Një gjykatë në Serbi urdhëroi të premten mbajtjen në paraburgim dhe hetimin e tre policëve të Kosovës që u arrestuan më 14 qershor në një incident që rriti tensionet midis dy vendeve.
“Sipas propozimit të prokurorit publik, gjyqtari i procedurës të Gjykatës së Lartë në Kralevë, urdhëroi ndalimin e të gjithë të dyshuarve”, thuhet në një deklaratë të zyrës së Prokurorisë Publike në Kralevë, një qytet në jugperëndim të Serbisë.
Prokuroria akuzon tre policët për “prodhim, posedim, mbajtje dhe trafik të paautorizuar të armëve dhe lëndëve shpërthyese”, thuhet në deklaratë.
Ende nuk është bërë e ditur kohëzgjatja e paraburgimit.
Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duke e akuzuar Serbinë për “cenim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore” të Kosovës.
Beogradi thotë se policët janë kapur brenda territorit të Serbisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tyre.