Ishte mesi i Janarit kur mbërritëm në Paris. Një i ftohte i hidhur. Erdhëm me tren nga alpet e Zvicrës dhe im shoq ndihej krejt i emocionuar. Ishte hera e parë që dilte në Evropë. Qe bërë shkas muaji i mjaltit. Ato dy javë kishim parë Frankfurtin, Bonin, Zyrihun dhe në pak orë na priste Parisi. Në Frankfurt na befasoi lajmi që presidenti yne, Bill Clinton, kishte një afer të fshehtë me Monika Luinskin. Njerëzit mbanin këmbët duke parë në ekranin e madh televiziv të stacionit të trenit fotografinë e bukuroshes 20 vjeçare.
-Epo, thashë unë, vajzat e reja gjithnjë rrezikohen të bien në dashuri me burra të famshëm. E le pastaj president i SHBA!
Im shoq kishte një version tjetër: Mbase qe kurth i republikaneve.
-Jo, shikoi sytë e saj, tek vështron Billin. Ai është vështrim dashurie, ngulja këmbë, unë e pastaj thosha me vete:” Po ç’eshtë kjo punë që fusin studente për praktikë në Shtepinë e Bardhë? Doemos që do bjerë në dashuri me presidentin!
Më vinin ndërmend rastet nga koha e fakultetit. Më kujtohej Vjola , një brune shumë simpatike, më shkathta e kursit që ulej gjithnjë në rreshtin e parë të bangave për të parë syçkat e diplomatit që vinte nga Ministria e Jashtme për të na shpjeguar mardhëniet ndërkombëtare. C’fare guximi kishte ashtu?
Në kufirin francez në tren hynë dy policë të cilët na kërkuan pasaportat. Ishin shumë miqsore, apo ndoshta ngaqë pane pasaportat amerikane. Madje njeri zgjati dorën dhe nxorri nga xhepi i jashtëm i xhaketës së tim shoqi një kuti të vogël metalike të gjelbër.
-Ç’është kjo? pyeti.
-Mente, tha im shoq.
Unë vura buzën në gaz : Dëshironi t’i provoni?
I erdhi radha policit të buzëqeshte. E mori kutinë apo kutiçken duke na falenderuar.
Kur treni kaloi në Dizhon, i tregova tim shoqi që në këtë qytet, dikur kishim fituar « gjerdanin e artë », në një festival folklorik. Ai më dëgjonte i habitur.
I kisha thënë që në Paris do ta njihja me një familje me të cilën kishim miqesi të trashëguar që nga gjyshërit .
– Kam 15 vjet vjet pa i parë, ndoshta edhe më, por natyrisht do të shkojmë në Hotel fillimisht. Të qetesohemi nga rruga e pastaj e kam njoftuar mikun tim që do t’i bej një telefon e ndoshta t’i shkojmë për vizitë. Ka nje grua shume të bukur, ka qene ylli i lagjes ku kemi banuar.
Natyrisht nuk e prisja që Kristi të na priste në stacionin e trenit. Ishim pikërisht duke u marrë me një hamall i cili na kërkonte 50 franga për të na mbajtur valixhet derisa të dilnim nga stacioni
-Pak si shumë, tha im shoq.
– Lëreni ketë. E kuptoi që jeni të huaj,- u dëgjua një zë në shqip pas supit tim.
Ishte Kristi. Na shikonte me atë buzëqeshje që s’i kishte ndryshuar aspak. Ashtu, paqsor buzëqeshte edhe kur “e rrihja’ në lojen “kumançe” në pallatin ku banonim
-Ua ! S’të prisja këtu! thashë unë duke e përqafuar. E prezantova me tim shoq dhe Kristi bëri një hap perpara dhe e perqafoi edhe atë.
– Paske marre djalë shumë të mire, Ana, më tha rrugës tek ngiste makinën. Unë pothuaj nuk flisja fare . Trafiku i Parisit m’u duk i frikshëm, me i frikshëm se ai në Manhattan, veçanerisht rreth Harkut te Triumfit. Kristi e ngiste makinën me shpejtesi marramendese duke parakaluar e anashkaluar makinat si në cirk. Na “shkarkoi” tek hotel “Kalifornia” ku patëm bërë rezervimin që nga Nju Jorku. Prane Hotelit tone qe universiteti i Sorbonës dhe jo shumë larg prej aty na thanë se banonte Kadareja. Qe një çift tiranas qe i lamë sa te mbaronin të puthurën në rrugë, të cilet na treguan madje edhe se ku e pinte kafenë shkrimtari i madh, sikur nenkuptuan që ne duhet të kishim lënë takim me të.
– Ju qetesohuni tani, unë do t’u bëj telefon të hamë një darkë bashkë jashtë, na tha Kristi. Vura re qe nuk tha”do t’u marr në shtëpi për darke’ siç kisha menduar unë, por do të hamë një darkë jashte’ e me çuditi disi. Me kishte marre malli për Dallgën dhe isha kaq kureshtare te shikoja nëse kishte ndryshuar. Po ashtu edhe për Borën, të bijën moshatare me tim bir. Me kishte mbetur në kujtese ende e vogel, kur na vinte në shtepi dhe luanin tok. Madje disa here burre e grua e linin vajzen tek ne kur kishin aktivitete. Ishin të dy artistë.
Kristi na mori serish nga hoteli e na shëtiti nëpër Paris. Bëmë foto buzë Senes, na ndali ne muzeun e Luvrit dhe aty na tha që t’i benim telefon pasi të mbaronim viziten. Tre ditë në Paris, ai nuk na la mungut asgjë ne mikpritjen e tij. U larguam nga Parisi me kujtimin e miqesise se tij dhe me një pikpyetje te madhe.
Çifti kishte lënë nam në rinine e tyre. Nje çift i bukur i dashuruar marrezisht, Romeo e Xhuljena e lagjes sone. Njelloj si Romeo edhe Kristi ishte kacavjerrë mureve për të parë Dallgen e tij. Kishte thurrur vargje dashurie pa fund. Ne shoqëria, ishim në dashuri me dashurinë e tyre. Tashmë kishin 20 vjet martuar. Kisha ruajtur në kujtesë nje foto varur në murin e kuzhines se tyre. Dikur kacurrelat e Dallges mbi supin e te dashurit , si Zherar Filip, e syte larushe gjysme të mbyllur lumturisht. Ai imazh më kishte ndjekur ndër vite. I kisha folur tim shoqi për dashurine e tyre përalle si nga librat e verdhë dhe i kisha ngritur mendjen që do të shikonte bukuroshen e Kristit. Nuk ndodhi. Kristi nuk tha asnjë fjalë.Dhe mua mu mbyll goja. Ia dita per nder tim shoqi që nuk më ngacmoi në atë pikë.
Kur u kthyem në Nju Jork, i dergova një mesazh mikut tim, ku e falenderoja për mikpritjen dhe pastaj i leshoja pyetjen mundonjese : Si eshte e mundur që nuk na ftove në shtepi ? Kisha kaq deshire te shihja Dallgen dhe vajzen tënde Boren… Ç’qe kjo enigmë?”
Një javë rresht heshtje. Pas një jave më erdhi një mesazh prej tij.
” Mike e dashur,
Kur ishe këtu, unë doja shumë, me tepër se ty, t’u takoja me Dallgën dhe Borën, por qe e pamundur. Thellë-thellë fshihja një sekret përvëlonjës. Nuk isha i sigurte sa do të më kuptoje. Nuk doja të më urreje, nuk doja të humbisje miqësinë e respektin tend. Të kujtohet Cvajgu? Prandaj është i madh se nxjerr nga skutat tona, ato që s’ja themi dot as vetes. Asnjëhere nuk jemi në gjendje të themi se sa e njohim veten tonë, sa kohe që në gjoks kemi një zemër që rreh.Unë e dua gruan time, shumë. Ti e di këtë. Kjo s’eshte e panjohur as për shumë të tjerë. Për mua ajo eshte jeta ime e së kaluarës dhe e ardhmja e jetes sime. S’e kam vënë në diskutim kurrë këtë por në këtë udhëtim, unë u pengova. U pengova keq dhe rashë. Atë ditë që në zyrën time u shfaq Ajo. Mjerisht , keto « ardhje » mbeten si ilegale, si lindjet e paligjshme, kanë vetëm përemera. Si u shkëput ai yll e ra në portën time? U trondita ! Qe një tronditje e menjëhershme e dy krijesave. Ishte një studente. Ajo me zgjati një formular shkollimi dhe më ktheu në moshen e marrëzise, si atëhere. Lidhja jone u bë e pakontrollushme. Në punë ne çdo moment mendoja vetem për te. E hapja kompjuterin vetëm për te, vetem per t’i dhuruar puthjen time. Nuk na mbaronin fjalet ne chat. E lija komjuterin hapur edhe kur dilja nga zyra aty rrotull, me mendimin se do të gjeja dy rreshta të zjarrte prej saj. Ja kështu ndodhi kur ime shoqe kishte hyrë ne zyre, papritur, pa më telefonuar me parë. Por duket ashtu qe thene. Duhej të paguaja dalldinë time të rinisë së dytë. Dhe aq qe. Dallga u sëmur. Titaniku ynë i dashurise se përjetshme u ça nga ajzbergu ”i tradhetise se paparashikuar’ .
Unë nuk e dija që e kisha tradhetuar. Kur je në dashuri, a ke force të mendosh për tradhetine ? Unë kisha rene në dashuri. Nuk mund të ndahesha nga gruaja,- as qe behej fjale, por nuk rrija dot as pa dashurine e Asaj. Kështu, jetoja në familje si i huaj dhe jashte saj si nje i dashuruar i plagosur. Kjo qe situata në të cilën më gjeti vizita juaj. Tani besoj e kupton se përse nuk u ftova dot në familjen time. Dallga atë kohë nuk kishte dëshirë të shihte askend që kishte lidhje me mua. As miqtë e rinisë sime. Këto dite jam duke mbledhur kujtimet e dashurise së parë dashurisë për gruan. Dua t’i bëj nje surprizë. Kam grumbulluar shumë shënime ndër vite. Më duket vetja hipokrit. Por e vërteta është që i pata ruajtur pikerisht me këtë ide. Do te beja nje liber e t’ia dhuroja në përvjetorin e 20- të martesës sone. Kur i lexoj më mbushen syte me lot. A thua do të me ndihmojne ta fitoj perseri? Nuk e di, por them në zemer nuk e bej dot fajtore as ’dashurine” e dytë. Nuk qe nje aventure. Më beso. Qe ndjenjë. Qe zemër. Përse nuk na e heqin zemrën pas martesës së parë ? Nuk e di se ç’jam tani. Tradhetar? I poshtër? I them keto fjale e me duket sikur nuk më takojnë mua dhe as Asaj…Kam frike se burri ka lindur të dashurojë më shumë se një herë.
(Në një attachment Kristi më dërgonte shënimet e përgjerimet e dashurisë së parë.)
Vite më parë ndoshta do e kisha urryer, ndoshta. Por jo, tani nuk gjeja dot forca ta urreja. Në të kundërtën ndjeva dhimbje. Mua sinqeriteti i tjetrit me mund. Leonora Marx duke iu referuar mardhenieve të shqetesuara me burrin e saj, diku kishte shkruar :” Te kuptosh, do te thotë të falesh”. Keshtu më ndodhi edhe mua. Mbase kur kalon koha, maturohemi dhe arrijmë t’i kuptojmë disa gjëra e arrijmë edhe te falim.
Mu kujtua plaku Mori, fliste për faljen për te rënë në qetesi me shpirtin…
Albana M. Lifschin
NYC, Nentor, 2000
Komentet