Një vështim i shkurtër për librin “Shekulli i parë: kremtimet e 100-vjetorit të pavarësisë: mbresat e mia”me autor ing. Sejmen Gjokoli”- Mjeshtër i Madh
Librin “Shekulli i parë”, shkruar jo me gërma, por qëndisur me filigran shpirti nga autori ing. Sejmen Gjokoli – Mjeshtër i Madh (edhe në nderim të auditorit dhe në respekt të ekonomisë së fjalës) do ta shikoj s në dy rrafshe: si bibliograf dhe si studiues i etnologjisë dhe folklorit.
Në shkencën e bibliotekonomisë, shkurtimisht dua të theksoj se kjo monografi studiohet, klasifikohet dhe regjistrohet si njësi bibliografike në fushën e Etnografisë tek nënfushat sipas klasifikimit zinxhir hierarkik: Zakonet. Doket. Traditat. Mënyrën e jetesës. Folklori. Ritet. Jeta publike. Jeta sociale. Jeta e popullit. Ceremoniale shoqërore. Festime popullore. Jubile. Përurime. Kremtime historike etj., që rrok tema dhe nga nënfushat: Literaturë folklorike shqiptare. Festa. Kujtime.
Vetë autori është një figurë e njohur në fushën e gazetarisë, publicistikës, poezisë dhe me veprimtari të çmuar në fushën e trashëgimisë kulturore, sidomos si menaxher arti dhe realizues i suksesshëm i festivaleve lokale, kombëtare e deri i atyre ndërkombëtare si “Aulona Inter Folk Festival”, (deri në vitin 2024 ka realizuar 16 të tilla).
Pa e zgjatur më tej, se nuk është çasti, rikthehemi tek libri, duke shprehur mirënjohje për “diktatorin” e redaktimeve shqiptare për shëndetin letrar dhe kulturor të veprës (në kuptimin më të mirë të fjalës), për poetin Arben Bllaci, fatmirësisht edhe redaktor i “Shekullit të parë” të S. Gjokolit. Seriozitetin e këtij libri e rrit edhe parathënia e librit (teks shtesë): Anatomia e kremtimit të madh” nga historiani i njohur dr. Dorian Koçi.
Kam një parantezë në funksion të objektit të kësaj dite të “Shekullit të parë”: Duhet të kuptojmë, që Shqipëria dhe populli shqiptar në rrjedhat e kohës ka jetuar, ka luftuar, ka gëzuar, është helmuar, ka pasur ngjarje e data, figura të shquara, histori me lavdi fitimtare apo me humbje të dhembshme. Por sa e sa të tilla kanë ngelur humbëtirave të harresave shekullore, sepse ato nuk i shkroi kush apo nuk i ruajti kush për 1001 arsye objektive apo ndoshta dhe subjektive. Historia bëhet, shkrimi e ruan në kujtesën e kohërave, në arkiva e biblioteka, ndërsa kënga e përjetëson atë në jetë të jetëve. Ngjarjet, nëqoftëse nuk regjistrohen apo nuk shkruhen, shuhen nga kujtesa e brezave me ikjen fizike të bashkëkohësve. Kështu që roli dhe vendi i kronikanit, shkrimtarit të ngjarjes në kuptimin e përgjithshëm të fjalës është shumë i rëndësishëm.
Më 28 nëntor 1912, burrat e kombit me në ballë Plakun e Bardhë të Flamurit “venduan që Shqipëria të bahet më vete, e lirë, e mosvarme” dhe shpallën Pavarësinë e Shqipërisë, që përbën një ngjarje historike të rëndësisë së veçantë, akt madhor kombëtar.
Ecim në kohë. Jo për histori, por për jehonën e asaj ngjarje të madhërishme – pas 100 vjetësh, “këtu në Vlorën, ku fillon historia” siç është shprehur mësuesi, përkthyesi dhe politikani Shpëtim Gjika, dekan i kryetarëve të bashkisë së Vlorës (fatlumturisht qytetar i parë i Vlorës kur Paravësia e Shqipërisë mbushi 100 vjeçe).
Qysh nga e mërkura e 24 janarit 2012 deri të mërkurën e 28 Nëntorit të atij viti jubilar, që shënoi ditën e parë të Shekullit të Dytë, Vlora dhe mbarë Shqiptaria ishte veshur me ngjyrën glorioze të Flamurit Kombëtar. Ne e mbajmë mend, por nëse nuk do të ishte shkruar libri nga autori Sejmen Gjokoli (falë vullnetit, pasionit, vëmendjes, vizionit, përgjegjësisë qytetare, mesazhit përcjellës, patjetër dhe mundësisë si koordinator i përgjithshëm i Festivalit Mbarëkombëtar të Folklorit) koha dhe brezat e ardhshëm nuk do të kishin infomacion apo do të kishin informacin të cunguar edhe për Koncertin e Yjeve, koncertin jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë, që as u transmentua, as u regjistrua…
Ne e mbajmë mend, por nëse nuk do të ishte shkruar e botuar ky libër nga autori Sejmen Gjokoli, nuk mund ta dinë koha dhe brezat se Arif Vladi i Dibrës erdhi si erë nga Zvicra, kreu pa u dukur misionin kombëtar dhe iku si fllad lirie.
Në këtë libër, autori bën një përshkrim të gjallë jetësor, siç di ai për Kryekëngën e 100-vjetorit: “Një Komb, një Flamur” me tekst të Arben Dukës së madh, që sot na bën dritë nga yjet, me muzikë të kompozitorit të talentuar, të riut Alban Hoxhaj, që, nën shoqërimin e valltarëve të Folk Grup “Bilbili” Vlorë, u interpretua aq bukur, me dinjitet e art madhor, me shpërthimin superenergjik të yjeve të muzikës popullore shqiptare: bilbilit të Jugut – Petrit Lulo Gjirokastritit dhe amazonës kosovare Fahrie Zogaj. Mirënjohje të gjithmonshme për këtë zonjë të madhe, që edhe pse kishte të voglin në gji, (ato ditë djali i saj dhe i pari ishte një thërrime ferishtè, ende njomëzak – Deonsi ishte vetëm 42 ditësh), bëri një sakrificë gati sublime, përtej çdo realiteti mëmësor dhe nuk mungoi në Koncertin Jubilar, por të dy i dhanë shpirt e zjarr ndjenjës së madhe të atdhedashurisë për ne dhe ata që vijnë pas nesh.
Mirë ne, po koha dhe brezat që vijnë ku mund ta gjenin informacionin për Kërçovën e Deçanin – Flamurin që flakëroi në Vlorë me duetin artistiko’familjar Besiana Qani Mehmedi dhe Shkodran Tolaj me këngën e Naim Gjoshit “Flakëro Flamuri im”, në rast se nuk do të kishin në dorë, në arkiva apao në biblioteka librin “Shekulli i Parë”?!
Ne e mbajmë mend, por nëse nuk do të ishte shkruar e botuar ky libër nga autori S. Gjokoli, nuk mund ta dinë koha dhe brezat se zëmagjishmja kombëtare Shkurte Fejza Behlulie e “Xhamadanit vija-vija” la ndezur në Helsink zjarrin kombëtar dhe fluturoi familjarisht drejt Vlorës si Shqiponjë e këngës së madhe shqipe. Nga libri ndjejmë entusiazmin legjendar që mbushi mjediset dhe mijëra njerëz në Pallatin e Sportit “Flamurtari” kur doli në skenë Shkurta me “Xhamadanin” e me të vërshuan në skenë edhe Arif Vladi, Sabahete Visha, Petrit Lulo, Kleopatra Skarço Dokle, Irini Qiriako, çifti Besiana – Shkodran, që e mbyllën vetëm në skenë atë koncert të madh jubilar të 100-vjetorit, sepse e elektrizuan Vlorën.
Pa këtë libër të Gjokolit koha dhe brezat nuk do të dinim gjë për Dhuratën nga Kaçaniku i Sulejman Haxhiut dhe Izgjid Tushës, as për 44 minutat e kremtimit të shekullit të parë, kronikanët e 100-vjetorit, regjisorin dhe skenaristin Virgjil Kule, realizuesin e dokumentarit të çmuar “Kronikë e ditëve të paharruara”, Vlorë 2012.
Ne e mbajmë mend, por nëse nuk do të ishte shkruar e botuar ky libër nga autori S. Gjokoli, nuk mund ta dinë koha dhe brezat se këngët e 100-vjetorit krijuan një fond të posaçëm folklori për Pavarësinë. Një gjerdan folklorik po zbukuronte shtatlartën Vlorë ato ditë të mëdha në përcjellje të Shekullit të Parë të Pavarësisë dhe në pritjen e Shekullit të Dytë të saj. Festivali i këngës polifonike, ndërtuar sipas kalendarit kulturor të 100-vjetorit, u zhvillua mbi bazë grupesh dhe shoqatash, i shtrirë në tri mbrëmje, më datat, 13, 14 dhe 15 Tetor 2012. Mbrëmja e fundit me këngë të zgjedhura për këtë ngjarje, u zhvillua më 15 Tetor, në nderim të datës së çlirimit të Vlorës. Vlera e atij festivali, përveç prurjeve burimore dhe interpretimit me nivel të lartë artistik, qëndron në faktin se, ishte kriter për grupet pjesëmarrës, që, ndër numrat folklorikë të paraqitur, duhet të sillnin edhe një këngë ekskluzive për 100-vjetorin.
U krijua kështu fondi i këngëve të reja për Pavarësinë. Pikërisht ky fond me këngë të reja me tematikë Pavarësinë, Ismail Qemalin dhe trimat e tij për Flamurin e Skënderbeut, shënuan piketën e parë, nga ku ravijëzohet vlera artistike dhe e atdhedashurisë që pruri dhe përcolli Festivali Mbarëkombëtar i Folklorit “Këngët e 100-vjetorit”. Me dëshirë, në këtë pikë do të qëndroj pakëz më shumë, sepse këtë hapësirë ma lejon ky libër i Gjokolit, ndërkohë vjen edhe si një lidhje harmonike e logjike e shkrimit “Pavarësia rreh palët nëpër këngët e popullit”, ku jam bashkautor me Sejmenin, shkrim i cili përfshihet tek libri “Shekulli i parë”. Sipas librit dhe në të vërtetë, historinë folklorike të këtij nderimi madhështor e realizuan artistët popullorë të këtyre grupeve polifonike pjesëmarrëse në “Këngët e 100-vjetorit” nga Qarku i Vlorës:
1- Grupi polifonik “Ballkoni i Vlorës” me këngën “Vendi ku rritet shqiponja”
2- Grupi polifonik “Mato Hasani” me këngën “Vlonjatë kemi për të mbetur”
3- Grupi polifonik “Çipini” me këngën “Po vjen Smail Beu”
4- Grupi polifonik “Bilbili” me këngën “Për gjithë kombin kryezonjë”
5- Grupi “Jehona labe” me këngën “Madhështori, mjekërborë”
6- Grupi polifonik “Pavarësia” me këngën “Më merr malli për flamur”
7- Grupi polifonik “Haxhi Dalipi” me këngën “Burr’ i Kaninës së lashtë”
8- Grupi polifonik “Krojet e Vezhdanishtit” me këngën “Do të këndoj këngën time”
9- Grupi polifonik “Xhebro Gjika” me “Këngë për 100-vjetorin”
10- Grupi polifonik “Bregdeti” me këngën “Jam krenar për vendin tim”
11- Grupi “Kënga labe” – Emigrantët, Greqi me këngën “Bijtë e një nëne”.
Edhe pse tekstet pa tjetër kanë autor, këngët janë fiksuar në kujtesën sociale si visare folklorike të Vlorës, ku autor është populli. Bashkë me artistët vlonjatë erdhën dhe vëllezërit e motrat nga trevat e tjera shqiptare.
Folklori është kurora e bukur dhe e hijshme e festimeve të 100-vjetorit. Këtë fakt treguan 100 flamurmbajtësit, kalorësit kosovarë, që me kavalerinë e tyre u prinin mbi 500 artistëve të zgjedhur popullorë, të cilët me këngët dhe vallet e tyre tradicionale, prunë edhe zërin e ëmbël dhe dëshirën e zjarrtë të një milion shqiptarëve, që mbushën një lumë krenar gëzimtarësh nga Sheshi i Flamurit në sheshin “Pavarësia”, ardhur këtyre hënave të trojve të lashta, por edhe të emigrantëve tanë nga të katër anët e Globit.
Në ndjenjën e gëzimit dhe krenarisë, nuk dallohej kush qe artisti nga Gostivari a Vlora, Shkupi a Gjirokastra, Kaçaniku a Labëria, Mitrovica a Saranda, Drenasi a Mallakastra, Prizreni a Skrapari, Zhuri a Elbasani, Prishtina a Tuzi, Tropoja a Çamëria, Mirdita a Kërçova, Ulqini a Gjakova, Peja a Myzeqeja… Jo thjesht në kuptimin e antropologjisë kulturore, ata ngjanin si një trup i vetëm e i gjallë epiko-lirik i Pavarësisë. Në libër, autori na njeh se grupe me emër dhe traditë, si “Lidhja e Prizrenit”, “Emin Duraku”, “Shote Galica”, “Gryka e Kaçanikut”, “Ded Gjo Luli”, “Karshiaka” “Ibe Palikuqi”, “Rexhep Mitrovica”, “Jahi Hasani” e të tjerë grupe të njohur, që festuan e kënduan për katër ditë si bilbila e thëllëza, së bashku me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore nga Tirana dhe Filarmoninë e Prishtinës. Ky festival fitoi vulën e merituar të karakterit kombëtar.
Pra, sipas librit, piketa tjetër e fortë, nga ku u ravijëzua vlera mbarëkombëtare e këtij festivali ishte mbërritja paraqitja e denjë e Ansambleve sivëllezër të Kosovës, shqiptarëve të Malit të Zi dhe të shqiptarëve të Maqedonisë (sot të Maqedonisë së Veriut). Të gjithë artistët popullorë të kombit të shqipeve, kujtuan mesazhin e thuprave të Skënderbeut me princat e tij dhe, me shpirt e zë, tundën botën shqiptare ato ditë e net të flamurta nëntori, kur Shekulli i Parë i Pavarësisë flamurëroi vlorërisht.
Falënderoj autorin Gjokoli, se pa këtë libër, festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë nuk do të ishin regjistruar në kujtesën e kohës dhe ajo jehonë e madhe nuk do të kishte të nesërme. Jetë të gjatë dhe pena flori!
Komentet