-Agim Gjakova: ”A ka kund Zot”,roman, botoi ”Bota Shqiptare”2018, Tiranë-
Agim Gjakova është një personalitet i njohur i letrave shqipe,autor e mbi tridhjetë veprave letrare në të gjitha zhanret e letërsisë, poezi,proze,publicistike,dramë etj. Me punën e tij të bujshme e të palodhshme, i ka krijuar vetes prestigjin e njeriut të respektuar në letërsi e jo vetëm. Agim Gjakova është i përkthyer edhe në disa gjuhë të huaja dhe i përfshirë në shumë antologji brenda e jashtë trojeve tona..
E gjithë veprimtaria letrare e poetit dhe prozatorit Agim Gjakova është përmbajtjesore, si në poezi ashtu edhe në prozë,sepse imagjinata prej një krijuesi të spikatur dhe përvoja jetësore e bënë të futet në të gjitha poret e jetës,duke veçuar e hulumtuar jetën deri në imtësi. Agim Gjakova,jo vetëm se na ka dhënë një pasuri të madhe letrare,por shkrimet e tij burojnë nga përjetimet e hidhëta jetësore,tok me popullin e tij të vuajtur nëpër shekuj. Mendoj se sikur poeti mos të kishte përvojën e tij jetësore ,në shkallë të tillë përjetimesh dhe shpirtin e madh,nuk do kishim një pasuri të madhe letrare.
BIOGRAFIKE:
Agim Gjakova ka lindur në vitin 1935 në një familje gjakovare, ku patriotizmi dhe rezistenca ndaj okupatorëve ishte germa e parë e alfabetit të shqipes. Duke qenë i tillë,s’ka pasur se si të behet ndryshe,pos si familja Taha e Gjakovës, ku axha i Agimit, Haki Taha, në mars të vitit 1945, vrau Milladin Popoviqin në zyrë të tij,në Prishtinë. Pastaj, e gjithë jeta e kësaj familje, deri në përzënie nga vendlindja, përjetoi tmerret e pasosura, vuajtjet e papara, represaliet e Udbës dhe pushtetarëve te regjimit te atëhershëm jugosllav .
Në pranverën e vitit 1960, pas mesnatës, Udba Jugosllave e mori në në shtëpinë e tij Agim Gjakovën,duke e lidhur në pranga,e vejnë në makinë zyrtare dhe e depërtojnë në Shqipëri,duke i thënë se: “ky është vendi jot,jo Kosova!”…
Në Shqipëri jetoi plot dyzet vite. Aty u kalit me jetën e re dhe iu bëri ballë të gjithave, mallit për vendlindjen, për miq e shokë, për moshatarë, për lojërat e fëmijërisë dhe për gurë të oborrit. Punoi si profesor i gjuhës angleze në ATSH-në shqiptare,skenarist etj. Pati miqësi me figurat e njohura letrare të Shqipërisë,si Dritëro Agolli ,miqësi e cila e begatoi jetën e tij si krijues dhe njeri me intelegjencë të madhe.
Agim Gjakova, sot në moshën 84 vjeç, jeton në Prishtinë e Gjakovë, i “riatdhesuar” pas lirisë, në vitin 1999, krijon pa ndalur dhe ka shëndet të mirë.
RRETH ROMANIT:
Nuk ka se si të shkruhet një vepër ndryshe,pos nga ndërtimi,kalitja dhe përjetimi shpirtëror personal i autorit. Pasuria shpirtërore e secilit autor e bën veprën të lexueshme dhe të qëndrueshme nga lexuesi kudo. Në këtë frymë është shkruar edhe romani “A ka kund Zot” nga Agim Gjakova,i cili ka zgjuar interesim te njerëzit e artit letrar.
Në fakt,romani i Agim Gjakovës, ”A kund Zot” për temë ka luftën e fundit në Kosovë,ku trajtohen detaje nga më të rëndat që ka mundur të rrokë pena e një krijuesi me talent dhe imagjinatë të bujshme. Që në fillim të romanit, derdhet mllefi ndaj katilëve që nuk ngopen me gjakun e të rinjve shqiptare:
”nëpër mjegullat e syve më lëvizën rrobat e përgjakura të të katër djemve të vrarë, që nisën të pikonin aty mbi cergë,të njomin fierin e thatë….”
Duke filluar romanin me përshkrimin e llahtarisë serbe ndaj shqiptarëve,lexuesin menjëherë e zë “ngërçi”i situatave të mëtejme në shtjellimin e romanit. Autori me mjeshtri të rrallë përdor një numër të konsiderueshëm personash me rol në vepër, të cilët endin shkëlqyeshëm penjtë e ngjarjes deri në mbarim të luftës. Një pjesë e barrës së luftës dhe qëndresës i bie Nanë Borës dhe Bacës,të cilët bëhen halë në sytë e okupatorit serb,të cilët sjellin fshatin në gjendje të mjerueshme, duke vrarë të gjithë meshkujt. Kishte vajtur puna deri aty sa që nuk kishte kush t’i varroste kufomat e vrara nga ushtarët e paramilitarët serb. Ndërsa,tradita e të pameve, nuk mund as të mendohej e lëre më të respektohet.
Pas vrasjes edhe të Plakut të fshatit, njeriut më nam për luftë e trimëri në fshat, Bacës, nga Nanë Bora dhe gratë tjera në fshat mendohet dhe veprohet me një strategji tjetër,për të ruajtur trashëgiminë dhe emrin e kësaj toke, fisnikërinë e brezave,të parëve tanë.Nënë Bora,shpalos planin e shpëtimit të fëmijëve me gratë e fshatit,mbledh gjithë djemtë, marrin kufomën e Bacës së vrarë dhe ikin pa u diktuar nga forcat serbe, për ta varrosur diku larg fshatit,që mos ta hetojnë as varrin e tij. Pas varrimit,Nanë Bora strehohet në një bjeshkë me gjithë djemtë e fshatit dhe aty qëndron deri në mbarimin e luftës.
Në këtë mënyrë të shtjellimit të ngjarjes,padyshim se vërehet një filozofi e veçantë në aspektin e qëndresës shqiptare nga autori. Rezistenca nuk e ka mbështetjen vetëm në disa kategori të njerëzve, por në masën e gjerë të popullit,duke vlerësuar fort edhe kontributin e gjinisë femërore në këtë moment të rëndësishëm historik.
Në shtjellimin e thellë të ngjarjes në romanin “A ka kund Zot”, të autorit Agim Gjakova, me një ngjyrë sentimentale, sjell lexuesin në pritje të risive,e mban pezull gjatë gjithë kohës së leximit,duke pritur rradhën e tmerreve,golgotën e jetës shqiptare…
Gratë e fshatit, përpiqen me çdo kusht që me heroizmin e tyre të rezistojnë më forcat serbe , duke mbrojtur fëmijët për gjini,pasurinë dhe çdo gjë të tyre. Represionet shtoheshin ndaj tyre çdo ditë, për të treguar se ku ishte varrosur Kryeplaku, dhe ku ishte Nanë Bora me djemtë e fshatit.Për ta thyer rezistencën e grave të fshatit,serbët filluan masakrimet edhe ndaj foshnjave,duke i prerë në fyt me thika, në prezencën e nënës. Këtë skenë e përjetoi edhe Ruhana, njëra nga personazhet e romanit. Pas kësaj skene, granimi tmerrohet dhe ç’fryn mllefin edhe ndaj Zotit:
“O Zot,Ti nuk je kërkushi! Ti nuk po ua ndal dorën, o Zot!..”
Në ndërkohë, sa më i ashpër represioni, aq më e madhe bëhej rezistenca e grave të fshatit. Ato e vranë me sopatë një sulmues, që donte t’ua merte nderin.
Në këto dy kohezione, mes represalieve dhe rezistencës së grave, ngjajnë vrasje mizore,duke i hedhur në puse, duke i mbyllur në kulla e duke ua vënë flakën, duke vrarë edhe qentë e shtëpisë ,të cilët u hidheshin në sulm ushtarëve serb, në mbrojtje të shtëpive të tyre dhe grave të fshatit. Pos represioneve me forma gjenocidi, ushtria okupatore, ua shpenzonte të gjitha ushqimet, duke i detyruar gatimet enkas për ta. Një gjendje e tillë ishte e paparë dhe e paduruar, ku ndërgjegjia njerëzore e forcave armike, ishte nën minimumin e të qenurit njeri…
Ndërkaq,Nënë Bora, diku në bjeshët e larta, me djemtë e fshatit, përballej me sakrifica të natyrës tjetër të ekzistencës. Pas gjetjes dhe marrjes së ushqimeve nëpër t’bane tjera ,mbetur gjatë verimeve të banorëve,fillon lodhja dhe kacafytja me urinë dhe sëmundjet e djemve. Ajo detyrohet të shetisë bjeshkët për të gjetur barnishta që bëjnë shërimin dhe mbijetesën njerëzore. E detyruar për kërkim ushqimi,gjen diku në bjeshkë një sharrë,e cila kishte shërbyer për puntori druri.Nga aty,merr hedhat e drunjëve, i fut në thesin e ditës dhe te t’bani,i sit dhe i than mirë. Pastaj i përzien me miell, për t’ua dhënë femijëve .
Sakrifikon edhe jetën e saj,duke u ngjitur majave të larta,ku kishte hetuar se mund të ketë mjaltë. Dhe,për çudi,me sakrificën e fundit,merr mjaltin për djemtë,por rrugës,gjendet ballë për ballë me arushën,të cilës detyrohet t’i japi mjaltë, me qëllim të shpëtimit. Pas gjitha këtyre vuajtjeve, si në ëndërr i vjen njoftimi që të marrë djemtë e të kthehet në fshat se forcat serbe kanë ikur dhe vendi është liruar. Porosia e Bacës në ëndërr,për të shoqen,Borën,vjen si si një vlerë qendrese e paparë:” të lumtë Borë, që shpëtove djemtë tanë,duke ripëtëri fshatin e jeten…”
Pas gjitha këtyre peripecive jetësore, autori i romanit,”A ka kund Zot”,në mënyrë filozofike, ka trajtuar golgotën e rrugëve jetësore të shqiptarëve për lirinë e vendit të tyre. Këtu nuk kemi të bëjmë me një luftë lokale,me një fshat,por me luftën e fundit në Kosovë,sepse kudo ka ngjarë e njëjta gjë.
Pas lufte janë shkruar shumë romane lidhur me luftën, ka art në të gjitha,sepse janë të përjetuara,por një përshkrim të tillë , me peshen e filozofisë reale shqiptare,si në romanin “A ka kund Zot”,nuk e kam lexuar. Përjetimet,sakrificat e llojllojshme,rezistenca e hatashme gjithë popullore,dashuria për lirinë,gatishmëria për sakrificën e jetës sublime,janë disa cilësi që lexohen me andje në këtë vepër të krijuesit Agim Gjakova.
Ndërsa në anën tjetër,barbaria e forcave armike serbe,duke mos kursyer asgjë mbi siperfaqe të dheut të kësaj toke, ndaj një populli,si djegiet,masakrat,vrasjet e fëmijëve,dhunimet,llahtaria si tërësi,vihen si dukuri e gjeneve gjenocidiale me trashëgimi të forcave serbe, ndaj një populli të paarmatosur sa duhet, për një luftë të tillë barbare.Romani përfundon me një thënje sa të bukur, po aq interesante:
”katundi po përflakej të ndriçonte rrugën e rrotullimit të rruzullit”.
Romani i Agim Gjakovës,”A ka kund Zot”,ka dimensionin filozofik të të kuptuart si mesazh, sepse një popull nga më të vjetrit në Evropë, pas kaq shekujsh të kaluar, ende në sytë e Evropës,sulmohet padrejtësisht. Akoma nuk ndodhi deri me tani që dikush të kërkojë përgjegjësi në aspektin e drejtësisë ndërkombëtare,për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve në tokën e tyre,në trojet e tyre të lashta. Bile,bile, llogaritë kërkohen nga viktima!…
Sa do dëshiroja që romani të përkthehet i dedikuar qarqeve ndërkombëtare,së paku lexuesve gjithandej botës së kulturuar,si një mesazh që buron nga një realitet i pa tjetërsuar….
GJAKOVE,SHKURT 2019
Komentet