Të falem ty, o gjuhë – shkëmb
me rrënjët thellë në shkëmbënj
që çave qiellin kur t’u vrënj
dhe shëmbe bisha e shtërpënj
pa mbete prapë
…..shkrep e shtëng;
të falem, gjuhë – shkrepëtim,
që shkrep në qiej e vrundullon,
me bujë pyjesh bubullon,
me gjëmë detesh uturon,
dhe je, siç ishe,
…..vetëtim;
të falem ty, o gjuhë – hoj,
ty, zëth i nënës – qetësi,
ty, këngë e foshnjës – kaltërsi,
ty, afshi i zemrës – dashuri –
gjithmon e ëmbël –
…..mjaltë zgjoi.
Të falem ty, o gjuhë e fisit tim,
siç nuk i falem asnjë perëndi –
se tempull i përjetshëm më je ti,
dhe ti mburoje nëpër mot të zi:
ti, dritë e krirtë nëpër errësi,
ti, perëndi, që nuk ke perëndim.
Komentet