AFP
Në Australi, të hënë do të zhvillohet seanca në rastin e tenistit serb Novak Gjokoviq. Atij iu ndalua hyrja në këtë shtet për shkak se siç u tha, nuk kishte respektuar rregullat kundër COVID-19, pasi nuk kishte dëshmi të vaksinimit.
Tenisti serb që ishte nisur të merrte pjesë në turneun njohur të tenisit “Australian Open”, prej ditësh është duke qëndruar në një qendër ndalimi në Melburn të Australisë, derisa apeloi vendimin për anulimin e vizës së tij.
Por ndryshe nga tenisi, seanca online e gjykatës federale që hapet në orën 10:00 të së hënës (sipas kohës lokale në Australi) mund të mos përfundojë me një fitore ose humbje të thjeshtë.
Këtu është një vështrim me disa skenarë të mundshëm:
Nëse Gjokoviq fiton
Nëse gjyqtari Anthony Kelly vendos në favor të tenistit serb Novak Gjokoviq, kjo do të zhvleftësonte anulimin e vizës së tij, e cila do të bëhej sërish e vlefshme.
Do të ishte një fitore e bujshme për Gjokoviqin që është skeptik sa i takon vaksinës kundër COVID-19 si dhe do të ishte një humbje dramatike për qeverinë australiane, e cila ka zbatuar kontrolle të rrepta në kufijtë e saj për rreth dy vjet.
Ekipi ligjor i tenistit serb ka përcaktuar se çfarë duan që gjyqtari të vendosë në këtë skenar.
Në një parashtresë prej 35 faqesh përpara seancës, ata kërkuan “lirimin e menjëhershëm” të tij nga paraburgimi jo më vonë se ora 17:00 e së hënës.
Ata i kanë kërkuar gjithashtu gjyqtarit që të vendosë “sa më shpejt që të jetë e mundur”, pa pritur të hartojë arsyetimin e tij ligjor që ata thonë se mund të publikohej më vonë.
Turneu “Australian Open” fillon vetëm shtatë ditë pas seancës dëgjimore të së hënës.
Nëse e apelon vendimin qeveria
Qeveria australiane me siguri do të apelojë një vendim të tillë, tha Christopher Levingston, një specialist i akredituar në ligjin e migracionit me më shumë se 20 vjet përvojë.
Sipas tij nëse rast shteti australian apelon vendimin që mund të jetë në favor të tenistit serb, atëherë ai thotë se: “Z. Gjokoviq do të qëndronte në qendrën e imigracionit”, tha ai në një analizë të rastit.
Nëse fiton qeveria australiane
Nëse seanca shkon në favor të qeverisë australiane, ka të ngjarë të kërkojë të dëbojë Novak Gjokoviqin nga vendi me aeroplanin e parë që është në dispozicion.
Të enjten e kaluar, gjykatësi urdhëroi Ministren e Punëve të Brendshme Karen Andreës të mos e largonte Gjokoviqin ndërsa ai kishte apeluar vendimin e autoriteteve australiane për anulimin e vizës së tij.
Ky urdhër skadon në orën 16:00 të së hënës (sipas kohës lokale në Australi).
Levingston tha se rasti i qeverisë mbështetej në një seksion të ligjit të migracionit që ai beson se “në fund do të shohë z.Gjokoviq të dështojë në aplikimin e tij”.
Sipas ligjit, ministri duhet vetëm të tregojë se prania e mbajtësit të vizës “mund, do të ishte ose mund të jetë” një rrezik për shëndetin, sigurinë ose rendin e australianëve.
Por edhe nëse qeveria fiton, ylli serb i tenisit mund të apelojë vendimin.
Në rast se Gjokoviq apelon
Nëse gjyqtari hedh poshtë apelimin e Novak Gjokoviq, mund të ketë një sfidë tjetër.
“Nëse ai humb, ka shumë të ngjarë që të bëhet një apel,” tha John Findley, një avokat që fokusohet në çështjet e migracionit, familjes, biznesit dhe taksave.
Në atë skenar, avokatët e Gjokoviqit do të duhet të argumentojnë se ka pasur një gabim dhe ndoshta të vënë në pah ndonjë pikë të paprovuar të ligjit, shtoi ai.
Por edhe nëse paraqitet një apel i tillë, Gjokoviq nuk do të jetë në gjendje të ecë i lirë derisa rasti është i argumentuar, tha Levingston.
Ndërsa gjyqtari mund të lejojë një apel, ai nuk mund të urdhërojë qeverinë të japë një vizë që i lejon Gjokoviqit të dalë nga paraburgimi, tha Levingston.
Ministria e Punëve të Brendshme të Australisë mund të japë një vizë të tillë, tha ai.
Por ajo nuk ka gjasa ta bëjë këtë duke pasur parasysh pozicionin e qeverisë për rastin e tij dhe ndikimin politik të një vendimi për ta liruar atë.
Përgatiti: Shkelqim Hysenaj
Komentet