Nëse aktvendimi flet se rregullat e Rregullores së Procedurës së Provave janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Gjykata Speciale do të jetë e gatshme për të ngritur aktakuzat nga muaji korrik.
Ky është njoftimi që Gjykata Speciale ua ka dërguar sot medieve:
Më 28 qershor 2017, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese do të shpallë aktvendimin mbi Referimin e Rregullores së Procedurës dhe të Provave të rishikuar Të mërkurën ,më 28 qershor 2017, Kryetarja e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatëse An Power-Ford, do të shqiptojë përmbledhjen e aktvendimit në lidhje me kushtetutshmërinë e rregullave të rishikuara të Rregullores së Procedurës dhe të Provave miratuar nga gjykatësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Shpallja e vendimit do të bëhet në orën 12:00, në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kryetarja e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese do të lexojë përmbledhjen e aktvendimit në anglisht. Përfaqësuesit e mediave nuk do të kenë mundësinë për të bërë pyetje dhe në ndërtesë nuk do të lejohen kurrfarë pajisjesh apo aparatesh elektronike.
Shpejt më pas, përmbledhjen e aktvendimit do të mund ta gjeni në faqen e Dhomave të Specializuara në internet.
Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova kishte dërguar në Kushtetuese për vlerësim nëntë prej rregullave të gjykatës nga Rregullorja e Procedurës dhe të Provave të Speciales, në fund të muajit maj, pasi ishin rishkruar ato.
Kushtetuesja e Speciales, në fund të prillit 2017, kishte gjetur se këto nëntë rregulla, 19, 31, 32, 33, 35, 36, 38, 54, dhe 158 të rregullores së Procedurës dhe të Provave janë në shpërpushje me Kushtetutën e Kosovës, dhe nenet që garantojnë të drejtat dhe liritë e njeriut.
Kushtetuesja ka pasur 30 ditë kohë për rishqyrtimin e Rregullores për të siguruar përputhshmërinë e saj me Kapitullin II, përfshirë nenin 55, të Kushtetutës që garanton të drejtat themelore.
Nëse aktvendimi që do të publikohet të mërkurën është në përputhje me Kushtetutën, Rregullorja do të hyjë në fuqi shtatë ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Dhomave Speciale. Pas hyrjes në fuqi të Rregullores, Dhomat e Specializuara do të funksionalizohen tërësisht në aspektin gjyqësor dhe do të jenë të gatshme për kryerjen e procedurave gjyqësore
Komentet