Ky shkrim është një reflektim rasti i nxitur nga një mendim i shfaqur së fundi se gjuha shqipe ende nuk është standardizuar dhe nuk ka synimin që kjo çështje të shihet në tërësinë dhe në përbërshmërinë e kësaj çështjeje.
Në rrethanat e ndryshuara historike, shoqërore, politike, socio-gjuhësore të shqiptarëve e të hapësirës shqiptare, në rrethe të caktuara dhe nga studiues të caktuar, është bërë përpjekje të hapet e të riaktualizohet shpesh standardizimi i shqipes më pak nga studiues gjuhe e më shumë nga jogjuhëtarë. Ç’është e vërteta numri i tyre nuk ka qenë dhe as nuk është i madh, por shquhet me këmbënguljen herë të qëndrueshme e herë të dobësuar në këtë vijë.
Si rrjedhojë e këtij problematizimi duhet të shihet edhe krijimi i Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe[1] më 2004 dhe organizimi i disa veprimtarive shkencore në vitet e fundit ku janë shpërfaqur haptas edhe ide e mendime se në standard duhet të bëhen ndryshime të gjera, për të mos thënë të thella. Në Këshillin Ndërakademik të Gjuhës Shqipe, për shumë vjet, janë diskutuar çështje të ndryshme gjuhësore të rrafshit fonetik, morfologjik, sintaksor dhe leksikor, gjithnjë me synimin që standardi të përmirësohet e jo të ndryshohet – mendim ky i përgjithshëm i këtij këshilli. Megjithatë në mbledhjet e këtij Këshilli, edhe pse të rralla dhe shpesh me vonesa të mëdha, janë diskutuar edhe çështje t’i quajmë të ndjeshme siç është vendosja e strukturave të caktuara morfologjike, ndër të tjera përfshirja e paskajores me punue, funksionet e së cilës në standard i mbulon lidhorja e mbarë shqipes. Ishte mendimi i shumicës së anëtarëve të këtij Këshilli se përfshirja e kësaj forme foljore do të hapte mundësinë për një standard tjetër morfologjik-fonetik, paralel me standardin e vendosur në Kongresin e ’72-tës, për çka edhe u hodh poshtë me të drejtë nga shumica e anëtarëve të saj.

Standardi i gjuhës shqipe, u vendos e u pranua pas shumë vrojtimeve, studimeve e diskutimeve të studiuesve më të shquar të gjuhës shqipe, ndërkaq në Kongresin e Drejtshkrimit, pos gjuhëtarëve (Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Androkli Kostallari, Emil Lafe, Jorgji Gjinari, Anastas Dodi, Besim Bokshi, Remzi Nesimi, Osman Myderrizi, Pashko Geci, Fatmir Agalliu, Kolë Ashta, Stefan Prifti, Spiro Floqi, Jani Thomai, Xhevat Lloshi, Engjëll Angoni, Ferdinand Leka, Lirak Dodbiba, Henrik Lacaj, Ali Dhrimo, Remzi Përnaska, Mehmet Çeliku, Menella Totoni, Bahri Beci, Tomor Osmani, Ahmet Kelmendi, Dhimitër Samara, Nikoleta Cikuli, Isa Bajçinca, Sofika Morcka, Zana Daci e shumë të tjerë) morën pjesë edhe numër i madh shkrimtarësh e studiuesish të shquar të letërsisë shqipe, të historisë shqiptare dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi (Lasgush Poradeci, Dhimitër Shuteriqi, Aleks Buda, Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Jakov Xoxa, Sterjo Spasse, Shefqet Musaraj, Zihni Sako, Koço Bihiku, Qemal Haxhihasani, Jup Kastrati, Llazar Siliqi, Petro Janura, Ali Abdihoxha, Bedri Dedja, Jorgo Bulo, Dalan Shapllo, e shumë të tjerë). Standardi i shqipes i kodifikuar në këtë Kongres u mbështet në parimet e kriteret kryesore të gjuhësisë së përgjithshme, përkatësisht të teorisë bazë për krijimin e gjuhëve standarde.
Po cilët janë shënjuesit, funksioni dhe statusi sociopsikologjik i gjuhës standarde shqipe?
Pavarësisht pse mbajtja e një kongresi a e një tubimi të nivelit të Kongresit të drejtshkrimit (1972) gjithmonë ka edhe karakter politik, pra është çështje e politikës kulturore e shtetërore, ky Kongres shquhet me seriozitetin e madh shkencor jo vetëm pse në të morën pjesë pothuajse të gjithë studiuesit e gjuhës shqipe, por pse u bë edhe shesh i madh i diskutimi të gjerë shkencor. Gjuha standarde ka kaluar tashmë disa dhjetëvjetësha dhe për këto vjet ajo është studiuar gjerësisht si në rrafshin teorik ashtu edhe në rrafshin praktik. Mund të thuhet se gjuha standarde shqipe sipas teorisë bazë për krijimin e gjuhëve standarde përmbush të gjithë treguesit që përbëjnë një gjuhë standarde: qëndrueshmërinë elastike të standardit të saj, si tendosje dinamike midis kodifikimit dhe normës reale, që do të thotë se ajo është stabilizuar me kodifikim përkatës, kurse norma e saj e përcaktuar me këtë kodifikim ka treguar elasticitetin e duhur për t’iu përshtatur ndryshimeve e zhvillimeve të kohës dhe të folësve të saj për të cilët u krijua, pra për shqiptarët kudo qofshin ata.
Në gjuhësinë shqiptare, studimet për gjuhën standarde dhe në përgjithësi për çështjet standardologjike, po zëvendësohen me studimet gjuhësore nga anëvështrimi sociolinguistik. Këto studime të shtuara sidomos në dhjetëvjetëshat e fundit po përligjin, pos të tjerash, edhe faktin kryesor se modeli i planifikimit gjuhësor i propozuar nga Haugeni në veprën e tij Konflikti gjuhësor dhe planifikimi gjuhësor[2] e që përbëhet prej katër fazash: përzgjedhja e bazës së gjuhës standarde; kodifikimi i një norme me rregulla sa më të thjeshta e me sa më pak përjashtime; pranimi dhe zbatimi i normës i realizuar përmes arsimimit dhe edukimit gjuhësor, si faktor i rëndësishëm i planifikimit gjuhësor, dhe elaborimi përkatësisht zhvillimi funksional i saj, është realizuar e aktualizuar suksesshëm nga gjuhësia shqiptare, kurse zhvillimi, pasurimi dhe përsosja e normës së gjuhës standarde prej folësve të saj dhe institucioneve arsimore, kulturore dhe shtetërore në përgjithësi, rrjedhimisht edhe prej gjuhësisë shqiptare, vit pas viti, vërtetoi vlefshmërinë e vendimit të madh në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972. Pa një planifikim të mirëfilltë gjuhësor në ato fillime e në vitet në vijim, sidomos në shtetin amë e në Kosovë, pa dyshim se nuk do të mund të përmbushej suksesshëm kjo detyrë. Me gjithë rrethanat e vështirësuara, në rend të parë historiko-shoqërore-politike dhe me gjithë vështirësitë e përcaktimit dhe të përshtrirjes së politikës dhe planifikimit gjuhësor, në gjithë hapësirën shqiptare në mënyrë të njëjtë, është arritur të çohen para proceset standardizuese gjuhësore.
Planifikimi gjuhësor si konkretizim i politikës gjuhësore shqiptare parakupton gjithë proceset që kanë sjellë krijimin e gjuhës standarde më 1972, por planifikimi gjuhësor është nocion shumë më i gjerë se ç’është standardizimi dhe nuk mund të identifikohet me të ashtu siç nuk mund të identifikohet as me politikën gjuhësore, sepse me politikën gjuhësore parakuptohet veprimi dhe qëndrimi ndaj gjuhës, kurse me planifikimin gjuhësor ndikimi mbi gjuhën. Të arriturat mbidyzetvjeçare në këtë fushë shumë të rëndësishme kulturore e gjuhësore na lejojnë të themi se gjuha standarde shqipe përmbush të gjitha kriteret që janë përcaktuar nga studiuesit e krijimit të gjuhëve standarde, që kanë përplotësuar teorinë klasike mbi gjuhën standarde, e me të cilën parakuptohen këto funksione sociolinguistike: funksionin përbashkues – gjuha standarde shqipe bashkon të gjithë shqiptarët e të dyja dialekteve; funksionin veçues – gjuha standarde shqipe përfaqëson identitet të veçantë, simbol që identifikon bashkësinë shqipfolëse në raport me bashkësitë gjuhësore joshqipe; funksionin simbolik – gjuha stadarde për shqiptarët është simbol i identitetit kombëtar; funksionin e autoritetit – gjuha standarde, pasojisht zotërimi dhe zbatimi i saj, si për shqiptarin si subjekt shoqëror, ashtu edhe për shqiptarët si bashkësi etnike, do të thotë autoritet; funksionin qytetërues – me stadardizimin e gjuhës shqiptarët janë bërë komb modern; funksionin komunikues dhe kulturor – gjuha standarde shqipe kultivon dhe zhvillon shprehjen gjuhësore dhe kulturën gjuhësore në përgjithësi përmes sistemit arsimor, administratës, medies, letërsisë, etj.; funksionin shoqëror-politik – gjuha standarde i siguron gjuhës shqipe statusin e gjuhës kombëtare, zyrtare dhe shtetërore, por, për një status të tillë të gjuhës standarde është me rëndësi të madhe qëndrimi ynë ndaj saj, vetëdija jonë për rëndësinë e saj dhe qëndrimi ynë ndjenjor ndaj saj, të cilat ia sigurojnë asaj jo vetëm statusin shoqëror–kulturor po edhe statusin shoqëror-psikologjik. Nëse gjuha shqipe i përmbush, e i përmbush mirë këto funksione, në ç’funksion duhet të shihen kontestimet që i bëhen asaj?
Gjuha standarde shqipe ka edhe treguesit e tjerë të rëndësishëm shoqërorë: historinë, që shprehet përmes vetëdijes për bashkekzistencën dhe vazhdimësinë e pashkëputshme të dialekteve të saj, të gegërishtes e të toskërishtes, përmes vlerave të përbashkëta kulturore që shprehin këto dy idioma të shtresëzuara e të mbrujtura në gjuhën standarde; gjallësinë – gjuha shqipe është standardizuar në një moment të historisë së saj, por ajo po tregon qëndrueshmëri dhe hapje ndaj ndryshimeve që ka sjellë e po sjell koha, që po sjell zhvillimi i shqiptarëve në gjithë hapësirën e tyre dhe që po sjellin zhvillimet në përgjithësi në gjithë botën; dhe përshtrirjen – gjuha shqipe është standardizuar dhe pranuar nga gjithë shqiparët kudo janë, pra, edhe nga gegëfolësit. Këta tregues janë përgjigjja më e mirë që u bëhet kontestuesve të saj.
Kontestuesit e gjuhës standarde, sot, thonë se gjuha standarde nuk është standardizuar ende, se gjuha standarde shqipe është ende në proces standardizimi. Çka do të thotë kjo? Do të thotë se shqiptarët vazhdojnë të jenë në proceset standardizuese, ende të papërfunduara, se gjithë përpjekjet mbishekullore për një gjuhë standarde për të gjithë shqiptarët ende nuk kanë përfunduar, se Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 nuk është i ligjshëm, se gjuha standarde që kemi sot është një dështim, ashtu siç janë dështim edhe politika gjuhësore dhe planifikimi gjuhësor i gjuhësisë shqiptare.
Një konstatim i tillë nuk është vetëm mohim i gjithë asaj pune të gjatë, të madhe dhe të kuptimshme të zelltarëve e të lëvruesve të shqipes, nuk është vetëm mohim i disa dhjetëvjetëshave jete të standardit të shqipes të realizuar e të dëshmuar në të gjitha funksionet e tij në gjithë hapësirën shqiptare, por është mohim i aftësisë së shqiptarëve për të bërë një gjuhe letrare të përbashkët në shkallë kombëtare, është mohim i aftësisë për të pasur vetëdije se atyre u duhet një gjuhë e përbashkët standarde, është mohim i aftësisë për të vlerësuar rëndësinë e të qenët bashkë nga pikëpamja gjuhësore, është mohim i aftësisë për t’u rreshtuar me të gjithë ata popuj, afër e larg gjeografisë shqiptare, që kanë zgjidhur historikisht, politikisht dhe kulturalisht çështjen e gjuhës së përbashkët gjuhësore me kohë, është në të vërtetë mohim i së vërtetës së madhe se shqiptarët kanë pasur e kanë vetëdije, aftësi e gatishmëri të kenë një gjuhë të përbashkët standarde, ta zhvillojnë gjuhën e tyre standarde dhe të mblidhen rreth një gjuhe të përbashkët standarde.
Sa për të rikujtuar po them se politika gjuhësore është pjesë e politikës zyrtare të një shteti a të një qeverie dhe udhëhiqet në pajtim me ideologjinë dhe me politikën e përgjithshme të një shoqërie, është veprimtari e institucionalizuar shkencore dhe natyrisht e menduar mirë me qëllim që të rregullojë përdorimin e gjuhës dhe të shkrimeve në një shoqëri dhe, njëkohësisht, me qëllim që të drejtojë dhe të mbështesë proceset e planifikimit gjuhësor dhe, rrjedhimisht, standardizimin. Edhe nga ky aspekt krijimi i gjuhës standarde shqipe nuk përbën përjashtim. Kontestuesit e gjuhës shpesh e quajnë gjuhën standarde gjuhë politike. Po cila gjuhë standarde nuk është gjuhë politike përderisa krijimi i gjuhës standarde është pjesë e politikës gjuhësore të çdo shteti e të çdo shoqërie, sepse ajo është pjesë e politikës së përgjithshme kulturore, arsimore, kombëtare, është pjesë e politikës së jashtme dhe e politikës së brendshme që ndjek një shtet. Shumica e gjuhëve botërore nuk janë standardizuar në shtete e rrethana demokratike. Pse t’i kërkohet kjo gjuhës standarde shqipe?
Po rikujtojmë gjithashtu se planifikimi gjuhësor nis me planifikimin e statusit të gjuhës që do të thotë afirmim i saj dhe kujdes ndaj saj, kurse kodifikimi, përpunimi, kultivimi dhe vlerësimi i përkasin planifikimit gjuhësor, që është gjithashtu pjesë përbërëse e politikës gjuhësore. Planifikimi gjuhësor pra kap aspektin gjuhësor dhe aspektin shoqëror të gjuhës, që do të thotë se planifikimi i statusit është çështje e politikës gjuhësore, kurse standardizimi çështje e planifikimit të korpusit dhe e planifikimit të statusit. Së këndejmi tërësia e legjislativit shtetëror dhe e përcaktimeve ligjore me të cilat rregullohet statusi i një gjuhe në një bashkësi shoqërore e bën politikën gjuhësore të ligjshme dhe ajo si e tillë paraqet hapin e parë të planifikimit gjuhësor, prandaj kërkesa e gjuhëtarëve, e artikuluar shpesh në konferencat e tryezat shkencore që përdorimi publik i gjuhës standarde shqipe në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoni, të përcaktohet me ligj për gjuhën është më se i drejtë, në të vërtetë është veprim qytetërues.
Procesi i standardizimit, siç u tha më lart, paraqet njërin prej përbërësve të planifikimit gjuhësor dhe përshkruhet si proces i krijimit të normës së qartë, në një moment të caktuar, i ndikuar nga rrethanat ekonomike, politike, kulturore, historike dhe i nxitur nga nevoja që një bashkësi e caktuar shfaq për një gjuhë të përbashkët letrare dhe për një normë të tillë. Kodifikimi është thelbi i standardizimit, por procesi i standardizimit nuk është vetëm kodifikimi, ai është vetëm një fazë në këtë proces të gjatë. Proceset standardizuese për gjuhën shqipe të filluara herët që në shekullin e 19-të e të vijuara përgjatë shekullit 20, të materializuara në vitin 1972, jo vetëm me pranim të gjerë, por edhe përmes të gjitha veprave kodifikuese që janë në përdorim edhe sot e tutje dhe fazave pasuese të planifikimit gjuhësor të realizuar përmes këtyre proceseve: përzgjedhje, përshkrim, përpunim, pranim, zbatim, përshtrirje, kultivim, vlerësim, dëshmojnë se standardi gjuhësor i shqipes ka ndjekur rrugën e përshkruar e të përcaktuar qartë nga teorikët e standardizimit të gjuhëve. Faza e fundit sipas planifikimit gjuhësor nëpër të cilën duhet të kalojë shqipja standarde është përmirësimi. Këtë fazë gjuha standarde shqipe duhet ta realizojë kujdesshëm dhe vetëm në rast se paraqitet nevoja reale për ndryshime a plotësime të caktuara në normë, të mbështetura e të argumentuara mirë dhe gjithmonë si rezultat i vëzhgimit e i shqyrtimit, në të vërtetë si rezultat i studimit gjithëpërfshirës e të hollë nga ana e ekspertëve – njohës të mirë të gjuhës shqipe dhe të normës së saj. Një përpjekje të tillë mund ta quajmë punën që ka bërë Këshilli Ndërakademik i Gjuhës duke studiuar e trajtuar çështje që janë e nuk janë përfshirë në veprat kodifikuese të hartuara e të botuara pas Kongresit, duke diskutuar çështje e dukuri të rrafshit fonetik, morfologjik, sintaksor e leksikor, duke diskutuar e propozuar plotësime deri edhe ndryshime të vogla për rregullat dhe përjashtimrregullat që janë konsideruar të diskutueshme dhe gjithmonë me qëllim të thjeshtimit, të pasurimit dhe të njësimit të tyre. Sigurisht që qëndrimet e propozimet e dala në këtë Këshill nuk kanë pasur gjithmonë njëzëshmërinë, përkundrazi, janë shfaqur mendime e qëndrime të ndryshme, pra edhe të përkundërta jo vetëm për çështje të veçanta të normës, por edhe për vetë standardin. Propozimet që kanë dalë në këtë Këshill nga diskutimet e debatet e që konsiderohen se plotësojnë dhe përsosin standardin ekzistues ende nuk janë vënë në provë sepse KNGJSH-ja nuk ka pasur mandat të sjellë vendime të detyrueshme për zbatim, sepse ai diskuton e propozon zgjidhje që duhet të kalojnë më tej në diskutime të gjera jashtë këtij këshilli, nga forume të tjera shkencore të ligjësuara nga institucionet shtetërore, të cilat mund të miratojnë a mosmiratojnë propozimet për ndryshimet a plotësimet e propozuara. Gjithmonë e gjithkund ndryshimet dhe plotësimet në standard kërkojnë punë shumë serioze dhe, patjetër, shumë kujdes e maturi.
Ristandardizimi sipas sociolinguistikës teorike është proces i rinormimit të një gjuhe që ka kaluar tashmë proceset standardizuese, por mbi bazën pak a shumë të ndryshme, d.m.th. standardizim i sërishëm, në të të vërtetë ndryshim në përzgjedhjen e bazës për normim, që do të thotë shkurt ndarje gjuhësore ose zhvillim i gjuhës a gjuhëve të reja standarde ose, më në fund, inaugurim i një a më shumë varianteve në rang të gjuhëve standarde. Ky model ta quajmë teorik i planifikimit gjuhësor, i synuar nga kontestuesit e gjuhës standarde shqipe, është model i pazakonshëm për zhvillimin gjuhësor edhe të standardit të shqipes, i rrallë në gjuhësinë botërore, sepse kthen prapa standardizimin dhe hap rrugën për variantizim gjuhësor brenda shqiptarëve.
Nëse standardizim do të thotë krijim i gjuhës standarde mbi bazën e një dialekti, ristandardizim do të thotë standardizim mbi bazën ekzistuese gjuhësore. Nëse standardizimi është proces i krijimit të gjuhës standarde mbidialektore nga një variant më me prestigj, i nxitur nga faktorë jashtëgjuhësorë: tradita letrare, korpusi letrar, faktorët politikë, ekonomikë etj., siç ka ngjarë edhe me shqipen, ristandardizimi ndodh vetëm mbi rrafshin simbolik dhe në plan të parë nuk ka parasysh funksionin komunikativ të gjuhës, po funksionin simbolik. Nëse gjuha standarde shqipe, ashtu si gjuhët e tjera standarde, ka mbizotëruar dialektet dhe të gjitha sociolektet dhe është krijuar për të lehtësuar komunikimin në rrafsh kombëtar dhe për të identifikuar edhe identitetin kombëtar, që do të thotë se funksioni i saj është ndërkomunikues dhe simbolik, me ristandardizimin e përfolur gjuha bëhet simbol për identitetin e një etniteti të tjetër brenda bashkësisë së gjerë etnike shqiptare, sepse pa gjuhë nuk mund të konstituohet asnjë bashkësi pretenduese për identitet të ri kombëtar e shtetëror. Prandaj sot kërkesat për ndryshimin apo për ristandardizimin e gjuhës shqipe, sidomos në Kosovë, kuptohen fare qartë nga gjithsecili. Qëllimet në këtë drejtim janë largvajtëse dhe largdëmtuese!
Ristandardizimi nuk është përmirësim i komunikimit as ngritje e kompetencave standardogjuhësore të folësve gegë, por shquarje e statusit të “gjuhës”, në rastin tonë të statusit të njërit dialekt – të gegërishtes, me qëllimin që të ndryshohet e korrigjohet diçka e paragjykuar si “padrejtësi historike” ndaj saj, diçka që është vendosur “gabimisht” në standardizimin e parë.
Faktet që dëshmojnë prirjen e fuqishme përafruese e përbashkuese që ka karakterizuar proceset standardizuese në historinë e gjuhës shqipe dhe në historinë e shqiptarëve janë shumë kokëforta sepse janë nxitur jo vetëm nga arsyet gjuhësore e kulturore, por edhe nga arsyet shoqërore, politike, ekonomike. Me përpjekjet e largdukshme për ristandardizimin e gjuhës shqipe po mënjanohen dhe po “harrohen” të arriturat e derisotme të standardizimit të shqipes dhe po sforcohen arsyetime të paarsyetuara e të paqëndrueshme shkencore, historike e jashtëkombëtare
Veçoria kryesore e gjuhës standarde shqipe është pavarësia e saj në raport me të gjitha idiomat e tjera dialektore. Përfshirja e çfarëdo forme morfologjike-sintaksore në standard, që përbën karakteristikën kryesore dalluese midis dy dialekteve tona, jashtë atyre leksikore, do ta lëndojë qëndrueshmërinë e normës së gjuhës standarde, të dëshmuar mirë në realitetin gjuhësor gati gjysmëshekullor. Standardi i shqipes ka shfaqur gjallësinë e saj duke i bërë ballë ndryshimeve të kushtëzuara.
Çdo standard, prandaj edhe standardi ynë gjuhësor, në fillimin e tij është krijim artificial e më pas ndërtohet e kultivohet, pasurohet e zhvillohet e kjo do të thotë se ai duhet të mësohet nga gjithsecili që e ndien nevojën për të, sepse askush nuk lind me gjuhën standarde si gjuhë të veten natyrore. Gjuha standarde nuk është gjuhë popullore. Të gjithë shënuesit e saj dëshmojnë largesë midis saj dhe varianteve të tjera gjuhësore, para së gjithash midis saj e të folmeve popullore a dialekteve. Veçoritë kryesore të gjuhës standarde janë, siç e thonë teorikët e standardologjisë, qëndrueshmëria elastike, shumëvlerësia funksionale, intelektualizimi, modernizimi, ndërkombëtarizimi, etj., veçori që i ka pa dyshim edhe shqipja standarde. Ndërhyrjet e ashpra në korpusin gjuhësor që mund të mendohen me ristandardizmin do të lëndonin zhvillimin natyror të gjuhës standarde. Ndryshimet a plotësimet eventuale që duhet dhe mund të bëhen në normën e saj nëpër kohë duhet të jenë të kushtëzuara vetëm nga arsyet gjuhësore e në asnjë mënyrë nga arsyet e tjera, pra as nga ato ideologjike, krahinore, lokaliste, përçarëse, koniunkturore e të tjera, shumë të shquara e të tejqarta sot.
Gjuha standarde shqipe sot me veçoritë e funksionet e një varianti standard të krijuar gjatë procesit të gjatë standardizues paraqet gjuhë të pranueshme dhe të autoritetshme për të gjithë shqiptarët kudo janë, ndërsa vëmendja e atyre që merren me planifikimin gjuhësor në gjithë hapësirën gjuhësore shqiptare, e atyre që studiojnë gjuhën shqipe dhe gjuhën standarde shqipe, duhet të drejtohet rreth kujdesit të munguar ndaj saj, kujdesit të munguar institucional, pra kujdesit shtetëror e shoqëror. Jo vetëm institucionet shkencore që merren me planifikimin gjuhësor, jo vetëm gjuhëtarët që studiojnë gjuhën, po edhe lëvruesit e gjuhës – shkrimtarët, përkthyesit, gazetarët, dhe të gjithë përdoruesit e saj duhet të ndërgjegjësohen për rëndësinë e madhe që ka përdorimi i drejtë i gjuhës standarde dhe i gjuhës në përgjithësi, i njërës prej vlerave më të mëdha kombëtare që kemi.
[1] Këshilli Ndërakademik për Gjuhës Shqipe u themelua më 27 tetor 2004 në Tiranë si forum gjuhëtarësh që të shqyrtojë probleme të përgjithshme e të veçanta të shqipes standarde dhe të funksionimit të saj në të gjithë hapësirën e përdorimit të saj. Këshilli u themelua në mbështetje të Thirrjes së Konferencës “Gjuha standarde shqipe dhe bota shqiptare” mbajtur më 18-20 nëntor 1992 dhe në mbështetje të këshillimeve të ndërsjella të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Qëllimi parësor i themelimit të këtij Këshilli është institucionalizimi mbarëkombëtar i kujdesit për shqipen standarde me objektivin që të ndjekë proceset e zhvillimeve gjuhësore në kontekstin e ri politik, ekonomik, shkencor e kulturor. Mbledhja e parë e KNGjSH-së u mbajt në Tiranë më 4. 12.2004.
[2] Einar Haugen, Dijalekt, jezik, nacija, Kultura XXV, Beograd, 1974, f. 74-88.
Komentet