Pas audio-përgjimit me protagonist gazetarin Adriatik Doçi, ka reaguar Këshilli i Medias. Në deklaratën e saj, theksohet se gazetari Doçi artikulon shkelje të rënda, të cilat janë shantazh i hapur. Duke i kërkuar organeve të drejtësisë të hetojnë këtë rast, Këshilli i Medias thekson se problemi i gazetarëve gjobëvënës është problem i medias, por gjithashtu dhe problem se si ky pushtet përdor gazetarë dhe media të caktuara për të instrumentalizuar lirinë e shprehjes dhe goditur kundërshtarin politik
SYRI TV
Këshilli i Medias ka reaguar pas audio-përgjimit ku protagonist është gazetari Adriatik Doçi. Në reagim thuhet se gazetari artikulon verbalisht disa shkelje të rënda të Kodit të Etikës.
“Siç biseda audio lë të kuptohet, gazetari i përgjuar artikulon verbalisht disa shkelje të rënda të Kodit të Etikës së gazetarit. Reklama në shkëmbim të heshtjes apo mos-sulmit, tarifa mujore të marra nga biznese në shkëmbim të mos-raportimit të problemeve të produkteve tregtare, të cilat dëmtojnë jetën e konsumatorëve, janë vetëm një pjesë në arsenalin që personi në audio-përgjim pranon se disponon dhe përdor, në mënyrë jo-etike, por edhe të paligjshme. I një shkeljeje sipërore jo vetëm etike, por dhe e turpshme, është edhe rasti kur personazhi i përgjuar flet për marrëveshje me narkotrafikantët”.
Këshilli i Medias tregon se ajo që gazetari pranon në këtë audio-përgjim është shantazh. Më tej në reagim, thuhet se problemi i gazetarëve gjobëvënës është problem i medias, por gjithashtu dhe problem se si ky pushtet përdor gazetarët të caktuar dhe media të caktuara për të instrumentalizuar lirinë e shprehjes dhe goditur kundërshtarin politik.
“Këshilli i Medias e sheh me alarm audio-përgjimin dhe informacionet që dalin prej aty, dhe e dënon këtë akt, siç dënon çdo rast kur gazetarët nuk ndjekin dhe nuk respektojnë misionin e tyre, të të qenit rojtarë të shkeljeve të pushtetit dhe njerëzve të fuqishëm. Problemi i gazetarëve gjobëvënës është problem i medias, por gjithashtu problem i pushtetit dhe faktit se si ky pushtet përdor gazetarët të caktuar dhe media të caktuara për të instrumentalizuar lirinë e shprehjes dhe goditur kundërshtarin politik”.
Këshilli i Medias do t’i kërkojë Bordit të Etikës që të mblidhet në një mbledhje urgjente dhe të formulojë një qëndrim që nuk merret vetëm me rastin, por edhe kontekstin.
Gjithashtu i kërkohet organeve të ligjit që ta hetojnë këtë rast dhe se ky rast nuk duhet të merret si një shfajësim për ligjin “anti-shpifje” të qeverisë.