Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë ka pranuar të debatojë nismën e BDI-së për vlerësimin e Kushtetushmërisë të vendimit për shpërndarjen e Kuvendit të Maqedonisë, më 18 janar.
Gjykata gjithashtu ka vendosur që deri në vendimin përfundimtar të pezullojë të gjitha aktivitetet zgjedhore.
Vendimi është miratuar me konsesus mes 9 anëtarëve të gjykatës. Gjykata vendimin për të debatuar për këtë nismë e ka arsyetuar me ndjeshmërinë e situatës në të cilën ndodhet Maqedonia.
Një nismë të tillë ajo e kishte hedhur poshtë në muajin janar me arsyetimin se nuk ka bazë ligjore meqë vendimi, sipas saj, ishte në përputhje me Kushtetutën.
Nisma e Bashkimit Demokratik për Integrim ka pasuar vendimin e VMRO-DPMNE-së, së Nikolla Gruevkit që e vetme të shkojë në zgjedhjet e 5 qershorit.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që mundëson rikthimin e Kuvendit si hap të parë për zgjidhjen e krizës së rëndë politike.
“Ftoj të gjithë liderët, mediat si dhe shoqërinë civile që të veprojnë me përgjegjësi të plotë përballë gjendjes në të cilën gjindet vendi dhe të kontribuojnë për rikthimin e sigurisë, stabilitetit si dhe të përkushtohemi fuqishëm për një agjendë serioze reformuese”, ka shkruar kreu i BDI-së, Ahmeti në rrjetin social Facebook.
Komentet