Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka lëshuar të enjten fletarrestime për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, si dhe për zyrtarët e Hamasit, duke i akuzuar ata për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit për luftën në Rripin e Gazës, dhe për sulmet e tetorit 2023 në Izrael.
Netanyahu e dënoi fletarrestimin e lëshuar ndaj tij, duke thënë se Izraeli “kundërshton me neveri veprimet absurde dhe të rreme”. Në deklaratën e lëshuar nga zyra e tij, ai tha se “nuk ka asgjë më të drejtë sesa lufta që Izraeli po kryen në Gazë”.
Vendimi i GJNP-së nënkupton se Netanyahu dhe të tjerët tani kërkohen ndërkombëtarisht si të dyshuar dhe ka të ngjarë t’i izolojë ata edhe më shumë.
Njëkohësisht, ky vendim ka mundësi t’i ndërlikojë përpjekjet për arritjen e një armëpushimi për t’i dhënë fund luftës mbi njëvjeçare mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Megjithatë, këto fletarrestime mund të jenë të kufizuara në praktikë, duke qenë se Izraeli dhe aleati i tij kryesor, Shtetet e Bashkuara, nuk janë anëtarë të kësaj gjykate, ndërsa disa zyrtarë të Hamasit janë vrarë tashmë në këtë luftë.
Netanyahu dhe liderët e tjerë izraelitë e kanë dënuar kërkesën e kryeprokurorit të GJNP-së, Karim Khan, për lëshimin e fletarrestimeve për ta, duke e cilësuar si antisemitike.
Edhe presidenti amerikan, Joe Biden, e kishte kritikuar kërkesën e Khanit dhe kishte shprehur përkrahje për të drejtën e Izraelit për ta mbrojtur veten kundër Hamasit. Edhe Hamasi e kishte kritikuar kërkesën e kryeprokurorit.
“Gjykata konsideron se ka arsye të bazuara për të besuar se të dy individët, qëllimshëm dhe me dijeni, ia mohuan popullsinë civile në Gazë qasjen në objektet e domosdoshme për mbijetesën e tyre, duke përfshirë ushqimin, ujin, ilaçet dhe furnizimet mjekësore, si dhe karburantin dhe energjinë elektrike”, shkroi paneli prej tre gjyqtarësh në vendimin e tyre për të lëshuar fletarrestime për Netanyahun dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Gjykata lëshoi fletarrestim edhe për Mohammed Deif, njërin nga liderët e Hamasit. Kryeprokurori i GJNP-së kishte kërkuar fletarrestime edhe për dy figurat e larta të Hamasit, Yahya Sinwar dhe Ismail Haniyeh, por që të dy janë vrarë në luftën në Gazë.
Hamasi, që asnjëherë zyrtarisht nuk e ka pranuar vdekjen e Deifit, e cilësoi lëshimin e fletarrestimeve kundër Netanyahut dhe Gallantit si “hap i rëndësishëm drejt drejtësisë”.
Reagime nga udhëheqësit dhe organizatat ndërkombëtare
Pas njoftimit të GJNP-së, Shtetet e Bashkuara thanë se “kundërshtojmë tërësisht” vendimin e gjykatës.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga nxitimi i prokurorëve për të kërkuar fletarrestime dhe gabimet që çuan në këtë vendim. SHBA-ja ka qenë e qartë se GJNP-ja nuk ka juridiksion mbi këtë çështje”, tha një zëdhënës i Këshillit amerikan për Siguri Kombëtare.
Edhe Argjentina ka shprehur “keqardhje të thellë” me vendimin, pasi sipas presidentit argjentinas, Javier Milei, ai “injoron të drejtën legjitime të Izraelit për vetëmbrojtje kundër sulmeve të vazhdueshme nga organizatat terroriste sikurse Hamasi dhe Hezbollahu”.
Shefi për politikë të jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se vendimi për fletarrestime është “i detyrueshëm” dhe duhet të zbatohet.
“Nuk është vendim politik. Është vendim i një gjykate, një gjykate të drejtësisë, të një gjykate ndërkombëtare të drejtësisë. Vendimet e gjykatës duhet të respektohen dhe zbatohen”, tha ai gjatë një vizite në Jordani.
Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, tha se shteti i tij mbështet GJNP-në dhe kjo gjykatë “duhet të luajë një rol ligjor dhe jo politik”.
“Ne do ta vlerësojmë [vendimin] së bashku me aleatët tanë se çfarë do të bëjmë dhe si ta interpretojmë këtë vendim”, tha ai.
Ndërkaq, ministri i Drejtësisë së Turqisë, Yilmaz Tunc, shteti i së cilit kritikon ashpër luftën e Izraelit në Gazë tha se vendimi është pozitiv “për të ndalur gjakderdhjen” dhe për të ndalur luftën në territorin palestinez, duke kërkuar që të gjithë përgjegjësit për vrasjen e civilëve palestinezë duhet të përballen me drejtësinë për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.
Edhe organizatat për të drejtat e njeriut kanë reaguar pas vendimit të GJNP-së. Human Rights Watch tha se me këto fletarrestime “më në fund ka një shtytje për komunitetin ndërkombëtar që të adresojë këto mizori dhe të ofrojë drejtësi për të gjithë viktimat në Palestinë dhe Izrael”.
Amnesty International tha se tani Netanyahu “është njeri i kërkuar”.
“Anëtarët e GJNP-së dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të ndalet derisa këta individë të përballen me gjykim në GJNP”, tha sekretarja e përgjithshme e Amnesty International, Agnes Callamard.
Yael Vias Gvirsman, që përfaqëson 300 viktimat izraelite të sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar, u tha gazetarëve jashtë GJNP-së se “fletarrestimi ndaj Deifit ka një rëndësi të madhe. Nënkupton se zërat e të gjithë viktimave po dëgjohen”.
Ajo tha se klientët e saj kanë pasur “reagime të përziera” sa u përket fletarrestimeve të lëshuara kundër udhëheqësve izraelitë.
Ç’është Gjykata Ndërkombëtare Penale?
GJNP-ja është themeluar më 2002, si gjykatë e përhershme e nivelit më të lartë për ndjekjen penale të individëve përgjegjës për krimet më të rënda në botë – krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidin dhe krimin e agresionit.
Statuti i Romës, i cili ka paraparë krijimin e GJNP-së, është miratuar më 1998, dhe ka hyrë në fuqi kur ka arritur 60 ratifikime, më 1 korrik të vitit 2002. Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) e ka mbështetur GJNP-në, por gjykata është e pavarur.
Shtetet anëtare të GJNP-së, gjithsej 124, e kanë nënshkruar Statutin e Romës. Dhjetëra vende nuk e kanë nënshkruar dhe nuk e pranojnë juridiksionin e gjykatës për krime lufte, gjenocid dhe krime të tjera. Ndër to janë Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Kina.
Pa një forcë policore, GJNP-ja varet nga shtetet anëtare për arrestimin e të dyshuarve, gjë që është dëshmuar të jetë pengesë e madhe për ndjekje penale.
GJNP-ja përfshihet kur vendet nuk munden apo nuk shprehin vullnet t’i ndjekin penalisht krimet e kryera në territorin e tyre.
Ministria e Jashtme e Izraelit tha në shtator se kishte paraqitur dy dokumente ligjore që sfidojnë juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) dhe argumentojnë se gjykata nuk i kishte dhënë Izraelit mundësinë për t’i hetuar vetë akuzat, para se të kërkonte fletarrestime.
“Asnjë demokraci tjetër me një sistem ligjor të pavarur dhe të respektuar, si ai i Izraelit, nuk është trajtuar në këtë mënyrë paragjykuese nga prokurori”, shkroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Oren Marmorstein, në X.
Ai tha se Izraeli mbetet “i palëkundur në angazhimin e tij për sundimin e ligjit dhe drejtësinë” dhe do të vazhdojë të mbrojë qytetarët e tij kundër militantizmit.
GJNP-ja është gjykatë e instancës së fundit që ndjek penalisht rastet vetëm kur autoritetet vendore të zbatimit të ligjit nuk munden, ose nuk duan t’i hetojnë. Izraeli nuk është shtet anëtar i GJNP-së. Vendi ka pasur vështirësi të hetojë vetveten në të kaluarën, thonë grupet për të drejtat e njeriut.
Pavarësisht fletarrestimeve, asnjë nga të dyshuarit nuk pritet të dalin para gjyqtarëve në Hagë së shpejti. Vetë gjykata nuk ka politikë për të zbatuar fletarrestimet, por mbështetet në bashkëpunimin e shteteve anëtare.
Megjithatë, rreziku për t’u arrestuar mund ta bëjë të vështirë për Netanyahun dhe Gallantin të udhëtojnë jashtë vendit, edhe pse presidenti rus, Vladimir Putin, i cili kërkohet nga GJNP-ja për krime të dyshuara lufte në Ukrainë, tregoi kur e vizitoi Mongolinë, vend anëtar i gjykatës, rishtazi se ai mund të udhëtojë jashtë vendit, dhe të mos arrestohet prapëseprapë.
Khan bëri kërkesë për fletarrestime në maj, duke i akuzuar Netanyahun dhe Gallantin për krime, duke përfshirë vrasje, sulme të qëllimshme ndaj civilëve dhe përndjekje.
Në lidhje me liderët izraelitë, Khan në mënyrë specifike i nënvizoi si arsye për fletarrestime “shkaktimin e urisë tek civilët si mjet lufte”, “shkaktimin e vuajtjeve të mëdha me qëllim”, “udhëheqjen e qëllimshme të sulmeve ndaj popullsisë civile” dhe “veprimet e tjera çnjerëzore”.
Khan i akuzoi tre liderët e Hamasit se janë përgjegjës për “shfarosje”, “rrëmbim”, “përdhunim dhe vepra të tjera të dhunës seksual “, “torturë” dhe “vepra çnjerëzore”, gjatë sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, ku u vranë 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen 250 të tjerë.
Sulmi i Hamasit e nxiti luftën e Izraelit në Gazë.
Prej atëherë, hakmarrja e Izraeli e ka shkatërruar Gazën, si dhe i ka vrarë mbi 44.000 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila udhëhiqet nga Hamasi. REL