çojë në shkollë ose në ngjarje sportive. Ajo tha: “Ata janë të zemëruar me mua. Dhe mund të jenë të zemëruar me mua për gjithë jetën e tyre – duhet ta duroj këtë .”

Përtej kërcënimeve, Cabot ka folur edhe për natyrën gjinore të reagimit – duke ndjerë se ajo mbajti një pjesë disproporcionale të dënimit publik dhe fyerjeve seksiste krahasuar me homologun e saj mashkull, pavarësisht se të dy ishin në një situatë të ngjashme.

Përveç abuzimit të tmerrshëm në internet, ajo tha se nënat ende bëjnë thashetheme për të te porta e shkollës – dhe të huajt bërtasin abuzime të shëmtuara në rrugë.

Cabot kishte kërkuar divorc nga bashkëshorti i saj disa javë pas incidentit, të cilin ajo tha se nuk kishte qenë “asgjë tjetër veçse një zotëri” pas gjithçkaje që kishte ndodhur.

Ajo shpjegoi se ajo dhe Andy zbuluan rreth një muaj para koncertit, tashmë famëkeq, se ishin ndarë nga partnerët e tyre – Kristin nga bashkëshorti i saj Andrew, drejtor ekzekutiv i një distilerie familjare, Privateer Rum, dhe Andrew nga gruaja e tij, Megan, një mësuese shkolle.

Cabot pranoi: “Të kesh dikë tjetër që po e kalonte këtë në të njëjtën kohë me të cilin mund të flasësh ishte një mbështetje e jashtëzakonshme.”

Ajo zbuloi se ndjenjat e saj ndaj shefit të saj shpejt u shndërruan në “një dashuri të madhe dhe të lumtur” – dhe kur shoqet e saj i ofruan dy bileta falas për të parë Coldplay, ajo ia ofroi tjetrën atij.

Ajo zbuloi gjithashtu se natën në fjalë, vajza e saj 14-vjeçare i kishte dërguar një mesazh për ta njoftuar se edhe bashkëshorti i saj i dytë, Andrew, do të ishte atje – duke zbuluar më vonë nga një shoqe se ai ishte atje në një takim të parë.

Kristin vendosi mes pasojave të menjëhershme se donte që fëmijët e saj ta dinin para të tjerëve, por tha se vajza e saj “shpërtheu në lot, duke thënë: ‘Mendoj se kjo do të thotë që vërtet po divorcohesh atëherë ‘”. Ndërsa djali i saj u përpoq ta bindte se e gjithë kjo rrëmujë “ndoshta do të zhdukej”.

Duke përshkruar marrëdhënien e saj në zhvillim e sipër me Byron-in, nëna thotë se kontakti i tyre është zvogëluar që atëherë, pasi ato ranë dakord se komunikimi i kufizuar ishte më i shëndetshëm për të gjithë të përfshirët.

Pavarësisht pengesës profesionale dhe talljes globale, Cabot tha se shpreson që përvoja e saj të shërbejë si një moment mësimor, veçanërisht për fëmijët e saj.

Nëna tha se dëshiron që ata ta kuptojnë se, ndërsa “mund të bësh gabime dhe të gabosh vërtet”, njerëzit nuk duhet të përballen me kërcënime me vdekje ose kërcënime për sigurinë e familjeve të tyre për ato gabime.

Ajo pranoi me lot në sy në intervistën e fuqishme se ka një dëshirë për të ardhmen: “Duhet të jemi më të sjellshëm me njëri-tjetrin, jo ta shkatërrojmë vazhdimisht njëri-tjetrin”. bw

“Kryetari i Degës Jani Naska, me Petro Tasellarin, pasi më lajkatuan se unë isha familje e lidhur me luftën, më propozuan që të fusja në kurth Hysen Mullajn…”- Dëshmia e tropojanit që vuajti 25 vite burg

Nga URIM ELEZI

Urim Elezi, lindur më 18.10.1941 në Floq të Korçës, hyn te të dënuarit dy herë nga regjimi komunist me shumë vite vuajtjeje. Ai u burgos më 26.10.1963 dhe doli që andej më 10.2.1989. hyri në 22 vjeç dhe doli 48 vjeç, madje i verbuar. Në moshën 18-vjeçare kreu shkollën e Instruksionit në Gjirokastër, ku gradohet nënoficer. Në dënimin e parë ishte ushtar në Repartin Nr.9357 Gjirokastër. Herën e parë u akuzua në bazë të nenit 64, në kombinim me nenet 10 e 14 të Kodit Penal. Ishte me shërbim ushtarak, së bashku me shokun e tij Hekuran Shyti, në Gjirokastër. Sipas gjykatës, i kish propozuar Hekuranit të arratiseshin sepse bëhej jetë e mirë në vendet kapitaliste e sidomos në SHBA. Hekurani lirohet më parë nga ushtria dhe gjatë kësaj kohe gjen personat e tjerë, me të cilët do kryenin arratisjen. Hekurani i nis një telegram Urimit në Gjirokastër, me kërkesën që të të niset se nëna ishte sëmurë.

Kësisoj Urimi bashkohet me shokët e tij, Hekuran Shyti, Durim Shyti dhe Robert Morava. Të pa orientuar mirë, të spiunuar nga një banori i zonës, ata u kapën nga forcat e kufirit në postën kufitare të Nikolicës në rrethin e Korçës. Gjykata Ushtarake Tiranë me vendimin nr.21, datë 27.2.1964, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 18 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë, heqjen e të drejtës zgjedhore për 4 vjet dhe të gradës së rreshterit.

U la në fuqi me vendimin nr.23, datë 31.3.1964 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. Për herë të dytë u arrestua më 19.2.1980. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal me artikulime shumë rënduese. Dega e Punëve të Brendshme Fier, me shkresën nr.112, datë 15.1.1980, i kërkoi Drejtorisë së Hetuesisë miratimin e arrestimeve për tre shtetas, midis të cilët edhe i përmenduri Urim Elezi. Ishte marrë në përpunim aktiv më 17.5.1979 se zhvillonte propagandë në radhët e të dënuarve.

Raportonin për të “I penduari” dhe “Tekniku”. Për të thuhej të ishte shprehur: “Sigurimi i ka lyer duart me gjakun e këtij populli. Kanë bërë krimet më të shëmtuara që mund të ketë në histori, Sigurimi është sjellë me popullin dhe me njerëzit, më keq se ç’janë sjellë fashistët dhe nazistët..! Nuk ka më të poshtër se komunistët. Unë quaj komunistë të gjithë ata që kanë yllin në ballë si një domate, pavarësisht nëse besojnë mjekrën e Marksit apo mustaqet e Stalinit…! Krimet më monstruoze në Shqipëri, janë bërë në kohën kur kanë ardhur në fuqi komunistët…Jeta te ne është burg”.

Gjykata e Rrethit Fier e drejtuar nga Sokrat Dautaj, me pjesëmarrjen e prokurorit Kiço Koçi, me vendimin nr.94, datë 18.4.1980, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie, si dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. I bindur në kotësinë e vendimeve komuniste, Urim Elezi nuk e ankimoi vendimin. Pasi i kishte dërguar një letër Enver Hoxhës, ku e cilësonte “përbindësh të pangjyrë, të sëmurë me mani persekutimi”, më 6.12.1981, u rrah nga policët e Burgut të Burrelit, deri sa u verbua. U lirua më 10.2.1989, nga Reparti nr.305 Përparim i rrethit të Sarandës.

Vijon nga numri i kaluar

Nuk di si ta shpjegoj si jam ndjerë pasi dëgjova këtë fjalë të Rizait. Truri im i kalonte torturat më shpejt sesa shiriti i filmave dhe me zhurmë si karrocat me kuaj…!

Sërish në Degën Punëve të Brendshme Korçë

Ashtu si më pat lajmëruar Rizai, ditën e nesërme, për sa më kujtohet 3-4 janar 1964, më thërret koloneli, kryetari i Degës, Jani Naska.

-“Do të vijnë nga Tirana, ndaj hiq dorë nga ato që ke thënë për udhëheqësin…! Thuaj që kur i kam thënë ato fjalë më përpara, nuk kam qenë i vetëdijshëm”. Vijnë nga mezi i asaj dite, dy të dërguar të Partisë, të cilët i shoqëronte Petro Tasellari. Të dërguarit e Partisë, pasi nisin bisedën me fjalë të bukura të tipit; “ti i vlen Partisë, je familje e nderuar veterane, etj.” përfundojnë me një ofertë të qelbur.

Ashtu siç vërtet ata e realizojnë mirë…të fusja në kurth Hysen Mullajn, për të cilin ata nuk e di mbi ç’baza pretendonin që e kisha dajo, por, në të vërtetë, unë kam dajo Alizot Zyfer Floqi. Adresa në Usa: PO. BOT 375 MASLOW, OHIO, USA, (aty ku doja të shkoja)”.

Në këtë moment ata të Tiranës, shihen ndër sy me Petro Tasellarin e vazhdojnë bisedën e tyre: -“ne të falëm jetën. Ti s’ke deponuar kështu. Ke thënë që do vije tek dajo Hysen Mullaj”. Kjo ishte një lojë e radhës së tyre, sepse unë këtë gjë nuk e kisha thënë, për vetë faktin se në të vërtetë unë atë se kisha dajo. Petro Tasellari hap çantën e më nxjerr para syve disa karta. Më pyet:- “është firma tënde kjo”? “Po-i them, pasi e shikoj. Firma ime është”. – “E mban mend çfarë ke deponuar këtu”?

– “Po, kanë kaluar dy muaj e pak, nuk e di unë çfarë kam firmosur”. (Shihen përsëri në sy)- “Ke firmosur që Hysen Mullaj është dajoja tënd dhe se ti do të shkoje tek ai”!

– “Jo, unë do vija tek dajoja im, Alizoti, këtë nuk e njoh”. (Dëgjoj që mërmëritën me njëri-tjetrin. bisedën nuk e dëgjova tamam, por dy emra i dëgjova të qartë, Ago Sinën dhe një tjetër Jani, jo Jani Naska, sepse thane kapiten (Jani, Jani Naska qe kolonel). Duke mburrur prindërit e mi dhe dy vëllezërit e mi, Avdylin dhe Myzaferrin, për të shpresuar për ndonjë rezultat tjetër, thërrasin Hodon, oficerin e rojës për të më marrë. Që prej asaj dite nuk torturohesha si herët e tjera dhe për të më shoqëruar diku, më merrte vetëm kapiten Riza Shehu.

Veç kësaj, as batanije apo kapot, nuk më hidhnin gjatë rrugës. Të nesërmen në mëngjes vjen vetë Rizai, deri tek shkallët e Hetuesisë e më çon në kat të dytë, të një prej pallacinave të Hetuesisë. Diku nga mesi i shkallëve, më kap fort përkrahu dhe më pëshpërit afër fare veshit: -“Hëmo Urim, jepi tani ec, se ta shpëtuam kokën”… Unë, fare i këputur…!

Aty, më fut në zyrën e tij dhe sa hyra aty, ajri qe shumë i rëndë, pasi zjarri bubullinte me të madhe. Rizai më ul në një karrige prej druri, jo prej hekuri siç më ulnin zakonisht. I gjendur mes nxehtësisë së dhomës, fillova të lëvizja sa andej këtej në karrige, sepse nuk po duroja dot më.

–“Hë mo Urim ç’ke që lëviz, se mos bësh ndonjë marrëzi? Të thashë, s’do bëjmë raketa jo”.– “Kam shumë vapë, plasa”, – i them. Siç isha në karrige, më largon nga pori e më afron pranë derës. Gjithashtu le dhe pak derën hapur. – “Mirë je tani Urim”?

– “Eee, mirë jam” – ia kthej unë. Hoqi këpucët dhe po i ngrohte këmbët. Thembra e çorapit të njërës këmbë i kishte dalë fare.

– “Hë mo Urim, pse nuk more me vete e disa të tjerë, të ma mbushje b***n mirë. Pesëdhjetë mijë mora nga ty. Myqka po më sjell çfarë dua edhe nga Shkodra”… etj etj (fjalë aventureske). “Rri ti tani këtu! Plak do të dalësh që këtu”! (kur më tha kështu, ashtu ulur në karrige, lotët më ranë nga fytyra në prehër e, sytë menjëherë më vajtën tek thembra që i kishte dalë).

– “Ti, jo 40-50 mijë të marrësh, po botën e tërë të kesh (ja tregoj me gisht), thembra e këmbës ka për të të dalë si patate Devolli…”! (Iu drodh mjekra dhe u zverdh në fytyrë; hapën sirtarin e tavolinës së tij të punës, aty kishte të mbështjellë në një gazetë pak bukë, djathë dhe ullinj).

– “Haji këto”, – thotë Rizai. – “Jo – i them unë. Po do vërtet që unë t’i ha këto, m’i jep siç më dhe pllakën e bukës e marmelatën. Këtu nuk e ha”.

– “Haje, se nuk të helmojmë. Tani do të të lejojmë dhe ushqimet. Kemi lajmëruar familjen që të të dërgojë rroba dhe ushqime”. Thërret oficerin e rojës: – “Hajde merre këtë, e sill 15-tën”! Më çon oficeri i rojës në qeli. (Pas vendimit të gjyqit, kur u takuam në burg, mora vesh që 15-ta qe Hekurani. Aty, Rizai i paskësh thënë Hekuranit, duke i treguar thembrën: – “Si të duket kjo”?

– “Po ja, është e grisur”, – ia kishte kthyer ai. Ai ngrihet i tërbuar, shkon mbrapa dosjeve, nxjerr shkopin prej thane dhe i hyn në dru. – “Nuk duket si patate Devolli”? e pyet Rizai përsëri. – “Jo”, – përgjigjet Hekurani.

– “Vërtet? Se kështu më tha ai shoku yt, Urimi”. (Hekuranit, Rizai i paskësh thënë, që ç’të bënte se kishte urdhër, pa do të na vriste të dyve me duart e tij). Prej asaj dite, nuk më fyen më! Brenda javës, më vijnë rrobat e fjetjes dhe ushqimet. Ama, polici nuk më lejonte ta haja në birucë të gjithë pllakën e bukës. Nuk lejohej më tepër se 2-3 kg ushqime në pesëmbëdhjetë ditë.

Dalja në gjyq, dënimi

Në datën 26 shkurt 1964, lajmërohemi që do të dalim në gjyq. Ato ditë edhe pse nuk kishim mjekër se ishim çunakë, na ruanin njëherë në javë. Mëngjesin e 26 shkurtit, vjen Demka (egjiptian), përgjegjës i birucave. (Demka, së bashku me policinë birucave, Halitin e Sanijes, i thoshin, ishin njerëzit më të këqij, më xhahilët, më të pashpirtët, më provokatorët).

Hapet dera, unë si gjithmonë ngrihem në këmbë, se ashtu duhej e Demka shpirt katrani, me hekurat që i vërtiste nëpër duar, më thotë me një tallje të paparë ndonjëherë: – “Hajde, hajde këtu e ktheji duart mbrapa, se do rruheeesh”!

Mbështetur në mur, pasi vë dorën në mjekër, ia kthej:- “po unë s’kam mjekër”! – “Hajde, hajde, se na ndot litarkën. Duhet të jesh i rrojtur kur të të vemë litarkën në fyt”. (Shtanga i brengosur, mbahem fort pas murit; sesi nuk më pushoi zemra se di. Se kuptoja ç’po ndodhte sepse kishte dy muaj që Rizai më pohonte vazhdimisht, që ma kishin shpëtuar kokën dhe se më tepër se 20 vjet, nuk do dënohesha.

– “Ke provim sottttt”!!!: tha xhahil Demka, duke qeshur! Në këtë kohë vjen Haliti, roja i birucave, i cili fliste me hundë: – “Pse nuk vjen 20-ta”?! – “Është mbështetur në mur e s’po ndihet, se u tremb nga litarka që do i vihet në fyt”, -thotë Demka. –“Hajde, hajde”, – më thotë Haliti. Dal pa vetëdije deri tek dera e birucës.

Më urdhërojnë t’i kthej duart mbrapa. Gjithmonë i kisha kthyer duart mbrapa, por atë ditë ngriva. Të dy m’i marrin duart me forcë e mi kthejnë mbrapa. Duke më shtyrë më çojnë tek berberi. Hodoja që rrinte gjithmonë në karrike me libër në dorë, aty ku rruheshim u bërtet; “ç’po bëni”?!

Haliti i thotë duke u zgërdhirë: – “Ja, i mbushi brekët ky, se ka hall që unë do rri të pastroj kallashin që do më ndotë”! Hodoja në këtë moment më kap mua përkrahu e urdhëron Halitin: -“Shpejt, ikë më prit ne kryetari”. Pasi u rrojta më futin përsëri në birucë. Pas 10-15 minutash Hodoja urdhëron:- “Shpejt, nxirreni 20-tën”. Në shkallët, më merr përkrahu me një tjetër, një që quhej Rexhep e, të dy më çojnë tek makina e madhe që më priste në sheshin e Degës. Vë këmbën në karrigen pranë derës së makinës e, të dy këta më shtyjnë për të hyrë brenda.

Kur hyj brenda në makinë, shikoj Halitin e Sanijes me një pushkë/automatik në dorë krekosur. Ngjitur me Halitin, përtokë shoh Durimin. Klith Durimi me të madhe: – “ç’je bërë kështu more”?! –“Nuk të pushkatojnë o jo”!

Në atë çast Haliti i Sanijes, i matet me qytë për t’i rënë. – “Durim, të lutem mos fol, se do të të bjerë”!- i them unë. – “Nuk më bie o Urim, jo. Le ta provojë të më godasë. Atë dua unë. Do dalim në gjyq e, s’na prek njeri sot”. – “Ëëëë, e ditke ti. E paske dhënë provimin njëherë”! – “E kam dhënë, ndaj bjer ti”!

Durimi, fill pasi më lëshojnë dhe mua përtokë, sjellin Hekuranin e Robertin. Rrugës për në gjyq, që të katërve na vendosën në pozicione të tilla, që të mos shikonim njëri-tjetrin. Përpara me një tjetër, qe hetuesi Riza Shehu, ndërsa me ne ishin 10-12 policë në këmbë, dikush me pushkë e dikush me automatik.

Mbërrijmë në Gjykatë, në të cilën hyjmë nga dalja para Gjykatës Ushtarake, në Korçë. Shoqërohej çdonjëri prej nesh nga dy policë. I pari zbres unë e mbas meje Durimi. Sa hyn pas meje Durimi, në sallën që ishte bosh, bërtet një grua me duar të vendosura poshtë gjoksit, e cila i drejtohet gruas tjetër: -“Bobo, sa të rinj që qenkan të shkretët, ashtu siç më the ti”!

Në sallë ndodheshin vetëm tre gra, nëpunëse të Gjykatës Ushtarake Tiranë, ku njëra prej tyre rrinte kokulur. Qe e shoqja e Kolonel Mit‟hat Goskovës, kryetar i Gjykatës Ushtarake Tiranë, që kishte të bënte me Hekuranin dhe Durimin: e mora vesh këtë gjë, pasi ma tha Hekurani në burg. Ora ishte rreth 9.00-10.00. Në sallën e gjyqit hyjnë familjarët tanë.

Nga ana ime ishte Hilmi Elezi, kushëriri im i dytë, i cili pas dënimit erdhi na takoi në burg dhe na solli nga një llokume për secilin që u arratis. Ai sot gjendet në Amerikë. Nga ana ime, ishte dhe Petrit Cangonji, burri i çupës së hallos. Nga ana e Hekuranit, Robertit dhe Durimit, erdhën familjet e tyre.

Hyn trupi gjykues në sallë, me kolonel Mit’hat Goskovën kryetar i Gjykatës Ushtarake Tiranë, anëtar major Nasi Joga. Prokuror ishte nënkolonel Anastas Koroveshi. Gjoja avokat i imi dhe Hekuranit, ishte Andon Napuçe. Nga mëngjesi deri në darkë në orën 8, u bënë dy ditë gjyq.

AKT-AKUZA: krim dhe tradhti e lartë ndaj Atdheut, duke tentuar të arratisen për në Greqi, krim i parashikuar në nenin 64-10-13 të Kodit Penal; (deri në 4-janar 1964 përfshinte 4 nene me vdekje: Neni 1; dezertim nga ushtria; Neni 2; shkelje e betimit të shkollës së Zbulim-Kundërzbulimit; Neni 3; tradhti e lartë ndaj Atdheut dhe nxjerrje sekreti; Neni 4; kryetar grupi. Pas datës 4 janar u vendos përsëri neni 64, i shoqëruar me nene zbutëse dhe u la vetëm tradhti e lartë ndaj Atdheut).

Megjithëse, në gjyqet në grup të diktaturës, të akuzuarit “thirreshin” me njëri-tjetrin, me ne lavdi Zotit, ishte një gjyq krejt i veçantë, sidomos deponimet e mia dhe të Hekuranit, që ishin në mbrojtje të njëri-tjetrit!

Dëshmitari i parë:

… Komandanti i postës që na arrestoi bashkë me ushtarët, për çudi në sallën e gjyqit, herë na shikonte ne dhe herë trupin gjykues. Kjo e hutoi gjatë, saqë na ra në sy të gjithëve, aq sa kryetari i trupit gjykues i tërheq vëmendje dhe i thotë: – “Mos u kthe me kurriz nga ne ti, kthehu me fytyrë nga ne, jo nga të pandehurit”. Me një keqardhje të madhe që shprehej si në mimikë ashtu dhe në veprimet e tij, dëshmon para trupit gjykues të vërtetën që ndodhi atë natë.

Dëshmitari i dytë:

Esat firauni u paraqit në sallën e gjyqit si hero. Fliste paditur seç theshte, duke shprehur ligësi: -“porsa i pashë, vigjilova, vigjilova, vigjilova pas tyre dhe me vrap ika në Postë i denoncova”. Pa e pyetur kryetari i trupit gjykues, ai po vazhdonte pa pushim: “vigjilova, vigjilova” dhe tregon me gisht nga Roberti: -“ky, më kapi torbën e deshte të më merrte bukën me zor. Unë ju mata me sëpatë dhe e urdhërova ta lëshonte, ndaj ky e lëshoi torbën e bukës”! Në këtë moment Roberti ngrihet pa marrë leje nga trupi gjykues:

– “Çfarë thotë ky?! Njëqind si ky dhe i ati, nuk kanë se çfarë të më bëjnë mua”!

– “Ulu e mos fol pa leje”, – i bërtet Robertit kryetari.

Dëshmitari i tretë:

I ati i Esatit, Shabani me një dorë e një këmbë sakat dhe me një fytyrë të llahtarshme. Në ato ç’ka theshte, dukej që e kishte mësuar ai Esatin. Në datën 27 shkurt 1964, rreth orës 20 merret vendimi. Urim Elezi, dënohet me 20 vite burg, Hekuran Shyti, dënohet me 15 vite burg; Robert Morava, dënohet me 15 vite burg; Durim Shyti, dënohet me 13 vite burg.

…Pasi merret vendimi, të katërt rrimë në burgun e vjetër të Korçës, (sot, materniteti i qytetit) për gati një muaj. Detyrimisht, në qeli të ndara. Gjatë qëndrimit në këtë burg, u njoha me një grup tjetër, me moshë më të re se ne, nga fshati Mborje i Korçës dhe po këta ishin dënuar për tentativë-arratisje: Nevrus Golka, Vasil dhe Janaq Tarusha (këta dy të fundit kushërinj të parë me njëri-tjetrin). Në burgun e Korçës ishin rreth tridhjetë veta të tjerë, disa të dënuar për agjitacion e propagandë e, të tjerë për tentativë-arratisje.

Pas disa ditësh që u vendosa në burgun e Korçës, një polic i pashpirt, kriminel, që vidhte dominotë dhe ushqimet e të burgosurve, i quajtur Fuat, na fut në birucë mua dhe Vasil Tarushën, pa asnjë arsye. Biruca qe me kalldrëm të zi dhe kishte një vrimë lart, për të marrë ajër. Aty qëndrova… s’e di për sa kohë, se më kishte rënë të fikët. Pas rreth një muaj, rreth 17-18 veta, të gjithë të rinj nga burgu i Korçës, na çojnë në kampin e Uzinës së Superfosfatit Laç, për të punuar, mund të them tamam si skllevër.

Aty qëndruam rreth 1 vit e gjysëm. Me thënë të vërtetën, ishte i vetmi kamp pune që ishte ndryshe nga çdo kamp pune, si në ushqime ashtu edhe në sjellje, pavarësisht se unë, Hekurani, Petrit Kruja nga Shkodra, Zijadin Ftera nga Delvina e shumë të tjerë bëmë disa herë dënime në biruca. Këtu, në biruca të lidhnin me hekura dhe dru, por ishte më lehtë se në kampet e tjerë. / Memorie.al

Përfshirja e Shtetit të Kosovës në Ligjin Amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA)- Nga Isuf B. Bajrami

 

Përfshirja e Republikës së Kosovës në Ligjin Amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) për vitin fiskal 2026, duke u bazuar në kuadrin e së drejtës kushtetuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në normat e së drejtës ndërkombëtare publike.

Ky shqyrtim është i orientuar drejt identifikimit të implikimeve juridike, politike dhe ndërkombëtare që rrjedhin nga përfshirja e Kosovës në këtë akt ligjor, duke u fokusuar në çështje kyçe si sovraniteti, integriteti territorial, vetëvendosja legjitime, mosnjohja e situatave të paligjshme dhe pjesëmarrja e Kosovës në arkitekturën e sigurisë kolektive euro-atlantike.

Përfshirja e Kosovës në NDAA nuk është thjesht një akt politik i Kongresit Amerikan, por gjithashtu përfaqëson një shprehje të bindur të vullnetit sovran kushtetues të SHBA-së dhe të përputhjes së saj me normat ndërkombëtare të njohura, duke krijuar një bazë juridike që fuqizon:

1. Statusin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, në përputhje me kriteret e Konventës së Montevideo (1933) për shtetësinë, duke përfshirë territorin e përcaktuar, popullsinë e përhershme, qeverisjen efektive dhe aftësinë për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera.ⁱ Montevideo Convention on the Rights and Duties of States, 1933.

2. Integritetin territorial të Kosovës si normë peremptore (jus cogens) dhe si interes erga omnes të komunitetit ndërkombëtar, të cilat nuk lejojnë devijim dhe garantojnë mbrojtje nga çdo ndryshim i detyruar apo ndërhyrje mbi bazë etnike.ⁱⁱ ICJ, Advisory Opinion, East Timor, ICJ Rep. 1995, p. 102; ICJ, Barcelona Traction, ICJ Rep. 1970, p. 32.

3. Parashikueshmërinë dhe stabilitetin juridik në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke lidhur politikën e jashtme amerikane me detyrimet ndërkombëtare dhe duke krijuar një standard të besueshmërisë ligjore (international legal reliability) për aktorët ndërkombëtarë.

4. Parandalimin e paligjshmërisë dhe mbrojtjen kundër çdo pretendimi separatist që cenon rendin juridik ndërkombëtar, në përputhje me doktrinën e mosnjohjes së situatave të paligjshme sipas Draft-Artikujve të Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare mbi përgjegjësinë e shteteve.ⁱⁱⁱ Draft Articles on Responsibility of States for Internationally Wrongful Acts, ILC, 2001, Arts. 41-42.

5. Integrimin euro-atlantik dhe arkitekturën e sigurisë kolektive, duke vlerësuar të drejtën sovrane të Kosovës për të zgjedhur aleancat e saj politike dhe të sigurisë në përputhje me parimin e autonomisë strategjike të shteteve sovrane dhe me praktikat e sigurisë së pandashme (indivisible security).ⁱⁱⁱⁱ Helsinki Final Act, 1975, Principle of Indivisible Security; NATO Strategic Concept documents.

Ky opinion ka për qëllim të ofrojë një analizë të thelluar juridike dhe ndërkombëtare, duke e lidhur politikën amerikane të mbrojtjes me parimet ligjore globale dhe duke evidentuar efektin normativ, preventiv dhe stabilizues të NDAA për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit. Ai gjithashtu synon të ofrojë një udhërrëfyes për institucionet ndërkombëtare dhe aktorët politikë mbi mënyrën se si përfshirja e Kosovës në aktet ligjore të SHBA-së mund të kontribuojë në konsolidimin e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla, duke forcuar sovranitetin, integritetin territorial dhe stabilitetin rajonal. Në dritën e së drejtës kushtetuese dhe të së drejtës ndërkombëtare publike.

I. Kuadri Normativ

Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (NDAA) për vitin fiskal 2026 është një akt ligjor federal i miratuar në përputhje me Kushtetutën e SHBA-së, që përcakton politika detyruese dhe prioritete strategjike në fushën e mbrojtjes kombëtare dhe sigurisë ndërkombëtare.1.Kushtetuta e SHBA-së, Artikulli I, §8; National Defense Authorization Acts (praktikë ligjore e përgjithshme).

Përfshirja e Republikës së Kosovës brenda këtij kuadri legjislativ vendos politikën amerikane ndaj Kosovës në një strukturë normative dhe kushtetuese, duke i dhënë asaj qëndrueshmëri, siguri juridike dhe vazhdimësi institucionale.

II. Shtetësia dhe Sovraniteti
Brenda NDAA-së, Republika e Kosovës trajtohet si subjekt i së drejtës ndërkombëtare publike, në përputhje me kriteret e përcaktuara në Konventën e Montevideos mbi të Drejtat dhe Detyrimet e Shteteve (1933): territor i përcaktuar, popullsi e përhershme, qeveri efektive dhe aftësi për të hyrë në marrëdhënie me shtete të tjera.2. Konventa e Montevideos mbi të Drejtat dhe Detyrimet e Shteteve, 1933, Art. 1.

Ky trajtim përbën:
• njohje funksionale të sovranitetit të Kosovës;
• afirmim të personalitetit të saj juridik ndërkombëtar; dhe
• përforcim të kapacitetit për veprim brenda rendit juridik ndërkombëtar.

III. Integriteti Territorial dhe Parimi i Uti Possidetis Juris

Kundërshtimi i NDAA-së ndaj ndarjes territoriale, shkëmbimit të territoreve ose ndryshimit të kufijve mbi baza etnike është në përputhje të plotë me:
• parimin e integritetit territorial të shteteve, të sanksionuar në Nenin 2(4) të Kartës së Kombeve të Bashkuara;3. Kartë e Kombeve të Bashkuara, Neni 2(4). dhe
• parimin e uti possidetis juris, i cili ruan kufijtë administrativ ekzistues në momentin e krijimit të shtetit.4. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), Frontier Dispute (Burkina Faso/Mali), Vendim, 1986.
Këto parime konsiderohen pjesë e normave imperative të së drejtës ndërkombëtare (jus cogens), nga të cilat nuk lejohet devijim dhe që përbëjnë shtylla themelore të stabilitetit ndërkombëtar.5. Konventa e Vjenës mbi të Drejtën e Traktateve, 1969, Neni 53.

IV. Ndalimi i Rikonfigurimit Territorial mbi Baza Etnike
Refuzimi i NDAA-së për ndryshime territoriale mbi baza etnike përputhet me ndalimin ndërkombëtar të praktikave që cenojnë:
• barazinë sovrane të shteteve;
• të drejtat themelore të njeriut; dhe
• parimin e mosdiskriminimit.6. Kartë e OKB-së, Nenet 1(2), 2(1).
Ky ndalim pasqyron mësimet e nxjerra nga përvoja historike e Ballkanit Perëndimor dhe shërben si mekanizëm juridik parandalues kundër konflikteve të rinovuara, pastrimeve etnike dhe destabilizimit rajonal.7. Jurisprudenca e ICTY-së; Rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi pastrime etnike.

V. Zgjidhja Paqësore e Mosmarrëveshjeve
NDAA riafirmon parimin e zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me:
Nenin 2(3) të Kartës së OKB-së;8. Kartë e OKB-së, Neni 2(3).
• ndalimin e kërcënimit ose përdorimit të forcës; dhe
• praktikën diplomatike ndërkombëtare të konsoliduar.
Brenda këtij kuadri, dialogu Kosovë–Serbi duhet të zhvillohet duke respektuar:
• sovranitetin e Republikës së Kosovës;
• barazinë juridike të palëve; dhe
• interesin erga omnes të komunitetit ndërkombëtar për paqe dhe stabilitet rajonal.9. GJND, East Timor (Portugal v. Australia), Vendim, 1995.

VI. Mosndërhyrja dhe Kundërveprimi ndaj Ndikimeve Destabilizuese

Dispozitat që autorizojnë masa kundër ndikimeve destabilizuese të palëve të treta janë në përputhje me:
• parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve;10. GJND, Nicaragua v. United States, Vendim, 1986.
• të drejtën e shteteve për të marrë pjesë në mekanizma të sigurisë kolektive; dhe
• ruajtjen e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Në këtë kontekst, Kosova njihet si komponent përbërës i sigurisë kolektive euro-atlantike.

VII. Integrimi Euro-Atlantik si Shprehje e Zgjedhjes Sovrane
Mbështetja për integrimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian përfaqëson ushtrim të të drejtës sovrane të shtetit për të përcaktuar orientimin politik dhe të sigurisë, në përputhje me:
• Aktin Final të Helsinkit (1975);11. Konferenca mbi Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, Akti Final i Helsinkit, 1975.
• parimin e vetëvendosjes së brendshme; dhe
• autonominë strategjike të shteteve sovrane.

VIII. Efekti Juridik Ndërkombëtar (Opinio Juris)
Përfshirja e Kosovës në NDAA përbën shprehje të qartë të opinio juris të Shteteve të Bashkuara në favor të:
• shtetësisë së Republikës së Kosovës;
• paprekshmërisë së integritetit territorial; dhe
• mosndryshimit të kufijve me forcë ose mbi baza etnike.12. GJND, North Sea Continental Shelf Cases, 1969.
Ky qëndrim kontribuon në konsolidimin e praktikës ndërkombëtare dhe forcon pozitën e Kosovës në forumet multilaterale dhe ndërkombëtare.

IX. Karakteri Erga Omnes i Integritetit Territorial të Kosovës
Integriteti territorial i Republikës së Kosovës përbën jo vetëm një të drejtë shtetërore individuale, por edhe një interes të komunitetit ndërkombëtar në tërësi (erga omnes), sipas doktrinës së zhvilluar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), veçanërisht në çështjet Barcelona Traction dhe East Timor.13. GJND, North Sea Continental Shelf Cases, 1969.
Dispozitat e NDAA-së që mbrojnë kufijtë e Kosovës forcojnë këtë karakter erga omnes, duke e vendosur mbrojtjen e integritetit territorial në një nivel që tejkalon marrëdhëniet dypalëshe.

X. Vetëvendosja dhe Ndarja nga Secesioni i Paligjshëm
E drejta e vetëvendosjes së popullit të Kosovës, e ushtruar në kontekstin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe nën mbikëqyrje ndërkombëtare, përbën një rast sui generis në të drejtën ndërkombëtare.14. GJND, Accordance with International Law of the Unilateral Declaration of Independence in Respect of Kosovo, Opinion Advisory, 2010.
Përfshirja e Kosovës në NDAA:
• konfirmon karakterin jo-secesionist të paligjshëm të shtetësisë së Kosovës;
• dallon qartë Kosovën nga pretendime separatiste të tjera që cenojnë integritetin territorial të shteteve ekzistuese;
• mbështet doktrinën e vetëvendosjes riparuese (remedial secession) si reagim ndaj shkeljeve të rënda dhe sistematike të të drejtave themelore.15. A. Buchanan, Justice, Legitimacy, and Self-Determination, Oxford University Press.

XI. Marrëdhënia ndërmjet së Drejtës Kushtetuese Amerikane dhe së Drejtës Ndërkombëtare
NDAA, si akt i Kongresit të SHBA-së, përfaqëson shprehje të vullnetit sovran kushtetues të një shteti me rol qendror në rendin ndërkombëtar.
Kodifikimi i politikës amerikane ndaj Kosovës:
• krijon koherencë ndërmjet së drejtës së brendshme dhe detyrimeve ndërkombëtare;
• shndërron qëndrimet politike në norma veprimi për administratën federale;
• forcon besueshmërinë juridike ndërkombëtare të SHBA-së.16. Restatement (Third) of the Foreign Relations Law of the United States.

XII. Detyrimi për Mosnjohje të Situatave të Paligjshme
Refuzimi i ndryshimit të kufijve dhe ndarjes territoriale përputhet me parimin ndërkombëtar të mosnjohjes së situatave të krijuara në kundërshtim me normat jus cogens, siç është formuluar në Draft-Artikujt e Komisionit të së Drejtës Ndërkombëtare mbi përgjegjësinë e shteteve.17. Draft-Artikujt e ILC-së mbi Përgjegjësinë e Shteteve për Veprimet Ndërkombëtare të Paligjshme, Nenet 40–41.
Në këtë kuptim:
• çdo tentativë për cenimin e territorit të Kosovës do të ishte juridikisht e pavlefshme;
• shtetet kanë detyrim negativ për të mos e njohur një situatë të tillë;
• NDAA kontribuon në parandalimin normativ të këtyre skenarëve.

XIII. Siguria Kolektive dhe NATO

Përfshirja e Kosovës në kuadrin strategjik të NDAA-së e pozicionon atë brenda arkitekturës së sigurisë kolektive euro-atlantike.
Nga këndvështrimi juridik:
• siguria e Kosovës lidhet drejtpërdrejt me sigurinë rajonale;
• kërcënimet ndaj Kosovës trajtohen si çështje me implikime ndërkombëtare;
• kjo përputhet me konceptin e sigurisë së pandashme (indivisible security).18. Koncepti Strategjik i NATO-s; Dokumente OSCE mbi sigurinë e pandashme.

XIV. Efekti Preventiv dhe Stabilizues i Normës

Një aspekt thelbësor juridik i NDAA-së është efekti i saj preventiv, që buron nga:
• qartësia normative;
• autoriteti institucional i SHBA-së;
• lidhja e politikës së jashtme me të drejtën e brendshme.

Ky efekt shërben si:
• pengesë juridiko-politike ndaj aventurave territoriale;
• garanci për paqe afatgjatë;
• sinjal i fortë për aktorët shtetërorë dhe jo-shtetërorë.

Konkluzion
Në dritën e së drejtës kushtetuese dhe ndërkombëtare, përfshirja e Republikës së Kosovës në NDAA përbën:
1. konsolidim të statusit juridik ndërkombëtar të Kosovës;
2. afirmim të integritetit territorial si normë jus cogens dhe erga omnes;
3. garanci për mosnjohjen e çdo zgjidhjeje që cenon rendin juridik ndërkombëtar;
4. integrim të Kosovës në arkitekturën e sigurisë kolektive.

Vendi i Lekës;20.12.2025

Zvicër: Për t’u rikthyer në Lötschental mjafton një “Momentum”

 

VOAL- Pothuajse shtatë muaj pas rrëshqitjes shkatërruese të dheut të 28 majit, e cila ndër të tjera shkatërroi tri hotele në Blatten, në Lötschental (Lëçental), hoteli i përkohshëm “Momentum” hapi dyert të premten në Lauchernalp, në një lartësi prej 1,970 metrash.

Objekti, i ndërtuar në kohë rekord, ofron 64 shtretër të rinj për të kompensuar pjesërisht kapacitetin e humbur të akomodimit në rajonin alpin të Valais.

Nisësit e projektit janë pronarët e dy prej hoteleve të humbura: “Turizmi mezi priste që fshati të rindërtohej; na u desh të vepronim tani”, thanë ata gjatë konferencës për shtyp të organizuar për të shënuar përurimin e hotelit.

Ndërtesa lineare ndodhet pranë teleferikut Lauchernalp dhe në rrëzë të pistave të skive. Stacioni shikon nga fshati Wiler dhe Lugina e Lötschental. Nga ballkonet e 19 dhomave, mund të shihni rrëshqitjen e dheut që mbuloi pjesën më të madhe të Blatten. Malet imponuese, përfshirë Nesthorn-in e vogël, dominojnë pjesën tjetër të panoramës.

“Momentum” është menduar si një zgjidhje e përkohshme deri në vitin 2030. Nuk zëvendëson trashëgiminë e humbur, por përfaqëson një sinjal të fortë vitaliteti: “Është ndërtesa e parë e (ri)ndërtuar pas katastrofës, një simbol që shpall se jemi ende këtu, tërheqës dhe me vizion”, shpjegoi Matthias Fleischmann, kreu i teleferikut Lauchernalp dhe marketingut të luginës.

“Këtë verë”, i kujtoi ai gazetarit të lajmeve, “humbëm 80% të shtretërve të hotelit tonë. Ishte e qartë se duhej të krijonim shtretër të rinj sa më shpejt të ishte e mundur.”

Projekti, i cili kushtoi afërsisht 4.6 milionë franga, është rezultat i një bashkëpunimi midis dy hotelierëve (secili me nga 45% pjesëmarrje), teleferikut (10%) dhe financimit publik: një milion nga Kantoni i Valais dhe gjysmë milioni nga Swiss Mountain Aid. Shoqatat e hoteleve dhe furnizuesit gjithashtu kontribuan me donacione.

Një përpjekje kolektive, siç thekson edhe Lukas Kalbermatten, hotelier i Lauchernalp Lodge AG: “Merita nuk është e jona: u takon të gjithë zdrukthëtarëve dhe të gjithë atyre që punuan, mbrëmje dhe fundjava, për të përgatitur gjithçka. Solidariteti nuk ka të bëjë vetëm me dhënien e parave.” Vetë emri “Momentum” ngjall aftësinë për të kapur momentet pozitive dhe për të vazhduar lëvizjen pavarësisht gjithçkaje.

Rezervimet, të cilat kanë qenë të hapura për një muaj, janë të kënaqshme, megjithëse ka ende vende të disponueshme për javët e ardhshme. Hotelierët janë gati të mirëpresin mysafirët e tyre të parë në një atmosferë të shënuar nga ngjyrat tradicionale të luginës dhe pamjet e maleve ende të paprekura. ATS/RSI

Reuters: Putin dëshiron të gjithë Ukrainën dhe pjesë të Evropës

Ky informacion gjithashtu kundërshton pretendimet e Putinit se ai nuk përbën kërcënim për Evropën.

 

RUSI- Gjashtë burime për Reuters kanë deklaruar se CIA vazhdon të paralajmërojë se Presidenti rus Vladimir Putin synon të pushtojë të gjithë Ukrainën dhe të rimarrë pjesë të Evropës që i përkisnin ish-Bashkimit Sovjetik.

Sipas njërit prej burimeve, raporti më i fundit daton që nga fundi i shtatorit dhe është diametralisht i kundërt me pamjen e paraqitur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe negociatorët amerikanë, të cilët kanë deklaruar se Putini dëshiron t’i japë fund konfliktit në Ukrainë. Ky informacion gjithashtu kundërshton pretendimet e Putinit se ai nuk përbën kërcënim për Evropën.

Në të kundërt, raportet e CIA-s pajtohen kryesisht me udhëheqësit evropianë dhe agjencitë evropiane të inteligjencës se Rusia dëshiron të gjithë Ukrainën dhe territoret e ish-shteteve të bllokut sovjetik, përfshirë anëtarët e aleancës së NATO-s, sipas burimeve.

“Informacionet e inteligjencës kanë qenë gjithmonë se Putini dëshiron më shumë. Evropianët e besojnë fuqimisht këtë. Polakët janë absolutisht të bindur. Vendet baltike besojnë se do të jenë të parat,” tha në një intervistë për Reuters, Mike Quigley, një anëtar demokrat i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve.

Rusia kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas, duke përfshirë pjesën më të madhe të rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut, të cilat përbëjnë zemrën industriale të Donbasit, pjesë të rajoneve të Zaporizhias dhe Khersonit, si dhe Krimenë, gadishullin me rëndësi strategjike në Detin e Zi.

Putini pretendon se Krimea dhe katër provincat i përkasin Rusisë. Trump po i bën presion Kievit që të tërheqë forcat e tij nga pjesa e vogël e Donetskut që ende e kontrollon si pjesë e një marrëveshjeje paqeje të propozuar, sipas dy burimeve të njohura me çështjen, një kërkesë që Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe shumica e ukrainasve e refuzojnë.

“Ekipi i presidentit ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në përfundimin e luftës dhe Trump ka thënë se një marrëveshje paqeje është më afër se kurrë”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, pa komentuar mbi raportet e inteligjencës, raporton Reuters./Dosja.al