Gjithmonë kënaqësi dhe befasi koncerti i Korit të Filarmonisë së Kosovës, me rastin e 20 vjetorit të krijimit, dhënë në hollin e TKOB 2 shkurt 2024.
Kontakti im i parë me interpretimet e tij nën drejtimin e Rafet Rudit, themelues dhe dirigjent në vijueshmëri prej shumë dekadash, ka qënë para disa vitesh.
Koncerti u mbajt në Katedralen Katolike dhe emocionet që përjetova ishin të jashtëzakonshme.
Përshtypjet dhe konsiderat ende të freskëta, sikur të mos kishin kaluar kaq vite dhe koha të kish ngelur në vend, ia shpreha në një bashkëbisedim zotit Rudi, jo me larg se para dy ditësh kështu :
-Kulturë korale këndimi, pasuri ngjyrash, unifikim perfekt, fuzion, disiplinë artistike, repertor që përfshinte disa shekuj muzikë, stil dhe profesionalizëm sipëror. Thënë ndryshe Muzikë.
Këtij vlerësimi në koncertin e mbrëmjes së sotme, nuk do t’i hiqja asnjë presje.
Madje si dukuri të veçantë do të theksoja përkushtimin e posaçëm e të pa ndërprerë të dirigjentit për pasurimin e repertorit me vepra korale konteporane, me një shtrirje mjaft të gjerë gjeografike, Europë Japoni, Amerikë, përfaqësuar nga kompozitorë të suksesshëm të shekullit XXI në gjininë korale.
Rafet Rudi një personalitet, shumë dimensional; kompozitor, dirigjent, muzikolog, pedagog, organizator dhe udhëheqës artistik i Qëndrës Kosovare për Muzikën e re, dhe i Festivalit “Re Muzika”, padyshim kish berë kujdes për të ruajtur një proporcion të drejtë edhe me përfaqësimin e veprave të kompozitorëve kosovarë dhe një kompozitor shqiptar.
Veç interpretimit, vëmendjen e publikut e mbajti gjallë, duke ndikuar ndjeshëm në kënaqësinë e përftuar edhe kujdesi i posaçëm në përzgjedhjen me mjaft interes të programit, që për publikun shqiptar ishin të gjitha premierë.
Koncerti filloi me Koralen akapela “Stars”( yjet) të kompozitorit letonez Ēriks Ešenvald, i njohur kryesisht për muzikën korale. Një muzikë qiellore, të cilën tingujt e gotave kristal, produkt i fërkimit me gishta te gotave mbushur me ujë e shoqëruan gjatë gjithë kohës, si një burdon. Edhe pse shpesh herë bashkëtingëllimi me vokalin krijonin dizonancë, interpretimi tepër fin gati gati transparent krijoi nje gjëndje qetësie të admirueshme.
Koralja e dytë ishte “OEIA” e kompozotorit kosovar Mendi Mengjiqi. Interesante struktura e saj polifonike, akapela, pa fjalë mbështetur në këto 4 zanore mbi një temë shumë të përafërt me intonacione popullore të jugut dhe thurur bukur në bashkëveprimin e zërave, bas, bariton, alt, sopran tenor. Realizuar bukur dhe me ndjeshmëri të thellë nga kori.
Në vijim koralja “ Biegga Luohte” për kor miks e kompozotorit Jan Sandstrõm. Një ndërthurje e traditës folklorike suedeze me teknikën minimaliste. Fillon me pasthirma dhe më pas një temë e vetme që përcillet rreth e rotull, e në mes të saj kori deklamon gati egersisht për t’u kthyer sërishmi si jehon e largët tek materiali tematik. Gjate gjithë kohës rritmohet një figurë e njëjtë. Realizuar bukur dhe me pergjegjesi të përkorë profesionalisht.
Koralja e katërt “ Pakëz në ëndër, pakëz në zhgjëndër” e kompozitorit Kosovar Baki Jashari, me karakter dramatik është frymëzuar nga vuajtjet dhe revolta e popullit nën dhunën e Millosheviçit. Në funksion të kësaj ideje artistike gjuha krijuese mbështetet në efektet e metodës aleatorike ku gërshetohet e kënduara, pëshpërima, britmat, e folura e paqartë, dhe naracioni i një aktori. Krijimi, por dhe interpretimi shumë i ndjerë u duartrokitën gjatë nga publiku.
Pas koralja”The Joy in Living” vepër e kompozitorit shqiptar Aulon Naçi me tekst të Nënë Terezës. Me karakter liturgjik, koralja është strukturuar duke shfrytëzuar teknikën e kontrapunktit në dy seksione. I pari me imitacione kanonike, i dyti i shtrirë vertikalisht në tetë zëra. Ideja artistike hymnizon dashurinë ndaj Zotit dhe mbarë njerëzimit. Kori e interpretoi me ndjeshmëri dhe emocion, frymën e saj të paqtë dhe karakterin e ngrohtë.
Vepra që vijoi “Concert Fantazy” për violinë, kor, solist ( soprano dhe tenor kompozuar nga Rafet Rudi ishte mjaft interesante dhe ngjalli shumë interes tek dëgjuesit në sallë. Një gërshetim i gjetur i violinistes në rolin e solistes me shoqërimin e korit dhe e kundërta. Sihana Bodivuku ka në sivinë e saj një numër të madh koncertesh brenda dhe jashtë Kosovës, duke u vlerësuar nga kritika dhe opinioni i muzikantëve për lojën plot temperament, me pathos, ndjeshmëri dhe teknikë virtuoze. Cilësi që i manifestoi edhe në këtë koncert. Ajo dhe të gjithë interpretuesit nënvizuan dhe ndanë emocionalisht me publikun karakterin dramatik të veprës e njëkohshëm gjatë zhvillimit dhe veçanërisht në kadencë na befasoi me aftësinë virtuoze.
“Cloudburst” për kor, soprano, bass dhe perkusion i kompozitorit amerikan Eric Whitacre ishte interpretimi i shtatë i këtij koncerti.
I vlerësuar si neo-impresionist, stili i tij është cilësuar plot harmoni vezulluese, drithëruese, ndonëse me grupime dizonante dhe aritmi. Njekohshëm përdor dhe teknikën aleatorike, duke shfrytëzuar deklamimin, përplasjet e duarve, të gishtave e të tjera mjete jo muzikore. Me çfar përkushtimi, disipline artistike, unifikim timbrik, rezonim gati hyjnor, dhe korektësi në lëvizje u realizua nga kori kjo vepër.
Koncerti u mbyll me “ Cantate domino” për kor, solist ( kontra- tenor, soprano, piano) të kompozitorit japonez Ko Matsushita.
Kompozitor dhe aranxhues i suksesshem i shekullit XXI. Dirigjent i 13 koreve, brenda dhe jashtë Japonisë. Kompozimet e tij mbajne lidhje me muzikën tradicionale japoneze, mesha, e motete të Peridhës së Mesjetës dhe atë të Rilindjes.
Kjo vepër është një psalm lirik me një temë këngë të thjeshtë, që merr zhvillim gati hymizues dhe rikthehet përsëri në emocionin e parë për t’u mbyllur qetësisht. Pianisti e luajti butë me dashuri e po kështu iu përgjigj dhe kori.
Kaq mirë u prit ky koncert nga publiku, që si kurë më parë e kishte mbushur hollin plot e përplot me pjesëmarrjen e tij, sa dirigjenti i detyruar nga duartrokitjet e gjata ridoli prap në skenë për të interpretuar këngën polifonike “Janinës çi panë sitë” për kor dhe solistë.
Shumë kënaqësi, emocion dhe muzikë.
Në të gjitha veprat cilësia, veç atyre që nënvizuam, u vu re tek frazimet artistike, tek kontrasti i ngjyrave dhe dinamikës, tek bukuria e crescendo-ve, tek plazmimi ritmik, i ndjerë, tek agogjikat artistike ritmike, të ekuilibruara në logjikën e frazimit e të përdorura me kriter e sens mase në bashkëveprimin e ndërsjelltë të shpejtimit e të frenimit të tempit bazë.
Duke e falenderuar trupën e korit, Sihana Badivuku, solistët e tjerë dhe veçanërisht dirigjentin Rafet Rudi, për këtë mbrëmje muzikore të mrekullueshme,njëkohësisht i urojmë suksese.
I. Dema.
3,02. 2024.