GJOKA DHE “EGOIZMI” I ÇIFTIT ULDEDAJ
-Një urim ndryshe për Gjok Uldedën në 23741-ditë-netët e Tij-
Ju e njihni Gjok Uldedën. Por jo si unë. Jo nga afërsi shqiptare dhe largësi kontinentale si fjalëshkruasi.Ne njihemi qysh në mesin e viteve 1970-të. Ishim “udhëheqsa” rinie. Ishim ëndërrimtarë.Qysh ato vite, Gjoka nga Velipoja më thoshte: “Ta lexova shkrimin tek “Zëri i rinisë”…Edhe atë tek “Jeta e re”…” Unë gëzohesha ndërsa një zë na thoshte “filloi mbledhja…” Ne dëgjonim. Merrnin direktiva dhe dilnim prej andej duke qeshur. Ne qeshnim edhe në socializëm.Nuk ishim “skëterrë”. Qeshnim dhe bënim shaka, mbrëmje vallzimi, eskursione në Razëm, dhe në çdo mbledhje rinie ishte një “çekan” në çdo rend dite: “Kuotat…Kuotat…Kuotat”. Ne kruanim xhepat dhe qeshnim…
Me Gjok Uldedën, edhe pse vitet ushtar i kanë dhënë një “vrazhdësi” malësori, ne përherë kemi qeshur. Edhe tani ne takohemi duke qeshur, duke kujtuar gallata dhe “çërr-fërre” që vetëm unë, ai dhe ndonjë tjetër ua di kuptimin. E qeshura dhe humori me Gjok Uldedën, ka qënë “boshti ynë ideologjik”: Edhe kur na thoshin kuotat, kuotat…Edhe kur na thoshin: “Shfaqet e huaja…” Duke qeshur kemi përcjellë dekada dhe nuk dihet dhe se sa të tjera…“Po na bën Gjokën si Zef Deda…Nuk është.” më thotë dikush nga ju. Nuk është, por ka humor. Mjafton të ulesh në një tavolinë me të dhe kupton “seriozitetin” e Gjok Uldedës…
Viti 2002. Sapo isha kthyer për herë të parë nga “stazhi” në Botën e Lirë. Kisha mall. Kujtoja se pa mua, Tirana nuk do ishte më Tiranë. Kujtoja se kudo në ILB, në radio, në bulelvard, dikush pyeste : “Ku ka humbur Shefqet Meko?” Askush nuk e çante kokën. Askush nuk pyeste për mua, veç mallit tim për atë që kisha lënë pas. Gjok Uldedaj ishte kryetar i Dhomës së Tregëtisë dhe kishe organizuar një pritje. Më ftoi dhe mua. U ndjeva përsëri si në Shqipëri:Mes shokësh, miqsh dhe kolegësh. Gjoka duke më prezantuar me disa që nuk i njihja më tha: “Pse tradhëtuat Atdheun? E latë në duart tona dhe ne do ta bëjmë, jo ju që ikët…” “Ikëm për të ardhur Gjok”-i thashë. “Mos hajdeni. Nuk ju duam shko dhe mbytuni në Bunë se Lana ka shteruar. Shqipërinë do e bëjmë ne…” Të gjithë qeshëm…
Prej atij kthimi të parë nga Amerika, sa herë kam ardhur, asnjëherë nuk kam ikur pa u takuar me Gjok Uldedën, Rozën, bashkëshorten e Gjokës dhe familjen. Më shumë se një dekadë më parë ishte ditë marsi si kjo. Unë shëtisja në mendime mes lulishetes “Rinia”. Kujtoja lukuninë e kioskave, zhurmave, rrëmujës dhe zymtësisë në tranzicion . Një zë më bërtet nga restorant “Tajvani”: “Eja Çet Meko. Mos u mendo”. Ishte Gjok Uldedaj që më kishte pikasur në atë shëtitje të heshtur. “Hajde të hamë një picë. Jam me Rozën dhe fëmijët”. Ju bashkova asaj tavoline familjare që mbeti si një pikturë e bukur në kujtimet e mia: Gjoka, Roza-Trashëgimia. Një aureolë që krijon dashuria e vërtetë e një çifti, siç janë miqtë e mi. Gjoka ishte bërë edhe deputet, por kjo nuk ja kishte “rritë kryet”. Pëkundrazi, më ftoi në një drekë të thjeshtë familjare në ditlindjen e vet. Thjesht, bukur mes të qeshura fëmijësh. E ç’të duhet një diltindje tjetër? Prania ime ishte një rastësi e bukur që më vjen në mendje herë pas here.
Në atë tavolinë Gjok Uldeda dhe Roza do më respektonin si një mik të hershëm. Ne njiheshim familjarisht. Kisha qënë mysafir tek Gjoka dhe Roza herët në vitet 90-të, bashkë me Almën time dhe ajo darkë mbeti kujtesë dhe bujari e rrallë. Atë mars sikur Gjoka do më thoshte përsëri: “Pse ike more Çet Meko. Do kishim bërë gjëra të mira këtu”. Unë qesha përsëri. “Të ik të mbytem tek Buna?”- i thashë. “Jo, Buna është plot krapa…” Qeshnim. Më vinin në mendje shumë gjëra. Kujtoja edhe kur Gjok Uldedaj bashkë me Kristaq Patën, Sabah Senën, do ishin në bordin drejtues në Qëndrën Kerkimore të Zhvillimit Rural që unë kisha themeluar e tash është bërë “ilegale” në Tiranë. Duke kujtuar këtë fakt Roza dhe Gjoka gati me një zë më thanë: “Prit edhe pak. Edhe pak…Ajo qëndra që krijove do të të dukt një hiç.Ne kemi tjetër plan. Një plan të madh…” Ata nuk më dhanë detaje, por ajo ditlindje ishte edhe ditë-ëndërrimi. Çifti Uldedaj kishte plane të tjera, krejt ndryshe nga çdo çift që kishte kaluar në bankat e “Qytezës së Blertë”. Ata kishin filluar të bëheshin “çifti më egoist” i brezit tonë: Synonin të themelonin një shkollë private. “Ju nuk talleni!” ju thashë. “Nuk bëhet duke u tallur Shqipëria o Meko. Bëhet me punë…Do ta shohësh”- më tha atë pranverë Gjok Uldedaj…
Vjeshtë 2021. Kisha 10 vjet pa ardhur nga Amerika. Roza dhe Gjok Uldedaj më bëjnë një ftesë surprizë: “Eja të pimë një kafe tek Shkolla e Dakës”. Ajo vizitë më la pa mend. Çifti Uldedaj kishte blerë ndërtesën madhështore të ish-Fakultetit të Pyjeve: Aty ishte ngritur një fanar drite në shekullin e shkuar. Aty, Kristo Dako dhe Sevasti Qirjazi hapën kolegjin që çifti Uldedaj ëndërronte të ringrinte më të bukur, më të kompletuar dhe më modern. Aty, tek ajo ndërtesë kishte shumë histori, shumë ëndrra dhe zhgënjime. Roza Uldedaj nuk pushoi duke më rrefyer planet e mëdha se si Kolegji “Qirjazi” do të funksiononte, në çfarë degë do specializohej dhe si do të rekrutonin studentët e ardhshëm. “Nuk kemi më gjumë qysh kur kemi filluar këtë projekt” do më thoshte Roza me një enthuziazëm flakërues. Bashkë me Gjokën diskutojmë për shumë gjëra dhe nuk do tërhiqemi…Ne do bëjmë histori Meko”. Gjoka qeshte: “Po mos dëgjo Rozën o Meko…Më dëgjo mua. Unë jam President i Kolegjit. Ajo, asistentja ime. A kupton?…”
Ne qeshnim. Godina ishte në rindërtim dhe planet që më rrëfente çifti Uldedaj ishin ambicjoze si një ëndërrim i madh. Duke ndjekur atë pasion të natyrshëm, atë gurgullimë besimi tek vetja e tyre, më ardhën në mëndje çifti i parë që ndërtoi atë shkollë:Kristo Dako dhe Sevasti Qirjazi. Ky lloj entuzuasmi do ishte edhe brënda atij çiftit ëndërrimtar të fillimshekullit të shkuar? A e kishin menduar tmerrin që hoqën vetëm e vetëm se sillnin një dritëz diturie në Shqipëri?… Vallë të kishin parë ndonjë ëndërr që veprën e tyre që një sistem politik deshte ta varroste, por një “çift verior” do ta ringrinte më bukur duke vijuar “nusërimin” e dijes në atë kodër të bukur në Kamëz?…
Nuk ka një përgjigje. Nuk ka një shpjegim. Por ka diçka të veçantë: Stërnipi i “çiftit themeltar” të asaj shkolle, tashmë Kolegji Universitar “Qirajzi”, nga Honoluluja, nga “fundi i botës”, siç na ishte rrëfyer në fëmijëri, Arjan Hoxha si një mirënjohje thotë: “Gjok dhe Roza Uldedaj ringritën një ëndërr të bukur. Faleminderime nga Perëndimi i largët amerikan…”
Çifti Uldedaj, Gjoka dhe Roza, janë miqtë e mi dhe krenaria ime për atë që kanë bërë. Jo kushdo mund të bëjë diçka të tillë. “Egoizimi” i Uldedajve, kthimi i tyre tek shkolla ku provuan “pudhjen e parë” (Sipas arshivavae të mia), është një shembull i madh nxitës dhe kuptimplotë: Shqipërinë do ta bëjën ata që janë aty. Askush tjetër. Çifti Uldedaj e dëshmon këtë me “Egoizmin” intelektual që kapërcen shumë parashikime.
Sot, Gjok Uldedaj mbush 23741-ditënetë ose 65 pranvera-dimra të jetës së vet. Roza Uldedaj, vështron një ëndërr të bërë realitet, duke u përpjekur ta befasojë të dashurin e saj në këtë përvjetor ditlindje. Çfarë dhuratë mund ta befasojë Gjokën? Shkrimi im? Urimet po fund në këtë ditlindje, apo diçka tjetër?
Roza Uldedaj është një zonjë dinjitoze, që ja ka zbukuruar jetën dhe ëndërrimet Gjok Uldedës. Ajo ka suprizën e vet sekrete sot në këtë 3 Mars 2024, ndërsa unë nga Amerika gati me zë të ngjirur them: Qeshu Gjok, qeshu, Roza është e jotja….
EDHE 100 MIJË DITË-NETË TË TJERA GJOK ULDEDAJ!
Shefqet Meko
Minneapolis, 3 Mars 2024