Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër-arrest për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, duke e akuzuar atë se është përgjegjës për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina, që përbën krim lufte.
Në deklaratën e gjykatës u tha se urdhër-arresti është lëshuar edhe për Maria Lvova-Belova, zyrtare ruse për të drejtat e fëmijëve, e cila dyshohet se drejton dëbimin e fëmijëve ukrainas për në Rusi.
Të dy dyshohen se “kanë kryer vepra vetë, bashkërisht me persona të tjerë apo përmes personave të tjerë”, u tha në njoftimin e gjykatës.
Aty po ashtu u tha se Putin ka dështuar “të ushtrojë kontrollin e duhur mbi vartësit civilë dhe ushtarakë që kryen veprat, ose lejoi kryerjen e tyre”. Sipas gjykatës, vartësit ishin “nën kontrollin efektiv të tij [Putinit], në përputhje me përgjegjësinë superiore”.
“Ka arsye për të besuar se çdo i dyshuar është përgjegjës për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të popullsisë dhe transferimit të paligjshëm të popullsisë nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse, sa i përket fëmijëve ukrainas”, tha Gjykata Penale Ndërkombëtare në deklaratën e lëshuar më 17 mars.
Me këtë urdhër-arrest, Putin bëhet kreu i tretë në botë, që gjatë kohës në pushtet, është përballur me urdhër-arrest ndërkombëtar nga tribunave për krime lufte, së bashku me liderin sudanez, Omar al-Bashir dhe atë të Libisë, Muammar Gaddafi.
“Vendim historik për Ukrainën”
Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin, tha se vendimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, me seli në Hagë, është vendim “historik”.
“Tash e tutje, presidenti rus ka status zyrtar të të dyshuarit për kryerjen e një krimi ndërkombëtar”, tha ai përmes një deklarate.
“Ky është vendim historik për Ukrainën dhe për gjithë sistemin e ligjit ndërkombëtar”.
*Video nga arkivi: Një familje ukrainase nga Mariupoli i ka rrëfyer Radios Evropa e Lirë përvojat e kalimit nëpër një kamp rus filtrimi dhe të shpërnguljes në Moskë. Nëna në fund arriti t’i nxirrte fëmijët nga Rusia, nëpërmjet Bjellorusisë dhe Polonisë, përderisa bashkëshorti zgjodhi të qëndronte atje.
Rusia: Urdhër-arresti ndaj Putinit, vendim skandaloz
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e cilësoi “skandaloz” vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare ndaj Putinit.
“Vetë çështja e ngritur [nga gjykata në Hagë] është skandaloze dhe e papranueshme. Rusia, së bashku me disa shtete të tjera, nuk e njeh juridiksionin e asaj gjykata, prandaj çdo vendim i këtij lloji për Rusinë nuk vlen nga aspekti ligjor”.
Ai nuk pranoi më shumë pyetje nga gazetarët për këtë çështje.
Ndërkaq, duke u përgjigjur lidhur me urdhër-arrestin ndaj Putinit, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse tha se ky urdhër-arrest “nuk ka kurrfarë rëndësie”.
“Vendimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare nuk kanë asnjë rëndësi për shtetin tonë, përfshirë edhe nga aspekti ligjor”, tha Maria Zakharova përmes një postimi në Telegram.
“Rusia nuk është palë e Statusit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe nuk ka asnjë obligim sipas këtij statusi. Rusia nuk bashkëpunon me këtë trup, dhe ‘recetat’ e mundshme për arrestime që vijnë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare ligjërisht do të jenë të pavlefshme për ne”.
As Rusia, e as Ukraina nuk janë anëtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Kievi, megjithatë, i ka dhënë juridiksioni kësaj gjykate që të ndjekë krimet e kryera në territorin e saj që kur Moska nisi pushtimin vitin e kaluar.
Gjykata Penale Ndërkombëtare, e përbërë nga 123 anëtarë, nuk ka forcë të saj policore për të zbatuar urdhër-arrestet, por varet nga shtetet anëtare që të arrestojnë të dyshuarit për t’i sjellë më pas për gjykim në Hagë.
Përderisa urdhër-arresti ka të ngjarë të dobësojë statusin e Putinit në qarqet ndërkombëtare, është ende e paqartë se si do të ekzekutohet urdhri kundër tij.
“Ky është një moment i rëndësishëm në procesin e drejtësisë para Gjykatës… teksa gjyqtarët lëshojnë urdhër-arreste, ekzekutimi i tyre varet nga bashkëpunimi ndërkombëtar”, tha presidenti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, gjykatësi Piotr Hofmanski.
Pavarësisht dëshmive të shumta, Rusia vazhdimisht ka mohuar se ka kryer mizori që kur ka nisur pushtimin e shtetit fqinj, Ukrainës, më 24 shkurt 2022.
Lvova-Belova, që është komisionare presidenciale për të drejtat e fëmijëve, besohet se ka punuar drejtpërdrejt nën urdhrin e Putinit dhe sipas zyrtarëve amerikanë, ajo ka mbikëqyrur dëbimin e “mijëra” fëmijëve ukrainas për në Rusi.
“Përpjekjet e Lvova-Belova, veçmas përfshijnë birësimin e detyruar të fëmijëve ukrainas në familjet ruse, të ashtuquajturin ‘edukim patriotik’ të fëmijëve ukrainas, ndryshimeve legjislative për të përshpejtuar dhënien e shtetësisë ruse për fëmijët ukrainas dhe largimin e qëllimshëm të fëmijëve ukrainas nga forcat e Rusisë”, tha Departamenti amerikan i Shtetit më 15 shtator të vitit të kaluar, kur e vendosi Lvova-Belova në listën e sanksioneve amerikane.
HRW: Hapi i parë për t’i dhënë fund mosndëshkimit
Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, që ka dokumentuar transferimin e civilëve ukrainas dhe i ka cilësuar këto veprime si “shkelje serioze të ligjeve të luftës që përbëjnë krime lufte dhe potencialisht krime kundër njerëzimit”, tha se urdhër-arresti ndaj Putinit “është hapi i parë për t’i dhënë fund mosndëshkimit që ka inkurajuar për një kohë të gjatë bartësit e luftës ruse kundër Ukrainës”.
“Urdhër-arrestet dërgojnë mesazh të qartë se dhënia e urdhrave për të kryer apo tolerimi i krimeve serioze kundër civilëve mund të çojë në burgjet në Hagë. Urdhër-arrestet janë kambanë zgjimi për të tjerët që kanë kryer shkelje apo i kanë fshehur ato, se dita e tyre që të dalin para gjykatës mund të vije, pavarësisht pozitës apo rangut ushtarak që kanë”, tha Balkees Jarrah, drejtoreshë për drejtësi ndërkombëtare në HRW.
Gjykata Penale Ndërkombëtare tha se përderisa urdhër-arrestet zakonisht konsiderohen sekrete me qëllim që të mbrojnë viktimat dhe dëshmitarët dhe të mbrojnë hetimet, fakti që krimet po vazhdojnë, e shtyn atë të publikonte lajmin pasi “urdhër-arrestet mund të kontribuojnë në parandalimin e kryerjes së mëtejme të këtyre krimeve”.