Në Tiranë, Gjykata e Posaçme bëri të ditur se do të shqyrtojë më 26 dhjetor kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për zëvendësuar masën e sigurisë ndaj ish kryeministrit Sali Berisha, person nën hetim i dyshuar për korrupsion pasiv në bashkëpunim, për çështjen e privatizimit të ish Kompleksit Sportiv Partizani.
Drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, tha dy ditë më parë për mediat se masa e re e sigurisë ndaj zotit Berisha mbetet në vlerësimin e prokurorëve të çështjes, ndërsa burime nga ky institucion, kanë bërë të ditur se për ish kryeministrin është kërkuar masa “arrest shtëpie”.
Kuvendi autorizoi një ditë më parë Prokurorinë e Posaçme për arrestin e zotit Berisha, i cili nuk respektoi masën e mëparshme “detyrim paraqitje”, duke e quajtur si antikushtetuese. Ai cilësoi si antikushtetues edhe vendimin e Kuvendit për të lejuar arrestimin e tij.
Zoti Berisha quan si sulm politik nga kryeministri Rama përfshirjen e tij në hetimet për çështjen e ish kompleksit Partizani, ky dyshohet se me akte të ndryshme gjatë procedurave të privatizimit, favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, si një nga pronarët e terrenit, ku më pas u ndërtua një grup pallatesh.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Posçme kundërshtoi në Gjykatën e Lartë vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm për ndryshimin e masës së arrestit të Jamarbër Malltezit nga arrest me burg në arrest shtëpiak.
Ai u arrestua në aeroportin e Rinasit dhe masa e parë ndaj tij ishte arrest me burg, por më pas Apeli e ndryshoi masën e sigurisë.