Gjykata e Lartë tha të premten se nuk do ta shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar kërkesën e prokurorit të posaçëm Jack Smith për të përcaktuar nëse ish-presidenti Donald Trump mund të ndiqet penalisht për veprimet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Vendimi është një fitore për zotin Trump dhe avokatët e tij, të cilët kanë kërkuar vazhdimisht ta vonojnë këtë dhe çështje të tjera penale kundër tij, ndërsa ai përpiqet rimarrë Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.
Me këtë veprim gjykata më e lartë e vendit shmang një vendim të shpejtë që me siguri do t’i kishte hedhur poshtë pretendimet e ish-presidentit Trump për imunitet duke e shtyrë çështjen drejt një gjyqi të planifikuar të fillonte më 4 mars.
Çështja tani do të përcaktohet nga Gjykata e Apelit për Qarkun kryeqytetit Washington, e cila ka sinjalizuar se do të veprojë me shpejtësi për të vendosur çështjen.
Prokurori i posaçëm Jack Smith kishte paralajmëruar se edhe një vendim i shpejtë i apelit mund të mos ta çonte çështjen në kohë për shqyrtim dhe vendim në Gjykatën e Lartë përpara përfundimit të sezonit para pushimeve verore.
Prokurori Smith i kishte kërkuar me këmbëngulje Gjykatës së Lartë të ndërhynte, duke përmendur si argument interesin e rëndësishëm publik për një zgjidhje të shpejtë të çështjes.
Kërkesa për ta kapërcyer gjykatën e apelit, gjë që vetë prokurori Smith e pranoi se ishte “e jashtëzakonshme”, nxirrte në pah shqetësimet e prokurorëve se lufta ligjore mbi këtë çështje mund ta shtyjë fillimin e gjyqit të zotit Trump përtej zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.
Gjykata e hodhi poshtë kërkesën për veprim të shpejtë me një përgjigje prej një fjalie lëshuar pasditen e së premtes. Sipas praktikës së gjykatës, anëtarët e saj nuk dhanë asnjë shpjegim për vendimin. Departamenti i Drejtësisë nuk pranoi të komentojë.
Në një deklaratë për përkrahësit e tij zoti Trump e cilësoi fitore vendimin e Gjykatës së Lartë, por shtoi se “do të më duhet të luftoj për të drejtat e mia në Gjykatën e Apelit”.
Prokurorët e kanë akuzuar zotin Trump, kandidatin kryesor presidencial republikan për zgjedhjet e vitit 2024, për përpjekje për të penguar punën e Kongresit dhe për komplot për të përmbysur fitoren e presidentit demokrat Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020.
Ish-presidenti Trump ka argumentuar se çështja duhet të hidhet poshtë me arsyetimin se ish-presidentët nuk mund të përballen me akuza penale për veprime që lidhen me përgjegjësitë e tyre zyrtare.
Gjykatësja Tanya Chutkan e hodhi poshtë atë pretendim më 1 dhjetor, duke bërë që zoti Trump ta apelojë çështjen në Gjykatën e Apelit të Uashingtonit. Procesi i apelit e pezullon përkohësisht gjyqin e tij, aktualisht të caktuar për në mars.
Nëse zoti Trump rizgjidhet në Shtëpinë e Bardhë më 5 nëntor, ai mund të kërkojë të lëshojë falje për veten e tij ndaj çdo krimi federal. Avokatët e zotit Trump e kundërshtuan kërkesën e prokurorit Smith, duke thënë se ajo ishte një përpjekje e pamatur për të përshpejtuar çështjen.
Tre nga nëntë anëtarët e Gjykatës së Lartë janë emëruar nga zoti Trump, duke konsoliduar një gjykatë me shumicë konservatore 6-3.