Mungesa e gjyqeve politike kundër Klerit Katolik në Shqipni aty nga vitët 1952 e deri kah vitët 1957, filloi me krijue në popull idenë e njëfarë ndryshimi të kursit diktatorial të komunizmit edhe tek na, si në vendet tjera të Europës Lindore. Ata bane ndryshime në mjaft udhëheqje të shumë vendeve “socialiste”, por të gjitha tashti ishin në një vathë të përbashkët nën kolonizatorin sovjetik rus që quhej Traktati i Varshavës.
Një vend aty formalisht e kishte edhe Shqipnia “socialiste”…
Në Bashkimin Sovjetik, mbas diktatorit Stalin, ardhja e Nikita Hrushovit, jepte pamjen e ardhjes një “reformatori” në krye të krejt kampit komunist, gja që ngjallte shpresat edhe tek na për ndryshime e zbutje!
Heqja e monumenteve te Stalinit, jo vetëm ndër shtetet e Europës Lindore, por edhe në Moskë, nxjerrja e Stalinit nga maozoleumi mu në Sheshin e Kuq të Moskës dhe varrosja e tij pranë carit Ivani i Tmershëm në murin e Kremlinit, na dukej se po jetojmë në një epokë krejt tjetër… kjo ishte një anderr e paimagjinueshme nga të gjithë ata që kishin provue se çka do me thanë diktaturë komuniste staliniste!
Me këta ndryshime a mund të pajtohej diktatori Enver Hoxha?
Me pranue ky ata ndryshime që po banin të tjerët, a i mbushej këtij rradakja, se njëditë… edhe mundet me humbë postin e bashkë me te edhe kolltukun përsonal, për të cilin ky vriste edhe djalin e vet..?
Platforma e sigurimit të shtetit ishte gati që në vitin 1956, kur kje në hetuesi At Rrok Gurashi. Disa klerikë katolikë kishin fillue me “harrue” nga “ku janë?” nga privilegjet që u dha shteti atyne mbas nënshkrimit të Statutit …disa të tjerë patën fillue me shkue edhe në plazh të Durrësit…
Në Shkoder po prëgatitej me u festue edhe 100 vjetori i Kishës Kathedrale me të vërtetë me madhështi…Nga njena Kishë në tjetren veç kur shihej populli jashta dyerve tue ndigjue predikatarët në të katër anët e vendit, qytet e fshat tue u dyndë ndër ceremoni fetare, martesa, kungime e krezmime…deri, edhe disa komunista që as nuk i shkonte kujt mendja se besonin në Zotin…Vdes ndonjë prift plak, por Imzot Errnesto Çoba “urt’e butë” me atë natyren e Tij filloi me shugurue disa meshtarë të ri…
Në periudhën e Revolucionit hungarez, kardinali Minzenti kur në Budapest patne hy tanket sovjetike dhe kur ambasada jugosllave nxori jashtë nga godina e saj dhe ia dorzoi sovjetikve Imbre Nagin, që kje një nga drejtuesit kryesor Trima të atij Revolucioni heroik dhe u pushkatue… Kardinali, pat deklarue në radio: “Po rashë në duertë e komunistëve, mos merrni asgja për bazë se çka mund të flas mbas arrestimit, mbasi torturat mund të me bajnë mos me kenë ma ky që jam sot…”
At Anton Luli në kujtimet e Tija të burgut shkruen se nga urija e madhe, njerzit në qelitë e sigurimit kanë mërritë me hangër nevojën që kryenin ndër biruca…
At Frano Kiri më ka tregue me gojen e Tij, se një polic i mirë e lejoi me pi urinen që kishte mbetë në rrasat e nevojtores…”
Ragip Meta më ka shpjegue se kur ishte i dënuem me vdekje dhe hapej dera e dhomës, u çonte i pari me shkue me u pushkatue për me shpetue nga vuejtjet…E sa nga këta episode ka Shqipnia?
Po, cili Shqiptar më beson sot mue, se kam pa me sytë e mi ndër disa dosje të Arkivit të Ministrisë së Mbrendshme në vitin 1998, dhe nuk i kam besue syve për çka po shihshe të shkrueme…e kam rilexue dhe kam shkue prap të nesërmen me verifikue “vetvetën”, mbasi kushdo me ma pasë thanë nuk do ta kishe besue se disa Atdhetarë, që duhen kujtue me respekt për qendrimin e tyne antikomunist kanë mërritë nga torturat e sigurimit tue kenë mbi stomin e gropës ku do të rrotullohej mbas breshnisë automatikve, kur i asht kerkue fjala e fundit e tyne kanë thanë: “Rroftë shoku Enver Hoxha..!” Atëherë, çfarë duhet të mendojmë na që nuk i kemi provue ato tortura e masakra mbi trupat tonë, kur disa nga ma të shquemit Atdhetarë kanë pësue deformime të tilla në trunin e Tyne, pikërisht, kur çdo shpresë ase premtim për faljen e jetës ishte shue, veç pritej plumbi i pushkëve e automatikve mbi gjokset e tyne…
Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Kadri Hazbiu, Zoji Themeli, Hilmi Seiti, Xheudet Miloti, Ali Xhunga, Nevzat Haznedari, Hamdi Ulqinaku, Zija Dibra, Çesk Shoshi, Asim Halili, Idriz Seiti, Kasem Troshani, Fadil Kraja (oficer), Shyqyri Çoku, Gjon Prennushi, Aranit Çela, Misto Bllaci, Namik Qemali, Dulaç Lekiqi, Elez Mesi, Dhimiter Shkodrani, El-ham Xhika, spijunët Gjon Jaku, Loro Beltoja e deri tek rojet e dyerve të birucave e të burgjeve apo të kampeve të shfarosjes të interrnimeve rrethue me tela me gjemba, të gjithë ishin me një formim dhe me të njajtat vese antinjerzore, që shpërthenin me mllef kur të pranguem përballë kishin një Klerik Katolik! Mund të mendohet se këto bisha që nuk mund të jetonin pa pi gjak klerikësh të pajtoheshin me ata “ndryshime” që po ngjanin në vendet tjera të Europës Lindore, që as nuk mund të krahasohet diktatura komuniste e tyne me ate që bante tek ne sigurimi i shtetit i Enver Hoxhës? Sikur të ngjante kjo, komunizmi do të ishte në grahmat e fundit, ai do të vdiste që në vitin 1953, njëheresh me Stalinin… Po kjo nuk mund të ngjante se diktatura ishte e pashoqe edhe pa Stalinin.
Kishte ardhë koha e zbatimit të projekteve të reja të komitetit qendror të PPSh, që ishin sajue në ministrinë e mbrendshme nga ma xhelatët që njeh historia të provueme nga seksioni katolik i degës së mbrendshme të Shkodres, prej terroristëve Hilmi Seiti, Xheudet Miloti dhe të aprovueme nga planifikimi i këtyne veprave nga forumet ma të larta të partisë dhe qeverisë shqiptare, sigurisht nën kujdesin e sovjetikëve.
Platforma e procesit të At Rrok Gurashit, i cili ridënohet në 1956 si “tradhëtar i organeve të sigurimit”, tue vazhdue me kenë i tillë derisa ka vdekë, fillon me një proces krejtsisht të paimagjinueshëm aqsa dhe të pabesueshem nga gjithë Shqiptarët që njohin veprat terroriste e barbare të sigurimit, që nga krijimi i tij nga emisarët e UDB – së jugosllave, dhe që vazhdonin me u instruktue nga KGB – ja sovjetike e Beries…ku, posa po vazhdonte specializimin atje edhe spijuni jugosllav Ramiz Alia.
Nuk mund të fillohej me “agjentura” titiste, se nuk përkonte në kohë me “zbutjen e politikes sovjetike kundrejt jugosllavëve, mbasi vetë Tito, para pak kohe kishte kalue pushimet në Krime me Hrushovin…”, as nuk mund të rifillonte hapja e proceseve me “agjenturat e Vatikanit”, mbasi duhej ndërthurë ngjarja me ambasadat Përendimore, gja që do të kishte konsumue para kohe zhdukjen e Imzot Errnesto Çobës, të Don Dedë Malaj e At Gjolaj. Nuk mund të krijoheshin lidhje me ambasaden franceze, mbasi do të mbetej pa u pushkatue Don Shtjefen Kurti… Nëse, do të rifillonte “historia” e konsumueme e “Partisë demokristjane”, ishte ba aq bajate sa askush nuk do të tregonte interes për ngjarje imagjinare. Nuk mund të çvendosej Veriu me krijue lidhjet e Klerit Katolik me një nga shtetet që nuk mund të besohej as nga vetë komunistët, me Greqinë. Ndër male pothuej nuk kishte fare diversanta, mbasi ishte shue fare çdo shpresë për me vazhdue rezistencën antikomuniste atje… që, i kushtoi aq shumë gjak e sakrifica Popullit Shqiptar pa asnjë rezultat.
Mbas vdekjes së Imzot Bernardin Shllakut në nandor të 1956, dhe largimit nga Argjipeshkvia e Shkodres, e dy nëpunësve Ndoc Nogës e Gjon Shllakut, sekretari i Argjipeshkvisë Don Mark Hasi, nuk ka besue kurrma se komunistët nuk janë tue u prëgatitë për veprime tjera kriminale kundër Klerit Katolik dhe më ka porositë përsonalisht mue, që mos me shkue as për vizita kortezie tek Don Marku, mbasi rrezikohej që njerëzit e sigurimit përrreth do të më implikonin me shpifje e gjana të pakenuna.
Imzot Errnesto Çoba për me më ruejtë nga rreziku, nuk më ka ngarkue fare me punue piktura katekizmi në shtyllat e Kishës së Madhe.
Papritmas vdes Don Matish Lisna, pak kohë mbas shugurimit të Don Simon Jubanit Meshtar në vitin 1958… i helmatisun.
Në ditët e para të Nandorit 1958, kur ishim tue rregullue vorret në Rrëmaji, më tregon Don Mark Hasi, se ato ditë asht ba një arrestim që nuk pritej… Një nga jezuitët e mbetun gjallë nga masakrimi në hetuesi të Koplikut, në vitin 1948. Çudia e madhe ishte si shpetoi pa iu mbetë në dorë e, ndoshta, kjo kje arësyeja që nuk e mbajtën shumë atëherë. Në një bisedë i ka shpreh Don Markut, se po të më mbanin edhe dy ditë ma shumë, “me siguri sot ishe i tretun në plehun e Zallit të Kirit.” Torturohej shumë se, Ai nuk pranonte me akuzue asnjë njeri. Forca e karakterit dhe e Burrnisë tek Ai nuk mateshin me shndetin dhe as me pamjen e Tij…
Ndër klerikët besnikë të Don Mark Hasit ishte edhe shoku i Tij i vjetër, që në seminarin e jezuitve Don Pjetër Gruda. Vetëm njëherë e kam takue tek Don Marku, po e njihshe se banonte në rrugën Gurakuqi. Kur Don Marku më tregoi për arrestimin e At Berishës, më tha se, i kishte tregue Don Pjetri, disa ditë ma parë se, “dikujt ia kanë vue synin ndër ne…po se kujt nuk e di…mbasi Hilmia asht dhelpën e pabesë dhe nuk i besova kur po pinim kafe në Kafe të Madhe, që më porositi gjoja se po më tregonte “sekret” se një klerik imoral do të arrestohet…po, me siguri, ky nuk mundet me kenë At Berisha…Ndoshta më ka provokue se mos unë po tregoj interes për emnin e priftit. Unë i thashë se po bani mirë që po hiqni një imoral nëse asht i tillë, mbasi edhe Vatikani “i izolon” kur ata japin shkangull. Mos keni fillue nëpërmjet rusve me u afrue me Papën? Ai qeshi, dhe i kishte përsëritë ‘ke për të dëgjuar..!”
Don Pjeter Gruda ishte frigue fort kur kishte ndigjue këte gja nga Hilmi Seiti, po me siguri kjo ishte një djallëzi i Hilmisë, që tue dashtë me krijue dyshime për Don Pjetrin, se gjoja asht spijun i yni dhe se do të fliste ndër miqë se do të arrestohet një prift, kishte mendue se Don Pjetri do të binte në kurthën e poshtersive të tij. Mprehtësia dhe aftësia me ruejtë Burrninë tek Don Pjeter Gruda ishin të jashtzakonshme dhe, këte e tregoi koha që erdhi ma vonë, kur Don Pjetri me vetmohim zgjolli pa Ju tutë syni rrugën e Martirizimit ashtu si shokët e Tij…
Komentet