Gjykata e Lartë në Shqipëri pritet të vendosë sot se kujt i takon vula, logoja dhe drejtimi i Partisë Demokratike. Çështja tashmë është dërguar në Gjykatën e Lartë nga grupimi i Rithemelimit i Sali Berishës.
Kjo kërkesë është dorëzuar për vendimin e 3 marsit, kur Apeli i Përgjithshëm e ktheu për shqyrtim në Gjykatën e shkallës së parë çështjen e pronësisë së logos dhe vulës së Partisë Demokratike. Në pritje të këtij vendimi, Sali Berisha, thirri në protestë mbështetësit e tij.
Në fjalën e tij para protestuesve, Berisha tha se edhe Gjykata e Lartë është një vegël në duart e kryeministrit Edi Rama, ndërsa më së shumti foli për hetimet ndaj tij për rastin “Partizani” sesa për përplasjen brenda PD-së për vulën dhe logon e partisë.
“Kjo nuk është betejë e Sali Berishës, ndonëse unë po burgosem në mënyrën më të padrejtë. Kjo është betejë për lirinë e shqiptarëve, për dinjitetin e tyre apo nënshtrimin e tyre”, tha Berisha.
Për mbarëvajtjen e protestës ishin angazhuar forca të shumta të policisë përreth ndërtesës së Gjykatës së Lartë.
Berisha u ul për disa minuta në trotuarin para Gjykatës së Lartë, dhe më pas marshoi bashkë me mbështetësit e tij drejt selisë së Partisë Demokratike, apo siç njihet selia e Rithemelimit.
Po sot, Gjykata e Posaçme pritet të vendosë për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK), për arrestimin e Berishës për rastin “Partizani”. Në kërkesë specifikohet se kërkohet “arrest shtëpie”, se duhet të ruhet nga policia dhe se i ndalohet komunikimi me këdo tjetër pos personave me të cilët jeton në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë.
Para mbështetësve në selinë e partisë që ai drejton, Berisha tha se “askush dhe asgjë nuk më ndan nga ju” . Më pas hyri në selinë e partisë, ku pret vendimin e Gjykatës së Posaçme.
Kuvendi i Shqipërisë më 21 dhjetor votoi në favor të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK) për t’ia hequr imunitetin e deputetit ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i hapur rrugën arrestimit të tij nën dyshimin për korrupsion.
Prokurorët u kërkuan ligjvënësve javën e kaluar t’ia heqin Berishës imunitetin parlamentar, sepse ai nuk i ishte përmbajtur urdhrit për të raportuar në SPAK çdo dy javë dhe për të mos u larguar nga vendi, derisa po hetohej për korrupsion.
Me 75 vota në favor, Kuvendi e miratoi kërkesën për t’ia hequr Berishës imunitetin parlamentar të enjten.
Për çfarë akuzohet Berisha?
Berisha, 79 vjeç, u akuzua në tetor se kishte abuzuar me pozitën e tij duke e ndihmuar dhëndrin Jamarbër Malltezi të blejë tokë në Tiranë, e cila ishte në pronësi të qytetarëve dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe t’i ndërtojë 17 ndërtesa banimi në atë tokë.
Berisha dhe Malltezi i kanë hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se rasti ndaj tyre është i nxitur nga partia në pushtet e kryeministrit Edi Rama, Partia Socialiste.
Prej tetorit, deputetët e Partisë Demokratike në opozitë i kanë penguar vazhdimisht seancat e Kuvendit për ta penguar, siç e quajnë ata, sundimin tejet autoritar të socialistëve.
Berisha shërbeu si kryeministër i Shqipërisë nga viti 2005 deri më 2013, si dhe si president nga viti 1992 deri në vitin 1997.
Shtetet e Bashkuara në maj 2021 dhe Britania e Madhe në korrik 2022 ia ndaluan Berishës dhe familjarëve të tij të afër të udhëtojnë në këto dy vende, për shkak të dyshimeve të përfshirjes së tij në korrupsion.