SHBA është në prag të një marrëveshje për t’i dhënë Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi të cilat mund të arrijnë thellë në territorin rus. Por megjithatë, Kievit do t’i duhet të presë disa muaj ndërsa SHBA-ja punon me çështje teknike përpara çdo dërgese, thanë zyrtarët amerikanë, raporton Reuters.
Përfshirja e raketave të përbashkëta tokë-ajër (JASSM) në një paketë armësh, pritet të shpallet këtë vjeshtë, megjithëse një vendim përfundimtar nuk është marrë. Burimet nuk pranuan të identifikohen sepse nuk janë të autorizuar të diskutojnë këtë temë.
Dërgimi i JASSM në Ukrainë mund të ndryshojë ndjeshëm peizazhin strategjik të konfliktit duke shënjestruar Rusinë me një varg municionesh të fuqishme, të njohura për saktësi në goditje.
Analistët ushtarakë kanë sugjeruar që futja e raketave JASSM-ve, të cilat të godasin më në brendësi të territorit rus në krahasim me armët që përdor aktualisht Ukraina, mund të bëjë që ushtria e Kremlinit të hasë vështirësi në furnizim.
Kjo do të komplikonte rëndë aftësinë e Rusisë për të mbështetur operacionet e saj sulmuese dhe potencialisht do t’i siguronte Ukrainës një avantazh strategjik.
Lëshimi i raketave JASSM nga pika mw e afwrt e kufirit verior të Ukrainës me Rusinë mund t’i lejojë ata të godasin instalimet ushtarake deri në qytetet ruse si Voronezh dhe Bryansk. Në jug, hedhja e tyre pranë vijës së frontit mund të mundësojë sulme në fushat ajrore ose objektet detare në Krime.
Raketat JASSM aktualisht janë të integruara vetëm në avionët e projektuar nga SHBA. Ukraina po vepron me disa dhjetëra F-16 dhe secili prej tyre mund të transportojë deri në dy raketa me rreze të gjatë veprimi.
Administrata Biden jep “Ok”-n
Politico raportoi muajin e kaluar se administrata e Biden ishte “e hapur” për t’i dhënë Ukrainës JASSM. Nevoja e Ukrainës për më shumë armë dhe armatime më të fuqishme po rritet ndërsa ajo vazhdon të përballet me presion intensiv nga forcat ruse përgjatë frontit të saj lindor.
Modele të vjetra JASSM, të cilat janë bërë nga Lockheed Martin Corp (LMT.N), kanë një rreze prej rreth 230 milje (370 km). Raketat, rreth 14 këmbë (4 m) të gjata, janë projektuar të jenë disi të fshehta, duke i bërë ato të vështira për t’u dalluar në radar. Ata gjithashtu mund të fluturojnë afër tokës dhe mund të programohen për të marrë rrugë qarkore që shmangin mbrojtjen ajrore.
Ekziston gjithashtu një raketë JASSM me rreze më të gjatë që mund të fluturojë më shumë se 500 milje.
Dhënia e Ukrainës JASSM do të shtonte gjithashtu presionin ndaj Uashingtonit për të hequr kufizimet se si Ukraina përdor armët e SHBA-së, sepse efektet e tyre do të kufizoheshin nëse nuk do të lejoheshin për përdorim ndaj objektivave brenda Rusisë, tha një zyrtar i kongresit që ka dijeni për këtë çështje.
SHBA-ja ka hezituar të furnizojë me armë që mund të godasin objektiva thellë brenda Rusisë nga frika se do të përshkallëzonte konfliktin. Aleatët e Kievit kanë furnizuar me armë, por me kufizime se si dhe kur ato mund të përdoren brenda Rusisë, nga shqetësimi se sulme të tilla mund të nxisin hakmarrje që shtyn vendet e NATO-s në luftë ose provokon një konflikt bërthamor.