Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është detyruar nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut që të mos ndërmarrë asnjë veprim ndaj gazetarit Elton Qyno. Deri në momentin kur të ketë një vendim të formës së prerë, gjykata kufizon SPAK-un të përmbahet dhe ndalojë kryerjen e çdo veprimi apo inspektimi, shpërndarje ose përpunimi gjyqësor të mëtejshëm të materialit të sekuestruar.
Syri tv
Gjykata e të Drejtave të Njeriut pranë Selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë të Zvicrës ka dalë me një vendim lidhur me veprimet e SPAK dhe GJKKO-së ndaj gazetarit Elton Qyno. Komiteti i gjyqtarëve ndërmori një masë pezulluese duke detyruar prokurorinë e Posaçme të përmbahet dhe ndalojë kryerjen e çdo veprimi apo inspektimi, shpërndarje ose përpunimi gjyqësor të mëtejshëm të materialit të sekuestruar ndaj gazetarit Elton Qyno.
Komuniteti i gjyqtarëve, shprehet se ndërkohë çështja e rastit Qyno është regjistruar pranë gjykatës së OKB-së dhe aktualisht është në shqyrtim nga ana e komitetit. Vendimi i komunitetit është marrë të mërkurën më 17 janar 2024 në Gjenevë të Zvicrës. Përmes këtij vendimi të marrë nga gjykata më prestigjoze e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, SPAK detyrohet të mos prekë dhe të mos hapë apo qoftë dhe të ekspertojë paisjet e punës, familjare dhe dokumentat e sekuestruara tek banesa, makina dhe të vendi i punës i gazetarit Elton Qyno.
Kjo është një masë e qartë parandaluese që frenon prokurorët e SPAK të hapin paisjet dhe kontrollojnë çdo material të sekuestruar tek gazetari. Madje edhe për materialet që ka mundur ti aksesojë SPAK, komiteti i gjyqtarëve shprehet se prokuroria nuk mund ti përdorë vetë dhe as ti shpërndajë apo ti bëjë pjesë e ndonjë përpunimi gjyqësor. Komitetit qartëson se rastin Qyno do e ndjekë në vijim duke lënë afate konkrete ndaj shtetit Shqiptar, për të dhënë prapësime ndaj këtij rasti.