NEW YORK – Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është duke u mbajtur Gold Cup, përkatësisht kampionati futbollistik i Amerikës Veriore dhe Qendrore (CONCACAF), ndërsa vëmendjen më të madhe të publikut deri tani e ka tërhequr përfaqësuesja e Kubës, jo me lojë të mirë, por me problemin e lojtarëve që ikin në përpjekje për të marrë azil në SHBA, raporton Anadolu Agency (AA).
Kuba në fazën e grupeve është mposhtur nga Meksika (6:0), Trinidadi (2:0), ndërsa fitorja ndaj Guatemalas (1:0) i ka siguruar ndeshjen çerekfinale ku me rezultatin 0:6 u eleminuan nga SHBA.
Ekipi kuban nuk e tërheq vëmendjen me lojën, por ngaqë pas çdo ndeshjeje largohet nga një lojtar. Deri tani ekipin e kanë braktisur Arael Arguellez, Dario Suarez, Aricheel Hernandez dhe Ariel Martinez. Të katër kërkojnë azil dhe nuk kanë ndërmend të kthehen në vendlindjen e tyre.
Që nga viti 1999 azil në SHBA kanë kërkuar gjithsej 20 përfaqësues të kombëtares së Kubës.
Kujtojmë se në Kanada javën e kaluar u mbajtën Lojërat Pan Amerikane, nga të cilat në Kubë gjithashtu nuk u kthyen katër përfaqësues të këtij vendi, të cilët strehim kërkojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kuba dhe SHBA kanë nisur një proces historik të normalizimit të marrëdhënieve pas më shumë se 50 vitesh. Në hijen e hapjes së ndërsjellë të ambasadave dhe intensifikimit të bashkëpunimit diplomatik dhe ekonomik mes dy vendeve, pritet që një nga temat e diskutimit të jetë çështja e emigrimit të shpeshtë të kubanëve në Shtetet e Bashkuara.
Komentet